back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Prolog për të bukurën dhe fjalën artistike – nga Anton Çefa

Gazeta

Dashuria e Erosit me Psychen
Dashuria e Erosit me Psychen – Antonio Canova

Prolog për të bukurën dhe fjalën artistike

nga Anton Çefa

Qenia dhe qenësia e artit qëndron tek kuptimi dhe vlerësimi i vlerave estetike dhe fillimisht e kryesisht tek kuptimi dhe vlerësimi i së bukurës.
Janë dhënë shumë përkufizime për të bukurën, por edhe është mohuar mundësia për ta përkufizuar atë. Platoni, i pari filozof që trajtoi probleme të estetikës, si filozof moralist që ishte, e trajton artin si pjesë të etikës, dhe shkon deri atje sa të identifikojë të bukurën me të mirën dhe të vërtetën. Aristoteli: “E bukura është simetri, proporcion, harmonizim i pjesëve tek e tëra”. Për Kantin, “E bukur është ajo cilësi me anën e së cilës një objekt na kënaq, pa përfillur dobinë e tij, na josh në një soditje të pavullnetshme dhe na bën të përjetojmë një lumturi të painteres.” Fichte e konsideronte si virtyt moral. “E bukura, po aq sa e vërteta, është qëllim në vete.” Hegeli, pothuajse si Aristoteli, e shihte të bukurën si unitet të pjesëve, përparësi të formës ndaj përmbajtjes dhe si manifestim ndijimor i idealit metafizik. Për Benedetto Crocen, e bukura nuk është fakt fizik dhe nuk u përket gjërave, por aktivitetit të njeriut, energjisë së tij shpirtërore, ajo nuk ekziston në natyrë; natyra është e bukur vetëm për atë që e shikon me syrin e artistit, tek i cili e ka burimin e bukura. Ai e ka përkufizuar shkurt: “E bukura është shprehje”. Shkrimtari i shquar francez, Anatole France ka thënë: “Unë besoj se ne kurrë nuk do të dimë me saktësi pse një gjë është e bukur. Askush nuk ka qenë i aftë të ma tregojë me përpikëri një gjë të tillë… Sa për mua, unë ndjek ndjenjën time për të bukurën. A mund të gjej njeriu një udhërrëfyes më të mirë? …Nëse do të më duhet të zgjedh mes së bukurës dhe së vërtetës, unë nuk do të lëkundem, do të zgjedh të bukurën. Nuk është asgjë e vërtetë në këtë botë, veç së bukurës.”
Studimi i natyrës të së bukurës ka vazhduar prej shekujsh që nga antikiteti grek dhe vazhdon sot e kësaj dite; çdo filozof dhe estet që ka lëvruar në këtë fushë na ka dhënë një përkufizim të vetin. Megjithëse janë dhënë sa e sa përkufizime për të bukurën si dhe për kategoritë e tjera dhe për problemet më të ndryshme të estetikës, çështja e trajtimit të tyre mbetet dhe do të mbetet gjithnjë e hapur. Estetika si bijë e filozofisë i shtron problemet dhe jep zgjidhje që nuk janë kurrë përfundimtare. Është në natyrën e saj që filli i Arianës nuk mund të na nxjerrë nga labirinti. Kjo, ndoshta, e ka shtyrë historianin e shquar të filozofisë Wil Durant të thotë në veprën e tij “Kënaqësitë e filozofisë”: “Nuk është për t’u çuditur që librat më të pagdhendur në botë janë ato që janë shkruar për të bukurën”.
Rëndësore për estetikën është çështja: a ka karakter objektiv a subjektiv e bukura. Përderisa e përjetojmë nëpërmjet kënaqësisë që na jep dhe e krijojmë, ajo ekziston, – është cilësi objektive e sendeve dhe dukurive, arsyetojnë një palë. “E bukura është në syrin e shikuesit”, ka thënë Margaret Hungerford, duke mohuar objektivitetin e saj. Ideali i së bukurës ndryshon nga njeriu tek njeriu, nga një popull tek një tjetër, nga një racë tek tjetra, dhe në këtë prizëm qëndron subjektiviteti i saj. Gjithsesi, një gjykim estetik mund të merret si objektiv nëse një ideal i njëjtë bukurie përfshin një masë sa më universale të njerëzve.
.
Sandro Botticelli - Lindja e Veneres
Sandro Botticelli – Lindja e Veneres

* * *

Letërsia është arti i fjalës.
Hyji e krijoi botën me fjalën e Tij. Ai tha dhe u bë. Për Hyjin, fjala është krijim. Krijim i çdo gjëje. Për njerëzimin, fjala është zbulim përmes emërtimit. Fjala, si emërtim i sendeve e dukurive, është veprimi i parë kreativ artistik i njeriut, nëpërmjet të të cilit u shpikën format verbale dhe u përsosën në kalim të kohëve. Dhjetra-mija vjet më parë, të parët tanë, banorët e shpellave, në dramën e përditshme të gjuetisë, u mësuan të veshnin mendimet e tyre me fjalë. Duke perifrazuar në njëfarë mënyre Heidegger-in, mund të themi që për çdo dukuri njeriu krijon një fjalë të veçantë, e cila pastaj bëhet simbol i asaj dukurie. Croce, filozofi estet, e ka trajtuar artin thjesht si intuitë; por ai ka thënë gjithashtu se intuita dhe shprehja janë e njëta gjë, çka do të thotë se ne nuk mund të njohim diçka pa e emërtuar atë. Dhe ky veprim është thjesht vepër arti.
Me krijimin e fjalës, në procesin e komunikimit lindi gjuha, një nga realizimet më të mëdha të njerëzimit. Paaftësinë e të folurit, përdorimit të gjuhës, nuk mund të jetësohej qytetërimi njerëzor. Nëpërmjet gjuhës si sistem i hapur e krijues, jashtëzakonisht fleksibël, realizohet komunikimi i ideve dhe koncepteve abstrakte si dhe transmetimi i tyre nga një brezni në tjetrën. Fishta ka shkruar: “Fjala ka aq fuqi në vedvedi, sa mos me e ndalë as giatsija e kohës, as gjansija e hapësinës, e si mundet me e permbledhë të gjith kohën në nji ças e hapësinën në nji pikë, kshtu ajo depërton qiellën, i vjen rrotull e okolle rruzullimit, edhe na parashtron bukuri e madhni të reja, rysë e then kryeneçsit e rrashtave ma të forta të njerzvet.”
Nga fjala si kumt u kalua në fjalën si kuptim alternativ, të ndryshëm, dhe u krijua fjala poetike dhe, me anën e saj, teksti letrar që mishëron shumëkuptimësinë, çka është në natyrën e veprës letrare. Përpjekja për të njohur të bukurën dhe vlerat e tjera estetike të gjërave e dukurive dhe, në rastin tonë, tek letërsia artistike, të çon drejt mjetit me të cilin shfaqet ajo, tek fjala poetike. Në veprën letrare, është fjala që end fillin e së bukurës në shtratin e tekstit gjuhësor, deri në sublimitetin e saj. “Fjala e harmonizuar mund të pasqyrojë format e shpirtit… ashtu edhe fytyrën e madhërishme të botës, e cila u jep jetë atyre”, ka shkruar De Rada në “Parime të estetikës”. A nuk është dukuria e së bukurës, “forma” më e lartë, më e fisme, më e kulluar e shpirtit të njeriut? Prandaj, letërsia artistike është në krye të arteve dhe në gjirin e saj, poezia që zë kryet e vendit.
Van Gogh - Natë me hënë
Van Gogh – Natë me hënë

.

Poeti, tregimtari, e shprehin atë, fjalën, që është gjithnjë një kumt që bart një vlerë estetike, duke na përcjellë një mesazh, d.m.th. një vlerë humane. Detyra e kritikës është pikërisht ta zbulojë atë, vlerën estetike, që përmban fjala e endur në një strukturë tekstore.
Për t’u pohuar është edhe pafuqishmëria e fjalës për të shprehur çdo “dridhje” të shpirtit a për të hedhur dritë edhe në skutat më të errëta të vetëdijes dhe sidomos të nënvetëdijes. Lasgushi, reformatori më i madh i gjuhës poetike shqipe dhe mjeshtër i mbaruar i saj, e ka ndjerë veten “të huaj”, të paaftë për të shprehur çdo gjë:
.
“O gjuhë-e shentëruar, o mall me shpirtin plot,
O vetëtim’e qjellit që fërfëllon me flakë,
O djellë-i llaftaruar që ndrin si pikë lot…
Si pikë lot e ndritur po ndrij në reze t’uaj,
Po ndrij e papandehur po qaj pak e nga pakë,
Sepse prej botës s’uaj kam mbetur kaq i huaj…”
 
Në dy vargjet e fundit të kësaj poezie, Lasgushi e ka qartësuar më tej këtë situatë, duke iu drejtuar gjuhës me epitetin “o mos-e kuvenduar”. Në këto dy vargje, ai na ka dhënë atributin e gjuhës si kumt, si burim drite (dijeje, informacioni), dashuri-dhimbjen e tij për të dhe njëkohësisht pafuqishmërinë, paaftësinë e saj për të depërtuar në skajet më të hijesuara të shpirtit:
 
“Ti ndrin në thelb të jetës si dritë e përvëluar,
O gjuhë e zemrës sime, o mos-e-kuvenduar”
 
Këtë “mos-kuvendim” e pati poetizuar më parë mësuesi dhe udhëheqësi i tij i parë shpirtëror e artistik, Naimi: “E ku shkruhen në kartë/ fjalët e gjuhës së zjarrtë ? ”
Është detyrë e kritikës letrare t’i hapë “fjalës së palosur” “kindën e një pale”, pra, të zbërthejë shumëkuptimësinë e fjalës. Milivoj Solar ka thënë: “Çdo tekst shpjegohet në kuadrin e një konteksti”. Estetika ka parashtruar dhe argumentuar në vijimësi rrugë dhe metoda për të analizuar veprën artistike. Kështu kemi, ndër të tjera, interpretime formaliste, ekzistencialiste, marksiste, sociologjike, psikanalitike, strukturaliste, simboliste, semantike, etj. Nuk kemi kurrë një përfundim të saktësuar, por kemi udhë ecjeje përpara plot rrugëza e kthesa me zhvillime nga më të ndryshmet, në më të shumtën e rasteve kontradiktore.
.
Rembrand - Leksioni i Anatomisë i Dr. Nicolaes Tulp
Rembrand – Leksioni i Anatomisë i Dr. Nicolaes Tulp

***

Grupi i studiuesve amerikanë të “Kritikës së re”, në fillimin e viteve ’40 të shek. të kaluar, parashtroi dhe futi në zbatim të zbulimit të vlerave estetike të veprës letrare praktikën e “Close reading”, që këtu në një përkthim ad literam do të thotë “lexim i hollësishëm”, një metodë serioze studimi që konsiston në një shqyrtim sa më të hollësishëm që të jetë e mundur të rrafsheve më të ndryshme të veprës letrare, në kuptimin se si vepron një tekst artistik, si i krijon kuptimësitë dhe efektet në nivelet më të imta të tij. Vetëm nëpërmjet një shqyrtimi të tillë të hollësishëm të shumëkuptimësisë së tekstit letrar, në të gjitha rrafshet e tij, mund të arrihet në zbulimin e realitetit artistik që krijon shkrimtari në veprën letrare. “Kritika e Re” u mbështet kryesisht tek mësimet teorike të Ivor Armstrong Richards, lidhur me vlerat e veçanta që i jepte ai analizës së tekstit letrar me pjesëmarrjen aktive të lexuesit. Ai botoi veprat: “Kuptimi i kuptimit” (së bashku me C. K. Oden, 1923) dhe “Parimet e kritikës letrare” (1924).
Në këtë vazhdë, studiuesit Rene Wellek dhe Austin Warens, në veprën “Një teori mbi letërsinë” (1942), polemizuan për vlerën e dy drejtimeve për t’ju afruar analizës së veprës letrare: rruga a mënyra ekstrinseke dhe intrinseke (terma latine të përdorura më parë nga Croce, por jo krejtësisht me kuptimin që i dhanë dy studiuesit e përmendur më lart). Drejtimi i parë, ekstrinsek (nga jashtë) niset nga çështje të tilla si biografia e autorit, mjedisi shoqëror, rrethanat e jashtme, premisa psikologjike, filozofike, etj.; ndërsa drejtimi i dytë, intersek (nga brenda), që Wellek e Warens e morën si të qenësishëm, thelbësor, niset nga ekzaminimi i përbërësve formalë të veprës artistike, vlerave estetike të tekstit: gjuhës, stilit, imazheve, figuracionit, simbolikave, etj. Ata argumentuan me analizat e tyre epërsinë e studimit të drejtimit intrinsek ndaj atij ekstrinsek.
Lidhur me përvojën e lexuesit në interpretimin e veprës letrare, punoi edhe fenomenologu polak Roman Ingarden, i cili argumentoi që teksti letrar “konkretizohet” në aktin e të lexuarit. Këtë tezë e zhvilloi më tej Wolfang Iser nëpërmjet të “mbushjes së zbrazëtive” nga ana e lexuesit gjatë procesit të leximit. Simbas Iser-it, lexuesi duke lexuar tekstin, krijon supozime kuptimore, të cilat, me avancimin në lexim, i vlerëson si të drejta ose të gabuara. Kështu arrihet në analizën e drejtë të tekstit.
Nga fundi i viteve ’60 të shek. të kaluar, shërbime të mëdha teorike i bëri analizës së tekstit teoria e “estetikës receptive”. Sipas kësaj, vepra letrare, duke qenë një fenomen historik dhe jo dukuri transhedentale a “e pakohshme”, kërkon qëndrimin kritik vlerësues të lexuesit, pa të cilin ajo “nuk është e kompletuar”. Një metodë e tillë shqyrtimi i veprës letrare, erdh si aplikim i “përgjegjshmërisë së lexuesit”, teori e propozuar nga Hans Robert Jauss, i cili, në vitin 1967, solli në sofrën e teorive estetike idenë e “horizontit të pritjes”, sipas së cilës çdo lexues i qaset veprës letrare, e shqyrton, e kupton dhe e vlerëson atë në bazë të personalitetit të tij, formimit të tij psikologjik, botëkuptimor e teorik letrar dhe përvojës së tij jetësore, estetike e letrare, që formësohet nga marrëdhëniet e tij me letërsinë artistike dhe teoriko-letrare. Horizontet e pritjes ndryshojnë me kohën. Në periudha të ndryshme historike, horizonti i pritjes i lexuesit është i ndryshëm.
.
Johannes Vermeer - Vajza me vëthët perla
Johannes Vermeer – Vajza me vëthët perla
Në këtë rrjedhë diskutimi, analizën e veprës letrare në linjën e estetikës receptive e çoi deri në skajin më ekstrem Roland Barthes me esenë polemike “Vdekja e autorit” (1968), duke absolutizuar vlerën e tekstit dhe të receptimit të tij nga lexuesi, në dëm të autorit. “Është gjuha (teksti) që flet, jo autori”. Dhe tekstin e lexon, e kupton dhe e vlerëson vetëm lexuesi. “Njësia e tekstit qëndron jo në origjinën e tij, por në destinacionin e tij”. Dhe destinacioni është lexuesi. “Ky destinacion nuk mund të jetë më gjatë personal: lexuesi është pa histori, pa biografi, pa psikologji; ai është thjesht dikushi që mban bashkë në një fushë të vetme elementet prej të cilëve është formuar teksti”; dhe “Lindja e lexuesit do të ndodhë vetëm me vdekjen e autorit”. Në dukje paradoksale, në të vërtetë kemi të bëjmë me trajtime ekstreme të këtij problemi, siç ka ndodhur vazhdimisht me problemet estetike, për të cilat Sean Burke, në veprën “Autorësia prej Platonit tek të mëvonshmit – një lexues”, ka shkruar: “Çështjet kanë qenë ngritur në shumë gjuhë dhe fjalorë gjatë historisë së mendimit perëndimor, dhe çdo përpjekje për t’i vendosur ato në një mënyrë a në një tjetër, ka shërbyer vetëm në ripërtrirjen e debatit, duke e hedhur atë drejt një zgjidhjeje tjetër”.
Numri i madh i shkollave teoriko-letrare i krijon mundësi kritikës të bëjë analiza nga më të ndryshmet, të cilat nuk është e thënë që të çojnë gjithnjë në rrugë të drejtë, d.m.th. në përfundime objektive. Në historinë e kritikës sonë letrare, e kemi të qartë gabimin e Krist Malokit në vlerësimin e poezisë së Lasgushit: duke u mbështetur me fanatizëm në parimet e analizës psikanalitike dhe kulturo-historike, ai shkoi deri në mohimin kategorik të poezisë së poetit tonë të madh. Megjithëkëtë, duhet të kujtojmë edhe këtë: mbi bazën e shpjegimeve të Freud-it për nënvetëdijen është hedhur dritë rreth temave dhe teknikave të disa shkrimtarëve, duke përfshirë, ndërmjet modernistëve James Joyce, Virgjinia Wolf, Marcel Proust. Gjithsesi, u duhet ruajtur zbatimeve kategorike të premisave teorike të shkollave të ndryshme letrare.
Për kritikën letrare, Mitrush Kuteli, një gur i rëndë i themeleve të saj në kulturën shqipe, ka shkruar: “Kritika letrare duhet të jetë analizë objektive e cilësive dhe e mungesave, e bosheve dhe e ploteve, e dritave dhe e hijeve të një vepre”. Kritika letrare e sotme shqipe, në përgjithësi, është e njëanshme; ajo u përket cilësive, ploteve dhe dritave. Edhe kështu – çka është dobësi e saj – ajo ka vlerat e veta, nëse vërtet është objektive dhe e argumentuar në cilësitë, plotet dhe dritat e veprave letrare.
 

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Robert Martiko
    Për të trajtuar të Bukurën duhet të fillojmë me fjalën me origjinë greke ‘‘Entuziazëm’’ që, me fjalë të tjera, është një plagë në zemër, e shkaktuar nga e Bukura. E ka pohuar për herë të parë dramaturgu dhe poeti antik grek, Ione nga Hio, bashkëkohës i Eskilit, Euripidit dhe Sofokliut.
    Sokrati duke bredhur rrugëve të Athinës e biseduar me zanatçinjtë e qytetit mund të mësonte prej tyre konceptin e së bukurës për një palë këpucë, një poçe apo një kurë mjekësore. Kjo është trajta e ulët e së bukurës. Në bisedë me poetin Ione, Sokrati mësoi se e bukura për të ishte ajo që vinte shpirtin e tij në lëvizje për të thurur vargje. Dhe ajo që krijonte poeti e habiste dhe i pëlqente edhe atij vetë. Ione thoshte se e Bukura e mbushte me gëzim dhe entuziazëm dhe për pasojë dallonte një dritë të re përreth tij, sikur të bëhej fjalë per ta dalluar për herë të parë në jetën e tij.
    Për ta shpjeguar më tej nuk mundte.
    Me këtë ide sokratike e platonike për të bukurën, të cilën e ndiejmë dhe nuk mund ta përcaktojmë dot se çfarë është, u mor shekuj më vonë Albrecht Dürer, (1471-1528), piktor dhe teoricien i Rilindjes Gjermane. Në kohën e Rilindjes Italiane, Dürer vjen në Itali për të gjetur të bukurën. Në asnjë vend tjetër evropian të asaj kohe nuk e gjen të bukurën më shumë intensive se sa në Itali. Dureri ishte një individ i aftë që jo vetëm e njihte forcën e së bukurës por e prodhonte të bukurën, nëpërmjet pikturave të tij. Ai shprehet në atë kohë se çfarë është e bukura unë nuk e di, por e di se çfarë është. Shtesa e dytë paraqet rëndësi për t’u thelluar. Sepse bëhet fjalë për një emocion, një ndjenjë, entuziazëm, diçka që ndez një dritë te njeriu. Është si një horizont ku gjithçka paraqitet e re, të gjitha gjërat të ndriçuara. Në të vërtetë te Dureri fliste Platoni. Fjala e bukur që përdorim ne në jetën e përditshme është si e goditur nga inflacioni. E përdorim pothuajse në të gjitha gjërat. Platoni thoshte se e Bukura ekziston dhe në momentin që ndodh kjo, eksperienca njerëzore pëson një shkundje të fortë. Duket sikur në ato çaste ka shpërthyer një burim çudibërës me imazhe të mrekullueshme, lloj fare që prodhon pemë të reja pafundësisht.
    Edhe kur flasim për bukurinë në kuptimin modern i rikthehemi Platonit. Siç thotë filozofi gjerman Ernst Cassirer, filozofia moderne në trajtimin e së bukurës është një koment për Platonin. Filozofi grek thotë se: “…aty ku shfaqet bukuria kemi një Gjenerim të së Përjetshmes.” Një frazë që duket sikur ka kuptim kontradiktor pasi aty ku ka përjetësi nuk ka gjenerim dhe aty ku ka gjenerim nuk ka përjetësi. Këtë vështirësi në përcaktim e hasi për herë të parë Sokrati. Dinak siç ishte nga natyra për të futur të paditurit e paturp në qorrsokak, u befasua nga priftëresha e quajtur Diotima e Mantinesë. Janë të saja fjalët se në Bukuri ndodh Gjenerimi i së Përjetshmes. Kjo frazë e çuditshme shpjegohet se në momentin që dikush ndeshet me të bukurën, pranon fuqinë saj. Thotë një ‘‘Po’’ qoftë në bukurinë e bashkimit të trupave apo të një bukurie me karakter moral. Momenti i Po-së ka kuptimin ‘‘Përgjithmonë’’. pavarësisht se predispozita shpirtërore mund të ndryshojë në vijim. Ndodh në ato çaste sikur diçka ka shpërthyer, është gjeneruar, lindur. Interesante është se e Bukura, të cilën nuk e njohim, në momentin që shfaqet mund ta përcaktojmë. Në këtë pikë na ndihmon principi i të gjitha gjërave, – thotë Platoni. Na ndihmon numri, matematika, njohuria e bazuara në numrin që do të thotë matje që paraqet njohuri krahasuese, paradigmatike, objektive. Këtë e vërtetojmë te harmonia e skulpturës, pikturës apo muzikës. Është e vërtetë që numri krahasues futet për ndihmë megjithatë të fshehtën e së bukurës nuk e kemi zbuluar.
    Me këtë temë merret më vonë filozofi neoplatonik grek me emrin Plotin. Ai iu drejtua nxënësve të tij me fjalët nëse Ylli i Mëngjesit apo zjarri është i bukur ose jo. Gracka që ngrinte Plotini për nxënësit konsistonte se, prej grekëve të vjetër, Ylli dhe Zjarri konsideroheshin të përbëra prej materialesh pa peshë, me përbërje jo materiale. Atëherë si mund të njoh Bukurinë, Perfeksionin, Harmoninë, kur materialet janë pa peshë, kur nuk ka një numër për krahasimin e raporteve reciproke të pjesëve përbërëse. Konkluzioni tjetër është se Bukuria nuk varet nga Numri. Nuk është raport pjesësh. Sipas Plotinit, Bukuria është e pabazuar.
    Pra, në rastin kur Njeriu përballet me Bukurinë, i jepet mundësia për t’u njohur me Bukurinë dhe njëkohësisht ndien vetveten të aftë për të dalluar bukurinë, diçka që krijon eksperiencën e tij. Duke rikujtuar numrin krahasues të proporcione trupore në një statujë dalloj se numri matematik është i pavlefshëm për të më ndihmuar. Po kështu edhe në një fenomen bukurie morale. Si konkluzion duhet të përpiqem për të gjetur një shpjegim tjetër.
    Fjalët e Durerit janë në kuptimin që jep Platoni. Ai shprehet se çfarë është e bukura unë nuk e di, pasi është e papërcaktueshme por e di se çfarë është në çastet që shfaqet duke kapur të përjetshmen.
    Dostojevski parqet një tjetër trajtë të së bukurës. Ai bën fjalë për të bukurën e papërcaktuar por edhe të frikshme. Shkrimtari rus bën fjalë për fushën e luftës ku Zoti dhe Djalli grinden se kush do të fitojë zemrën e njeriut.
    Në përpjekje për të njohur të Bukurën futet koncepti i Shkëlqimit (Claritas në latinisht), ku njeriu ndien të mos jetë më vetvetja. Në kohën e Romantizmit për të karakterizuar këtë lloj gjendje shpirtërore admirimi skajor futet fjala pafundësi. Bukuria përfundon së qeni një raport matematik pjesësh, duke u futur në raport me pafundësinë. Anaksimandri bën fjalë për Apiron… E kështu me radhë deri në ditët tona…
    Mund të shkruash pafundësisht për të bukurën…

    Marrë nga shkrimi i paraqitur në fb. 8 qershor 2018

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.