Pse aq pak e njohim Safete Sophia Jukën?
nga Fahri Xharra
Cila ishte Safete – Sofia Juka?
Këtë na e shpjegon i nderuari Moikom Zeqo; kurse unë i zgjodha disa çaste me Safete Sophia Jukën që në mënyrën time ta njofim këtë figurë tw letrave shqipe, figurë kombtare të cilën Kadareja e ka cilësuar si intelektualen më të madhe shqiptare. Desha edhe unë t’i japi pak vëmendje Safetës, ku si e thotë Kolec Troboini: Ata që e njohën disi në vitet e fundit të jetës, e quajtën Safete – Sofie Jukën: “Dora D’Istria e dytë shqiptare”. Artikujt dhe esetë e saj janë botuar në disa revista akademike Réalités (“G. Rouault peintre des âmes”) Ecrits de Paris (“Le mythe de l’âge d’ore et le mythe de mémorie chez Mircea Eliade”), South Asian Review (“The ‘self’ in Marcel Proust’s Remembrance of things Past”), Les Letters Romanes (Christianisme et sentiment de la nature chez André Suarès et chez Georges Rouault”).
Safete Juka, është e bija e Musa dhe Sofie Jukës, familje e njohur në Shqipëri. Ajo që herët, tregoi një inteligjencë të rrallë, prirjet e saj, lidheshin me artin, njëkohësisht ajo që e vogël vizatonte dhe interesohej për ngjyrat. Të larguar shumë vite më parë nga Shqipëria, ajo shkollohet në Vjenë të Austrisë. Pastaj doktorohet në Sorbonë të Parisit në Francë. Pas doktoraturës, ndjek familjen në Egjipt dhe punon për shumë vite si profesore e letërsisë franceze në Liceun Francez të Aleksandrisë. Njihet nga rrethet intelektuale, njeh kulturat e mëdha të botës, qytetërimin egjiptian, atë greko-romak, dashurohet pafundësisht me universin e imazheve. Delikate dhe e ndjeshme, e urtë dhe e heshtur, është tepër e ndrojtur për të afirmuar emrin e vet ndonëse piktura ushtron mbi të një pasion dhe magnetizëm të madh. (Moikom Zeqo)
Me sá di unë, asht e vetmja zonjë shqiptare që të ketë shkrue direkt n’anglisht nji libër për Kosovën, jashtzakonisht të dokumentuem, botue në vitin 1984. Ishte tué shkrue nji tjetër edhe ma të dokumentuem kur vdekja mjerisht e rrëmbeu. – thotë motra e saj, Lume Juka.
Zonja Safete Juka, para se të vdiste i la motrës së saj, Lumit, nji amanet, nga Nju Jorku të varrosej në Shkodër, në tokën e të parëve të saj. Ashtu si Faik Konica, edhe Safetja ishte Bija e Madhe e Rozafës së Lashtë sa Troja. Shkodra e varrosi Safeten me lotë, se ajo ishte Aristokratja e Fundit e Letrave Shqip.
Më 1984-ën do të botohej në Nju Jork në anglisht eseja e saj “Kosova, – The Albanians in Yugoslavia in Light of Historical Documents”. “Nuk ka mendue kurrë me u ba ‘e njoftun’. Çdo vepër e saj ka kenë vetëm në kërkim të së bukurës, të së mirës, të së vërtetës, tue u mundue që t’i shprehi ato në mënyrë të përsosun.- por me jetën e saj dhe veprën e saj e ka bër Shqipërinë , Kosovën dhe Historinë e vërtetë shqiptare, të njohur botës. “Ajo ka kontribuar për përkthimin e artikujve nga shqipja në anglisht dhe frëngjisht.” (Lume Juka)
“Ndofta edhe pse ka vuejtë kaq shumë i ka kuptue e ndihmue të rijtë që nuk kanë mundësi me u edukue si duhet dhe ka thanë: (në nji intervistë) “Unë kam shumë besim në popullin t’em e mbajë në vetvete nji shpresë të thellë se të rijtë e sotëm Shqiptarë – djelm e vajza – kanë me pasë mundësira me krijue e prodhue, e kur të rriten kanë me pasë çka me diftue, për jetën e krijimtarinë e tyne, gjana mâ të vlefshme se kam unë sot”
Mbylli sytë dhe u shua në heshtje 10 vjet më parë, larg bujave retorike të mediave, një dijetare e klasit të parë, një shqiptare e madhe, një njeri i jashtëzakonshëm, Safete Sofia Juka. Kam vite që njihesha me të, ruaj një korrespondencë në vite midis nesh, kemi shkëmbyer librat me njëri-tjetrin, kemi folur në telefon. E kam njohur për herë të parë në vitin 1998, gjatë një vizite në zyrën time në Muzeun Historik Kombëtar bashkë me të motrën e saj Lume Jukën, murgeshë e Urdhrit të Nënë Terezës – shkruan Moikom Zeqo.
“Kosova, The Albanians in Yugoslavia in Light of Historical Documents” Ky libër për të cilin u kujdes Safete Juka, u botua 15 vjet më parë sesa të mbahej konferenca ndërkombëtare e Rambujesë, që qe në të vërtetë kalimi drejt lirisë substanciale të Kosovës – vazhdon Moikom Zeqo. Një nga profesorët e dëgjuar të universitetit Xhorxhtaun, në Uashington D.C., z. Peter Titonski, njëkohësisht edhe nënpresident i revistës “Defence Diplomacy” (ka shkruar për këtë libër: “Libër i mrekullueshëm për shqiptarët në Jugosllavi me titull “Kosova më ka bërë një impresion të thellë. Ky libër më ka lënë të mahnitur si nga hapësira e gjerë e njohurive historike, ashtu edhe nga materiali burimore aq të shumta në gjithfarë gjuhësh që ka përdorur autorja e këtij libri. Unë e konsideroj këtë libër si një kontribut kryesor të politikës dhe historisë në Ballkan. Asnjë studiues nuk mundet dot të shkruajë për Kosovën, pa iu referuar kësaj vepre të shkëlqyer”.
Një kopje të këtij libri, Safete Juka ia dërgoi presidentit të SHBA-ve Bill Klinton, i cili në 1998, do ta falënderonte me një letër personale të tij. Po kështu, ky libër i dërgohet senatorit amerikan Bob Doll, si edhe shumë personaliteteve të ndryshme botërore si edhe organizatave të ndryshme humanitare dhe shkencore në Amerikë dhe në Europë.
Medet, sa pak i njohim emrat e letrave shqipe, të cilët për një arsye apo tjetër përmenden shumë pak.
Fahri Xharra
03.08.15 – Gjakovë
marrë nga http://debat.al/pse-aq-pak-e-njohim-safete-sophia-juken