back to top
5.5 C
Tirana
E martë, 24 Dhjetor, 2024

Pse Enver Hoxha asht në krye? Mustafa Kruja

Gazeta

Mustafa Merlika - Kruja (a. Morina)
Mustafa Merlika – Kruja (A. Morina)

Pse Enver Hoxha asht në krye? Mustafa Kruja

Nji refleksion i hershëm i nji njeriu që e ka njoftë mjaft mirë politikën shqiptare…

Si mbërrini Enver Hoxha me dalë në krye të gjithë shokvet të tij komunista e me marrë në dorë frejt e regjimit komunist në Shqipni?
Asht nji pyetje qi ban gjithkush pa dijtun me i gjetun nji përgjegje të bindshme. Për mue përgjegja asht fare e thjeshtë. Sepse Enver Hoxha përmblidhte në veten e tij nji shumë cilsinash ma të madhe ndër shokët qi kishte. Dirigjentat e komunizmës shqiptare, si vlera intelektuale ishin përgjithsisht zero o pak përmbi këtë. Enver Hoxha, me kulturën e tij frënge të freskët, të përcipët sa të duesh, por xhixhilluese në nji vënd e medis nji turme ignorantash, bante përshtypje, sidomos përmbi të rijt, të tanë gjysmakë për kah ditunija. Fare pak shokë qi mund t’i bajshin konkurrencë në këtë fushë i ka eliminue me cilsi tjera ma të përshtatshme situatës.
Në pistak të moshës për me qënë i preferuem prej djelmnis komuniste kundrejt tjerve me moshë të shtyme e ma pak guximtarë se ai, si edhe kundrejt të rijve ma pak të mësuem e ma pak të stërvitun ndër valët e jetës se ai dhe me rivalitete ndër vete; ambicioz pa kurrfarë shkrupulli idealisti e prandej i gatshëm me pranue e zbatue symbyllas, me dishiplinë të përsosun, urdhnat e gjerarkivet komuniste, të tana slave, pra ashtu i përkrahun e i parapëlqyem edhe prej atyne, s’duhet me u çuditun aspak për daljen e atij typi përmbi shokët në skenën tragjike të revolucjonit komunist shqiptar, as me u bjerrë ndër mystere fantastike për t’a spjegue.

Hoxha dhe Shehu
Hoxha dhe Shehu

Nji njeri vetëm ka qënë qi mund t’i bante konkurrencë serjoze Enver Hoxhës: Mehmet Shehu.

Ky, me djalektikën demagogjike të pashoqe për turmat e padijshme komuniste, e len Enverin shumë mbrapa. Por për squeti e për dhelpni, si edhe për shkëlqimin e përciptë të kulturës s’i afrohet fare. Mehmet Shehu ka natyrën e nji bishe të tërbueme, qi nuk pajtohet me karakterin e Shqiptarit, sado i çoroditun qi të jetë… Ai ma se nji herë, thonë, ka vumë buzët monstruoze ndër plagët e freskta të viktimave të tija për me thithun currilat e gjakut të ngrohët të tyne e me u dejun me të faqe turmës qi e rrethonte. Enver Hoxha, ndonse i pashkrupull, s’ka mbërrimë kurrë në këtë shkallë degjenerimi të natyrës njerzore. Mehmet Shehu, pra, turmavet komuniste shqiptare ka mundun me u shtimë mnderë e dridhën, por bashkë me këtë edhe nji neveri të pamasë.
Përkundrazi Enver Hoxha në botën e vet ka dijtun të fitojë edhe mjaft sympathi. Nuk asht pa vend me mendue se edhe Stalini e Tito s’kanë mujtun me e gjykue të përshtatshme nji bishë si Mehmet Shehun me e vumë në krye të nji populli qi kanë dashun t’a bajnë për vete…
(Marrë nga gazeta Standart 28.12.2008)

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Tonin Radi
    Për sa kohë nuk asht dënu Enver Hoxha për krime kundër popullit më ban me mendu se jemi në nji situatë mjaft të keqe. Tashti, diktatorit në mnyra të ndryshme po i dalin në mbrojtje edhe njerzit që “udheheqin”! Sot, po edhe me indiferencën e pafalëshme të atyre që drejtonin deri dje… shkurtimisht, mjerë ata njerëz të thjeshtë që jetojnë në kët vend, që nuk u ba kurrë dhe nuk ka për t’u ba asnjiherë…
    (Marrë nga muri i fb. 14 janar 2014)

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.