Profesor Simon Rrota
nga Lazër Radi
Marrë nga libri “Në gjurmët e një ditari të djegur…”
Libri i Dytë i Kujtimeve (1929-1938)
S’mund të rri pa shkruejtë diçka edhe për piktorin e njoftun shkodran, profesorin tim të vizatimit – Simon Rrotën.
Profesor Simoni, ishte nji burrë i shkurtë diku rreth të pesëdhjetave, me nji fytyrë plot rrudha të theksueme, pak i zeshkët, fjalëpakë dhe njeri i nji urtësie proverbiale.
Për shumë nga ne gjimnazistët e asaj kohe, ora e vizatimit ishte ora ma e kandshme, nji ora çlodhjeje të plotë, shpesh edhe bisedash nga ma të ndryshmet. Vizatimi bahej në sallën e madhe në fund të katit të poshtëm, dritaret e së cilës komunikonin me oborrin e Konviktit… Gjatë kohës së verës, hymjet e daljet prej konviktit në shkollë dhe prej shkollës në konvikt, baheshin zakonisht nga dritaret…
Profesori merrej vazhdimisht me vizatim, herë në këshillim të ndonji nxanësi të talentuem, herë duke dashtë me ndihmue ndonji të pazotin, ndodhte që ia çonte vizatimin deri në fund. Asokohe për vizatim, profesori shpërndante do fletë me pamje piktoreske nga natyra, ndonji skaj lumi, ndonji kodrinë të ambël me selvi, ndonji lis të rrëzuem, nji breg deti me dallgë të shkumbzueme… me nji fjalë pamje natyre nga ma të ndryshmet. Të vetmin nxanës që ne e konsideronim ma të talentuemin, bile edhe si piktori i klasës sonë, ishte Qamil Grezda.
Qamili nuk bante pikturat si shumica jonë, prej fletëve të stampueme që na jepte profesori, ai i gjente ato vetë në natyrë. Ai bante portretin e ndonjenit prej nesh, po edhe portrete njerzish të shquem. Shpesh na lutesh me i ndejtë me orë të tana me i pozue… po askush s’ia kishte fort ngenë kësaj pune të lodhshme. Edhe pse mjaft i zoti, shumë nga ne s’kishim besim se ai mund të bante at çka dëshironte. Pse, na dukej i ngathët, po ishte aq kambëngulës sa ia nxirrte shpirtin atij që e ulte për pozim, derisa e bante shumë bukur!
Në orën e vizatimit, kur Qamili afrohesh me profesor Simonin me u konsultue për ndonji pikturë a mendim të vetin, ishim të sigurt se krejt ajo orë do të shkonte veç me diskutimet e tyne. Ndërkohë, ne mund të “shinim lamë” për qejf tonë.
Pra, ora e vizatimit për ne ishte ora ma e kandshme, e salla e mësimit gumëzhinte si pazar.
Dikush këndonte, dikush fërshëllente, dikush thërriste nga banka e fundit shokun e ulun në fillim, me nji fjalë në orën e vizatimit “s’e merrte vesh qeni të zonë…”
Nganjiherë para fillimit të orës së mësimit, kur profesori ende s’kishte hy në klasë, e gjithë klasa si në kor nën dirigjimin e Spiro Bellkovit ia merrte kangës:
Sa të rrojë e gjithë bota/ edhe yjtë e rruzullimit
do të rrojë Simon Rrota/ profesori i vizatimit…
.
Profesori hapte derën dhe me nji qëndrim të ashpër dhe heshtje solemne na qortonte krejt si klasë. Me hap të ngadaltë ngjitesh në katedër, dhe kur e shihte se kanga e rrëmuja s’kishin pushue, atëherë e ngrinte zanin dhe bërtiste:
-Kush ka hy në klasë profesori a qeni?
Siç ishim duke këndue në kor, po në kor i kthehej përgjigja.
-Qeni!
Atëhere profesori Simoni i zemëruem, e përplaste regjistrin për katedër, lajmëronte në drejtori dhe s’vononte shumë dhe hynin të dy bashkë me drejtorin në klasë.
-Hë de, pse s’po k’ndoni tash, k’ndoni, se po k’ndojshit fort bukur! Na i paskeni qitë edhe bejta Profesorit. Sigurisht n’shpinë të profesorave po i shpalosni talentet tueja t’përdrequna, kjo asht nji gja shumë e bukur, dhe meriton lavdata. Po k’ndoni edhe nji herë ta marrim vesh se kush prej jush asht kangtari ma madh ndër horra…
Drejtori, fliste me njifarë ironie, dhe sa vinte nxehej. Dikur zemërimi i tij mbrrinte kulmin. Nji damar i çante përmes ballit. Atëherë dihej se dikush do ta hante ma së paku nji shpullë, por si zakonisht këto “shpërblime” u takonin atyne të bankave të para. Drejtori kishte dhe nji të mirë: askush s’e dinte kujt i mbrrinte hisja e ndëshkimit, sepse vëngërsia syve të tij, të krijonte përshtypjen se me ty ai s’kishte punë, po veç kur… i kriste shpulla në faqe, dhe ti e kuptoje se të kishte ra për hise me të lshue sytë xixa…
E megjithatë, profesor Simon Rrota ishte me të vërtetë artist i madh. Si gjithë artistët shqiptarë të asaj kohe, ai ishte i pavlerësuem, i painkurajuem dhe i lanë në harresë. Për artin e tij pakkush qe i interesue kështu që pjesa ma e madhe e veprave dhe kryeveprave të tij mbushnin veç muret e shpisë së tij…
.
Profesor Simon Rrota, kishte studiue për 5 vjet në Akademinë e Arteve të Bukura në Milano, ku edhe ishte diplomue. Kthehej në Atdhe me andrra dhe shpresa m’e dëshmue talentin e vet dhe e kishin caktue fotograf të thjeshtë në Fier e në Lushnjen e atëhershme, qytete që pak gja i ndante prej katundeve të asaj kohe. Vetëm ky shembull mjafton me kuptue se sa n’ujë ishte vendi ynë, jo vetëm sa i përkiste pikturës, nji art cili nuk gëzonte ndonji simpati të madhe, po edhe në fusha të tjera të kulturës e artit.
Profesor Simon Rrotës iu desh me pritë derisa të hapej Gjimnazi Shtetnor në Shkodër, në vitin 1922, me u emnue thjesht mësues i vizatimit dhe jo profesor, megjithëse ai kishte krye nji akademi në vendin ma të nderuem të Artit të Pikturës, në vendin e kolosëve të Rilindjes italiane si: Leonardo, Mikelanxhelo, Rafaelo, Ticiano, Botiçeli e plot të tjerëve.
.
Marrë nga libri “Në gjurmët e një ditari të djegur…”