Prometheu
nga Robert Martiko
(Dedikuar etërve katolikë
që nuk u mposhtën në torturat komuniste…)
Në malin e lartë të Kaukazit,
një shkëmb i përgjakur,
kristale të mprehta,
si tehe thikash pagane,
zinxhirë të rëndë robërie,
një fisnik mundojnë në vetmi,
në luginën e largët të skitëve,
zjarre nate, lule të zbehta kujtimi,
humbasin në agim të shkujdesura,
pa u kujtuar për të…
Kalojnë njëmijë vjet…
shpirti në torturë i shenjtëruar,
në humnerën që ndan dy botë,
kur dielli shkëlqen,
fluturon i vetmuar në kaltërsi,
përherë me mendimin e lirë,
përbri,
me të njëjtën pamje:
kupën e qiellit të kthyer përmbys,
më lart nga panorama magji,
është historia e çdo shpirti të madh,
Mbinjeri,
kur më lart dëshiron të ngrihet,
si për tu bërë Perëndi…
Shqiponja e artë cipëplasur
e një Zeusi hakmarrës mëkatar,
afrohet si hije,
furishëm sulmon të burgosurin,
me sqepin e përgjakur verdhosh,
copë ja bën mëlçinë,
me vrullin e mirënjohur lapërdhar,
prej keqbërësi të përkohshëm,
burrec i gjorë mercenar,
spiun mendjelehtë,
që kujton se Golgotën,
mund të kthesh në varr.
Nën ulërimën e ujqërve,
blunë e bukur duke mbytur përreth,
mjegulla e rëndë bie në Elbrus…
Në mbrëmje pa yje,
limanin e largët mendon Prometeu,
jetën e qetë në bardhësi gëlqerore,
shtëpi përdhese buzë detit,
një varkë tregimesh kthyer përmbys,
larg vetëmohimit skajor,
heroizmit të rrallë fisnik…
në ultësirën me heronj të mbijetuar:
Kainët vëllavrasës,
pëlqehen më mirë.