back to top
8.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Pse nuk e ndalonim dot ikjen e Agron Tufës? nga Agim Baçi

Gazeta

Agim Baçi
Agim Baçi

Pse nuk e ndalonim dot ikjen e Agron Tufës?

nga Agim Baçi

A duhej të ikte Agron Tufa? A kishte arsye apo kërcënimet ndaj tij nuk ishin të asaj natyre sa ta detyronin ta linte këtë vend e të udhëtonte diku, ku njerëzit nuk kanë frikë nga e shkuara e bashkëqytetarëve të vet? A mund të konsideroheshin të rrezikshme disa sms, ndonjë shkrim i Brahos, Brokajt a Tarifës, apo një dëshirë perverse e ish-ministrit të diktaturës, Osman Murati, që shprehte gatishmërinë për ta vrarë me dorën e vet? Këto dhe shumë pyetje të tjera, që i ka bërë shumëkush prej nesh që e njihte Agronin, mund të ishin ende të debatueshme për këtë largim të trishtë nëse nuk do dilte në pah një anë krejt tjetër e historisë së përplasjeve me nostalgjikët e kohës së diktaturës, që arriti kulmin e vet pas debatit për librin “Krimet e komunistëve gjatë luftës”, të zëvendësit të Tufës në Institutin e Studimeve të Krimeve të Komunizmit, z. Çelo Hoxha. Vetë z. Tufa i bëri të ditur në një intervistë për radion “Deutsche Welle”, ku shpjegonte se asnjë organ i akuzës në vend, e as organizmat ndërkombëtarë, si OSBE apo BE, nuk kishin pasur asnjë reagim as ndaj denoncimit të tij lidhur me ish-shefin e dikurshëm të burgut të Qafë-Barit, Edmond Caja, e as ndaj kërcënimeve të njëpasnjëshme, herë me fytyrë e herë ilegale. Pra, në vend të reagimit, Tufa thotë se u përball me murin e indiferencës së gjithanshme, një indiferencë që u jep krahë vetëm nostalgjikëve të kohës së diktaturës dhe gënjeshtarëve të tyre idilikë mbi të shkuarën plot heroizma.
Por, edhe pse i ndeshur me këtë indiferencë të organeve ligjzbatuese, me një indiferencë të pushtetit që nuk pati asnjë reagim ndaj anëtarit të maxhorancës, që kërcënonte nga karrigia e deputetit Agron Tufën, shumë nga ne mund të kenë menduar se ai duhet të rezistojë, sepse ka me vete një pjesë jo të vogël të shoqërisë, që e kanë mbështetur në këtë betejë, duke besuar se ka një shteg që do mundet që së shkuarës t’i bëjë një gjyq jo vetëm moral, jo vetëm historik, por edhe ligjor. Iniciativa e Tufës për të denoncuar Cajën për “krime kundër njerëzimit”, të cilat janë të vetmet krime që nuk amnistohen e nuk falen, pavarësisht se kur kanë ndodhur, ishte një shpresë se edhe këtu, në Shqipëri, do të ketë një gjyq që do të ketë një qëndrim ndëshkues ndaj krimeve të komunizmit, ashtu siç ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë ende në shumë vende komuniste apo siç ka ndodhur për dekada për ish-nazistët që kishin marrë pjesë në krime makabre. Ndaj, Goni mund të qëndronte… Por të gjitha këto pyetje, që lidhen me mundësitë e rezistencës së tij përballë perversitetit të atyre që ende flenë mbi ëndrrat e së shkuarës, rrëzohen sapo nis të lexosh librin “Kur këndonin gjelat e tretë”. I rrëfyer me zërin e shumë prej atyre që u pushkatuan apo torturuan, libri nis të t’i heqë pak e nga pak mundësitë për të gjetur qoftë edhe më të voglin argument se përse mund të qëndronte ende Tufa në Shqipëri. Si mund t’i kërkonim një njeriu që kishte rrëfyer palcën e dhimbjes së qindra prej atyre që u përgjakën në burgje e internime për shkak të ideve kur përballë tij qëndron ende Edmond Caja jo vetëm i pandëshkuar, por edhe i gatshëm të kërcënojë Visar Zhitin, që e kishte dhunuar në qeli, apo të tjerë, të cilëve u njihte vuajtjet që ai vetë u kishte shkaktuar, madje duke tejkaluar çdo ligj makabër të kohës. Si mund të qëndronte Tufa kur Spartak Braho, i ulur në karrigen e Kuvendit, përdorte fjalor që as rrugaçët ordinerë nuk i përdorin më, ndërkohë që përfaqësuesit politikë heshtnin për maskaradën e qëndrimeve të një deputeti. Si mund të ishte Tufa i qetë kur nga nostalgjikët duartrokitej një profesor që jep mësime në fakultet, por që më tepër njihet si i biri i sekretarit të diktatorit Hoxha dhe si ish-ambasadori që u përjashtua për akuza të vjedhjes ordinere si ish-ambasador? E, për më tepër, si mund të ishte i qetë Tufa përballë fëmijëve të tij, kur një ish-ministër i kohës së urisë dhe vrasjeve, Osman Murati, shprehte hapur dëshirën për t’i dhënë një plumb me dorën e tij, sepse ka guxuar të prekë “nderin e luftës”?
.
Shkrimtari Agron Tufa
Shkrimtari Agron Tufa
Pas gjithë këtyre pyetjeve, më erdhi në mendje rrëfimi i Tufës nga sytë e Tartit, qenit që ishte bërë pjesë e përditshme e të burgosurve politikë të Spaçit, që u pushkatua siç u pushkatuan pa gjyq edhe pjesëtarët e revoltës së vitit 1973. “Ditën e tretë revolta u shtyp. Katër u pushkatuan me vendim gjyqi. Kurse mua të pestin, më dënuan me vdekje, pa letra. Si burracakë! Unë u ndesha ballas me ta. Në radhët e para. Kurse ata më kanë lidhur pas një shtylle me dy palë zinxhirë. Katër policë po më godasin me bishta lopate në kokë…”. (Libri me rrëfime “Kur këndonin gjelat e tretë”, botim Onufri, 2019).
Por ky ishte vetëm një detaj, përpara se të më mbeteshin sytë te tregimi që bart edhe titullin e librit të sapobotuar me rrëfime të Tufës.
“Togeri më kap nga jaka e veladonit. Nën ndriçimin e prozhektorëve më vë koburen në tëmtha e më thotë: “S’kam asgjë personale me ty, Atë. Është thjesht çështje detyre”.
Mandej, duke mposhtur të qeshurën nën hundë, shton, pa hequr grykën e kobures nga tëmthat e mia: “Ju e kuptoni, Atë i nderuar, dhe jam i sigurt se do të luteni për mua… në botën tjetër!
Natyrisht, nuk ishte nevoja të ma kujtonte këtë xhelati im. Do të lutesha.. Po pse duhet të zgërdhihet ashtu? Krisma buçitëse e kobures më shpërqendroi. Dalëngadalë, gjithçka nisi të kthjellohej, tok me ndjesinë e lehtësimit nga barra tokësore. (“Kur këndonin gjelat e tretë”, f.95).
Pa mundur të jenë në rresht, shumica e rrëfimeve e bëjnë të pamundur të kesh një zë për pyetje. Tufa kishte me vete shumë zëra, të cilët kishin nevojë që dikush t’i bartte. Ndoshta ata që mbijetuan kishin nevojë për të qenë fitues këtu, përballë atyre që nuk pendohen, por vetëm mbrojnë të keqen që ne nuk e ndëshkuam dot si duhet as ligjërisht e as moralisht. Por “Brahot”, “Brokajt”, “Tarifat”, “Muratajt” e “Cajat” vijnë të qeshin e të ngërdheshen përballë, duke nënkuptuar se ne kemi bërë shumë pak, fare pak, për t’i kërkuar Agronit të qëndrojë i qetë, që të mos shqetësohet për fëmijët e tij. Nuk ka nevojë për plumb që të dalë nga ndonjë qytë pushke apo tytë pistolete që ne ta besojmë se kjo e keqe e ka seriozisht mbrojtjen e kriminales në të shkuarën tonë. Buzëqeshja e tyre është baruti i së keqes që nuk mundëm ta shkundnim nga jetët tona. E di, dhe unë personalisht vijoj të besoj, se nuk është vonë për të arritur t’i themi të vërtetat. Por nuk kemi aq zë sa të ndalojmë Agronin sepse në fund të shfaqen edhe emra që janë ende të fuqishëm apo që kanë fëmijët në pushtet.
..Hetuesi im A. Xh më kishte thënë që ditën e parë të hetimit: Jam i fundit hetues që merret me ty. Për të folur do të flasësh, se s’bën, por meqë je 19 vjeç, ke familje, je djali i vetëm midis 9 motrash, mos e ço punën deri atje… Se në fund ne s’pyesim fare as për jetën tënde, as për atë të familjes. Motrat t’i bëjmë kurva, si të na teket. Ohoo, sa ka parë ky vend, prandaj mendohu sa s’është vonë”. (Po aty, “Në qoftë se vdes”, f. 162)
.
Marre nga http://www.panorama.com.al/pse-nuk-e-ndalonim-dot-ikjen-e-agron-tufes

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.