Protestë… duke pirë kafe në Ballkon!!
nga Eleni Laperi
Para disa kohësh mora një vendim: të respektoj dinjitetin tim, punën dhe përpjekjet e mija, dijet e fituara gjatë jetës sime. Një mënyrë për të bërë këtë është edhe të mos pranoj të botoj në media, të mos marr pjesë në panele apo emisione televizive shqiptare pa u paguar. Madje edhe librat e tjerë thjesht do i ‘botoj’ në internet, sepse edhe shtëpitë botuese shqiptare pasurohen në kurriz të autorëve, të cilët nuk i paguajnë (përveç autorëve politikanë).
Kam gati njëzetë vite që flas, shkruaj botoj dhe nuk paguhem. Rasti më interesant ishte një mëngjes në televizionin Vizion+, kur pas një bisede i kërkova gazetares së emisionit në se mund të më jepte një CD me incizimin e emisionit, me që nuk po paguheshim për orën e shpenzuar për ta. Gazetarja më tha: ‘Patjetër. Kushton 2000 lekë.’ Qesha dhe iu përgjigja se jo vetëm duhej t’u falja një orë nga dita ime, po edhe t’i paguaja për ato që kisha thënë.
Pronarët e mass-mediave shqiptare në këto njëzetë e pesë vite janë pasuruar, jo vetëm sepse paguajnë keq punonjësit e tyre, po sepse nuk paguajnë të ftuarit, që flasin e shkruajnë në programet apo në gazetat e revistat e tyre. Përjashtim bëjnë një grup të përkëdhelurish, që i sheh në të gjitha ekranet të japin mendime për të gjitha temat. Edhe ata janë pasuruar si pronarët e mass-mediave shqiptare, pasi paguhen jo vetëm me honorarin që u takon, po edhe me gjithë honoraret e papaguara të kolegëve të tyre, të gjithë atyre që japin ndihmesë në plotësimin e programit apo të faqeve të shtypit shqiptar. Këta të përzgjedhur, jo vetëm i pranojnë me ëndje pagesat e ekzagjeruara, po nuk kanë asnjë vrarje ndërgjegjeje se në ato pagesa përfshihen gjithë djersa e papaguar e kolegëve të tyre; ndërkohë japin mënd e nuk lënë njeri pa kritikuar, shfaqen si shëmbuj morali të pastër e dijesh të pakundërshtuara.
Falë Zotit, ose më saktë falë Google, unë nuk ndjehem më e fyer, e shfrytëzuar, kam mundësi të mos paguaj më me punën time luksin dhe arrogancën e pronarëve të mass-mediave shqiptare dhe harbimin e fëmijëve të tyre me Ferrari, Lamborghini, apo çfardo dreqin tjetër. Atë që dua të them, dëshirën për të ndarë mendimet e mija me të tjerët, e bëra të mundur me blogun tim. Më lexojnë disa dhjetra, ndonjëherë kur i qëlloj temat më mirë, disa qindra dhe kjo më mjafton.
Tani më shijon pa masë kafeja ime në ballkon, nga ku shoh edhe katrahurën e bukur të Tiranës.
http://elenilaperi.blogspot.it