back to top
7.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Pse kryehetuesi i regjimit mbron Kadarenë? – Intervista e plotë e Fatos Lubonjës

Gazeta

Debati Lubonja-Kadare
Debati Lubonja-Kadare

Pse kryehetuesi i regjimit mbron Kadarenë?

Intervista e plotë e Fatos Lubonjës

Z. Lubonja, duke qenë se ju keni qenë kritik për mënyrën si janë trajtuar dëshmitë dhe dokumentet e së kaluarës komuniste, pak ditë më parë ka dalë në qarkullim libri i ish-kryehetuesit Qemal Lame, i cili dëshmon për ndjekjen e shkrimtarit Ismail Kadare nga Sigurimi i Shtetit. Si i vlerësoni këto dëshmi të tij si ish-funksionar i lartë i regjimit?
Në fakt, kam qenë e mbetem kritik ndaj mënyrës se si vazhdojnë t’i qasen shqiptarët të kaluarës së tyre komuniste (dhe jo vetëm), ku kam parasysh memuaristikën, gazetarinë, politikën, shumë studime historike, mësimdhënien etj., por edhe muhabetet që bëjnë me njëri-tjetrin nëpër kafenera – shkurt, kulturën dominante në vend, që e kam quajtur e “simulimit” dhe e “manipulimit”. Edhe këtë libër e vlerësoj si një ilustrim dramatik të kësaj kulture. Le të shpjegohem.
Për regjimet kriminale si ai komunist flitet për katër lloj përgjegjësish, ndër të cilat, ajo që qëndron më lart përfshin edhe ato më poshtë.
Përgjegjësia ligjore e atyre që kanë kryer krime të dënueshme nga ligji.
Përgjegjësia politike e atyre që e kanë mbështetur politikisht atë regjim.
Përgjegjësia morale e atyre që kanë ekzekutuar urdhra apo e kanë mbështetur atë regjim, duke u justifikuar se s’kanë pasur ç’të bëjnë.
E fundit, por shumë e rëndësishme, ajo që Jaspers e quan përgjegjësia metafizike: e gjithkujt nga ne që, edhe pse mund të mos i rëndojnë përgjegjësitë e mësipërme, duhet t’i thotë vetes: Nuk kam bërë sa duhet. Ndryshe Jaspers e quan këtë: përgjegjësia e atyre që kanë mbetur gjallë.
Qemal Lame plotëson të parën, (duke plotësuar automatikisht edhe të tjerat) sepse ka përgjegjësi direkt për fabrikimin e akuzave të rreme që i kanë çuar njerëzit në varr, siç është edhe historia e akuzës për komplot së cilës i referohet. Ismail Kadare plotëson të dytën, jo vetëm pse e ka mbështetur politikisht atë regjim me veprën e tij letrare, eseistike, gazetareske, por edhe sepse ka milituar si anëtar partie, deputet i asaj partie e nënkryetar i Frontit Demokratik. Vetëkuptohet që plotëson edhe dy të tjerat më poshtë. E pra, në vend që të lexojmë libra shkrimtarësh, historianësh, gazetarësh, protagonistësh të asaj kohe që të ndihmojnë shoqërinë të reflektojë e të zhvillojë ndjeshmërinë ndaj këtyre katër përgjegjësive – gjë e domosdoshme për të ndërtuar instrumente kulturore kundër përsëritjes së historisë – ne shohim libra si ky, ku gjejmë një aleancë të çuditshme të një kryekrimineli të atij regjimi me kryeshkrimtarin e tij, për të larguar çdo përgjegjësi nga vetja, për t’ua veshur ato vetëm të tjerëve, madje duke e paraqitur veten si disidentë, deri shpëtimtarë.
Sigurisht, libra të tillë nuk mbijnë nga hiçi apo lajthitja e disa personave. Kjo lloj qasjeje ndaj vetes, të tjerëve, historisë është kulturë, është mënyrë të menduari e të jetuari, të bëri politikë, shkrimtarie muhabet te ne. Fakti që këtyre qëndrimeve ndaj së kaluarës u hapen ekranet e televizioneve, faqet e gazetave, që kampion i tyre bëhet shkrimtari më i rëndësishëm i vendit dhe reagimi kritik ndaj tyre është gati zero, flet për mungesën në AND-në kulturore të shoqërisë sonë të ndjeshmërisë ndaj katër përgjegjësive që përmenda, çka në thelb flet për një shoqëri që nuk do të mendojë. “Të mendosh, do të thotë të mbash përgjegjësi për botën”, thotë Hannah Arendt. Thelbi i gjithë qasjes sonë ndaj së kaluarës qëndron pikërisht te mosmendimi.
Të thuash se ke gabuar se ashtu ke menduar, se ke ndjekur interesin personale familjar, se je nënshtruar pasi ke pasur frikë, është gati e paimagjinueshme ta dëgjosh në muhabetet tona e jo më ta gjesh të shkruar. Në rastin më të mirë, refuzimi i përgjegjësisë shfaqet në përdorimin e shprehjes: “Ashtu ishte koha”, kurse në raste ekstreme si ky, te zëvendësimi i mendimit me mburrjen, nëpërmjet simulimit të heroit, sajimit të çdo lloj gënjeshtre për t’u paraqitur si i tillë, që është forma më qesharake e mosmbajtjes përgjegjësi. Për njerëz kaq të rëndësishëm si kryehetuesi dhe kryeshkrimtari i regjimit, kontributi i të cilëve për mbajtjen në këmbë të regjimit është i mirënjohur – në dy fusha të ndryshme, sigurisht, por tejet të rëndësishme, si terrori dhe propaganda, mund të pritej të na thoshin se kanë vepruar ashtu sepse ashtu kanë besuar, pasi ato kanë qenë bindjet e tyre në atë kohë, apo se kishin frikë apo, fundja, “ashtu ishte koha”. Por jo: ata kërkojnë të paraqiten si kundërshtarë, madje, ç’është më e keqja, sajojnë akte të paqena për ta provuar këtë.
Gjykoj se ky, duke qenë një fenomen i përhapur, meriton një trajtim psikoanalitik të thellë që ka të bëjë me përpunimin e traumës që kemi përjetuar në atë regjim.
Në librin e saj “Eichmani në Jerusalem”, Hannah Arendt tregon se ish-nazisti ngulmonte në gjyq se nuk kishte bërë asgjë me iniciativën e tij, se nuk kishte asnjë përgjegjësi personale, por se thjesht u ishte bindur urdhrave. Kjo avokati, tipike për nazistët, tregon, sipas Arendt, se krimet më të tmerrshme janë ato që janë kryer nga njerëz pa bindje, pa motive, nga askushër në kuptimin e qenieve njerëzore, që refuzojnë të jenë persona, që do të thotë të mendojnë, të mbajnë përgjegjësi, të luftojnë për të qenë të lirë. Unë besoj se njerëz si Lame, Kadare e deri lart fare madje, nuk kanë vepruar ashtu nga bindjet, sepse totalitarizmi nuk kërkonte të ndërtonte njerëz me bindje, por të shkatërronte çdo bindje, duke e bërë njeriun të paaftë të mendojë me kokën e tij. Sigurisht, frika dhe terrori nga shkatërrimi i jetës, i karrierës, i mbijetesës familjare kanë qenë instrument kryesor i reduktimit të njeriut në qenie që nuk mendon. Dhe kjo është trauma më e rëndë që kemi pësuar e trashëguar.
E pra, në këtë libër e në përgjithësi në memuaristikën, por edhe në muhabetet tona, nuk gjen asgjë nga këto refleksione për përgjegjësinë, frikën, mungesën e mendimit, të lirisë. Ato janë një ikje nga të gjitha këto, nga mendimi, nga vetvetja nëpërmjet tregimit të përrallave me heronj e shpëtimtarë të paqenë. Prandaj, duke iu referuar Arendt, mund të thuhet se libra si ky janë shkruar nga “njeriu ideal i regjimit totalitar” i cili, sipas saj, “nuk është nazisti apo komunisti i bindur”, por njeriu që nuk mendon, tek i cili, për pasojë, “nuk ekziston më dallimi midis faktit dhe fiksionit (që ka të bëjë me realitetin e përjetimeve) dhe dallimi midis falses dhe së vërtetës (që ka të bëjë me standardet e mendimit)”.
Në thelbin psikologjik i interpretoj këta lloj librash si tregues të moskurimit të traumës së pësuar.

Ish-kryehetuesi i regjimit komunist në vitet ’82-’92 dëshmon në vetë të parë, jo vetëm për një ndjekje të vazhdueshme të Kadaresë, por edhe për urdhra të dhënë për arrestimin e tij nga vetë Enver Hoxha. Botimi i librit vjen, pasi personazhet që ai përmend nuk jetojnë më. Ju keni qenë kritik me Kadarenë dhe e keni akuzuar se shkrimtari ka tentuar të falsifikojë të kaluarën e tij për t’u shpallur disident. A janë të besueshme për ju dëshmitë e kryehetuesit?
Shpresoj që ju ta mbani mend se në fillim të viteve 2000 u botua një libër me autor Maks Velon, në të cilin pretendohej se Kadareja kishte shkruar një poezi kundër regjimit “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, e njohur si “Pashallarët e kuq”. I gjithë manipulimi u bazua mbi faktin se poezia, ashtu si personazhet që përmendni ju, “kishte vdekur” d.m.th. ishte asgjësuar nga regjimi, pasi ishte ndaluar botimi i saj – çka u quajt edhe një krim kundër letërsisë. Sipas Velos, që kishte intervistuar Kadarenë e të tjerë, në atë poezi denoncohej udhëheqja e partisë për krimet që kishte kryer. Unë hapa një debat asokohe me një shkrim të titulluar “Kundër kulturës së manipulim-simulimit”, jo vetëm pasi kisha informacion të saktë se poezia nuk ishte kundër Enver Hoxhës, por kundër grupeve armiqësore që ai kishte eliminuar (dhe se i ishte ndaluar botimi pasi Kadareja kishte shkuar shumë larg në enverizmin e tij), por edhe sepse ishte krejtësisht e pabesueshme që në atë kohë dikush të guxonte të çonte për botim një poezi siç pretendohej në libër. Në fakt, poezia u gjet dhe përveç glorifikimit të Hoxhës, aty dolën edhe vargje të tilla:

“Klasën që u përmbys nën këmbë e mbaj.
Nëse s’do që nesër skuadër e pushkatimit
Të të vejë në mur
tek Bulevardi i Madh”.

Ironia është se, megjithëse poezia doli, libri u botua në Francë dhe madje është përdorur në Perëndim si provë e disidencës së Kadaresë, kur këtij i janë dhënë çmime. Për mua, ky është një rast ekstrem i kulturës së simulimit e manipulimit, që Kadareja vazhdon ta përdorë me “sukses” edhe sot me moton: “Manipulo ndërkombëtarët, duke simuluar atë çka ata e vlerësojmë shumë (disidencën në këtë rast), për të arritur suksesin, famën dhe pastaj i ke nën këmbë edhe shqiptarët, që duke qenë të paaftë, të mendojnë me kokën e tyre, të adhurojnë verbërisht!”. Për fat të keq, shumë shqiptarë edhe sot nuk kanë kuptuar se “suksesi” i kësaj kulture – sipas së cilës ajo se si dukesh është më e rëndësishme se ajo se si je, që i shtyn të simulojnë, të veshin maskën e konformizmit të radhës dhe në raste ekstreme si ky, të përdorin çdo lloj gënjeshtre e manipulimi – ndërtohet në dëm të një kulture që duhet ta ndihmojë njeriun, të bëhet vetvetja, sikundër do të thoshte Niçe, çka fillon me njohjen e vetvetes e që çon te njeriu i lirë, i cili merr përgjegjësi për gjërat që thotë e bën.
Libri i Lames është në vazhdën e kulturës së simulimit e manipulimit, por me një ndryshim: në vend që të dobësohet me kalimin e viteve në favor të rritjes së aftësisë së njerëzve për të menduar me kokën e tyre, po bëhet gjithnjë e më dominante. A e keni parë se si Edi Rama dhe Erion Veliaj nuk lënë gur pa lëvizur për të fituar mbështetje e çmime ndërkombëtare, për të na penguar/ manipuluar nëpërmjet tyre të shohim me sytë tanë shkatërrimin që i kanë bërë jetueshmërisë dhe shpresës në Shqipëri?
Por le të jap një shembull tjetër për avancimin e kësaj kulture. Para pak kohësh, Edi Rama bëri një deklaratë në Parlament, ku iu drejtua një kundërshtari politik me fjalët: “Im atë ka qenë komunist, si shumë të tjerë dhe ka qenë në anën e duhur të historisë[…] Ti je një mbetje e lodhur në një gropë të historisë[…] Ti je bisht i një lopate.[…] Ti dhe shume atje jashtë,[…] jeni një bashkësi karikaturash.[…] Ti je një ballist i lodhur.[…] Nuk e di a mund të marrësh me mik provimin e Gjuhës shqipe në klasën e 9”. E pra, ju kujtoj se Rama në vitet ’90 ka kërkuar nxjerrjen jashtë ligjit të Partisë Komuniste; ka qenë sarkastik ndaj veprës letrare, artistike të Kadaresë, Kristaq Ramës e në përgjithësi ndaj të gjithë elitës ish-komuniste; ka satirizuar ata ish-komunistë si Berisha, Kadareja etj., që u konvertuan në antikomunistë, duke mbetur komunistë në sjellje. Duke e pas njohur personalisht, madje vlerësuar për ato qëndrime, nuk mund të mos kërkoj të gjej jo vetëm se çfarë ka ndodhur me këtë intelektual, por edhe me tërë shoqërinë, që sot arrin të pranojë për Kryeministër një njeri që flet me këtë gjuhë. A ka reshtur kjo shoqëri së menduari në mënyrë kritike apo çfarë?
Në fakt, të kesh “kurajën për të menduar me kokën tënde” (Kant) është një sfidë e përditshme, sepse në thelb ka të bëjë me ruajtjen e lirisë ndaj të gjitha tundimeve dhe presioneve që të rrethojnë, por reflektimi nuk më çon tek ideja se Rama e ka pasur mendimin kritik, por e ka humbur pasi është dorëzuar nga presionet apo etja për pushtet. Më çon më shumë te “forma mentis”, që ka krijuar edhe tek ai kultura e manipulim-simulimit, ndryshe e propagandës, si kulturë pushteti autoritar. Sot mendoj se, edhe kur fliste në vitet ’90 kundër intelektualëve si Kadareja, nuk është se ka menduar me kokën e tij, por ka simuluar duke përqafuar idetë e atyre që i dukeshin se ishin “në anën e drejtë të historisë” e u takonte pushteti në vitet ’90. Më pas, duke parë se pushteti i mbeti asaj elite ish-komuniste që kishte satirizuar, përqafoi kauzën e saj dhe sot s’e ka për gjë të satirizojë palën tjetër. Dominimi i kësaj kulture, sipas së cilës mjafton të kesh pushtetin e mund ta shkruash historinë si të duash, ka bërë që në këtë vend sot të thuash e të bësh të gjitha dhe të kundërtën e të gjithave, pa mbajtur përgjegjësi.
Për avancimin e kësaj kulture flet edhe fakti se me shembullin personal dhe politikat e tij, Rama e ka çuar në ekstrem modelin e intelektualit, artistit, që për të arritur “suksesin”, vihet në shërbim të pushtetit, duke bërë që mendimi kritik intelektual të arrijë në minimumin e përfilljes në këto tri dekada.

Një pjesë e rëndësishme e librit është ditari i kryehetuesit, zhvilluar mes Hoxhës, Alisë, Isait dhe Lames. Si e vlerësoni rolin e këtij të fundit dhe qëndrimin karshi debatuesve të tjerë? Ju vetë keni qenë viktimë e atij sistemi që nuk kursente askënd, përse duhej Hoxha ta rimendonte vendimin e tij për arrestimin e Kadaresë?
Lidhur me këtë pyetje, lexova një reagim të Ilir Demalisë ku jepen jo pak argumente se pse Lame nuk mund të besohet. Nga ana ime, gjithë duke mbetur në kuadrin e refleksioneve që më nxitët me pyetjet mbi këtë libër, do të shtroja pyetjen: si ka mundësi që kryehetuesi paska mbajtur një ditar në atë kohë, ku nuk shkruhet asnjë fjalë për shefat e tij si Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, që e kishin promovuar në detyrë, e që tani po çoheshin në varr me akuza të rreme? Si nuk ka një radhë për rolin që ka luajtur edhe ky; për përjetimet që supozohet se duhet të ketë pasur duke e parë veten në rolin e xhelatit të tyre; për atë nëse i ka besuar akuzat e Enver Hoxhës si fjalën e Zotit apo nuk i ka besuar, por i është nënshtruar urdhrit? Si ka mundësi që na paraqitet si njeri parimor dhe i drejtë, kur nuk paska pasur guximin t’i thotë Hoxhës, siç pretendon se i paska thënë për Kadarenë, se nuk ka prova që këta të jenë komplotistë? Dhe ja ku dalim përsëri te mungesa e mendimit dhe simulimi si formë e saj.
Në vend se të përshkruajë veten e tij të asaj kohe e të asaj rrethane, Lame e refuzon atë ose e ka ndrydhur në pavetëdije, siç thuhet në psikanalizë dhe simulon një njeri të drejtë, roli i vetëm i të cilit në atë histori paska qenë shpëtimi i Kadaresë. Këtu veç simulimit kemi edhe manipulim, sepse, duke i shërbyer narrativës së Kadaresë si kundërshtar i atij regjimi dhe paraqitur veten si shpëtimtari i tij, punon edhe për largimin e përgjegjësive të veta. Sinqerisht, duke parë se sa larg shkon në këtë fiksion, nuk jam i sigurt nëse ky manipulim është i vetëdijshëm apo i pavetëdijshëm pasi jemi te njeriu që, duke mos e pas pyetur asnjëherë vetveten nëse gjërat që bën janë të mira apo të këqija, duket se e ka humbur përgjithmonë, siç gjykoj se ka ndodhur edhe me Kadarenë, aftësinë e dallimit midis faktit dhe fiksionit, së vërtetës dhe falses.
Ajo që më çudit më shumë është se këtë mosdallim e bën edhe gazetari i “Panoramës”, që ka hartuar hyrjet e pjesëve të librit që keni botuar. As ai nuk e ka vënë mendjen në veprim, nuk ka vërejtur asnjë kontradiktë në rrëfimin e Lames, por vetëm ka prezantuar idenë sipas së cilës, ndryshe nga ç’mendohet nga një pjesë, nga libri i Lames del se Kadareja paska qenë armik i rrezikshëm i regjimit. Me këtë rast, ju kujtoj se duke ribotuar për thuajse një muaj në faqet e gazetës gënjeshtrat e këtij libri për arsye komerciale apo konformizmi me elitën e regjimit, keni shkelur jo vetëm një nga të drejtat e njeriut, të formuluara në shumë kushtetuta të vendeve demokratike, atë të informimit në mënyrë korrekte, por edhe keni fyer ndjenjat e të persekutuarve vërtet nga ai regjim.

Kadare ne familjen Hoxha
Kadare ne familjen Hoxha

Veç dëshmive të ish-kryehetuesit për urdhrin e arrestimit të Kadaresë, në libër ka dhe procesverbale të pyetjes në Hetuesi të Llambi Ziçishtit, ku Kadare përmendet si pjesë e grupit komplotist të Mehmet Shehut, si i përpunuar nga Todi Lubonja. Ju keni qenë skeptik për të tilla dokumente, por pse regjimi ishte i interesuar të përfshinte emrin e Kadaresë, kur ju keni thënë që ai ishte i privilegjuar i atij sistemi, si shkrimtar që i shërbente propagandës së regjimit?
Le t’i marrim gjërat me radhë. Pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, qarkulloi një ide se Hoxha e eliminoi Shehun që t’i vishte atij krimet që kishte kryer vetë kundër grupit të liberalëve, të ushtarakëve dhe të sabotatorëve. Kjo, sepse dihej që Shehu kishte mbajtur qëndrimin më të egër në Plenumin IV ndaj Todi Lubonjës e Fadil Paçramit dhe i kishte udhëhequr vetë akuzimet e para në rangjet e larta të Ushtrisë kundër Beqir Ballukut.
Mirëpo, Hoxha nuk vonoi dhe e shpalli Mehmetin kryetarin e këtyre tri grupeve. Se sa e vërtetë mund të ishte kjo, mjafton të mendosh se sikur Shehu të kishte qenë vërtet armik i Hoxhës dhe të kishte me vete që në vitet ’60 edhe krerët e Ushtrisë, edhe krerët e Ministrisë së Brendshme e Sigurimit, edhe krerët e propagandës, bile deri edhe shkrimtarin më të rëndësishëm të regjimit, do ta kishin eliminuar Hoxhën sa hap e mbyll sytë.
Që Hoxha i ndërtoi akuzat për komplote e puçiste si paranojak që i besonte edhe vetë, apo pse kishte një plan racional që t’i linte trashëgiminë Ramiz Alisë dhe së shoqes, kjo mbetet e hapur. Personalisht besoj më shumë të parën, por kjo është tjetër çështje. E sigurt është se përveç provave të ideuara nga Hoxha dhe të materializuara nga Lame me shokë, nuk ka asnjë provë se ka pasur grupe armiqësore të kryesuara nga Mehmet Shehu dhe aktivitete armiqësore si ato për të cilat janë akuzuar. Kjo vlen edhe për përkatësinë e Kadaresë në këto grupe.
Deponimi i Ziçishtit se Kadareja, i përpunuar deri më 1973 nga Todi Lubonja, vazhdonte të merrte detyra armiqësore nga Mehmet Shehu është qesharak, por ai meriton të merret në analizë për të zbuluar se nga buron. Dhe e para gjë që duhet bërë, për të gjetur përgjigjen e kësaj pyetjeje, është të zhvillohet një proces gjyqësor për të përcaktuar fajësitë e tërë atyre personave të vdekur dhe të gjallë (me në krye Enver Hoxhën) që kanë fabrikuar këto akuza që çuan shumë njerëz në varr, të tjerë në burgje dhe familjet e tyre nëpër internime. Nëse shoqëria, Kadareja, por dhe gazeta juaj do të ndiente sadopak ato përgjegjësitë për të cilat fola, do të duhej t’i kërkonte llogari Lames për këto krime më së pari dhe jo të pranojnë, përdorin e promovojnë gënjeshtrat e tij.
Megjithatë, le të kthehemi te pyetja juaj: “Pse regjimi ishte i interesuar të përfshinte emrin e Kadaresë?” (pa harruar se, kur pyesni “pse Kadareja?”, duhet të pyesni edhe “pse Hazbiu?”, “pse Feçor Shehu?”; a ishin këta vërtet kundërshtarë apo çfarë?
Së pari, duhet të shtrohet pyetja: Kush ishte regjimi? Lame një herë thotë se urdhëroi Hoxha vetë, ngaqë Kadaresë i ishte “rritur mendja” (?!), herë tjetër se e ka bërë hetuesi Ferit Sula, herë të tjera se prapa kësaj intrige qëndronte Ramiz Alia me Hekuran Isain, të cilët, sipas tij, donin “ta hanin të gjallë”. Këto janë fiksione. Fakti është se regjimi ishte Enver Hoxha dhe se ai nuk e ka përfshirë Kadarenë. Në vitin 1973, kur filloi fushata kundër liberalizmit, u botua një shkrim që e akuzonte Kadarenë si liberal për “Dimrin e vetmisë së madhe” dhe pritej të botohej një tjetër, por Enver Hoxha dhe Nexhmije Hoxha nxituan t’i dalin në mbrojtje duke mbyllur çdo diskutim. Fakti (jo fiksioni) është se ky libër, nëpërmjet Ramiz Alisë, i kishte shkuar kapitull më kapitull Enver Hoxhës dhe ky e kishte pëlqyer – sigurisht, për shkak të 82 faqeve që përshkruanin madhërishëm figurën e tij, ndërkohë që për Mehmetin kishte vetëm 2 faqe dhe për Hysni Kapon vetëm një paragraf. Asokohe, madje, doli fjala se goditja e Kadaresë ishte nxitur nga pakënaqësitë e njërit nga këta të dy, më shumë të Mehmetit. Por Kadareja e dinte mirë qysh atëherë se kush ishte regjimi. Këtë e ka ditur mirë edhe Ramiz Alia dhe Hekuran Isai. Ata kanë ditur edhe që eliminimi i Kadaresë do të thoshte heqje e veprave të tij nga qarkullimi në vend dhe pezullim i botimeve jashtë – për çka regjimi kishte investuar aq shumë sepse në to propagandohej socializmi dhe Hoxha – dhe nuk do të guxonin ta eliminonin këtë vepër pa rrezikuar që Hoxha vetë të dyshonte se ata po vepronin kundër tij. Prandaj, ideja se kundër Kadaresë ka intriguar Alia apo Isai nuk qëndron.
Këtë e provojnë edhe fakte të tjera. Sikur këta të kishin urrejtje personale ndaj Kadaresë, do të kishin vepruar më pas, sidomos pas vdekjes së Hoxhës, kur u bënë edhe më të fuqishëm. Kurse marrëdhëniet e tij me ministrin e Brendshëm, që do të thotë edhe me Sigurimin, kanë qenë të shkëlqyera.
Madje, në kohën kur Lame pretendon se rreth Kadaresë po kurdisej akuza për komplotist, fill pas arrestimit të Kadri Hazbiut, këta u angazhuan për internimin e një djali të ri, që ishte i dashuri i së bijës, vetëm pse nuk e konsideronin familjen e tij të denjë për familjen e tyre. Po ashtu, Kadareja është i vetmi shkrimtar që me urdhër të Hekuranit i është dhënë një makinë me shofer, që i përkiste asaj ministrie.
Edhe marrëdhëniet e tij me Ramiz Alinë kanë qenë të shkëlqyera. Në vitin 1988, ai ka shkruar parathënien e librit të Ramiz Alisë “Enveri ynë”, ku i bën elozhe sa autorit, aq edhe personazhit. Kurse në maj 1990, ai ka pasur edhe një letërkëmbim me Ramiz Alinë, ku ky i shkruan: “Vepra jote i është kushtuar mbrojtjes së Atdheut, lirisë dhe pavarësisë së tij, luftës heroike të Partisë sonë e të shokut Enver Hoxha për të ruajtur sovranitetin tonë (Kujtoj “Gjeneralin…”, “Kështjellën”, “Dimrin e madh”, “Përse mendohen këto male”, “Shqiponjat fluturojnë lart”, “Koncert…” – të falënderoj për botimin frëngjisht që më dërgove – etj., etj.) Kjo të nderon jo vetëm si shkrimtar, por mbi të gjitha si luftëtar, si patriot, si komunist. Veprën tënde e do populli dhe e ka vlerësuar e gjithë Partia…”
Mos harro edhe atë çfarë ka bërë shoku Enver për ty, as anësinë time në favorin tënd. Bile, nëse të shkruaj kështu hapur, pa shumë “diplomaci”, kjo ka lidhje me ato marrëdhënie miqësore që ekzistojnë mes nesh, por edhe i nisur nga ai kujdes që Partia vazhdimisht ka treguar për Ismail Kadarenë, të cilin e kemi dashur dhe e duam shkrimtar të madh po e po, por edhe luftëtar konsekuent për çështjen e Partisë dhe të popullit”. Nisur nga ky vlerësim, Kadare ishte kryesori në listën e intelektualëve që Alia thirri për të gjetur rrugëdalje nga kriza politike ekonomike, që po i avitej Shqipërisë pas rënies së Murit të Berlinit.
Letra e Ramiz Alisë dërguar Kadaresë në 1990, sintetizon qëndrimin faktik të regjimit ndaj tij. Puna është se pas viteve ’90, Kadareja i ka kthyer kokë së prapthi historitë që tregova, duke i manipuluar faktet e kthyera në fiksion. Në “Nga dhjetori në dhjetor”, ai shkruan: “Pas acarimeve të rënda me regjimin gjatë vitit 1982 filluan kërcënimet për vrasje, të bëra gjoja nga rrugaçë”. “Rrugaçi” në fakt është ish-i dashuri i së bijës, i cili u internua dhe përfundoi më vonë nëpër spitale psikiatrike, jo pse e ka kërcënuar me vdekje, por pse ka shkuar i ka prishur qetësinë duke bërtitur poshtë ballkonit. Kurse për raportin e tij me Sigurimin në vitin ’90 shkruan: “Sigurimi u përpoq të bindte shtetin se gjithçka ishte organizuar nga një grup intelektualësh, që kishin lidhje me shtete perëndimore. Ishte bërë madje një listë prej 150 vetash (ku vetëkuptohej që emri im dhe i miqve të mi ishin ndër të parët), që propozoheshin për t’u arrestuar ose eliminuar”. Nuk ia vlen të zgjatem me prova të tjera se kemi të bëjmë me autorë, të cilët kanë harruar diferencën midis faktit dhe fiksionit. Ndoshta një ditë, ndonjë shkrimtar i ri do të merret ta përshkruajë këtë fenomen në ndonjë libër, siç ka bërë shkrimtari spanjoll, Javier Cercas, në librin e tij “Mashtruesi”, ku tregon se si një figurë e njohur, Enrique Marco, ka transformuar tërë historinë e tij për t’u paraqitur si i përqendruar në kampet naziste.
Por me një ndryshim tepër të rëndësishëm, sepse, nëse spanjolli e bëri këtë vetë dhe kur ia zbuluan e dënoi e gjithë shoqëria, Kadarenë e ka ndihmuar për ta bërë këtë e gjithë elita politike dhe kulturore e vendit, e cila nuk është tronditur fare kur kanë dalë mashtrimet – çka sipas meje flet për shtrirjen dhe thellësinë e traumës. Edhe një gjë tjetër interesante do të duhet të trajtohet në këtë libër: fakti se edhe njeriu i Sigurimit, i cili i di të gjitha të vërtetat, u ka dalë në mbështetje mashtrimeve.
Kjo aleancë e ish-terroristit me ish- propagandistin është shumë domethënëse për të analizuar qasjen tonë ndaj regjimit të djeshëm. Nëpërmjet teknikave të manipulimit, të zhveshjes së përgjegjësive – që shihet edhe në pasazhin e Kadaresë ku Sigurimi ndahet nga shteti – është kryer projektimi i së keqes te komponentja terror e regjimit duke mbuluar një komponente tjetër kryesore të tij, propagandën për të cilën ka punuar thuajse e tërë elita artistike kulturore që trashëgoi pushtetin. Nuk them se kanë të njëjtat përgjegjësi, por nëse sot flitet me aq inflacion për “shkrimtarë të mëdhenj”, “artistë të mëdhenj”, “regjisorë e aktorë të mëdhenj”, “këngëtarë të mëdhenj” të asaj kohe (e të kësaj kohe njëkohësisht), nuk mund të mos arsyetojmë se këtu ka diçka që nuk shkon, sepse sa më e madhe rëndësia publike, aq më e madhe është edhe përgjegjësia politike, morale, metafizike.
Le t’i kthehem tani pyetjes: Pse Kadare në listën e komplotistëve?”
Kur flas për qëndrimin faktik të regjimit, d.m.th. të Hoxhës ndaj Kadaresë, nuk dua të them se ai s’ka qenë në rrezik. Eliminimi i Mehmet Shehut tregon se të gjithë, përveç Enver Hoxhës, kanë qenë në rrezik, jo vetëm pse krijimi i klimës së frikës dhe terrorit ishte një ndër instrumentet kryesore të sundimit të Hoxhës, por sepse vrasja dhe persekutimi i të tjerëve duket se ishte edhe një kënaqësi sadiste e tij. Historia tregon se Enver Hoxha ka burgosur persona thjesht për shkak të miqësisë me ata që ai i kishte targetuar për t’i eliminuar. Një nga shembujt është Dashnor Mamaqi, i cili u burgos dhe vdiq në burg thjesht e vetëm sepse kishte pasur miqësi me Beqir Ballukun.
Nëse deponimi i Ziçishtit është autentik, mund të interpretohet në këtë kontekst. Rreziku i ka ardhur Kadaresë nga miqësia e tij me Bashkim Shehun. Paradoksalisht, Kadareja që pretendon se ka qenë kundërshtar i hershëm i atij regjimi, krijonte gjithnjë miqësi me familje të pushtetit si ajo e Todi Lubonjës, e Manush Myftiut, e Mehmet Shehut apo Adil Çarçanit. Qenia afër tyre, më shumë sesa miqësi e vërtetë ka qenë instrumentale, siç rezulton se ishin përgjithësisht miqësitë në këto rangje në atë kohë. Kadareja i ka bërë për karrierë, por edhe për t’u mbrojtur nga ambiciet e kolegëve që jo rrallë, për të hequr qafe rivalët, kanë përdorur pushtetin. Fatkeqësisht, siç ka deklaruar Zylyftar Ramizi dhe ka shkruar Nasho Jorgaqi, këtë e ka bërë edhe Kadareja kundrejt të tjerëve. Pra, mund të ketë ndodhur që, shtyrë nga motive të tilla, dikush të ketë tentuar të përdorë faktin e miqësisë së Kadaresë me Bashkim Shehun për të nxitur Hoxhën që ta eliminojë, por ky nuk e ka ngrënë. Siç e thashë, kjo do të duhej të dilte nga një proces që do të përcaktonte përgjegjësitë e fabrikimit të asaj akuze të rreme, ku pjesë kryesore e hetimit duhet të ishte edhe Qemal Lame, sepse ky, po të kishte qenë i drejtë dhe konform ligjit siç pretendon, nuk ikte në Gjermani në vitet ’90 dhe nuk priste të vdisnin gjithë ata që akuzon për të nxjerrë këtë libër.

Kadare dhe vepra e tij nga "Onufri"
Kadare dhe vepra e tij nga “Onufri”

“Disidenca” e Kadaresë ka qenë gjithnjë një temë debati. Ju vetë nuk e keni mbështetur atë. Dëshmitë e sjella nga ish-kryehetuesi Lame, a sjellin ndonjë kontribut të ri në këtë drejtim?
Për të kuptuar raportin e Kadaresë me regjimin e djeshëm, mjaft të shohësh raportin me regjimin e korruptuar mafioz të sotëm. Kurrë s’e ka prekur, por veç e ka mbështetur dhe mjelë, siç ka bërë edhe me paraardhësin. Gjithsesi, gjykoj se disidencën e djeshme duhet t’ia gjejmë në veprën e asaj kohe dhe jo në operacionet plastike që ka kryer këta 30 vjet (vetë dhe me ndihmën e kirurgëve), jo vetëm mbi jetën, por deri edhe mbi veprën e tij. Lejomëni të zgjatem pak në këtë temë sepse kur flitet për Kadarenë, një pjesë merren me vlerësimet e njohjen në Perëndim, të tjerë me disa vepra e akte që e komprometojnë, ndërkohë që injorohet përmbajtja e veprës së tij në tërësi, që është tejet e rëndësishme, jo për disidencën apo bashkëpunimin me regjimin, por për të kuptuar kohën. Sipas meje, vepra e tij në versionin e asaj kohe, duke filluar nga “Frymëzime djaloshare” (1954), ku ka gjashtë poezi për vdekjen e Stalinit e deri tek “Ardhja e Migjenit në letërsinë Shqipe” (botimi i vitit 1989), ku godet në mënyrën më të egër figura që sot nderohen, si Konica, Fishta, Koliqi, ka ndjekur “si fill i kuq”- siç thuhej asokohe – politikat e Enver Hoxhës duke qenë shprehja më e plotë dhe më e arrirë nga pikëpamja letrare e ideologjisë nacional-komuniste të atij regjimi.
E di që kjo tingëllon si krejt e kundërta e asaj që predikohet, por le t’i marr me radhë disa nga ngjarjet/ temat kryesore të letërsisë së kohës të diktuara nga lart, për trajtimin e të cilave “në frymën e partisë” Kadare edhe është paguar si shkrimtar profesionit që nga vitet ’60: Propagandimi i Luftës Nacionalçlirimtare të udhëhequr nga Partia, që ka qenë miti themelues i pushtetit të komunistëve (“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Nëntori i një kryeqyteti”, “Shqiponjat fluturojnë lart”). Prishja me Bashkimin Sovjetik, lufta kundër revizionizmit, Shqipëria si kështjellë kundër imperializmit dhe social-imperializmit (“Dimri i madh”, “Përbindëshi”, “Kështjella”); Lufta kundër zakoneve prapanike (“Dasma”), goditja e grupeve armiqësore (“Koncerti”, “Pashallarët e kuq”, “Emblema e dikurshme”), Prishja me Kinën (“Koncerti”). Shtojuni këtyre poezitë dhe poemat për ndërtimin e socializmit, me ëndrra industriale, hidrocentrale të Partisë, deri me qenin e kufirit që mbron kufijtë; shtojuni këtyre edhe faktin se, siç e ka pohuar edhe vetë, askush si ai nuk ka shkruar më hidhur nëpër këto vepra për ata që konsideroheshin armiqtë e partisë, klasat e përmbysura; shtojuni këtyre shkrimet e vazhdueshme te ‘Drita’, me pseudonimin Gent Arbana, ku godet figurat më të shquara të letërsisë botërore të shekullit XX dhe do të t’iu dalin dhjetëra mijëra faqe që mjaftojnë e teprojnë për ta cilësuar Kadarenë “luftëtar konsekuent për çështjen e Partisë dhe të popullit”, siç e cilëson Ramiz Alia. Një vend të veçantë meritojnë veprat e ashtuquajtura historike si “Kush e solli Doruntinën”, ato mbi periudhën osmane si“Kështjella”, “Qorrfermani”, “Pashallëqet e mëdha”, “Pallati i ëndrrave”, “Ura me tri harqe” apo edhe më pas si “Viti i mbrapshtë” e “Dosja H”.
Edhe këto vepra, te të cilat e ka çuar nevoja për t’u ikur tematikave bajate të ndërtimit të socializmit – veçanërisht pasi filloi të botohet në Perëndim, ku me ekzotikën e tyre ishin shumë më tërheqëse për lexuesin perëndimor, – janë konform me komponenten nacionaliste të ideologjisë së regjimit, të trashëguar nga nacionalromantizmi i Rilindjes, por të aplikuar në një kohë tjetër, jo në emër të lirisë, por të përdorimit nga një pushtet shtypës. Edhe libri “Pallati i ëndrrave”, që meriton të komentohet më vete, për shkak se interpretohet edhe si metaforë e një regjimi totalitar, e ka të fortë komponenten nacionaliste të asaj ideologjie.
Si dhe veprat e tjera mbi periudhën osmane, edhe ai i shërben propagandës së regjimit në demonizimin e asaj periudhe, si pesë shekuj errësirë që lanë në prapambetje shqiptarët, të cilët megjithatë, paradoksalisht, në frymë nacionaliste, përshkruheshin sipërorë kulturalisht ndaj “turqve” dhe gati gjithmonë në kryengritje. Pra, ashtu sikurse në veprat dedikuar luftës dhe socializmit, edhe në librat me temë historinë shqiptare të mëhershme takohemi vazhdimisht me “gënjeshtrën e madhe” – siç e quan Solzhenicini ideologjinë – sepse edhe ato e kanë manipuluar shqiptarin, duke e bërë të jetojë lavdinë e një bote virtuale (heroizmin e popullit tonë ndër shekuj) pa përshkruar historinë e vërtetë, çka do t’i jepte instrumente për të parë dhe kuptuar mjerimin e botës reale që jetonte – që ka qenë detyrë e rëndësishme e shkrimtarit dhe intelektualit europian të shek. XX, veçanërisht pas tragjedisë së Luftës II, që shkaktoi mbi popujt europianë ideologjia nacionaliste.
Lidhur me “Pallatin…” mund të shtoj se, edhe sikur të mos ishin fare veprat që përmenda e të tjera që nuk i përmenda, do të mjaftonte letra dërguar “Le Monde”-it me rastin e vdekjes së Enver Hoxhës për ta komprometuar peshën tejet të ekzagjeruar, që i është dhënë këtij libri si provë e disidencës së Kadaresë.
Kur reflektoj mbi veprën e Kadaresë, nuk mund të mos pohoj se i vlerësoj gjuhën dhe faktin se ajo i ka ndihmuar shqiptarët të pasurojnë mjetet shprehëse me stilema dhe të zhvillojnë fantazinë letrare. Por kjo nuk mund kurrsesi të baraspeshojë dëmin që ajo ka sjellë në (keq)formimin e njeriut shqiptar. Krahasimi që mund të bëj është ai me shkollimin në kohën e Enver Hoxhës.
Sot ka shumë që flasin në terma pozitive për atë se regjimi zhduku analfabetizmin. Por ata harrojnë se nëpërmjet atij shkollimi u ndërtua ‘njeriu i ri’, që nuk mësoi të mendojë, por vetëm të mbushë kokën me dogma që rezultuan tragjike dhe se të vjelat e hidhura të një shkollimi kësisoj po korren gjatë këtyre 30 vjetëve. Mua më ka intriguar vazhdimisht pyetja: Si ka mundësi që në veprat e tij Kadare ka derdhur aq talent e fantazi, ndërkohë që autori nuk ka besuar në ato që ka shkruar – gjë që e vëren edhe në shumë shkrimtarë e artistë të asaj kohe. Kam pasur parasysh edhe përgjigjen: “Mut deshën, mut u dhashë”, që u ka thënë Lasgushi ca miqve kur bëri një poezi për partinë (që ia kërkuan), kur i thanë se ishte shumë e dobët. Si mund të frymëzohesh nga gjëra që nuk i beson? Përgjigjen e kam gjetur te Hegeli kur thotë: “Arti nuk mund t’i dorëzohet fantazisë së ndezur; ai ka nevojë për imagjinatën e një njeriu me mendje të mprehtë dhe me zemër të madhe…” Sipas meje, Kadareja e shumë të tjerë me më pak fantazi se ai e kanë përdorur fantazinë vetëm racionalisht, në funksion të ideologjisë, propagandës, karrierës, pa bashkëpunuar fare me zemrën, e cila u mungon krejtësisht në vepër.
Për të qenë i sigurt se “Emblema e dikurshme” flet për sabotatorët e naftës, e mora ta lexoj edhe një herë këto ditë. Me çfarë fantazie sarkastike përshkruhet një personazh topograf, i cili tërë jetën është paguar nga “klasat e përmbysura” për të varrosur në tokat e tyre të konfiskuara shishe e objekte të ndryshme, që do t’i ndihmonin këta një ditë të identifikonin pronat e tyre. U kujtova se këtë lloj sarkazme e ka përdorur në shumë vepra si “Dimri…”, “Nëntor i një kryeqyteti”, “Përçmimi” etj.
A i buron kjo nga ndonjë ndjenjë e përjetuar, pra nga zemra? Jo, për mua aty mungon krejtësisht ndjenja, prandaj dhe mendimi i vërtetë që niset gjithmonë nga përvoja e ndjenja personale. Rrëfimi është i stisur me fantazi, por mbetet një ilustrim letrar i propagandës së demonizimit të armikut. Dhe këtu i kthehem përsëri kulturës së manipulim-simulimit që, duke aplikuar një kategori ekzistencialiste, do ta quaja diktatura e maskës. Edhe në vende demokratike, maska e imponuar apo e veshur me vullnet për t’u pranuar nga të tjerët nuk të lejon të ndërtosh një jetë dhe vepër autentike, që ndjek thirrjet e brendshme, të zemrës, duke të çuar në imitimin e modeleve.
Le më në diktaturë si e jona, ku sundonte tipikja e përcaktuar nga ideologjia në formën e heroit pozitiv dhe negativ. Prandaj, personazhet e Kadaresë, si të të gjithë realizmit socialist, janë pa zemër, nuk të ngjallin asnjë empati. Në këtë kuptim, vepra e Kadaresë nuk ka dalë dot nga maskat e imponuara nga “gënjeshtra e madhe”, përkundrazi, i ka ushqyer ato me fantazinë e tij. Dhe ja ku vërejmë se maskat e së djeshmes merren e ripërdoren nga Rama i sotëm kundër “ballistëve të lodhur”, që “hanin pula” me të njëjtin stil sarkastik, ku mungon imagjinata e “mendjes së mprehtë” dhe “zemra e madhe”, që po t’i kishte, do ta bënin të mendonte se regjimi i të atit komunist u hoqi fëmijëve, nipërve e mbesave të kategorisë që përqesh edhe të drejtat më elementare. Por, të kuptohemi, edhe ky pushtetar i sotëm nuk është se ka ndonjë përçmim të ndjerë, kur shprehet kështu ndaj kësaj kategorie.
Ai kërkon të manipulojë mendjet e militantëve të partisë së tij me ato stereotipa, që edhe gjyshërit dhe baballarët e tyre i kanë aplikuar pa menduar e pa ndierë. Kemi mbetur te “njeriu ideal i regjimit totalitar”, i cili “nuk është komunisti i bindur”, por ai tek i cili është zhdukur “dallimi midis falses me të vërtetën” sepse është zhdukur mendimi autentik që buron nga zemra.
Siç e shihni, në këtë intervistë jam përpjekur të kapërcej rastin ‘Lame-Kadare’ dhe të theksoj idenë se problemi kryesor nuk është ajo çka kemi bërë apo nuk kemi bërë në atë regjim, por mënyra e gabuar se si u jemi qasur atyre.
Po e mbyll duke tentuar të shtjelloj se si, sipas meje, do të duhet t’i qasemi së kaluarës tonë, historisë sonë, në mënyrë që ta shkruajmë atë pa e përsëritur. Në një ese të tij të famshme mbi dobinë dhe padobinë e historisë, Niçe shkruan: “Vetëm nëpërmjet forcës maksimale të së tashmes mund ta interpretoni të kaluarën. Vetëm nëpërmjet tensionit të fortë të cilësive tuaja më fisnike do të gjeni tek e kaluara atë që është e denjë të njihet”. Thelbi i kësaj ideje qëndron në atë se ne vërtet kemi nevojë ta njohim historinë, por kjo njohje duhet të na diktohet nga problemet e nevojat themelore të jetës sonë në të tashmen dhe jo për t’u tërhequr prej tyre për rehati apo kuriozitete bosh. Ndër këto, nevoja, ajo më kryesorja, sipas Niçes, është ajo e çlirimit nga shumë vargonj (kulturorë, vlerash) që kemi trashëguar nga e kaluara. Prandaj dhe historinë duhet ta shohim sipas tij në mënyrë “kritike”.
“Nëse historia nuk mund të veprojë në praktikën e jetës sonë të së sotmes kundër burgut të ri në të cilin ndodhemi, duke na ngjallur energjitë subversive kundër aktualitetit ndrydhës e nënshtrues, atëherë është e padobishme”, thotë ai. Këto ide i ka rimarrë edhe Walter Begnamin gjysmë shekulli më vonë. Personalisht, mendoj se vuajtja më e madhe që duhet të ndiejnë në të sotmen intelektualët është nënshtrimi ndaj një regjimi oligarkik injorantësh, mendimshtypës dhe lirishtypës, që ka zëvendësuar regjimin e nomenklaturës së djeshme. “Cilësitë e tija më fisnike” do të duhet ta bëjnë intelektualin të përjetojë “tensionin” e fortë brenda vetes, kundër këtij nënshtrimi për çlirimin e vetes e veçanërisht të rinjve. Leximi e shkrimi prej tij i historisë do të duhej të ngjallte “energjitë subversive” kundër këtij nënshtrimi të ri. Këto do të ngjalleshin nga zbulimi se mekanizmat që i kanë çuar njerëzit në vuajtjen e sotme e kanë origjinën në atë trashëgimi të djeshme, në mënyrën e të jetuarit, në modelet njerëzore e kulturore, në shumë pseudovlera të adhuruara të asaj kohe, që e kanë penguar shqiptarin të bëhet person që mendon e mban përgjegjësi. Në këtë kontekst, duke lexuar librat e shumë autorëve të memuaristikës sonë, nuk mund të mos ngresh pyetjen: Cili është problemi, nevoja dominante që e ka shtyrë autorin të shkruajë për të kaluarën e tij e tonën? A e ka shtyrë ndonjë vuajtje nga “burgu i ri”, nga i cili kërkon të çlirohet dhe të çlirojë shoqërinë? Absolutisht jo. Qasja e memuaristikës së simulimit dhe manipulimit nuk niset nga këto vuajtje e shqetësime, por nga nevoja që ka elita e djeshme për të legjitimuar pushtetin e sotëm. Dhe kjo e ka çuar në mbushjen e historisë me vetëmburrje e heroizma që nuk shpjegojnë dot as nënshtrimin e vuajtjen e djeshme dhe as atë të sotmen. Që të heqim qafe prangat e së sotmes, na duhet një qasje tjetër ndaj së djeshmes, ku rrëfimin e heroizmit tonë të rremë ta zëvendësojë njohja e mekanizmave të nënshtrimit tonë të vërtetë, brenda vetes sonë më së pari, e pastaj duke e ndarë këtë njohje me të tjerët e duke kërkuar së bashku instrumentet e çlirimit.

Intervistoi Afrim Imaj – Panorama – 12 shtator 2020

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. “Banaliteti i së keqes”, dhe veprat letrare trushpëlarëse
    nga Arben Borshi

    Në procesin gjyqsor kundra kriminelit nazist Adolf Eichmann, në vitin 1961, ishte e pranishme edhe Hannah Arendt (shkrimtare dhe filozofe hebreje) si gazetare e “The Neë Yorker”.
    Prej këtu doli edhe vepra e sajë “Banaliteti i së keqes”, ku në një farë vendi, duke analizuar figurën e kriminelit nëpërmjet përgjigjeve që i jepte pyetjeve të prokurorit, përgjigje këto të gjitha rrena për t’u justifikuar, ajo arrin ta karakterizojë si “banaliteti i së keqes”. Ky kriminel, përpiqej ta paraqiste veten si një “ingranazh” i atij sistemi kriminal, dhe si i tillë justifikohej me përgjigjen: “zbatoja urdhërat nga lart!”
    Psikologjia e tij, ishte aq e kufizuar, saqë nuk arrinte të pranonte realitetin kriminal të veprimtarisë së tij. Prej këtu, Hannah Arendt e emërtoi këtë kategori njerëzish si “Banaliteti i së Keqes!”
    Individi për të cilin po debatojmë, dhe që ka shkruar këtë “libër” farsë, përbën rastin më flagrant të “Banalitetit të së Keqes” shqiptar, ku paraqet vehten si një prej ingranazheve që zbatonin verbërisht (dhe me zell, do të shtoja unë!!) urdhërat, pasi me urdhërat e tij si dhe me firmën e tij, kanë shkuar në litar apo para plotonit të ekzekutimit me dhjetra e qindra të pafajshëm, ashtu si në dhomat e gazit të Aushëitz-it me urdhër të Adolf Eichmann-it me qindra e mijëra hebrej të pafajshëm!
    Dhe tani ai dhe të gjithë bashkpunëtorët e zellshëm të regjimit terrorist komunist, fajin ia hedhin: “ashtu ishte sistemi”, sikur sistemi të ishte diçka abstrakte, dhe jo një grup individësh që si “ingranazhet e mekanizmit terrorist” çonin përpara luftën e klasave” këtë armë të tmerrshme të eliminimit fizik të kundërshtarëve ideologjikë, por edhe të indoktrinimit psikologjik të qindra e mijëra “naivëve” që besonin verbërisht në këtë ideologji!!!!
    “Normaliteti i subjekteve dhe mungesa e mendimit ishin faktorët që shoqëruan Eichmann-in në veprën e tij kriminale. Administratorë, teknikë, mekanikë, punëtorë, intelektualë, të gjithë në mënyrë të mirorganizuar, edhe pse në përgjithësi pa ndonjë prirje destruktive, kontribuan në masakrimin e qenijeve njerëzore. Pjesa dërmuese e tyre, nuk ishin kriminelë, dhe as persona që kishin zbuluar papritmas tendenca kriminale. Përkundrazi, ishin të bindur ndaj urdhërave, dhe në familje silleshin si baballarë të mirë.
    Megjithatë kjo evidencë që ndeshet në pothuaj tërë shoqëritë njerëzore, nuk përjashtoi që brenda një shoqërie me regjim totalitar, këto elemente “normalë” por banalë të bashkohen në një proces të zhdukjes fizike të qindra e mijra të pafajshmëve. Asgjë nuk i shqetësoi apo prishi dedikimin e tyre ndaj “detyrës” të ngarkuar si një nga shumë detyra që regjimi mund t’i besonte. Duke kryer këtë “detyrë”, i përgjigjeshin kërkesës së “Atdheut” të tyre si dhe shoqërisë ku bënin pjesë, dhe nuk i prishte punë për të vazhduar jetën e tyre familjare normalisht.
    Në një farë mënyrë, në një realitet ku çdo gjë ishte e mundur dhe ku mbizotëronte ligji i terrorit, mijëra njerëz mediokër, zhvillonin aktivitetin e tyre të punës, normalisht, sikur bota normale dhe jeta, nuk ishin prekur.”
    Disa shënime marrë nga libri: Hannah Arendt, Totalitarizmi është një formë e re e dominimit që përdor terrorin për të zhgatërruar qenien njerëzore – përkthim i imi)

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.