Prominenca iminente e eminencës
nga Astrit Cani
Ne nuk i nderojmë njerzit, ma shum se nderojmë të vërtetën.
Besoj se neve që jena të painfektuem me komunizëm të djeshëm a sorosizëm të sotëm, na tokon me folë diçka ma tepër për shkrimtarin që kaloi n’amëshim pak pa i rrumbullakosë të 90-t.
Ne shqiptarve na vjen letërsia dhe asht ndër të paktat arte që e kena ende gjallë e në kambët e veta.
Në mos si kritik dhe doktor i estetikës, në mos si përkthyes e shkrimtar, më tokon me thanë ndoj fjalë ma tepër mirëfilli si lexues. Dhe si lexues jo vetëm i prodhimit tonë të mbrendshëm bruto, por edhe si njohës epokal i tregut ndërkombtar të fjalës së shkrueme.
Kadareja nuk asht poet.
Mos na lodhni. Edhe ato lirikat që ka shkrue për dashnoret e tij në Moskë a Tiranë, janë manieriste të përshtatuna prej rusve dhe nuk duket se asht dashurue deri n’at pikë sa me u çmendë poetikisht prej dashnisë si Majakovskij apo Jesenini. Dmth, përmbajtja asht banale, forma kopje e vjetrueme. Imazhet e tij nuk janë poetike dhe as urbane. Figurat nuk funksionojnë as si metaforë, as si metonimi. “Ca pika shiu ranë mbi qelq” – qelqi asht material, si betoni. “Nga filmat e të shtunës të lodhura janë ekranet” – ekranet nuk lodhen prej filmave. Aparatet tonë televizivë digjeshin veç prej tensionit të naltë. Poezitë për mësueset e fshatit a për vegjelinë në përgjithsi janë të pasinqerta. Kritika e tij për orientalizmin asht e mbushun me gjysë të vërteta. Mjafton me pà shpinë ku ka lindë Kadareja dhe apartamentin që i dha partia. Lindi në shpi zotnijsh dhe partia mbas shum shërbimesh që i bani, i dha nji apartament sovjetik brutalist, me do mobilje shurdhe zdrukthi, tipik për nëpunës që ban karrierë tue ecë me brryla mes turmës së skllevënve.
Shqiptarët e ngopun me gjysë të vërteta e quejnë emancipim ktë kalim. Ne jo.
Ishte padiskutim ndër njerzit që kontribuen ma fort në krijimin e asaj kohe, stalinizmit shqiptar, që asht periudha ma e errët e historisë sonë dhe ma e liga. Si intelektual kishte përgjegjsi të dyfishtë: para nesh dhe para vetes. Firmosi gjithçka që i kërkoi pushteti deri në ditët tona. Pati nji rol toksik mbrenda sistemit letrar shqiptar, tue mos lanë talentet e tjera me pasë za. Ende sot Trebeshina nuk lejohet me qarkullue në Tiranë. Veprën e Petraq Kolevicës e kanë zhdukë me kohë dhe mund të gjindet vetëm në format elektronik, e me radhë. Nse nuk je pjesë e tarafit të kadareistave, nuk mundesh me punue as te botuesit e mdhej as në universitete, sado i kualifikuem dhe pozitiv të jesh. Rrjeti i granteve të përkthimit kontrollohet po ashtu prej ushtrisë së ojf-ëve, që kanë patron Sorosin dhe padrino Kadarenë.
Edhe po ta pranojmë justifikimin e tij prej frikës para ’90-s, nuk e kuptojmë pozicionit e tij mbas ’90-s.
Askush nuk e din cila asht letërsia shqiptare e ditve tona, prej 1990-s deri më sot. Me aq sa e njoh vetë, thom pa diskutim se asht letërsi ma e mirë se ajo e realizmit socialist. Dhe pse nuk dihet? Se asnji shkrimtar i ri nuk përfaqësohet nga nivelet e nalta intelektuale. Ktë funksion, funksionin e librit e kanë akaparue oborrtarët e tij të pushtetit, Fevziu, Blushi, Nanoja. Asnji prej ktyne nuk asht shkrimtar, janë maksimumi autor. E pra, letërsia e sotme shqipe ka gjithçka, ndryshe nga muzika dhe filmi që kanë marrë fund, letërsia asht në zenit. Por nuk receptohet, pikërisht se sistemi asht i kapun.
Për Kadarenë thuhet si për Ramën: na nderon jashtë, na përfaqëson si askush tjetër. Të dy kanë gafa dhe kusure të randa, si shumica e njerzve të pushtetit.
Kur mori Çmimin Asturias, në 2009, Kadareja i tha akademisë mbretnore spanjolle dhe vetë mbretit se Enver Hoxha ishte Don Kishot. Pranoi pa dashje dashninë e tij për diktatorin. Nji dashni freudiane, kuptohet, nji transfert. Mirëpo spanjollët kanë pasë vetë diktator, Frankon. A mund t’ju thuesh se Frankoja ishte Don Kishot? Asht si me thanë djalli asht engjëll. Dhe e dini si e hoqën qafe spanjollët mëkambësin e tij Carrero Blanco? I vunë kaq shum dinamit poshtë makinës sa fluturoi kah ana tjetër e pallatit ku ishte parkue.
Sigurisht lobingjet e majta intelektuale kanë me vazhdue me e mbajtë veprën e tij në jurina çmimesh, dhe bulmeti jonë lokal ka me e mbajtë gjatë kultin e tij të personalitetit.
Pamë kto dit, ata që kanë Sindromin e Stokholmit, që u përmallën e u përqyrrën prej ikjes së tij, teksa ai, për ta thoshte asokohe se: partia fuste në burg vetëm të patalentuarit. Gja krejtësisht e pavërtetë, ngase ma të mirët dhe ma të talentuemit ishin në burg ose në internim. Çka nuk don me thanë se të kenit i persekutuem politik, të ban letrar me nivel.
Me rrenat e tij, Kadareja përkrahu shkatërrimin e trashëgimisë shpirtnore dhe materiale të shqiptarëve. La nji trashigimi të vetën, që duhet kalue në sitë. Nuk kje mburojë kundër së keqes, duhmën e randë dhe logjikën kriminale të pushtetit e lejoi të hynte edhe mbrenda konakut të tij. Kërkoi e fitoi privilegje prej pushtetit. Quejti Don Kishot diktatorin shqiptar, që kje nji karakriminel jo ma pak djallëzor se Millosheviçi.
Kur regjimi i vuni dinamitin kishave dhe xhamijave, ai pohoi me kokë. Kur regjimi e anatemoi letërsinë apartiake, ai prapë pohoi. Kur regjimi shpalli gjuhë letrare dialektin e krenve të luftës tue i hekë automatikisht qytetarinë shumicës së shqiptarve, ai prapë fërkoi duert.
Me veprën e tij ai i bindi shqiptarët se kjo që ndërtoi komunizmi ishte qytetaria e vërtetë. Jo ajo e Luigj Gurakuqit dhe Faik beut, jo ajo e Andon Zakos dhe Musine Kokalarit. Por kjo e teritalit dhe kominosheve, e furnelës në banjo dhe zisë së bukës të kthyeme në instrument regjimi. Dhe në ktë azifikim të Shqipnisë ai kritikonte bejtexhijtë e kohës së Osmanit, thue se aty ishte problemi.
Aty ku asht problemi, aty asht zgjidhja.
Poezitë e tij janë fallco. Esetë vuejnë prej kompleksit të inferioritetit. Përmasa e tij e vërtetë don nji investim të vërtetë kritik me u nxjerrë në dritë. Por nuk i intereson kujt. Politika dhe kultura duen me mbajtë ndezë makinerinë e pushtetit. Çdo matriksi i intereson veç me riprodhue vetveten, si ndodh me çdo virus.
Thonë se ai asht ndërgjegja jonë.
E pranoj.
Ua kam lanë ndërgjegjen.
Por mbaj, vetëdijen.
Marrë nga Muri i FB, Astrit Cani, 4 korrik 2024