Pse 1 korriku 1990,
është dita e vërtetë e futjes në Ambasada…
Historiografia shqiptare në mënyrë sistematike ka dëshmuar deformimin dhe manipulimin e së vërtetës, bile shpesh herë ka ndodhur t’i ketë ngritur në delir të pavërtetat, o gjysëm të vërtetat e veta, dhe më pas i ka shumfishuar me makinën e saj propagandistike duke i shitur si të vërteta absolute…
Një ngjarje e cila asnjëherë s’është parë nën dritën historike edhe mbas një çerek shekulli është edhe ajo e 2 Korriku i 1990, kur me futjen e dhunshme nëpër Ambasadat e huaja në Tiranë, u tronditën dukshëm themelet e Diktaturës, dhe nisi të rrëzohej kulti i pathyeshëm i Partisë!
Edhe kur është folur e shkruar për këtë ngjarje, janë përmendur emra dhe bëma të shumta, ka pasur darka përkujtimore dhe dekorime, janë bërë intervista, shkrime, kronika… pra është bërë mjaft, po asnjëherë nuk është hedhur dritë mbi të vërtetën e kësaj ngjarje, përkundrazi, ajo shpesh është lënë qëllimisht në hije, apo është manipuluar simbas interesave të çastit dhe atyre personave që kanë dashur të dëshmojnë protagonizëm.
Nëse duhet të ketë një datë të vërtetë në përkujtim të kësaj ngjarje, ky nuk është 2 korriku i 1990, por nji ditë më parë: 1 korriku i vitit 1990.
Hyrja masive në Ambasada, ndodhi në të vërtetë të dielën paradite, me 1 Korrik, dhe ngjarja që i dha shkëndijë hyrjes masive ishte ajo që ndodhi në Ambasadën Turke, ku mbas ceremonisë së një dasme në familjen e Ramazan B., nëntë vetë (5 djem e 2 vajza dhe nji çift 60 vjeçarësh) u hodhën nga muri i kësaj familje në territorin e Ambasadës Turke. Pikërisht prej këtij akti dhe prej kësaj ngjarje zë fill ikja masive e rreth 5000 shqiptarëve, të cilët në vend që të mësynin kufirin, ku po gjenin vdekje masive, e spostuan atë në qendër të Tiranës…
Me nji shpejtësi marramendëse kjo ngjarje u përhap në gjithë Kryeqytetin, dhe s’thuhesh më as ndonjë numër i saktë, por “…gjithë dasmorët me nusen dhe dhëndrin… u futën në Ambasadën turke”. Kaq mjaftoi… Opinioni publik ndërkombëtar i bëri menjëherë jehonë kësaj ngjarje. Mjaft kanale televizive dhe radio të huaja i kushtuan vëmendje ngjarjes. “Zëri i Amerikës” i asaj nate i dha mjaft hapësirë kësaj ngjarje, e cila sigurisht do ta ketë detyruar Byronë Politike dhe Sigurimin e Shtetit të ndërmerrnin veprime që të krijonin alibinë, që ngjarja e 1 korrikut dhe efekti ekzaltues i saj, të izolohej dhe atributet e saj t’u kalonin personave të tjerë… Ndoshta edhe fakti kokfortë që ndodhia e Ambasadës Turke, u përgatit dhe u organizua prej atyre njerzve të cilët e kishin kaluar tërë jetën në kampet dhe burgjet e diktaturës… ka domethënien e vet. Sigurisht regjimit s’mund t’i pëlqente një gjë e tillë, pse ishte i bindur që për një gjysëm shekulli “drapër e çekan”, kish prerë e kishin shtypur gjithçka. Ata djem dhe vajza nga kampet e interrnimit me kurajo, morën parasysh gjithçka, ndëshkimin, raprezaljet, burgun edhe vdekjen… në emër të lirisë… në emër të rrëzimit të diktaturës…
Nderim gjithnji atyre që guxojnë…
Shpesh ndodhemi në debate datash…
Sepse një gjysëm shekulli diktaturë, komunizmi mbolli vetëm data dhe emra heronjsh që s’i njeh askush, a thua se Shqipëria dhe shqiptarët u shfaq në kët botë vetëm në vitin 1944, gjë e cila përbën një nga turpet ende të pashlyeshme, prandaj këmbëngul që edhe kjo ngjarje si shumë të tjera ka nevojë për faktet dhe të vërtetat e saj. Vetëm gjakftohtësia e së vërtetës dhe fakteve, tregimet e dëshmitarëve të gjallë dhe arkivat mund të ndihmojë për të mbrritur tek e vërteta…
Kanë kaluar plot njëzetekatër vite nga ajo ditë, megjithatë besoj se kujtesa njerëzore është ende e freskët, dhe shumë nga njerzit e asaj dite janë ende gjallë, arkivat sigurisht duhet t’i kenë të gjitha shënimet dhe relacionet e tyre, kështu që asnjëherë s’është vonë për të mbrritur tek e vërteta dhe s’duhet t’u lihet hapësirë e pafund abuzive spekullantëve dhe krejt atyre që e konsiderojnë profesion shtrembërimin e së vërtetës.
Shënimi i mëposhtëm është i Bashkim S. një nga protagonistët e kësaj ngjarje i cili tregon:
“Kam lexuar shumë artikujt ku përmendet data e 2 Korriku e vitit 1990, si dita e futjes masive nëpër Ambasada, unë dëshmoj se kjo datë është e gabuar, sepse hyrja në grup në një ambasadë ka ndodhur me datën 1 Korrik 1990, në orën 11:00 të paraditës në Ambasadën Turke. Po atë ditë ka hyrë edhe një Grup i Dytë, i cili ka përbëhej nga 8 veta nga Tirana, burrë, grua dhe një fëmijë plus 5 djem të rinj. Ky grup ka hyrë rreth orës 8:15 të darkës, në të njëjtën dite: pra me 1 Korrik 1990. Kjo është e vërteta, për të cilën gjithnji është folur pak dhe përmendet shkarazi… unë disponoj gjithë informacionin e saktë, qysh nga dita që u planifikua, si u bisedua, pse u ndryshua diçka nga plani (nga 6 vetë të futeshim 9), çfarë masash morëm që ta realizonim sa më shpejt këtë plan; si na shkoi plani, si na pritën në ambasadën turke; intervistat që dhamë aty; cila qe marrveshja midis shtetit shqiptar dhe atij turk për trajtimin tonë gjatë 21 ditëve të qëndrimit jashtë asaj ambasade… Të gjitha këto që dëshmoj janë lehtësisht të verifikueshme dhe të provueshme, sepse ma merr mendja se duhet të ketë dokumente si shteti shqiptar si ai turk, por di që kët fakt e ka përmendur edhe Zëri i Amerikës, po edhe shtypi i huaj…”
Si ndodhi ngjarja e 1 Korrikut 1990
Kisha shërbyer dy vjet si ushtar xhenjoje në ishullin e Sazanit në vitet ’88-90. Qe nji izolim i plotë dhe mund të them se vetëm dy herë kam dalë në tokë gjatë atyre dy viteve. Gjithë kohës së shërbimit në mendje kisha nji mendim të vetëm, të fiksuar… të arratisesha… Dy tentativa që pothuaj i çova afër realizimit, dështuan në çastet e fundit. Ndërsa në ditët e kthjellta të verës, kur shfaqeshin brigjet e Italisë, më pushtonte një si çmenduri që të nisesha me not…
Mbas lirimit nga Ushtria, ideja fikse e arratisë nuk m’u nda asnjë çast. Një udhëtim me tim atë në Dibër, edhe ai i sapoliruar nga burgu, nuk solli ndonjë rezultat. Nuk gjeta as mbështetës dhe as garanci… Të shkoja si qeni në rrush nuk dëshiroja… Një shoku jonë i Savrës Durim K., kishte humbur pa gjurmë… Në Jug nuk kisha as të afërm dhe as shokë… kështu që m’u bë pothuaj i pamundur çdo projekt, pa harruar këtu që gjatë përiudhës nga janari 1990 – maj 1990 nga kufiri lajmëroheshin vrasje të panumërta djemsh e vajzash të reja që tentonin arratisjen.
Po rastësia shpesh i përmbys gjithë projektet. Në atë periudhë u fejua motra e vogël me vëllanë e një shoku burgu të tim eti nga Tirana. Familja B. jetonte në qendër, e ndarë me një mur të hollë me Ambasadën Turke… Ishte koha që famija Popa, mbas pesë vitesh në ambasadën Italiane qe larguar… pra këtë e quaja një shans. Në Tiranë flitesh për disa tentativa të dështuara të thyerjes së ambasadave… Gjeta rastin, dhe shkova e pashë gjendjen vetë. Edhe pse ambasadat në atë kohë qenë të blinduara me policë, e gjykova si shans që s’duhej humbur. Bisedova me të fejuarin e motrës dhe ramë dakort… E rëndsishme është këmbëngula, unë që të jemi gra e burra po jo më shumë se pesë-gjashtë vetë… Sepse mundet të mos realizohej plani, dhe e dyta sa më i ngushtë rrethi i bisedës, aq më i sigurtë, pasi mjaftonte nji fjalë e tepërt dhe të gjithë përfundonim burgjeve dhe birucave… Rasti u paraqit fantastik…
Të dielën, me 1 korrikut 1990, familja B. martonte vajzën e dytë Belina B. Në orën 10 e gjysëm përcillesh nusja… Duke përfituar nga ai çast rrëmuje mund të realizonim gjithçka me shpejtësi. Frikeshim mos i zoti i shtëpisë nga tronditja jepte alarmin, kështu që duhej marrë masë edhe për të. Edhe dera e hekurt e oborrit duhj të bllokohej mirë, që çfardo alarmi që të ndodhte, grupi që ishte vendosur të kalonte në ambasadën Turke ta kishte kryer hedhjen. Ideja e hapjes së murit nga poshtë nuk u mor parasysh, sepse mund të hapte probleme. Kështu u vendos që nga pema e një hurme të madhe në oborr që mbështetej e gjitha në murin e ambasadës të shfrytëzohesh dhe prej aty nga nji lartësi rreth tre metra njëri mbas tjetrit të hidheshim të gjithë… Në grupin prej gjashtë vetësh isha unë me motrën, i fejuari i saj – dhe një shoku i tij i ngushtë, tezja e të fejuarit – me të shoqin (burrë e grua në moshe rreth të 60-ave…)
Dasma shkoi mjaft mirë, nusja doli në orën e caktuar, masat e marra ishin në rregull të gjitha kishte ndryshuar vetëm numri i personave nga 6 kaloi në 9 (sepse gjatë dasmës u shtua një çift vlla e motër dhe një kushëri të gjithë njerëz të fejuarit të motrës…)
Mbasi u siguruam se i zoti i shtëpisë po merrte një sy gjumë, dhe portës së oborrit iu vu një lloz i mirë, me shpejtësi nisi kapërcimi në ambasadën Turke. I pari u hodha unë në mënyrë që tua bëja më të lehtë ndihmën të tjerëve duke i pritur. Problem ishte çasti kur mund të jepte alarmin policia, duhej të qe hedhur shumica, mbasi thyerja e derës nuk mund të zgjate veç pak sekonda… Qe nji ankth i tmerrshëm… ishin 5 djem 2 vajza dhe nji çift të moshuarish… Alarmi u dha pothuaj menjiherë, ndërkohë që hedhjet pasuan njëra tjetrën, duke u shoqëruar me grisje, gërvishtje dhe ndrydhje këmbësh…
Kur u dha alarmi dhe ne e ndjemë që u thye dera, ishim pothuaj të gjithë para derës së ambasadës Turke… e cila u gjend edhe përballë nji akti të paprecedentë dhe në pozitë tejet të vështirë… Na priti e shoqja e ambasadorit dhe na ndihmoi të mjekoheshim, duke na futur të gjithë në sallën e pritjes, derisa erdhi ambasadori. Atu dhamë gjithë gjeneralitetet tona, dhe mund të shtoj edhe nji kuriozitet, ndërsa motra ime po jepte të dhënat e saj… atë ditë ajo mbushte 19 vjeç!
Ndërkohë jashtë portës së hekurt të ambasadës kishte nisur alarmi. Në darkë ambasada pati dhe nji sulm të dytë ky hynë 8 vetë, nji familje dhe pesë djem te rinj… E gjithë Tirana ishte futur tashmë në ethet e futjes nëpër ambasada!!!
Në ambasadë turke me datë 1 korrik 1990, rreth ores 11.oo u hodhën brenda territorit të saj këta persona:
Bashkim S.; Markela S.; Benjamin B.; Vasil P.; Makbule V.; Haxhi V.; Llambi X. Xheni X. dhe Artur K.
Ja edhe disa statistika të tjera që nuk janë përmendur asnjiherë:
Me Hapjen e Ambasadave nga Kampi i Savrës u larguan 21 djem e vajza këta ishin: (Në Ambasadën Italiane: Arben G, Luan Ç, Zef V, Nasibe N, Fatmir B; Në Ambasadën Gjermane: Alush P, Ferdinand L, Thoma P, Bislim H, Teuta S, Alfred S, Arjan Ç, Shpëtim J; në Ambasadën Turke: Bashkim S, Markela, S. Alfred S, Parid D, Astrit S, Në Ambasadën Franceze: Henrik Gj, Genc Gj) Mund të ketë edhe të tjerë të cilët unë s’i kujtoj… Ndërsa mund të them se nji djalë e një vajzë (Baftjar N. dhe Baftije N.) u arrestuan mbasi u kapën në nji nga postblloqet e rrugës Lushnje-Tiranë dhe u dënuan me një vit burg secili…
Saimir Dervishi
Dy fjalë për ato ditë korriku…
Data 2 korrik është data kur ndodhi dyndja nëpër ambasada… por procesi kish filluar me parë… ai filloi me largimin e familjes Popa, e cila kish vite e strehuar në Ambasadën Italiane…
Me largimin e tyre filloi një proces të cilin Partia nuk mundej ta ndalte më… dhe me që e pa kështu, me 2 korrik bëri një lëvizje taktike në dëm të gjithë Shqipërisë… për disa orë e zhbllokoi Rrugën e Ambasadave dhe njerzit u dynden nëpër to…
Më pas ajo e bllokoi përsëri, por tashmë procesi s’mund të ndalej më… Këtë e bëri për të lehtësuar presionin mbi serbët të cilët ishin në vështirësi, sepse pikërisht në këtë datë, me 2 korrik 1990, përfaqësuesit e Kuvendit të Kosovës shpallën Republikën… Por siç thashë procesi kish minimalisht dy-tri javë që kish filluar (mos u gabofsha, me sa më kujtohet).
Më kujtohet mirë, si banor i Tiranës me banim në afërsi të ngjarjeve si dhe i interesuar për procesin si person i fashës së popullsisë që partia e kishte jo dhe aq me sy të mirë si dhe meqë po na largoheshin njerëz me të cilët kishim dhe njohje personale…
Eshtë tërësisht e vërtetë ngjarja e përshkruar për hyrjen në ambasadën turke… mbasi dasma ishte në familjen e Bakallëve…
Por edhe më parë se ajo ditë tek tuk njerëz të ndryshëm kishin hyrë nëpër ambasada të ndryshme… Një komshi i imi Saku (mbiemri s’më vjen ndërmend tani që shkruaj) hyri tek ambasada italiane dhe pasi u dërgua tek hotel Tirana (15 kateshi) ku ndenji një apo dy net, nën monitorimin e shoqërimin e perfaqësuesve të Ambasadës per arsye sigurie (kush ju kishte besë komunistëve) deri sa u pajis me pasaportë.
Pastaj u largua me avion nga Rinasi.
Bile qëlloi që në të njejtin avion udhetonte dhe një ekip i yni përfaqesues së futbollit. E mbaj mend mirë se në të njetjin avion ishte edhe një djalë i lagjes tonë, Fatos Daja, mbrojtës i Tironës dhe i ekipit kombëtar…
Nuk po më kujtohet se ç’ndeshje ishte gjë që mund të na ndihmojë Tosi me na e thënë nëse i lexon këto rreshta…
Thashë vetëm një fakt të verifikueshëm, por kishte dhe raste të tjera të kësaj natyre… e pra ky është konteksti me pak fjalë i ngjarjeve të 2 i parë nga sytë e mi…
Për më shumë info mund të na ndihmojnë edhe miq të tjerë që në profilin tim nuk është se janë të pakët… duke filluar me Ilir Demalinë e Fatos Dajën… e të tjerë sigurisht…
Të gjithë janë të mirëpritur për ta thënë fjalën e tyre… flm…
(marrë nga muri i fb. 2 korrik 2014)