back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Profesori ynë i nderuar Arben Puto – Tradhëtar i idealit të tij – Komunizmit nga Mërgim Korça

Gazeta

Mergim Korça
Mergim Korça

Profesori ynë i nderuar Arben Puto,

Tradhëtar i idealit të tij – Komunizmit

nga Mërgim Korça

Sado që titulli i intervistës lëshuar nga profesor Arben Putua, ishte një titull i cili tamam që më ç’orientoi, megjithatë e lexova me vëmendje të madhe. Kjo shpjegohet pa as më të voglin dyshim me faktin që sinqerisht isha i shtyrë nga kureshtja të mësoja se ç’e shtynte këtë profesor, i cili kishte përjetuar deri në vitin 1990 të qënët anëtar i P.K.SH. e në vazhdim i P.P.Sh. për thuajse gjysëm shekulli në vazhdim, të arrinte në përfundimin e bërë publik se më në fund e kishte tradhëtuar këtë ideologjí të tijën! Ksisoji, braktisja e llogores së kolegëve të tij si historianë të politizuar të cilët për 70 vite radhazi e kanë shtrembëruar dhe vazhdojn’akoma ta shtrembërojnë historinë duke pohuar gënjeshtra si të vërteta ose, ç’ësht’edhe më keq, kanë fshehur fakte dhe të vërteta si drita e diellit, më shtynë ta lexoja me etje të madhe intervistën e profesorit tonë të nderuar Arben Putos. Mirëpo zhgënjimi im qé i madh! Profesor Putua nuk është se sinqerisht donte të denonconte bëmat kriminale e terroriste përgjatë periudhës diktatoriale komuniste, përkundrazi, ai desh t’arrinte e të hidhej nga njéri kalë komunist në vrap e sipër, (por tashmë dukshëm çalaman dhe humbës), në kalin tjetër kundrakomunist duke treguar se si ai që nga fundi i viteve ’90-të… nuk mund të qëndronte më indiferent e të mos u përkushtohej të drejtave të njeriut!
Dhe profesori e bën këtë hap duke iu drejtuar hiç më pak por pikërisht “Zërit të Amerikës” ku, përgjatë sistemit diktatorial të partisë, vetëm fakti t’i dëgjoje në radio emisionet e atij stacioni bënte të dënoheshe me dhjetë vite burg sipas nenit të mallkuar 55, për “agjitacion e propagandë”, doemos duke mos përbërë as burgosja pa lé vetë dënimi asnjë shkelje të të drejtave të njeriut, sipas mendësísë atëherëshme të profesorit tonë të nderuar!
Vazhdojmë më tutje.

Profesor Arben Puto
Profesor Arben Puto

Jo se nuk kam patur rast të njihja gjatë jetës sime personazhe të cilët e kishin filluar si “debatikas”ose “nacional çlirimtarë të vendosur”, por në vazhdim, edhe në qoftë se rrethanat si edhe terrori diktatorial q’e kishin kapërthyer vendin tonë i detyronin të heshtnin, në rrathë të ngushtë familjarë ata hapeshin dhe e tregonin se ç’ndjenin në thellësit’e shpirtrave të tyre! Por, e gjithnjë ka një “por”, arsyeja përse ata qëndronin aq të mbyllur kishte një dhe vetëm një shpjegim: Ata ishin dhe mbeten njerëz të ndershëm dhe me karakter! Pikërisht nisur nga kjo veçorí e tyre ata, nga njera anë nuk dilnin dot hapur kundra sistemit diktatorial se merreshin në qafë jo vetëm ata por edhe rrethi i tyre familjar me soj e me sorollop që përfundonin në burgje, në kampe pune e internimi dhe nga ana tjetër, edhe mbas shkërmoqjes së diktaturës, ata vazhduan të qëndrojnë të mbyllur në veten e tyre nga që u vinte turp që kishin qenë anëtarë të P.P.Sh. e cila e pati katandisur vendin në një kamp të madh përqëndrimi rrethuar me tel me gjëmba, brez të minuar si edhe klon elektrik! Dhe ç’është m’e madhja, ky kamp i madh përqëndrimi e filloi rrugën e tij fillimisht me dhunimin deri në një të klasës intelektuale me kulturë perëndimore, objekt cmire skajore për diktatorin e ardhshëm, duke e pushkatuar edhe burgosur thuajse pa përjashtim atë kategorí, e pastaj duke vazhduar kryesisht me Klerin Katholik, (si më intelektuali mes klereve fetarë), por duke mos lënë më nj’anë as atë Muslimanin si edhe Sektin Bektashi edhe Klerin Orthodhoks! Të gjitha këto masa merreshin për t’a siguruar pushtetin fillimisht për interesa grupi e në vazhdim… për interesa thjeshtë personale të diktatorit duke vazhduar e zhdukur pa mëshirë, një e nga një ose edhe me grupe, pikërisht ata q’e ndihmuan edhe mbështetën diktatorin e ardhshëm ta ndërtonte e në vazhdim edhe ta konsolidonte për thuajse 39 vite radhazi Diktatin e Tij mbi Popullin Shqiptar! E doemos përgjatë kësaj hyrje të shkurtër, nuk mund të mos zihet në gojë fakti se ky pushtet e kjo diktatur’e vendosur ndaj popullit, t’ashtuquajtura Demokraci Popullore, e filluan rrugën e tyre me triska dhe e përfunduan me tallona!
Profesori yn’i nderur Arben Puto, në librin e tij të fundit, e thekson pohimin e Mussolinit se: “Fashizmi është një sistem në të cilin çdo gjë është për shtetin, asgjë nuk është jashtë shtetit, dhe asgjë dhe askush nuk është kundra shtetit…” Natyrshëm lind pyetja: a thua lexuesit të vëmëndshëm nuk i shkon krejtë natyrshëm mendja tek përcaktimi që u bëhej nga ana e udhëheqësve të Partisë Komuniste e në vazhdim pastaj P.P.Sh.-së, (parti tek e cila militonte thuajse që në krijimin e saj edhe profesor Putua), cilësorëve dhe atributeve që i visheshin asaj partije në fjalë duke filluar që nga diktatori e deri tek anëtari m’i thjesht’i saj?! Sipas këtij përkufizimi që zé në gojë profesor Arben Putua lidhur me fashizmin si sistem, a mund t’i gjejë ndokush qoft’edhe një ndryshim minimal lidhur me përkufizimin se ç’ishte komunizmi i partisë si edhe i zotit Puto? Pa lé që përgjatë viteve të diktaturës komuniste, sa herë që ka ardhur puna tek Lufta N.Çl., profesori në fjalë e mbështeste préras faktin se gjatë luftës shqiptarët, të udhëhequr nga partia e tyre komuniste, kanë qenë pjes’e aleancës antifashiste me Sh.B.A.-të, me B.S.-ik, si edhe vendet e tjera të asaj aleance, (doemos duke e lënë në harresë paktin famëkeq Molotov-Ribbentrop të 23 Gushtit 1939, të cilin kemi dëshirë t’ia rikujtojmë profesorit tonë të nderuar Arben Puto si edhe doemos lexuesit tonë). Ky pakt pati një “Precedent Kuptimplotë”: Stalini e shkarkoi si ministër të Jashtëm të B.S. Litvinovin, (nga që ishte hebré), dhe në vendin e tij emëroi Vjaçeslav Molotovin. Vijmë tashti tek vetë pakti i cili konsiderohet nga studjuesit historianë, (por jo nga historianët e politizuar, për sa kohë ishim miq për kokë me “Bashkimin e Lavdishëm Sovjetik”), si njera nga faqet më të errëta të Luftës së II-të Botërore! Stalini, gjithmonë sipas studjuesve historianë, kishte kohë që synonte t’ia arrinte një marrëveshjeje të ndërsjellë me Gjermaninë naziste. Bilé Trocki, pikërisht më 24 Gusht, të nesërmen e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, shkroi: “…që nga viti 1933, unë vazhdoj ta kem bindjen se objektivi kryesor i politikës së jashtme të Stalinit ka qenë përfundimi i një marrëveshjeje me Hitlerin… Stalini i ka tradhëtuar principet e revolucionit: Ai ndiqte një politikë ekspansioniste!”
Në vazhdim, ndonëse unë vërtet nuk jam historian, por mund t’i sjell profesor Putos edhe pjesë nga letra origjinale e Stalinit drejtuar Hitlerit me datën 21 Gusht të vitit 1939, (mbështetur në “Nazi-Soviet Relations 1939-1944 – Department of State – Washington 1948, faqe 69)”, ku Stalini shkruan: “…Popujt tanë kanë nevojë të ndërsjellë për raporte paqësore mes njëri tjetrit. Pranimi nga ana e Gjermanisë që të nënshkruhet një pakt mes saj edhe B.S. krijon bazat për mënjanimin e tensionit politik si edhe vendosjen e një klime paqeje dhe bashkëpunimi mes vendeve tona. Prandaj, si i autorizuar që jam nga qeverija, ju vé në dijení se jemi të mendimit që Zoti Ribbentrop të vijë në Moskë me datën 23 Gusht, (i vitit 1939-shënim nga M.K.), J.V.Stalin.”
Z.Arben Puto ka shkruar gjithashtu në librin e tij, (Lufta Italo-Greke, botim i vitit 2011, faqe 226), edhe se “…kanë qenë me mijëra kriminelë të luftës që janë fshehur në atë botë të pamatë”, (në Sh.B.A. – shënim i M.K.). Duke e lexuar këtë pohim shkencor, a nuk i vjen natyrshëm në mendje secilit lexues të etshëm t’i mësojë të vërtetat historike, se gjatë viteve të Luftës së II-të Botërore, partia e profesorit të lartpërmëndur për të cilin ishte krenarí të qenët anëtar i saj, (pohim i bërë mbas shkërmoqjes së sistemit diktatorial në Shqipëri, shënim i M.K.), cili ishte pozicionimi i profesorit tonë të nderuar, e kishte patur për mburrje që kishim qenë aleatë me Shtetet e Bashkuara, apo këta të fundit, duke strehuar në gjirin e tyre masa kriminelësh lufte, e kishin nxitur profesorin në fjalë t’i konsideronte Sh.B.A-të si armiq imperialistë? Sido që të jetë puna që të dy qëndrimet, diametralisht të kundërtë me njeri tjetrin, në mos tjetër e tregojnë profesor Puton ndjekës besnik të vijës së partisë së tij të punës, apo jo?!
Kjo pak por e pakundërshtueshme!
Po nga ana tjetër, i krahasuar profesori yn’i nderuar me kolegët e tij ish debatikas e nacional çlirimtarë komunistë të orëve të para, (që i zumë në gojë më lart), të cilët as përgjatë diktaturës, por që as edhe mbas shkërmoqjes së komunizmit nuk i lejonte karakteri i tyre të shprehnin publikisht se ç’ndjenin, (duke e ndier veten të turpëruar se ç’ideal kishin përkrahur), ç’kanë të përbashkët dhe ç’i ndan nga profesor Putua? Pa lé pastaj i krahasuar profesor Putua me Bedri Spahinë, i cili fillimisht e mbështeti Koçi Xoxin t’i dënonte t’ashtuquajturit tradhëtar’e kolaboracionistë gjatë zhvillimeve të Gjyqit Special të mars-prillit 1945 e në vazhdim pastaj kërkoi si prokuror edhe dënimin me vdekje me pushkatim për ish kolegun e tij Koçi Xoxin. Por, të themi të vërtetën, mbas dhjetra viteve kaluar në burg dhe në internime, sapo iu dha rasti, në gazetën “Republika” të muajit qershor 1991, Bedri Spahiu shprehet si vijon: “…Duke u krijuar këto 46 vite terrori, mizoríe e mjerimi që ka kaluar populli im, mua më vjen turp që kam qenë prokuror i atij Gjyqi Special. Nuk jam më ai prokuror që nxorri Lufta Nacional Çlirimtare, as përkrahës i utopísë komuniste më të lemeríshme që nxorri gjenerata e jonë…”
Vazhdojmë më tej, duke e ngushtuar rrethin sa i takon letrës, (e cila është dokument), që profesor Putua i dërgoi drejtorit të emisionit shqip të Zërit Amerikës, zotit Elez Biberaj, më 27 gusht të vitit 1990. Ja njeringa pohimet e profesorit:
“Sigurisht Ramiz Alia nuk është ai diktatori i egër siç ishte paraardhësi i tij Enver Hoxha… Por, Ramiz Alia në shpirt nuk ka qenë asnjëherë reformator e demokrat… Si çdo lider komunist, ai është i mbërthyer fort pas pushtetit… Me masa gjysmake e të pjesëshme ai do që t’ia ndryshojë imazhin e vjetër e të frikshëm të Shqipërisë…”

Demagogjia komuniste
Demagogjia komuniste

Duke u nisur tashti thjeshtë nga analiza logjike e ngjarjeve i hedhim një sy mbrapavështrues se cila qé direktiva e dalë nga mbledhja e Byrosë Politike të P.P.Sh. të tetorit të vitit 1989 ku Ramiz Alia u shpreh si vijon: “Sistemi ynë ka kapitulluar përballë atij Kapitalist, ndaj jemi të detyruar të ndryshojmë strategji”, u tha Ramiz Alia të pranishmëve dhe vazhdoi: “Kjo strategji do të synojë në dy drejtime:
1.Në respektimin e të drejtave të njeriut dhe në
2.Krijimin e pluralizmit politik.
Të drejtat e njeriut janë diçka brenda nesh dhe mund të abuzohet me to deri diku, por pluralizmi do të bëhet se s’bën.
Do t’i nxisim të krijohen parti sa të duan; të majta dhe të djathta e të qendrës, por gjithsesi këto parti duhet të kontrollohen e të drejtohen nga ne, programet e themelimit të këtyre partive do t’i formulojmë ne!”
Nisur tashti nga fakti që profesori yn’i nderuar Arben Puto, pikërisht nëntë muaj mbas konstatimit nga ana e Byrosë Politike të situatës atëherëshme duke pranuar se sistemi komunist kishte kapitulluar i krahasuar me atë kapitalist, si edhe direktivës dhënë po nga ajo Byro Politike e P.P.Sh. lidhur me strategjínë e cila duhej ndjekur në vazhdim, jo vetëm që i drejtohet me shkrim por edhe pranon të intervistohet nga Zëri i Amerikës, dhe ç’ësht’akoma m’e madhja, intervista e tij të emërtohet: “Kur e Tradhtova Komunizmin!”
Sapo e fillon intervistën profesori yn’i nderuar thekson faktin se: Të drejtat e njeriut janë një aspekt i dorës së parë i kthesës së viteve ’90… E ndjeva se nuk mund të rrija indiferent… dhe iu përkushtova të drejtave të njeriut. Doemos ky pozicionim i profesor Putos nuk ka se si të mos na gëzojë skajshëm por… natyrshëm na vjen ndërmend një pyetje të cilën duam t’ia drejtojmë profesorit tonë të nderuar e cila, e formuluar krejt sinqerisht dhe pa as më të voglin qëllim ta vemë në pozitë të vështirë profesorin në fjalë por, vetëm t’i hedhim dritë së vërtetës, na shtyn t’i themi: Që nga data 29 Nëntor’i vitit tashmë të largët 1944, e deri në kohën kur profesor Putua e merr me të dyja duart guximin dhe bën të pamundurën në vitin 1990, që të vihet në krye të Komitetit Helsinkit Shqiptar në mbrojtje të të Drejtave të Njeriut, përgjat atyre 46 viteve, në cilën anë ka qen’i radhitur profesori yn’i nderuar, me dhunuesit e të drejtave të njeriut apo me vuajtësit e shkeljes së të drejtave të njeriut? Ose formuluar disi më qartë, ata të burgosur politikë për lirimin e të cilëve, siç e thekson vetë profesor Putua, ka bërë përpjekje madhore të liroheshin nga burgu, kush i kishte burgosur si edhe dënuar, partia në të cilën militonte vetë profesori yn’i nderuar përgjatë dhjetravjeçarësh apo ndonjë forcë tjetër politike?
I përqëndrohemi në vazhdim një kalimi tjetër të profesor Putos tek ai thotë shprehimish:
“Historia tregon se populli shqiptar ka qenë i përgatitur, i pjekur, jo vetëm për jetë të pavarur, por edhe për demokracinë. Pra rregullat e demokracisë e kanë bërë provën e tyre me sukses që në vitet ’20-të këtu në vendin tonë. Kjo është një traditë, një traditë që vihet në një radhë me vlerat e tjera të mëdha të popullit shqiptar. Këtë vlerë duhet ta përtërijmë. Po doemos, në një nivel më të lartë”.
Sinqerisht më vjen skajshëm keq për profesorin tonë të nderuar, zotin Puto, q’e kuptoi vetëm në vitet 1990, realitetin shqiptar e që ai e quan të qënësíshëm që në vitet 20. Çfarë tjetër mund t’i thuhet profesor Putos veçse përgëzime që më në fund e kuptoi realitetin shqiptar dhe pa as më të voglin dyshim, më mirë me 70 vite vonesë, (e pensionist), se sa kurrë!
Në vijim profesor Putua pohon së rishmi shprehimisht: Por në këtë fazë të ré duhet shkuar me guxim, duhet të jemi konsekuentë. Dhe në radhë të parë unë mendoj se duhen marrë masat që kërkon momenti. Dhe krejt natyrshëm lind pyetja: Sipas profesorit tonë të nderuar, cili kishte me qenë ky moment? Mos vallë është zbatimi i direktivave të mbledhjes Katovicës në kushtet e vendit tonë dhe që Ramiz Alia i zbërtheu në mbledhjen e Byrosë Politike të muajit Tetor të vitit 1989?
Pak më poshtë, po përgjatë intervistës, profesor Putua pohon se “…Një tjetër çeshtje që do të thosha se i ka ardhur koha të shikohet, është kjo që t’i hedhim sytë së kaluarës. Të shikojmë ç’është bërë e ç’nuk duhej bërë!”
Tamam që prekem sa i ndershëm, sa njerëzor dhe sa i drejtë që paraqitet tashti profesor Putua yn’i nderuar, i cili kërkon ta marrë flamurin e mbrojtësit të të drejtave të njeriut në duart’e tija kur… deri në vitet 1990, mijra të burgosur torturoheshin dhe vriteshin ne mënyrën me çnjerëzore.”
Shtrohet pyetja: Ç’bënte asokohe profesor Putua? Ai heshtëte. Po sot? Me një pohim se ç’nuk duhej bërë, propagandon të drejtat e njeriut!
Nga fundi i intervistës së tij profesor Putua del me përfundimin se “…Amerika gjithnjë, historikisht por edhe aktualisht, ka treguar sensibilitet sa i takon çështjes shqiptare…”. E doemos ky përfundim i tij të bind se me ç’teknikë prej profesori të nderuar, zoti Puto shkëputet nga rrethi i sendërtuesve të “Parajsës Shqipëri Socialiste”, nga e cila duhej të kish mësuar e gjithë bota dhe, si astronaut ia hipën raketës, del nga fusha e tërheqjes gravitacionale tokësore dhe… i gjykon ngjarjet si edhe situatat nga Laaaaart, tamam ashtu siç i takon një ish historiani të politizuar të ish sistemit diktatorial… mbasi ai sistem u shkërmoq!!

Arben Puto
Arben Puto

Në prag të përmbylljes së shkrimit –
Me jo pak befasí e lexova mbylljen e intervistës së këtij profesori e tradhëtari të idealeve të tij të gjithë jetësi cili, edhe me atë rast, mundohet që Manush Myftiun, ish anëtarin e Byrosë Politike, (e njëkohësisht edhe kunati i tij – shënim nga M.K.), i zgjedhur në atë post nga gjashtë Kongrese Partie për një periudhë 24-vjeçare; ish Kryetarin e Kuvendit e në vazhdim ish zv/Kryeministrin komunist ose edhe ministër për një periudhe dhjetëvjeçare si edhe kryetar i komisionit aq famëkeq të Dëbim-Internimeve, mundohet ta nxjerrë edhe atë kritik të komunizmit. Pa dashur fare ta ndikoj lexuesin e interesuar, po e radhis në vijim pohimin e vetë profesor Arben Putos:
“Manushi (Myftiu) më mori mënjanë në kopshtin jashtë banesës, nuk më bëri ndonjë urim por më tha se “ky sistem ka falimentuar…”. Një funksionar i lartë i pati telefonuar atë ditë: “more, ai kunati yt ka rrjedhur”, por mori një përgjigje të thatë (nga Manush Myftiu – shënim i M.K.): “Nuk e besoj”.
E tashti, tejet i befasuar nga i gjithë shtjellimi se si profesori yn’i nderuar zoti Puto i drejtohet zotit Elez Biberaj përgjatë letrës së tij e doemos edhe nga intervista e tij se kur ai e tradhëtoi komunizmin, sinqerisht që dua t’ia vé në dukje që ai të nxjerrë një përfundim koherent logjik se sa do t’a kishim vlerësuar pohimin e tij se kur ai e kishte tradhëtuar komunizmin, si unë e gjithashtu edhe shumë nga lexuesit eventualë, në qoftë se ai, para se të na ftonte që t’ia vlerësonim punën e kryer për vite me radhë si kryetar i Komitetit të Helsinkit për ruajtjen e të Drejtave të Njeriut, (po të donte le të mos shprehej kategorikisht siç u shpreh në shtyp ish prokurori Bedri Spahiu i cili veprimtarín’e tij e quante të turpshme), por ama profesori yn’i nderuar të kishte filluar që nga vendosja e një kufiri ndarës mes asaj që është emërtuar nga historianët e politizuar të periudhës diktatoriale si luftë Nacional-Çlirimtare, e në vazhdim se si ajo në fakt u transformua në luftë të mirëfilltë civile për marrjen e në vazhdim edhe mbajtjen me dhunë, skajshëm të egër, të pushtetit shtetëror! E përgjatë kësaj brazde pastaj, profesori yn’i nderuar Arben Puto, ta kishte vënë në dukje hullín’e lënë nga pas nga veprimtaría e partisë së tij, e cila dendur ka marrë drejtime skajshmërisht të kundërta si kahje, thjesht nisur nga interesat personale të diktatorit, i cili zhduku lé atdhetarët e skajshëm në përkrahje të interesave kombëtare të para Nëntorit 1944, por nuk lá në këmbë thuajse asnjerin nga mbështetësit e tij si gjatë luftës e gjithashtu edhe në vazhdim! E kjo e gjitha që profesori yn’i nderuar zoti Puto ta kuptojë shquar se shtysa për t’i bërë një analizë pohimit të tij madhor “kur e tradhëtova komunizmin”, qé nisur thjeshtë t’ishte pozitive dhe vlerësuese ndaj autorit të saj. Por, nga që ky qëllim nuk u arrit dot sepse vetë autori përzgjodhi të ndjekë rrugën q’e kanë përzgjedhur ish komunistët për t’u treguar sot se sa demokratë që janë, nuk kam se si mos ta vé në dukje edhe qershinë përmbi tortë, të përzgjedhur nga profesor Putua yn’i nderuar, i cili na fton të dilet nga izolimi dhe të vendosen marrëdhënie normale me shtetet e tjerë, veçanërisht me Sh.B.A.-të për ta rikthyer traditën. E pikërisht kjo thirrje e profesor Arben Putos na detyron t’u japim fund këtyre radhëve me risjelljen para kujtesës së lexuesit faktin se si z. Arben Puto në librin e tij të botuar në vitin 2011 pohon se: “…kanë qenë me mijëra kriminelë të luftës që janë fshehur në atë botë të pamatë. Dhe ne pohojmë: Mirëse deri në vitin 1990 zoti Puto nuk guxoi të shfaqte se ç’mendonte thellë mendjes së tij. Dakord. Po thirrja për rivendosjen e marrëdhënjeve normale veçanërisht me Sh.B.A.-të në vitin 1990, vallë a përputhet me përcaktimin që ai u bën në 2011-ën Sh.B.A.-ve si strehues të mijëra kriminelëve të luftës?
Pra bindemi akoma më thekshëm se sa i goditur që është përcaktimi i ish Presidenti Havel tek shprehet se: “Nuk ka kategori më të poshtër se ish komunistët e transformuar në demokratë!”
http://www.aafhsite.com

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.