back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Pse i njohim Skënderbeut vetëm ditën e vdekjes?! – nga Ilirjan Gjika

Gazeta

Gjergj Kastrioti - Skënderbeu (1405-1468)
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu (1405-1468)

Pse i njohim Skënderbeut vetëm ditën e vdekjes?!

nga Ilirjan Gjika

Duke mos ditur saktësisht nga historia ditën e tij të lindjes,
Skënderbeu përkujtohet vetëm ditën e përvjetorit të vdekjes.
Kështu, çdo 17 janar ai nderohet në memorialin e tij në Lezhë
si dhe në një sërë aktivitetesh kulturore,
të cilat kanë vetëm karakter honorifik,
pasi ai është për të gjithë shqiptarët një mit,
një simbol dhe një realitet i përditshëm
 
“Historia botërore mund të kishte marrë një rrugë tjetër,
po qe se në vend të perandorëve të zhburrëruar bizantinë,
do të kishin qëndruar Skënderbeu dhe shqiptarët”
(Volter)
.
Gjergj Kastrioti - Skënderbeu - pikturë nga Ndoc Gajtani
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu – pikturë nga Ndoc Gajtani
Vendi ynë Shqipëria ka vetëm një Hero Kombëtar të shpallur qysh në vitin 1965. Ai është Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, figura e të cilit përfaqëson jo vetëm unitetin kombëtar të shqiptarëve, por edhe trashëgiminë që rrjedh prej tij si: flamurin, një sërë kalash, objektesh, këngësh, tregimesh dhe legjendash popullore. Por figura e tij është edhe ajo e një personi real historik, për të cilin dëshmojnë edhe me dhjetëra dokumente të ruajtura në arkiva, biblioteka dhe muzeume të ndryshme, të cilat dëshmojnë aktivitetin e tij jetësor, ushtarak dhe politik.
Ndërkohë, Skënderbeu sot mbetet emblematik për të gjithë ne, duke u vërtitur midis mitit dhe realitetit. Kjo gjë ka ardhur për shumë arsye jetësore, të cilat janë të prekshme dhe konkrete në shoqërinë ku ne jetojmë çdo ditë.
Që për ne, shqiptarët, Skënderbeu është dhe mbetet një mit kjo është më se e vërtetë dhe ka edhe shpjegimin e saj të natyrshëm. Çdokush prej nesh e ka atë “të ngjizur” në ndërgjegjen dhe psikologjinë e vet, që nga koha e fëmijërisë së hershme. Kanë qenë së pari prindërit dhe më pas mësuesit tanë që nëpërmjet librave shkollorë apo ata artistikë, na e kanë “injektuar” e përcjellë këtë gjë. Dhe me të drejtë, sepse himnizimi i figurës së tij ka nisur në Shqipëri qysh gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare diku në mesin e shekullit XIX. Ishin pikërisht pionierët e kësaj lëvizjeje, të cilët e shndërruan Gjergj Kastriotin në figurë qendrore të saj, me qëllim që të ringjallnin shpirtin heroik të shqiptarit dhe atdhedashurinë, duke evokuar kështu të kaluarën e lavdishme dhe atmosferën e shekullit XV, kohë kur jetoi dhe luftoi heroi.
Në këtë proces do të përfshiheshin pothuaj të gjithë ideologët e Rilindjes, por ne do të specifikonim poetin kombëtar, Naim Frashërin, i cili do të himnizonte figurën e Skënderbeut, duke e quajtur me anë të epiteteve artistike si “Fatos” apo “Pëllumb i Shkruar”. Tek “Historia e Skënderbeut”, poeti e paraqet atë me tiparet e heroi legjendar duke e idealizuar figurën e tij1.
Po kështu më vonë, gjatë shekullit XX, nuk do të mungojnë veprat letrare që ndikuan në mitizimin e mëtejshëm të figurës së tij. Këtu duhet të përmendim me dhjetëra vepra të letërsisë për fëmijë, por edhe romanet “Kështjella” të Ismail Kadaresë2 apo “Skënderbeu” të Sabri Godos3.
Por ato që ndikuan më shumë në krijimin e mitit të figurës së Gjergj Kastriotit, natyrisht që kanë qenë dhe mbeten tregimet dhe legjendat popullore, të cilat vijojnë edhe sot t’u serviren të vegjëlve dhe fëmijëve qysh në bangat e shkollave. Le të fokusohemi konkretisht tek njëra prej tyre, të cilën e gjejmë tek libri “Gjuha shqipe”, i cili zhvillohet në klasën e tetë, të shkollave tona 9-vjeçare. E mbledhur në fshatin Rrajcë të Librazhdit, ja se ç’thotë ajo.
“Skënderbeu kishte një fuqi të vogël në Rrajcë. Turqit me një fuqi (forca) të madhe po i vinin nga lindja. Skënderbeu donte t’u dilte në ballë, por i kishte prerë rrugën një shkëmb.
Ç’bëri ai? Nxori shpatën dhe i ra shkëmbit fap e fap dhe e ndau në dysh. Pastaj u ra turqve dhe i shkatërroi krejt. Shkëmbi duket se është prerë sot dhe quhet Shkëmbi i Skënderbeut”4.
Ndërkohë, janë edhe qindra këngë popullore që vijojnë edhe sot të këndohen nga populli si pjesë e trashëgimisë sonë shpirtërore.
Gjithsesi, duhet theksuar se në Shqipërinë moderne figura e Skënderbeut është dhe mbetet një nga faktet më të rëndësishme të vetë ekzistencës së kombit. Për këtë mjafton një vështrim i thjeshtë dhe tangencial i figurës së tij dhe menjëherë vëren se ajo i kalon përmasat e një miti. Kështu, përkrenaren e stilizuar të Skënderbeut e gjen tek simbolet e shtetit shqiptar. Po ashtu, edhe flamuri ynë kombëtar është ai që trashëgojmë po prej Skënderbeut. Shtatoret dhe bustet e tij i ndesh sot kudo në sheshet dhe qytetet kryesore të Shqipërisë. Duhet theksuar se emrin dhe mbiemrin e tij e mbajnë klube sportive apo edhe marka më e njohur e konjakut shqiptar quhet “Skënderbeu”. Figurën e heroit e ndeshim edhe tek prerja më e madhe e kartëmonedhave që ka emetuar Banka e Shqipërisë, prerja 5000-lekëshe. Ndërkohë, së fundmi na vjen nëpërmjet një fotolajmi edhe fakti se për nder të lojtarëve shqiptarë që luajnë me skuadrën bavareze, Bajerni i Mynihut, klubi i njohur gjerman i futbollit, vendosi së fundmi në stendat e muzeut të tij edhe bustin në miniaturë të heroit tonë5.

.

Lek Pervizi: Beteja e Fushkuqes 1457 (288-160)
Lek Pervizi: Beteja e Fushkuqes 1457 (288-160)
Të gjitha këto ndikime vijnë, sepse ai është mbi të gjitha një realitet historik, të cilin e dëshmojnë edhe tekstet dhe botimet e ndryshme. Ato na tregojnë një veprimtari të gjerë të këtij “gjeniu” si ushtarak, shtetar, politikan, diplomat apo ligjvënës. Në këtë këndvështrim Gjergj Kastrioti ishte një nga ushtarakët më ta njohur të armatës osmane në kohën kur jetoi. Ai e nisi karrierën në ushtrinë e rregullt turke. Me një të kaluar të lavdishme në këtë trupë, befas ai u shndërrua pas 21 vjetësh karriere, në një prej kundërshtarëve, që për 23 vjet sfidoi armatën ku u formua si i tillë. Janë 25 beteja ushtarake midis tij dhe ushtrisë osmane ku ai doli fitimtar. Mund të përmendim këtu edhe tri rrethimet e Krujës, ku dështuan me radhë dy nga sulltanët më të njohur, si Murati II dhe i biri Mehmeti II, Pushtuesi i Kostandinopojës6.
Gjithashtu, Skënderbeu ishte edhe një figurë e shquar politike, i cili u bë themeluesi i aleancës së Lidhjes së Lezhës dhe i shtetit shqiptar.
Në vitet 1444-1451, ai themeloi dhe drejtoi aleancën e princave shqiptarë të njohur nga historia si Lidhja e Lezhës. Në krye të saj ai përballoi sulmet osmane dhe u ndesh edhe me Venedikun. Ndërsa në vitin 1451, pas martesës me Donika Arianitin, ai themeloi shtetin e përqendruar shqiptar. Gjatë qeverisjes së tij vitet 1451-1468, Skënderbeu, si kryetar i këtij shteti, ngriti strukturat dhe mekanizmat e tij si: Kuvendin e Princave, Këshillin e Lartë, Komandën e Ushtrisë, Organet e Financave, Organet e Punëve të Jashtme, Kancelarinë, si dhe e pajisi atë me flamurin, stemën dhe vulën zyrtare7 etj.
Gjatë gjithë qeverisjes së Skënderbeut (1444-1468), u krijuan institucionet shtetërore autoktone dhe të qëndrueshme dhe u krijua ushtria e parë kombëtare8. Po kështu, edhe në fushën legjislative Skënderbeu u shqua si ligjvënës dhe kodifikues i të drejtës zakonore, siç ishte Kanuni i Skënderbeut, i cili veproi për një kohë të gjatë deri në shekullin XX, në zonat e Matit, Krujës dhe Dibrës, troje që dikur i përkitnin Principatës së Kastriotëve9.
Skënderbeu ishte edhe diplomat i shquar, politika e të cilit ishte e orientuar kah Perëndimi. Lufta 25-vjeçare shqiptaro-osmane bënë që ai të zhvillonte një veprimtari të gjerë diplomatike me disa nga shtetet kryesore perëndimore, si me Venedikun, Napolin, Papatin, Raguzën, Milanon, Hungarinë etj.
Por Skënderbeu u shqua edhe si ndërtues. Përveç meremetimit të kalave të shumta ekzistuese për nevojat e ngutshme të luftës, ai ndërtoi edhe Kalanë e Rodonit. Kalaja e Rodonit u ndërtua nga Skënderbeu rreth viteve 1451-1452. Ndërkohë, punime plotësuese në të u bënë edhe në vitin 1463, kur Skënderbeu solli disa mjeshtra raguzianë të ndërtimit, kontrata e të cilëve me të është edhe sot objekt studimi për shumë fusha10.
Si një figurë e gjithanshme, Skënderbeu edhe sot është në fokusin e vlerësimit nga një sërë shkencash filologjike, nga letërsia, artet apo kinematografia. Emri dhe figura e tij u bënë jo në pak raste edhe “arenë” përpjekjesh për ta tjetërsuar edhe në aspektin etnik. Po kështu, edhe brenda Shqipërisë sonë të vogël kemi teza dhe përplasje autorësh apo grupesh që vazhdojnë akoma edhe sot përplasjet dhe debatet shkencore për origjinën e tij krahinore. Ndërkohë, gjatë Rilindjes, emri dhe fama e tij shërbyen si mjeti kryesor për formimin e ndërgjegjes sonë kombëtare. Evokimi të kaluarës së tij të lavdishme u bë gjatë luftërave për liri dhe solli nxitjen dhe frymëzimin popullor që çoi në fitoren e Pavarësisë Kombëtare.
Figura e tij është bërë prej kohësh objekt i aktivitetit krijues të shumë artistëve shqiptarë dhe të huaj, duke nisur që nga Xhentile Benini, Lavardini, Antonio Vivaldi, Henri Longfellou, Vivaldi apo Barleti, Kadare, Xega, Odhise Paskali, Janaq Paço e Naxhi Bakalli, të cilët e kanë bërë atë subjekt të veprave të tyre. Skulptura të tij të tipit ekuestër i gjen në Tiranë, Krujë, Prishtinë, Shkup apo Romë, ndërsa buste dhe shtatore të tij i kemi në qytetet më të njohura të botës si në Detroit, Londër, Bruksel, Vjenë, Budapest, Gjenevë etj.
Gjithsesi, duke mos ditur saktësisht nga historia ditën e tij të lindjes, Skënderbeu përkujtohet vetëm ditën e përvjetorit të vdekjes. Kështu, çdo 17 janar ai nderohet në memorialin e tij në Lezhë si dhe në një sërë aktivitetesh kulturore, të cilat kanë vetëm karakter honorifik, pasi ai është për të gjithë shqiptarët një mit, një simbol dhe një realitet i përditshëm.
.
Gjergj Kastrioti mbi kale (Spiro Xega)
Gjergj Kastrioti mbi kale (Spiro Xega)

Literatura

1.Naim Frashëri, Vepra IV, Toena, Tiranë, 2007.
2.Ismail Kadare, Kështjella, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1970.
3.Sabri Godo, Skënderbeu, shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1975.
4.Grup autorësh, Gjuha shqipe, botimet shkollore “Albas”, 2007, f. 20.
5.Gazeta Panorama sport, Tiranë, dt. 7 janar 2014.
6.Selim Islami, Kristo Frashëri, Historia e Shqipërisë, Vëllimi I, Instituti i Historisë, Tiranë, 1959, f. 308-310.
7.Grup autorësh, Historia e shtetit dhe e së drejtës në Shqipëri, Luarasi, Tiranë, 2005, f. 145-155.
8.Afrim Krasniqi, Sistemet politike në Shqipëri (1912-2008), shtëpia botuese UFO Press, Tiranë, 2009, f. 2.
9.Grup autorësh, Historia e Shtetit dhe së drejtës… f. 157-168.
10.Po aty, f. 178.
.
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.