back to top
11.5 C
Tirana
E martë, 5 Nëntor, 2024

Proza e autorëve françeskanë mes dy luftërave botërore – nga Kastriot Marku

Gazeta

Kleri Katolik Shqiptar (mjaft prej tyre janë martirë të fesë e të Atdheut)
Kleri Katolik Shqiptar (mjaft prej tyre janë martirë të fesë e të Atdheut)

Proza e autorëve françeskanë mes dy luftërave botërore

nga Kastriot Marku

Kemi zgjedhur këtë prerje kohore, sepse ky është segmenti kohor ku e gjen më së shumti të realizuar vetveten kjo krijimtari letrare si e tillë. Qoftë periudha e para dy luftërave, qoftë ajo e pas tyre, kërkojnë një tjetër qasje vështrimore diktuar kjo jo vetëm si zhanër, por edhe si tematikë dhe për më tej si strukturë letrare. Pikërisht mbas lufte, kur brenda kufijve zyrtarë shtetërorë të shtetit shqiptar, për shkaqe që tashmë dihen e që nuk është vendi as koha që të merren këtu në shqyrtim, letërsia dhe autorët françkanë u ekskomunikuan. Shkrimtari dhe kulturologu vijues i traditës së sivëllezërve të tij At Zef Pllumi do të shkruajë se “Kuvendi Françeskan u bà pothuej qendra mà aktive e nacionalizmit shqiptar”, ndaj ai bash për këtë dhe shumë arsye të tjera “…do të mbetet nji fenomen i papërsëritshëm në historinë e kulturës shqiptare”.
Në një konferencë të mbajtur në Romë më 8 maj 1953, letërsinë shqipe të gjysmës së parë të shekullit XX, Ernest Koliqi e ndante në dy rryma: në atë të tradicionalistëve dhe atë të modernistëve. “Pjesa më e madhe e tradicionalistëve, nga të gjitha zonat e Shqipërisë, qe mbledhur rreth dy revistave shkodrane Hylli i Dritës dhe Leka. – do të thoshte ai – Në këtë pikëvështrim shkolla letrare françeskane e Shkodrës konsiderohet tradicionale sepse u mbështet në arritjet më të mira të letërsisë së vjetër shqipe, përmes tematikës dhe motivimeve me konstrukte përmbajtësore e strukturore mbështetur mbi gegërishten letrare, në të cilën gërshetuan mendimin, psikologjinë popullore, filozofinë dhe simbolikën, idiomatikën e shprehjes, me përtëritjen dhe strukturimin e një teksti të ri letrar me elementë formalë gjuhësorë që orientohen drejt një qëndrimi estetik më të rafinuar.
Mbas prozës së Pjetër Budit dhe Pjetër Bogdanit dhe asaj të vijuese e dy të parëve sikurse ishte proza e Engjëll Radojës, që pati njëfarë roli ndërmjetës me prozën e mëvonshme, Dom Ndoc Nikaj, Zef Mark Harapi patën një rëndësi vendimtare në shkrimin e këtij zhanri letrar. Por objekt i vështrimit tonë në një këndshikim më të ngushtë është proza e autorëve françeskanë, At Gjergj Fishtës, At Vinçenc Prennushit, At Bernardin Palajt, At Marin Sirdanit, At Justin Rrotës, At Shtjefën Gjeçovit dhe posaçërisht At Anton Harapit. Themi posaçërisht për At Anton Harapin mbasi përkundrejt faktografisë së vërtetueshme historike, në anën tjetër edhe përkundrejt deklarimeve autoriale, proza e tij mbart të gjithë elementët e mjaftueshëm të shkrimit të pastër letrar. Nëse do të na duhet të bëjmë një lloj dallimi, veçimi për efekt njohjeje më të përthelluar, mund të themi se proza shqipe në gjysmën e parë të shekullit të XX, edhe pse pa ndonjë përvojë të gjatë kultivimi shkrimor, qoftë si tregues sasior ashtu edhe cilësor, jo vetëm që u konstituua me statusin e saj të plotë si një krijimtari me vendin e saj të meritueshëm, por dha me dinjitet cilësitë më të mira estetike në të gjitha nivelet e komunikimit. Para së gjithash duhet të kemi parasysh së në kontekstin kohor prej nga ku nis dhe përfundon objekti i vështrimit të kësaj kumtese, kulti i tekstit poetik kishte një lloj dominimi shpesh edhe të privilegjuar, që në anën tjetër dukej sikur e shpërfillte prozën. E njëjta gjë do të mund të thuhej edhe për dramaturgjinë, por nëse këtë të fundit do ta shihnim në një raporort fizik sasior, bazuar në numrin e veprave origjinale dramatike të botuara, e kemi fjalën për dramën, veçanërisht në Shkodër kjo sikur e tejkalonte këtë shpërfillje, e kjo falë komunikimit të teksteve dramatike në skene nëpër teatrot e shumtë, shfaqjet e njëpasnjëshme nga shoqëritë kulturore, të cilat kishin një jetë mjaft të gjallë dhe aktive në këtë qytet. Proza nga ana e saj erdhi me ngadalë, dhe si për të përplotësuar prozaizmin e saj të ripërkufizuar prej vetë termit, mori terrenin e saj pa shumë turr. Pjesa më e madhe e prozës konsumohej në trajtën e saj si shkrim publicistik socio-politik, e cila përcillte problematikën e kohës. Pa asnjë dyshim në terrenin aktivitetit kulturor dhe letrar të françeskanëve, detyrën më me rëndësi e merr dhe e përcjell revista e mirënjohur e urdhërit Hylli i Dritës. Fakti se kjo e përkohshme themelohej bash në prag të përvjetorit të parë të Pavarësisë së vendit, në një gjendje të rënduar gjeopolitke në Ballkan dhe Evropë, veçanërisht për të ardhmen e shtetit shqiptar të sapokrijuar, dhe e gjitha kjo në prag të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, përbën edhe një lloj orientimi të përqëndruar në përcjelljen e ndjeshmërisë sociale dhe kulturore nacionale. Në këtë prerje tërthore zëri kryesor është pa mëdyshje ai i drejtorit dhe themeluesit të së përkohshmes At Gjergj Fishtës. Karakteri i drejtpërdrejtë i polemikës, komunikimi i hapur me të gjithë forcën e arsyes dhe të argumentit, dhe mbi të gjitha shfrytëzimi i të gjitha mjeteve të shqipes në një mënyrë krejt origjinale, bëri që kjo lloj publicistike të konsiderohej agresive, gjë që u bë shkak që revistës Hylli i Dritës t’i ndalohej botimi në vitin 1914 dhe në vitin 1924. Sikurse ka vënë re me të drejtë Ernest Koliqi, në vitet ’30 në letërsinë shqipe vihet re dukshëm një lloj ndarjeje sa i takon shkrimtarëve. Duket qartazi se kemi dy grupime të mëdha të krijuesve. Grupi i parë ishte ai tradicionalist ndërsa ai i dyti ishte ai i modernistëve. Nëse në grupin e parë janë shkrimtarët që grupohen rreth dy revistave shkodrane Hylli i Dritës dhe Leka, organe përkatësisht të françeskanëve dhe jezuitëve, grupi i dytë grupohet fillimisht tek Illyria e më pas tek Shkëndija pas të cilave qëndron Ernest Koliqi. Dom Ndoc Nikaj jo vetëm krijoi bazën, themelet e prozës sonë të gjatë, pra romanit, por ai ishte njëkohësisht dhe romancieri më prodhimtar në letërsinë shqiptare para Luftës së Dytë Botërore. Romanet e tij Shkodra e rrethueme, (1913), Fejesa n’djep a se Ulqini i marrun, (1913), Bukurusha, (1918) dhe Lulet në thes, (1920), ndërtuar sipas mënyrës strukturore të romaneve klasike hapën ravën në të cilën do të ecte më vonë Zef Harapi, sidomos me romanin “Pushka e trathtarit”, botuar më 1921, me të cilin ka mjaft pika takimi si në planin tematiko-motivor, ashtu edhe në planin kompozicional. Ndërkohë proza e Ernest Koliqit shënoi një hop cilësor në prozën shqipe, jo vetëm duke thyer në një farë mënyre kultin e dominimit të vargut, por duke e vendosur prozën shqipe në rrjedhat moderne të letërsisë europiane. Koliqi duke rrëmuar në aspekte të jetës shqiptare, përgjithësisht me subjekte nga temat urbane, do ta zhbironte psikologjinë e individit shqiptar përmes një analize të brendshme të tipit frojdist. Grupimi i parë ai i tradicionalistëve të Hyllit të Dritës, në rastin konkret françeskanët, ruajtën të njëjtën “hulli” letrare, të cilën e kishin konturuar në poezi, por që e përplotësojnë në dramaturgji dhe respektivisht edhe në prozë. Sipas Koliqit “Mendësia letrare e redaktorëve të Hyllit të Dritës shquhej për papajtueshmëri kategorike ndaj çdo lloj parimi që nuk i bindej karakterit autokton, prirjeve shpirtërore, të huaja për thelbin e vërtetë shqiptar dhe nevojës së tij elementare për konkretësi.”
Parë në kontekstin e krijimtarisë së këtyre autorëve, sikurse e përmendëm më sipër autori më i veçantë shpërfaqet At Anton Harapi me dy romanet e tij, dhe si për çudi të pabotuara në gjallje të autorit si botime më vete integrale dhe po ashtu të paemërtuara si të tilla përsa i përket zhanrit. Ato janë Andrra e Pretashit. Kontribut për kulturën shqiptare. Urbinatit Antonio, Romë, 1959. IX-XLVI, 3-222 f. (Vepër postueme), sipas botimit të vitit 1959 në Romë. Hylli i dritës, Tiranë, 1996. 222 f; Valë mbi valë, (vepër postume), Botue nën kujdesin e At Daniel Gjeçajt me bashkëpunim të Ana Lukës e Ardian Markut, Romë, 1995. 144 f. Në një lloj kuptimi këto vepra, bazuar në poetikën moderne të sugjeruar nga Umberto Ecco mund të shihen si vepra “të hapura”, që sugjerojnë një mori leximesh, një seri ekzekutimesh sipas shijeve të secilit prej nesh që ushtrojmë leximin mbi to. Pothuajse njëzëri nga të gjithë studiuesit që janë marrë me këtë autor, kryevepra e tij është cilësuar Andrra e Prètashit, e cila u botua së pari nën titullin: “Urti e burrni nder banorë të Cemit. Ndollje historike rreth vjetit 1918-19” në vijim në 17 numra në revistën “Hylli i Dritës” në vitet 1933-1935, dhe më pas u botua si vepër postume nga françeskanët në mërgim vetëm në vitin 1959. Ajo ishte dërguar për botim në shtëpinë botuese “Vallecchi” në Firence me nismën e Institutit të Studimeve Shqiptare nën kujdesin e Ernest Koliqit, por për shkak të luftës nuk e pa dritën e botimit. Falë kujdesit të At Zef Valentinit, bocat u ruajtën dhe më pas iu kaluan Ernest Koliqit për t’u realizuar përfundimisht nga sivëllai i Anton Harapit At Daniel Gjeçaj. Kjo vepër konsiderohet nga Plasari si kryevepër e Harapit, si vepër sui generis dhe autori i tij si i pakundshok në letërsinë shqipe ndërsa për një tjetër studiues ajo “përfaqëson një nga krijimet më origjinale të prozës shqipe”. Që në fillim përballë studiuesve u shfaq çështja e klasifikimit se në cilin zhanër apo lloji letrare mund të vendosej kjo vepër, sepse ajo ishte një prozë në një gjendje të veçantë, leximi i së cilës të krijon përshtypjen se po lexon një ditar, kujtime autobiografike, kronikë historike, shënime etnografike apo etnopsikologjike, e që studiuesit Anton Nikë Berisha, Prend Buzhala, Bardhyl Matraxhiu, Bajram Olloni, Anton Gojçaj, me të drejtë e quajnë roman. Vepra e ndarë në 22 kapituj, e konsideruar më së shumti si vepër antropologjike, “nuk i dha dorë kritikës si dhe lexuesit të kuptojnë dhe trajtojnë unitetin organik të një vepre të vetme letrare”, sepse Harapi e kundron jetën shqiptare nga një këndvështrim sa filozofik, aq dhe historik, rrethuar plotësisht me një mjegullnajë letrare. “Andrra”, fillon me nji andërr dhe mbaron me një tjetër, duke u konceptuar mbi të si një lloj paralajmërimi i pritshëm, njëlloj ankthi. Vepra tjetër e Harapit “Valë mbi valë”, edhe kjo e konsideruar si roman nga Robert Elsie dhe Tringë Dukagjini, u botua edhe ajo e plotë vetëm në vitin 1995. Kjo vepër ka për subjekt një udhëtim me take (varkë) të autorit nga Pazari i Shkodrës, më pas përgjatë Liqenit të Shkodrës për në vendemërimin e tij si famullitar në fshatin Grudë, nën shoqërinë e dy peshkatarëve shirokas, Shanit e Gasprit. Ky udhëtim real, përgjatë bisedave dhe diskutimeve, përhumbet në refleksione befasuese filozofiko-jetësore, duke kërkuar kështu kuptimin e jetës. Në fakt bazuar në subjektin e veprave, përmes të cilëve mund të përvijojmë kohën e zhvillimit të ngjarjeve i bie që kronologjikisht Valë mbi valë të jetë fillimi i “fabulës” së dy romaneve, ngaqë ngjarjet nisin me nisjen, lundrimin, kalimin e natës dhe mbërritjen, e që duke ndjekur kronologjinë e ngjarjes zgjasin nga ora 11 e paradites deri në mbrëmjen e vonë të ditës tjetër që i bie rreth një ditë e gjysëm, ndërkohë Andrra vjen më pas, por që zgjat disa muaj. Kështu nga dramatika e jetës së ashpër të malësorit tek Andrra e Prètashit, tek Valë mbi valë kalohet tek kuptimësimi i përthelluar i vetë qenies në jetë. Harapi na shfaqet si një prozator mjaft i rafinuar, me një gjuhë të rrjedhshme, plot elegancë e shije, veçanërisht në përshkrim. Për të Ernest Koliqi do të shprehej: “At Anton Harapi bàni me pёrparue në shqipe trajtat arsyetuese. I thellë në filozofi, psikolog depërtues, pa kurrnji prirje kah poezija e shprehja e lulzueme përgjithësisht, ai orvatej m’e mprehë stilin e vet si mjet bindës e si vegel vezhgimi. N’artikujt e shumtë botue në Hyllin e Dritës, ndёr prede qi mbante, ndёr mësime qi epte, shqipja hollohej për të shprehun shllime a idè të nalta e të thella. Natyrisht tue ruejtun njiherit pastrìn e vet. Fijeve mà t’imta t’arsyetimit Anton Harapi i a gjeti në gjuhë t’onë skàjin shprehës. Letrarisht veprat kryesore të tija janë “Andrra e Prètashit” e “Valë mbi valë”. Në të dyja jeta shqiptare del e piksuesme me përpiknì dhe vёzhgueme me sy zhbirues. Me shprehje të thjeshta, por të sigurta, të rëndomta jo fluturuese, të kuptueshme jo të lulzueshme, Anton Harapi të bàn me pà me sy dhe me prekë me dorë shka pёrshkruen edhe ta zbulon psihёn e Shqiptarit me mà të madhen qartёsi. Vrejtjet e tija burojnë nga shikimi realist qi ai hjedh mbi objektin. Nuk dalldiset kurr me mend. Nganjiherë tregohet i thekun në shpìrt. Mënyra e shkrimit e tij vjen tue shpalue me rend e kadalë, pёrçansuese, e shtrënguet për kah logjika, e pasun për kah mendimet, e shtruet dhe pa stërhollime për kah trajta me nji shqipe virgjin thjesht popullore…”
Të dy veprat nisin si kallxime të ngjarjeve reale, por enden mirëfilli si vepra letrare, ngaqë elementi historik dhe ai i “trilluar” rropaten t’i zënë vendin njëri-tjetrit. Duken se janë vepra dokumentare të tipit memoareske, në të cilat autori, narratori dhe protagonisti mëtojnë të jenë i njëjti person: Atë Anton Harapi, i cili rrëfen në vetën e parë. Statusi tekstual i tyre ka ndryshuar në kohë, mbasi personazhet dhe ngjarjet reale të nëntëdhjetë e ca viteve më parë, nuk shfaqin interes sot për lexuesin dhe interesi për to sot është thjesht letrar, leximor. Në lidhje me sa thamë më sipër përsa i përket këtij statusi po sjellim për citim disa fragmente prej Andrrës së Pretashit, duke nisur nga botimi i saj i parë tek Hylli i Dritës. Duhet të theksojmë se një çështje tjetër e hapur është ajo sa i takon krahasimit të dy teksteve të botimit të veprës, atij të botuar fillimisht në “Hyllin e Dritës” në vitet 1933-1935 dhe botimit integral pas vdekjes së autorit rreth 25 vjet më pas në vitin 1959, një punë filologjike dhe tekstuale që pret të kryhet, mbasi teksti paraqet ndryshime jo të vogla, të cilat do të përbënin një punim tejet interesant për teknikën e shkrimtarisë së këtij autori. Të ndjekim Harapin. “Kur, në vjetin 1918-19, kjeçë famullitar në Grudë, pa qëllim botimi, vetëm për kujtim t’emin privat, paçë ba do shenjime ndolljesh e përshtypjesh të jetës t’asajë kohë, n’at krahinë. Nji mik i emi m’u vu tepër t’i botoj, e un mbas dishirit të tij, i mora në dorë, u mundova me i dhanë nji unitet, e po i shtypi nja disa kso kujtimesh, jo për letërsi as për histori, por vetëm që të mbahen mend, se banorët e Cemit andej kufinit janë fjeshtë shqyptarë, e, të njajta me fise e bajrakë tjerë, kanë besën e burrnin, doket e mentalitetin…”.
“…Që kur fillova fillova këto shenjime, paçë për qёllim të tregoj jetën shqiptare, po ashtu të thjeshtë si zhvillohet e çfaqet ndër tana rrethanat në Hot e në Grudë. Për me e pru disí të plotsuem kvadrin e jetës s’atyne Shqiptarëvet, m’u desht me kallzue shum zakone e ndodhje, të cilat dán si të shmangen prej argumentit të parë qi âsht: andrra e Prêtashit e rropamet e atyne bajrakëvet për t’i a mbushë menden botës, se janë njimend Shqiptarë e duen të jenë edhe ata pjesë e Shqipnís. Lexuesi i ndershëm do të m’i falë këto kapërcime, i sigurt se nuk janë as proliksitet as të shmangun n’argument, por plotsim i nji pjanit të bâm me qёllim të caktuem…”.
“…Kështu, para 20 vjetëvet u shkonte jeta në mjes të burravet të Malsís. Këta pak rreshta të jesin dokument i përhershëm, për të tregue gjakun, shpirtin e doket fjeshtë shqiptare të banorëvet të Cemit, e të përhershme t’ua trashigojnë breznivet tona fisniknín e madhnín shpirtnore të Shqiptarit, burrë në vështrim të fjalës. Andrra e Prêtashit kishte pasë kenë profecí, të cilën e prita edhe e pásh të vёrtetueme. Profeci Zo’ kjoftë edhe andrra e Maxhit, të cilën, pastë kush mbas nesh e pá – të vёrtetueme!”. “Për t’a plotsue kvadrin e jetës shqiptare, qi jam tue endë me këto shenjime, jo ndryshej, por njimend ashtu si vetë e pásh e e provova, po u marr lêje lexuesavet t’u kallzoj vrasjen tragjike të njaj vajze së fejueme…”. “…Un mbas nji vjete kjeçë hjekë prej Grude, e kur në krye të disa vjetëve, më rá me shkue në Vukël, Frati disi gand, më kallxon, se po ishte n’atë famullí nji farë Lene prej Grude; me interesë të madhe e pves, e vërtetoj se njimend po ishte Lenë Ujka.”
Nëse ndiqen këto deklarime ambigue të autorit, secili veç e veç të shkëputura prej njëri-tjetrit, të krijohet përshtypja në fillim sikur janë të vërteta ato që thuhen, pastaj menjëherë pasi i ke hasur përgjatë leximit të gjitha njëpasnjëshëm, krijohet dyshim se a thua në të vërtetë ai (Harapi) aq sa pohon po aq edhe mohon deklarimet e veta?! Ndonëse të përfshira brenda rrëfimit herë si tekst herë si fusnotë, herë si hyrje e herë si mbyllje ato edhe pse në dukje jashtë rrëfimit, janë pjesë e rrëfimit, dhe kjo lloj dredhie, ky lloj kurthi, kjo lloj tymnaje e krijuar nga Harapi sikur e bën edhe më tërheqëse tekstin e veprës për lexuesin e për më tepër statusin e saj. Po ashtu vendosja në tekstin e romanit të një dokumenti në dy gjuhë (shqip e frëngjisht), e memorandumit që malësorët ua drejtonin ministrave të Punëve të jashtme të Uashingtonit, Londrës, Parisit e Romës, dokument i cili ishte botuar në gazetën “Posta e Shqypnis” me 23 nëntor 1918, në numrin 89, na sjell një tjetër dëshmi me interes mirfilli faktografik historik dhe dokumentar. Në fakt letërsia me tekstet e saj nuk e ka detyrim përputhshmërinë me të vërtetën historike, dhe as që gjykohet për këtë dhe as paraqesin interes për të. Ky kontekst nuk është një detyrim që përkufizon letërsinë apo kufijtë e saj. Por nëse teksti letrar përban një lëndë informuese të tillë, është akti i leximit që e përmbush fuksionimin e tekstit letrar si të tillë.
Marrëdhënia e narratorit me historinë. Në fillim të kapitullit XII, Harapi shkruan: “N’atë pakë kohë qi ndeja famulliár në Grudë më rá m’u përshkue, të thuejsh, nepër tana valët e shtigjet e jetës shqiptare; paçë rasë t’a kundroj për s’afërmi çfaqen typike të shpirtit t’atyne banorëvet, mora pjesë të gjallë ndër gëzime e ndёr mjerime, me ta u këndova ndër kremte e dit hareje, e me ta dava vajin ndër gjamë e dit pikllimi; pásh urtínё e tyne ndër pleqní, e u binda; u provova burrnín, sa herë u rash për besë e falje, i gjeçë trima të qitun e burra të ndershëm, të zotët me vrá edhe me falë; mâ se nji herë më rá me i prekë në bujarí, e pásh se kishin pse m’u mbajtë fisnikë: për besë e fé, për bukë e për mik, për nderë të vetit e të bajrakut, s’e bâjshin mallë vehten as gjallnimin e vet. Madhnija shpirtnore e tyne, njimend mbulue me atë mënyrë jete gati si të vrazhdë e trashamane, por verté kapej nder ideale të nalta. Palci i jetës shqiptare m’u çfaq me tanë përmbajtjen e vet, e sa me gëzim lumnova për cilsí të mira, aq pikllueshëm e me lot të zemrës edhe dertova gabimet e të mbetat e Shqiptarit të maleve”. Rrëfimi i ngjarjes i vendosur në një kontekst të caktuar kohor, ku lexuesi duhet të kërkojë vijimin e ngjarjes/ tekstit, e shtyjnë këtë fundit të kërkojë të vërtetën në marrëdhënien shkak-pasojë. Kur lexon tekstin e romanit dhe ndeshesh me këto sa thamë më sipër, menjëherë lexuesi kujtohet se tashmë personazhet sigurojnë integritetin e tyre real në kohë dhe hapësirë falë unit autorial, autorit të veprës. Kjo “lojë” mes reales/dëshmisë dhe fichtion gjen akord dhe dyshim njëherësh. Distanca mes narratorit/ autorit, personazheve dhe lexuesit herë ngushtohet e herë zgjerohet në mënyrë sa të bukur aq edhe të dyshimtë, dhe kjo vjen kryesisht prej faktit se kjo vepër me paratekstin e saj (shpjegimet, shënimet në fusnotë) referimet kontekstuale autoriale, dokumentet, etj), na paraqet një sui generis në letërsinë shqipe.
Lidhur me sa sipërthamë na lejohet të sjellim një lloj vlerësimi përgjithësues mbi prozën e autorëve françeskanë. Stili i Fishtës është tejet i fortë, therës, përmbytës, turrës që të merr përpara, ndërkohë Vinçenc Prennushi në prozën e tij të butë, karakteristikë e prozaizmit ekleziastik, lëmon ritmin e frazës me një njomësi shprehjesh të punuara kujdesshëm. Pothuajse e një trajtë të tillë të ngjashme është edhe proza e Bernardin Palajt dhe Justin Rrotës, e cila rrëfen cilësisht saktësinë e vendosjes së strukturave gjuhësore tipike për gjermanishten ndikuar edhe nga stili i Carduccit sikurse ndodh me të parin, si dhe sintaksën mjeshtërore, karakteristikë e përgatitjes gjuhësore të të dytit. Shtjefën Gjeçovi e Marin Sirdani duken disi më të thatë në stil me një lloj ngurtësimi që vjen prej vetë subjekteve dhe argumenteve të trajtuara sa kuvendare e aq etnologjike e historike, ndërkohë proza e Donat Kurtit na rrëfen narratorin “popullor” që e merr për dore lexuesin me shkriftësinë e gjuhës deri në shqimin e kuptimit më të pashkatërrueshëm. Njësitë rrëfimore të teksteve në prozë në krijimtarinë e autorëve françeskanë dëshmojnë dukshëm praninë e materies folklorike orale. Bash mbi trajta e gjedhe semantike traditore gojore këta autorë kanë mbindërtuar në shkrimin e kultivuar sosjen e kufijve të këtij oralitetit prej ku nis intertekstualiteti. Kjo gjë mund të shihet mjaft qartë tek kryevepra e Harapit “Andrra e Pretashit” si dhe ajo “Valë mbi valë” e të njëjtit autor, kjo e dyta jo më poshtë për nga vlerat estetiko-letrare. Kalimi nga diskursi oral si kulturë komunikimi bazuar mjaftueshëm në një të folur simbolike gati-gati të koduar që ishte privilegj i pleqve të urtë si burim përvoje, prodhon efekte të tilla edhe në rrëfimin në prozë, qoftë si tematikë, qoftë si ndërtim gjuhësor. Leksiku, ndërtimet stilistike, shtresëzimet semantike, ingranazhi tekstor në nivel të domethënieve, njësitë rrëfimore si gjedhe ndërtimore mbivendosen mbi substratin gojor prej nga ku lind edhe efekti i leximit si kulturë receptive, çfarë kërkon një lloj rikualifikimi të domethënieve kuptimore tekstuale. Polifonia e pandjeshme fillestare e tekstit, nuk të vendos aspak në dilemë, por të merr pas vetes menjëherë, duke prodhuar një ndjeshmëri receptive sa provokative aq edhe lineare, të qartë e të njëtrajtshme e shpeshherë digresive përmes shkapërcimeve e rimarrjeve të cilat më pas me një lexim të shtuar (të përqendruar), krijojnë një ndërlidhje interesante qoftë si karakter stilor, qoftë si konceptim strukturor që shpërfaq shumësi interpretative me domethënie parciale në funksion të së tërës. Në përmbyllje të kësaj trajtese të shkurtër mund të konkludojmë se kësaj proze i rri për krye karakteristika esenciale e shkollës letrare françeskane, përdorimi i gjuhës së gjallë popullore, leksikut, frazeologjisë, lakonizmit dhe përdorimit ekonomik të gjuhës në nivel gati të paekuivalent, falë përdorimit të fjalëve të urta, sentencave idiomatike kuvendore, përkundur përgjatë përvojave jetësore e të ruajtuar me fanatizëm në kasafortën e kujtesës primitive me të gjithë kumtin dhe pajën psiko-sociale të lëmuar në kohë. Mbi këto përfundime mbështesim sugjerimin e kërkimit të shtuar mbi këtë temë e cila ofron edhe më tej qasje të interpretuese të përthelluara për të zbuluar ende vlera estetike që ka proza e autorëve françeskanë.
20.11.2012

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.