back to top
15.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Nëntor, 2024

Profile poetike dhe dedikime – nga Anton Çefa

Gazeta

Anton Cefa në Bibliotekën e Rogerwood
Anton Cefa në Bibliotekën e Rogerwood

Profile poetike dhe dedikime

nga Anton Çefa

 

Nën kupola shpellash

(Atë Pjeter Bogdanit)
 
Mbi Atdheun natë e gjatë,
e ngrirë,
prushi i fjalës feks
në errësirë.
Nën kupola shpellash strukesh viteve,
mbi tryeza rrasash, si mbi tabernakuj,
ua shpupurish thinjat fjalëve plaka,
në kujtesë të kombit jeh të ri u kallë.
 
Mbjell filiza prilli
n’zagna dijesh,
sharton sytha flake
n’brazda gjaku.
 
Shprish shkrumbin e netëve
nën kupola shpellash,
qumshti i hanës të ban dritë nga qielli,
Gjysmëhëna të kërcënon nga toka.
 
“Mos e leni gjuhën e dheut me u vdarë
lëshon vikamën në “Çetën e profetëve.”
 

“Më ka zënë shqipja”

(Fan Nolit)
 
Fjala shqipe si zjarri i shejtë
në gjoks të digjte.
 
Gjuhët e botës te fjala shqipe.
Me zjarr të shejtë ngroh e ndriçon
skutina të errta gjoksesh të plogshta.
 
Të zuni shqipja me anarkitë,
na zuni ne zi e ma zi,
antropofagë, kolltukufagë
zi e ma zi.
 

Ku ta ve epitafin?

(P. Gjergj Fishtës)
 
Ku ta ve epitafin, bre burrë i dheut?
Shkërbetë pa vorr të lanë,
po i gjalli vorr nuk ka,
se vorri gropë harrimi asht
e Ti harrim nuk njeh.
 
Thonë:
Afshi i zjarrtë i zajeve e ka mbajtun gjallë
e flladi i verës e ka flladitun zhegjeve,
thonë
në stinë të ngrime e ka ngrohun rrezja e diellit
e valët e Drinit ashtin ia kanë lëmue.
E vërteta asht
se zemra e kombit e ka përjetësue.
 
A s’ia ndigjon pezmin
kur shanë e shilon Europën
tue ba mriz në logun e zanave?
E për nji lule vjeshte
lotin pikon, t’madhnueshëm?
 
A s’e sheh atë copë qielli
që si çati e kaltër
Atdheut i rri përsipri?
 
Atje, po,
hidhet në vallet e Parrizit.
 
Po shpesh e ma shpesh
tu kulla e Gjetës e gjen,
apo pranë sofrës së ngurtë
lahutës i bie n’malësi,
kuvend të urtë
ndan me pleqnorë kanuni.
 

Zbardhun nga brengë e fjalës

(Prof. Eqrem Çabejt)
 
Krrusun nga peshë e fjalës
Ballin rrudhë mbi shpatet e maleve,
mbi pëllambët e fushave
mbledh vetullat,
zbardhun nga brengë e fjalës.
 
“Sa të gjalla emërtimet ilire!”
 
Këtu korrigjon Majerin,
aty miraton Joklin.
Fjalët e shqipes
Në rrathët e ullijve të premë nga kohnat.
 
“Sa e re Formulë e Pagëzimit!”
 
Mbi nji gur vorri nji sufiks asht zbehun
Në natën e gjatë me gjysmëhanë,
Këtu shkëlqen ende si smeraldi
Syni i dritës indoeuropiane t’nji rraje.
 
Gatuen bukën e trojeve
Në magjen ilire
Mbi brumin e ardhun të shqipes.
 
Ju s’keni emna
Martirëve të diktaturës
 
Ka humbë shkëlqimin në gropën e përbashkët
plot lagështi,
bardhësia e eshtnave.
Kohës i shkojnë mornica në trup.
 
Me duer që dridhen prej dëshire
po i marr eshtnat tuej, miqtë e mi,
po i vendos në gropën e qelqtë të gjoksit,
altar i dhimbjes.
 
Prej andej do kundroni
kaltërsinë e andrrave të vrame
nga duer vllaznore.
 
Nji kunorë lutjesh ju ve te kryet
dhe kryqin e mundimeve tuaja.
 
Ju s’keni emna,
lavdi asht emni juej
 

Ike mbas dyersh mermeri

(Frederik Rreshpes)
 
Ike mbas dyersh mermeri
e rrasash të ftohta,
i le muret e vetmisë së botës.
 
I heshtun në nji botë të huaj.
për ty mbajnë jazë
zogjtë e drujtë,
të qajnë lotët e hanës në netët e vjeshtës.
 
Do të kujtojnë kalldramet e Shkodrës
nën shinat qi s’pushojnë.
 

Me nji ndriçim dëshire

(Shokut tim, Faruk Myrtajt)
 
Me nji ndriçim dëshire
mbi hijet që randojnë mbi mue
stinësh t’harrueme,
kërkoj nji shok, nji mik
e mendja m’shkon tek ti,
zemra më rreh pa pritmas
se jeta s’asht e vorfën
kur ke nji mik si ti.
 
Vertet nji pajë të fisme
Stinëve u jep miqësia.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.