back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Projektimi i Bindjeve Personale – nga Artan Kafexhiu

Gazeta

Papa Ratzinger
Papa Ratzinger – Benedikti i XVI

Projektimi i Bindjeve Personale

nga Artan Kafexhiu

Çdo kujt i bie rasti të shprehet: “Bindja ime personale është se, kolegu më sipër e ka interpretuar krejt personalisht…”, e vazhdon të arsyetojë mbi një çështje duke relativizuar çdo përqasje të mëparëshme.
Njëherazi kjo shprehje, më solli ndërmend kardinalin Ratzinger, Papa Benedikt XVI, i cili na kujton “diktaturën e relativizmit”, që varet mbi kokat e njeriut (post)modern, si një mjegullnajë.
Ratzinger: “E kjo ndërkohë, që relativizmi, që është me e leju veten të udhëhiqesh andej-këndej prej çdo fjolle ere doktrinash, e shikuar si e vetmja mënyrë sjellje që i paraprin kohërave. Por çka mbetetet e përjetë është shpirti njerëzor…”
Relativizmi vjen në forma të ndryshme, por gjithmonë është dekonstruktivist në natyrë. Përshembull, për relativizmin, nuk ka të vërtetë historike objektive. Nuk ekziston e vërteta historike apo objektive. Diktatori Enver Hoxha, në varësi se kush e trajton historinë, jo vetëm që mund të mos ketë qenë diktator, por nga një këndvështrim tjetër, mund të ketë qenë fare mirë një çlirues, shpëtimtar, marksist i madh, etj, superlativa të këtij lloji.
E më pas, vetvetiu, do të flasim për relativizmin moral, që na vjen kryesisht në dy forma: si relativizëm kulturor dhe individual. Duke ndjekur logjikën e relativizmit kulturor, çdo kulturë krijon bagazhin e moralit të vet, krejt të pranueshëm brenda kornizës së vet.
Përshembull, kanibalizmi ishte një praktikë kulturore e aprovuar brenda kulturës kanibaliste. Njeriu mund të vriste dhe hante tjetrin; moralisht brenda kulturës se vet, nuk bënte asgjë të papranueshme, përkundrazi ishte më se e moraleshme.

Pablo Picasso - Stalini
Pablo Picasso – Stalini

Kurse në lidhje me relativizmin individual, zbritet në nivelin personal. Si shembull mund të merret piktura e Stalinit realizuar nga Pikaso; n’se do ta shihnim Pikason si marrës i çmimit Stalin dhe komunist (siç edhe ishte), portretura e Stalinit do të na dilte ajo e udhëheqesit të madh sovjetik; kurse, po ta shihnim Pikason, si piktorin modern, jokonformist, që kishte ekspozuar veprën e tij në MOMA, Stalini do të na dilte si figura e urryer e diktatorit. Secili ka të drejtë të ketë opininion e tij. Nisur nga relativizmi individual, kush është X-i të gjykoj Y-in?
S’është vështirë me arritë shpejt me kuptu se relativizmi, qoftë historik, qoftë moral (kultural apo individual), e kthen në diçka të pamundur debatin mbi moralin e sjelljes njerëzore.
Atëhere cila do të jetë zgjidhja? Dihet që për çdo mosmarrveshje edhe civile qoftë, stacioni i fundit është logjika e verbër, forca e ligjit, pra, të biesh në duart shtrënguese të ligjit.
Imagjino sikur ndërtesa e ligjit të pllakosej nga një relativizëm i tillë dekonstruktivist. Aktivizmi politik të ndikonte punën e dorës së verbër të ligjit e të gjykatës. N’se procesit e vullnetit të mirëfilltë politik, i janë vënë stërkëmbesha, e duke insistuar të fitosh aprovimin, çeshtjen tënde, duke kërkuar të gjesh një gjykatë, që të ndezi dritën jeshile, të bësh atë që ke qejf ti të bësh, apo të arrish, duke gërmuar në disa cepa pa dritë, duke gjetur interpretime të reja, të errëta e të padëgjuara të Kushtetutës apo Ligjit. Po këtij çfarë lloj relativizmi mund t’ia vemë emrin? A mund të quhet relativizëm i Ligjit dhe Kushtetutës?
Në epokën e relativizmit, të cilën po përjetojmë ne të gjithë, ku e vërteta objektive shihet si një tallje e madhe, dekonstruktivizimi i moralit, historisë, e çfarëdo gjëje tjetër, është një prirje “intelektuale” tepër shkatërruese. Jetën e sjelljen individuale e publike, e kthen në një lloj moçalishte, ku të gjithë ndoten, e ku mbi të gjithë mund të hidhet baltë, e të gjithë kanë të drejtën morale të dalin në breg, e duke bërë një dush të shpejtë të lahen nga baltovina, era e keqe, krimet e mëkatet e tyre, njëlloj sikur të shplanin kripën e deti pas daljes nga uji i kripur.
Mjaftojnë të kujtojmë parrullën relativiste të vjedhur nga Haveli të Berishës: “të gjithë bashkëvuajtës, e të gjithë fajtorë!” Ndërsa kjo lajthitje e Havelit i kushtoi shtrenjtë duke i bjerrur reputacionin, e duke i humbur karrigen e Presidentit, Berishës i shërbeu për ta mbajtur “në pope” për vite të tëra në politike. Kjo parrullë i duhej të gjithë kriminelëve e bashkëpunëtorëve të regjimit.
Ratzinger përsëri: Ne po jemi dëshmitarë të “diktaturës së relativizmit, e cili nuk njeh asgjë si absolute, e që konsideron si vlerësues të fundmë vetëm gjykimin e secilit, e të dëshirave të secilit. Njerëzit që dëshirojnë të lënë një shenjë të tyre për tu kujtuar pas,… as paraja, ndërtesat, apo librat, nuk mbijetojnë pas një periudhe kohe, çdo gjë zhduket.
© Artan Kafexhiu, Marre nga muri i FB, 22 maj 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.