back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Prozatori ultramodern në ultrakohë (përjetësi) – nga Leka Ndoja – In Memoriam Ernest Koliqi në 120 vjetorin e lindjes

Gazeta

Ernest Koliqi - 1938
Ernest Koliqi – 1938

Prozatori ultramodern në ultrakohë (përjetësi)

nga Leka Ndoja

In Memoriam Ernest Koliqi në 120 vjetorin e lindjes

Autonomia e Shenjuesit

Ajo që sot quhet autonomia e shenjuesit, fjala absolute, te Koliqi është shfaqur në vëllimin “Pasqyrat e Narçizit”. Teksti i Koliqit në këtë libër përshkohet nga një lloj mesianizmi jo vetëm profetik.
Ai e kthen fabulën mitike të Narçizit në një subjekt personal, duke e përpunuar mitin pa ia ndryshuar kuptimin e tij simbol, madje narratori ruan vetën e parë. Kjo prozë simboliste përmban edhe një dozë autoironie qe e mban të pavyshkur krijimtarinë e Koliqit në modernizëm.
a)Trajtimi i mitit është sa universal aq edhe me veçoritë lokale të një sivëllai gjigand të burimit Narçizik si liqeni i Shkodrës, me endjet e një varianti ilir të mitit universal.
b)Ndryshimi i madh te Koliqi mund të vrehet, se pamja të cilën ai reflekton në 7 pasqyrat ujore nuk ështe vetëm fytyra e tij autoriale në mënyrë të drejtpërdrejtë, por simbioza e tij me atdheun. Atdheu strukturohet nga tri pamje: (Shkodër, Dukagjin, Vlorë) duke shtuar sensacionet e ringjallura të tij përmes ujit të “huaj” të Zvicrës (Helvetisë).
c)Dallimi i Narçizit të Koliqit në “Pasqyrat e Narçizit” është strukturuar gjenetikisht me kristologjinë e Dantes.
Vajza ilire te Koliqi përshkruhet me të njëjtën frymë e mjete (në prozë) me takimin enigmatik të Dantes me Matelden në lumin e Lethes në kantikën e dytë të Komedisë Hyjnore, – “Purgatori” k. 28-33. Këtu Danteja çlirohet mistikisht nga kujtimet e këqia të mëkateve duke e kredhur kryet në lumin Lethe të “Harresës”.
Matelda danteske shfaqet në këngën 28 të “Purgatorit” në hyrjen e “Parajsës Tokesore” sipas koncepsonit teologjik të Shën Tomë Akuinit, në mëngjesin e ditës së shtatë të udhëtimit mistik të Dantes.
Koliqi në tekst e pohon se Matelda nuk ka identitet të qartë sipas komentatorëve.
Ata e identifikojnë me konteshën e madhe të Toskanës, apo me të dërguarën apostolike të Kishës, meqë e udhëheq nëpër “Parajsën Tokësore” duke përshkuar dy lumejtë me të, për t’ia dorëzuar më pas (k. 33) Beatriçes, që ta përcjellë nëpër Parajsë.
Megjithatë, në tekst, nocioni i Koliqit për Figurën e Mateldës ilire nën barrën e druve mbi shpinë, është ai real, d.m.th. bëhet paralelizmi me konteshën (erotike) të Toskanës, ndonëse pa e ravijëzuar qartë. Mendohet se ajo ka qenë një nga të vluarat e Poetit, që i këndoi në “Vita Nova”. Lexuesi empirik, sipas Umberto Ekos, do ta lexonte vajzën ilire simotër të urdhrit të Mateldës danteske, por me drutë e pyllit në kurriz.
Kuptimi i Koliqit për shembëllesën shqiptare a ilire të Mateldës në Dukagjin (mikrokozmosi koliqian) mund të shihet si një similitudë fatlume e dhënë në disa variante në tregimet e tjera (makrokozmosi) të tij: si tek Dalina, Diloca etj. në librat “Hija e Maleve” dhe Tregtar flamujsh”. Këtyre personazheve Koliqi iu jep me fuqi të madhe shpirtërore dhe fizike, modeluar sipas tipologjisë idilike për femrën malësore.
Tipologjia e personazheve vajza, të Dukagjinit, është mbushur me mister më së forti erotik te Koliqi sesa mistik.
Koliqi e ka shkruar këtë prozë mitike në vetë të parë, për ta bërë më të rrokshme idenë e tij ditirambike, të lavdeve korale e festive, por edhe të unjisimit me atdheun e mitet pagane, gjë që e afron koncepsionin e tij me atë të mbinjeriut të Niçes dhe të herojve antikë të D’Annunzios.
Adhurimi ndaj personifikimit autorial: atdheut, e devijon mitin erotik në mit nacional, duke e bërë narratorin t’i ndajshtojë kuptime të reja mitit pa ia ndërruar funksionin e prodhimit të teksteve brenda një strukture.

Pasqyrat e Narcizit - Ernest Koliqi
Pasqyrat e Narcizit – Ernest Koliqi
Hyrja

Tek “Ujët e pusit” narratori shfaq personazhin e Dadës dhe figurën mitologjike shqiptare të Floçkës së Pusit në funksion të motiveve lirike. Kjo prozë poetike të kujton ritmin e “Laudeve” ditirambike D’Anunziane (“Alcyone”; mbreti i Feakasve) por edhe të herojve mitikë që si Narçizi kur vdesin kthehen në “Plejada”, (Yllësi). Edhe Camaj do të inspirohej tek Alcyone, te poezia “Il nome” kushtuar qytetit të Argolidës (Argosit), në poezinë e tij Shkodra.
Tek “Ujët e pusit” argumentohet arsyeja e përqafimit të anës dëfrimtare të diskursit të subjektit krijues (Koliqit), për t’i ikur fatalitetit të breznive të shkuara.
Diskursi filozofik koliqian, është materie e tekstit hyrës për të zgjedhur midis filozofisë së pozitivizmit modern, (Urtisë, Dijes) dhe mitologjisë gjë që përfundon në favor të së dytës.
Koliqi është nga ata autorë që ka kombinuar tematikën artistike me ato studimore, edhe këtu personazhi Dada kompozohet si burim i folklorit, si narratore që ka ndikuar në përrallat e rrëfyera Koliqit fëmijë (në Bardhaj). Ajo, simbolizon tipologjinë gjenetike të tregimtarit të ardhshëm. Përralltarja e ka furnizuar me fabulat mitologjike shqiptare dhe materiale të gatshme si shenjues, që autori i ka përpunuar në subjekte dhe nocione personale dhe të pavarura nga burimi.
Vetë aktin e rrëfimit Koliqi e ka kthyer në kult, duke e bërë të pavdekshëm kujtimin e Dadës që ka emetuar përrallat mbi dy breza receptuesish, për të ardhur përmes Koliqit në sistemin letrar të sotëm.

Ernest Koliqi - drejtues i "Shejzave"
Ernest Koliqi – drejtues i “Shejzave”
Përfundimi

Gjithsesi përsiatja filozofike përgjat tregimit, përfundon në një skemë morale pasi narratori kërkon ndarjen e trupit (mëkatar) nga shpirti për t’u endur përtej “megjeve” në Parajsë. I lehtësuar kësisoj, Narçizi i Koliqit bëhet kult kristian pasi rrudhat e epshit ndanë buzëve i zhduken në pasqyrimin e xhamit të dritares së tij në Shkodër, duke i ngjarë duarve të pastra të nënës së tij kur lutet në kishë, nocion simbol i pafajsisë.
Narratori paraqet hipotezën e hartimit të tij, parashtrimin, argumentimin dhe përfundimet në një skemë të pastër logjike.
Estetizimi i tekstit dhe Arti Poetik.
Vetë Koliqi e quan “Pasqyrat e Narçizit” prozë poetike ose biografi poetike, pra: Histori Arti Poetik, pasi kalon nëpër etapat kulmore të krijimtarisë e përvojave personale. Ndërsa do të shtonim se “Pasqyrat e Narçizit” është një prozë rrymash estetike, e hapur nga një prelud poetik “Ujët e pusit” dhe e mbyllur me një meditim zarathustrian e dantesk te “Xhami i dritores sime”.
Nga ana formale kompozimi i afrohet së shumti “Rrëfimeve” agostiniane, ku shprehet botkuptimi filozofik e moral i autorit për t’u çliruar nga “gjumi i palavdi i vllazënve”. Jo më kot, shpirti në tekstin e Koliqit, kërkon të çlirohet nga pesha e mishit, e mëkateve, për t’iu bashkuar një jete të çliruar nga epshet, duke theksuar papërsosmërinë e natyrës njerzore.

Marrë nga Muri i FB i Vrethee Lnika, 20 maj 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.