back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Pse pas Kongresit modest të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe… Kastriot Myftaraj

Gazeta

Kastriot Myftaraj
Kastriot Myftaraj

Pse pas Kongresit modest të Drejtshkrimit

të Gjuhës Shqipe të vitit 1972, ka ardhur koha për Kongresin

shkencor të Standardizimit/ Normëzimit të Gjuhës Shqipe

nga Kastriot Myftaraj

Regjimi komunist i Enver Hoxhës, duke pasur synim të parë propagandimin e madhështisë së arritjeve te tij, niste në çdo fushë projekte të mëdha, por kur shikonte se nuk kishte asnjë mundesi që të përfundonin me sukses, u gjente nga një emërtim të ri, që të dukej kinse ishte përmbushur qëllimi fillestar. Kështu, u shpall me bujë të madhe ndërtimi i një uzine të madhe që do të prodhonte automobilë të markës shqiptare, traktorë, kamionë, vetura, autobusë, tanke etj. Por kur u pa se kjo gjë nuk ishte e mundur të arrihej, atëherë u shpik emërtimi Kombinati i Autotraktorëve, që ishte evaziv se nuk thuhej që atje prodhoheshin automjete dhe posaçërisht traktorë, por as nuk thuhej se atje prodhohej vetëm ndonjë pjesë këmbimi për ta, që në përgjithësi qenë me cilësi shumë të ulët. Kështu që, ndonëse nuk pamë automobilë të prodhimit shqiptar, e aq më pak traktorë, me përjashtim të një të vetmi që u përdor për propagandë, patëm megjithatë Kombinatin e Autotraktorëve që vazhdoi të punonte me “sukses”.
E njëjta gjë ndodhi edhe me gjuhën letrare të njësuar. Regjimi komunist shpalli me bujë të madhe se do të mblidhej një kongres për për të bërë normën gjuhësore shqipe, gjuhën standard shqipe. Por sa më tepër afrohej dita e Kongresit, aq më tepër bëhej e qartë se kjo detyrë e vështirë shekullore, për të cilën kishte nisur të punohej që në Kongresin e Manastirit të vitit 1908 dhe për të cilën ishte mbledhur edhe një kongres i posaçëm në 1909, në Elbasan, që e kishte inicuar procesin e standardizimit të gjuhës, nuk mund të kryhej me një kongres në vitin 1972. Enver Hoxha kishte vendosur një deadline ideologjike. Kongresi duhet të përfundonte brenda vitit 1972. Të përgatiteshin dhe të botoheshin materialet e kongresit dhe pastaj mbi bazën e tyre qeveria të nxirrte një vendim për gjuhën normative. E gjithë kjo duhej të bëhej brenda vitit 1974, ashtu që jubilee i 30 vjetorit të çlirimit të Shqipërisë, që diktatura përgatitej ta festonte me madhështi, ta gjente Shqipërinë me gjuhë normative. I gjithë populli shqiptar po punon që të vijë me ballin lart dhe duart plot në këtë jubilee, thoshte propaganda komuniste, dhe kështu duhet të bënin edhe gjuhëtarët. Ata duhet të vinin në jubilee me gjuhën standard.
Enver Hoxha kishte megjithatë një sens mase për të kuptuar se kur bëhej krejt qesharak para botës. Ai e dinte se intelektualët antikomunistë të emigracionit politik do të qenë shumë të ndjeshëm ndaj çështjes së normativizimit të gjuhës shqipe. Të njëjtën vëmendje do të kishin edhe albanologët perëndimorë. Enver Hoxha u mor personalisht me përzgjedhjen e listës së emrave e delegatëve të Kongresit të Drejtshkrimit, të cilët do të nënshkruanin Rezolutën e Kongresit. Pasi vuri e hoqi shumë emra në atë pjesë të listës ku i përzgjodhi vetë femrat, ua la ndihmësve të tij pjesën tjetër, duke u përcaktuar vetëm kriteret e përzgjedhjes. Por kur Enver Hoxha pa paraprakisht listën përfundimtare të delegatëve të Kongresit që ishin përzgjedhur për të nënshkruar Rezolutën e Kongresit, ai u bind përfundimisht se ishte qesharake dhe absurd që të bëhej një kongres ku të merrej vendimi për shqipen standarde apo normative, me këta njerëz. Enver Hoxha pa se nga 87 delegatët e Kongresit të Drejtshkrimit që do të nënshkruanin Rezolutën e Kongresit, 72 prej tyre nuk kishin asnjë gradë shkencore. Enver Hoxha pa se nga 15 nënshkruesit me grada shkencore, pesë prej tyre nuk i kishin ato në gjuhësi. Nga pesë gjuhëtarët me titull “profesor”, njëri kishte diplomuar për rusisht. Ndër delegatët me tituj shkencorë, kishte pesë docentë dhe shtatë bashkëpunëtorë të vjetër shkencorë. Ndër bashkëpunëtorët e vjetër shkencorë, njëri Osman Myderrizi, nuk kishte as diplomë të shkollës së mesme. Enver Hoxha u prek në një nerv shumë të ndjeshëm të tij. Ai kishte frikë se do ta tallnin se ai udhëheqësi pa diplomë universitare kishte bërë një kongres shkencor të “gjuhëtarëve” pa grada dhe tituj shkencorë në gjuhësi. Gjëja tjetër që nuk mund të mos i binte në sy Enver Hoxhës ishte pjesa më e madhe e delegatëve qenë shkolluar në Bashkimin Sovjetik dhe gjuha e huaj e vetme që njihnin mirë ishte rusishtja. Në fakt, për shkak të pranisë së delegatëve nga trojet shqiptare në Jugosllavi, të shkolluar në Beograd dhe në shkolla ku gjuha e parë pas shqipes ishte serbokroatishtja, mund të thuhet se 80% e delegatëve nuk zotëronin mirë asnjë gjuhë të huaj përveç këtyre dy gjuhëve sllave. Edhe këtu Enver Hoxha ishte i prekur në një nerv të ndjeshëm të tij. Do ta akuzonin se ai kishte bërë kongresin e njerëzve me kulturë dhe formim sllav, për të standardizuar shqipen.
Enver Hoxha e dinte se askush nuk do të besonte se një ndërmarrje kaq e vështirë shkencore siç ishte standardi gjuhësor mund të zgjidhej nga këta njerëz me dije të mangëta në një kongres që do të zgjaste vetëm disa ditë. Prandaj Enver Hoxha e uli pretendimin për kongresin dhe arritjen që duhet të kishte ai. Enver Hoxha iu hoqi vizë të dy versioneve të emërtimit të kongresit si kongresi i shqipes standard apo i normës gjuhësore shqipe dhe në vend të tyre shkroi emërtimin modest: Kongresi i Drejtshkrimit. Enver Hoxha gjithashtu iu hoqi vizë edhe fjalëve “gjuhë normative”, apo “standardi gjuhësor”, dhe në vend të tyre shkroi termin modest në “gjuhë e njësuar letrare”, që ishte një term modest. Kështu që në vend të Kongresit të Gjuhës Standarde Shqipe apo Kongresi të Normës Gjuhësore Shqipe, siç duhet të bëhej nëse do të pretendohej që ai të kishte si synim standardin apo normën gjuhësore, u mbajt thjesht Kongresi i Drejtshkrimit.
Njëjtë do të vepronte Enver Hoxha edhe me nismën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për të bërë Enciklopedinë e Shqipërisë. Kur u krijua Akademia e Shkencave në 1972, Enver Hoxha i tha kryetarit të saj Aleks Buda se detyra e parë e Akademisë ishte që të bënte Enciklopedinë e Shqipërisë dhe e pyeti se ç’mendonte për këtë projekt, sa vëllime duhet të kishte dhe për sa kohë mund ta përfundonte. Çifuti i shkathët Aleks Buda, duke e ditur parapëlqimin e Enver Hoxhës që projektet e mëdha të përfundonin në data jubilare, pas disa javësh i ktheu përgjigje se nëse Akademia e Shkencave mobilizonte të gjitha forcat intelektuale në vend (frazeologjia e kohës), Enciklopedia me tridhjetë vëllime mund të përfundonte në 40-vjetorin e çlirimit të Shqipërisë, pra në vitin 1984, domethënë 12 vite më vonë. Enver Hoxha e miratoi nismën, por me kalimin e kohës u pa se nuk mund të bëhej një enciklopedi serioze nga fillimi brenda një kohe kaq të shkurtër. Kështu që u bë vetëm një Fjalor Enciklopedik Shqiptar, që u botua në 1985. Ashtu siç u kërkua që të bëhet Enciklopedia Shqiptare dhe u arrit të bëhet vetëm Fjalori Enciklopedik, ashtu u kërkua të bëhet norma apo standardi gjuhësor dhe u arrit të bëhet vetëm gjuha letrare e njësuar.
Sot Kongresi i Drejtshkrimit kërkohen të na paraqiten si Kongresi i Standardit të Shqipes apo i Normës Gjuhësore Shqipe, dhe produkti i tij që është gjuha letrare e njësuar, kërkohet të na paraqitet si shqipja standarde apo norma gjuhësore shqipe. Problemi gjuhësor sot me shqiptarët në dy anët e kufirit është jo mosrespektimi i standardit gjuhësor, por mungesa e tij. Ajo që njihet si gjuha letrare shqipe nuk është një standard dhe nuk është nevoja që të jesh gjuhëtar për ta kuptuar këtë. Nuk është e vështirë për ta vërtetuar këtë gjë.
Sipas gjuhës së njësuar letrare të miratuar nga Kongresi i vitit 1972, duhej shkruar dhe thënë “Evropë”, “Evropian”, ndonëse gjuha shqipe e ka grupin e zanoreve “eu”, dhe shqiptarët mund të thoshin lehtë “Europë”. Argumenti që u soll ishte se kështu ishtë thënë dhe nga rilindasit. Por, siç do të tregoj më tutje, fjalët “Evropë” dhe “Evropian” i kishte futur një linjë që donte t’i impononte Rilindjes Shqiptare indeksimin e gjuhës shqipe pas serbishtes dhe greqishtes. Grupin e zanoreve të përmendur më lart nuk e kanë pikërisht gjuhët fqinje sllave dhe greqishtja. Por as këtu Kongresi i vitit 1972, nuk vendosi një standard. Se ndonëse duhet të shkruhej dhe thuhej “Evropë” dhe “Evropian”, sipas gjuhës letrare të njësuar duhet të shkruhej dhe thuhej “Uashington” dhe jo “Vashington”.
Indeksimi i shqipes te greqishtja dhe serbishtja u bë një gjë krejt e qartë kur doli monedha e përbashkët europiane “euro”, e cila në Shqipëri sipas logjikës së gjuhës letrare duhet të quhej “evro”, siç quhej në greqisht dhe në serbisht. Atëherë si pa bujë u tha se mund të bëhej një korrigjim në rastin e fjalës “Europë”, e për rrjedhim edhe “euro”. Por ky ndryshim do të bëjë që të shembet si kështjellë prej letre e gjithë ngrehina e gjuhës standarde të vitit 1972. Se natyrshëm kur të hapet kjo çështje do të thuhet se përse kur shqipja është një gjuhë që shkruhet me alfabet latin, krijuesit e gjuhës standarde përcaktuan se duhet shkruar “Evropë”, siç shkruhet në gjuhët cirilike dhe në greqisht dhe jo “Europë”, siç shkruhet në gjuhët me alfabet latin. Këtu duket qartë se ka pasur një prirje për të bërë njëfarë orientimi të shqipes kah gjuhët sllavo-cirilike dhe gjuhës greke. Dhe pastaj do të pyetet se sa anomali të tilla ka në gjuhën e njësuar të vitit 1972. Dhe ato nuk janë pak.

Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe
Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe

Kështu, sipas gjuhës së njësuar letrare thuhet “mësues”, “bashkëpunues”, “zbulues”, kur sipas gjuhës letrare duhej të thuhej: “mësuars”, “bashkëpunuars”, “zbuluars”, se paskajorja e gjuhës letrare është në këto raste: “për të mësuar”, “për të bashkëpunuar”, “për të zbuluar”. Në origjinë të fjalë të mësipërme të gjuhës letrare është paskajorja gege “me mësue”, me “bashkëpunue”, “me zbulue”. E ashtuquajtura gjuha e njësuar letrare nuk vendosi dot as një normë për huazimet në gjuhën shqipe. Prof. Dr. Jani Thomai, një nga nënshkruesit e “Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit”, në një libër të botuar në vitin 2000, me titull “Leksiku dialektor e krahinor në shqipen e sotme”, shkruan për huazimet nga sllavishtja në shqip: “Të gjuhës letrare janë bërë tashmë: i begatë, bisedë, bujar, çast, çetë, çudi, dobi, duf, fal, fllad, gozhdë, gërmadhë, godinë, godit, gostit, grabit, grazhd, grusht, gjobë, gjobit, kastravec, kos, kosit, krahinë, lag, lis, lopatë, mërzit, nevojë, oborr, orendi, orvatem, plaçkë, porosi, prag, pushkë, qepallë, rend, rob, stan, strehë, shetit, trup, vazhdë, venitem, vërtit, i vobeg, zakon etj. A. Desnickaja përfshin këtu edhe fjalë ‘të ardhura prej tyre, të formuara tashmë në truallin e shqipes’: bisedoj, bisedim, bujari, bujarisht, i çuditshëm, i dobishëm, falem, të falat, falenderoj, gozhdoj, grabitje, grabitës, krahinor, lagështirë, i lagur, lakmonjës, mërzitje, i mërzitshëm, i nevojshëm, nevojitet, porositje, pushkatoj, robëri, robëroj, sundimtar, sundonjës, strehoj, trupor, trupëroj, vazhdim, vazhdoj, vazhdimisht, vobegësi, zakonisht, i zakonshëm, të cilat kurrësesi nuk mund të përfshihen në shtresën e huazimeve slave”. (Jani Thomai, “Leksiku dialektor e krahinor në shqipen e sotme”, Botim i Akademisë së Shkencave, Tiranë 2000, f. 38-39)
Por a nuk do ishte më e arsyeshme që të zëvendësoheshin të gjitha këto fjalë sllave me fjalë prej gjuhëve perëndimore, dhe në rradhë të parë anglishtes, që është shumë e përhapur ndër shqiptarët? Nëse huazimet e huaja në gjuhës letrare të njësuar do të jenë nga anglishtja dhe jo nga gjuhë të ndryshme, sllavisht, frëngjisht, siç është sot, atëherë diaspora e madhe shqiptare do ta ketë shumë të thjeshtë dhe të lehtë ta mësojë gjuhën shqipe. Ato që ka thënë nënshkruesi i mësipërm i Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit tregojnë qartë se mbi çfarë fryme u ngrit gjuha letrare e njësuar e vitit 1972, këtë e zbulojnë sot firmëtarët e rezolutës së vitit 1972. Ata arritën atëherë deri atje sa t’i quajnë huazimet kah gjuhët sllavo-cirilike dhe fjalët e prejardhura prej tyre, sipas rregullave të gjuhës letrare të njësuar, si pjese integrale e gjuhes shqipe, dhe kjo u pasqyrua dhe në dy fjalorët e gjuhës shqipe të botuar në periudhën komuniste dhe pas saj. Jani Thomai më lart shkruan në të njëjtën mënyrë siç bënin gjuhëtarët në republikat josllave të Bashkimit Sovjetik dikur, të cilët bëheshin avokatë të sllavizimit të gjuhëve të kombeve të tyre joruse.
Anomalia skandaloze e përmendur më lart me fjalën “evro”, që doli si bijë bastarde serbe dhe greke e gjuhës letrare të njësuar, në fakt tregoi se vetë Kongresi i Drejtshkrimit ishte trashëgimtar i një linje diversive proserbe dhe progreke të Rilindjes Nacionale Shqiptare, që e ka origjinën që në vitin 1879, kur në Stamboll u mblodh një grup rilindasish shqiptarë, për të vendosur për një alfabet unik me të cilin do të shkruhej gjuha shqipe, idea dominuese ishte që alfabeti të ishte latin. Por befas dolën disa pjesëmarrës në mbledhje dhe propozuan që përveç karaktereve (gërmave) latine, alfabeti shqiptar të kishte edhe karaktere greke dhe sllave. Argumenti i mbështetësve të alfabetit mikst ishte se shumë shqiptarë, të cilët dinin që të lexonin dhe shkruanin në gjuhët e vendeve fqinje, serbisht dhe greqisht. Por ky argument ishte jologjik, sepse ata shqiptarë të cilët qenë në gjendje të lexonin karakteret sllave dhe greke dhe t’i shkruanin ato, nuk do ta kishin të vështirë që të mësonin diçka më tepër karaktere latine. Qartësisht, halli i mbështetësve të alfabetit mikst ishte që fusnin një element sllav dhe helen në gjuhën shqipe. Duke qenë alfabeti shqiptar mikst, nuk do të ishte e vështirë që të bëheshin huazime nga këto gjuhë në shqip, si dhe të adaptoheshin struktura të këtyre gjuhëve. Mbështetësit e alfabetit mikst qenë natyrisht njerëz të paguar të Serbisë dhe të Greqisë.
Shumë pak shqiptarë sot kanë dijeni mbi Alfabetaren (abetaren) e Stambollit, të botuar sipas Alfabetit të Stambollit. Alfabetin e Stambollit mund ta gjeni në çdo tekst të Historisë së Shqipërisë që përfshin këtë periudhë, ku janë paraqitur kopje të dokumenteve të Rilindjes Nacionale të botuar në këtë alfabet. Atje duket qartë se ky alfabet ka edhe karaktere (gërma) greke dhe sllave. Ky fakt krejt evident, është munduar të fshihet në shumë nga studimet e mëvonshme për alfabetin. Por në librin “Historia e Shqipërisë”, të vitit 1965, vëllimi II, konstatohet: “Si alfabet unik për gjuhën shqipe komisioni aprovoi alfabetin e hartuar nga Sami Frashëri. Ky alfabet mbështetej kryesisht në alfabetin latin, por, duke ndjekur parimin fonetik që për çdo tingull të përdorej vetëm një gërmë, për tingujt e veçantë të shqipes merrte disa gërma huaj nga alfabeti grek e sllav”. (“Historia e Shqipërisë”, Instituti i Historisë, Akademia e Shkencave e RPSH, Tiranë 1965, vol. 3, f. 152)
Në botimin e vitit 1984, përmenden vetëm gërmat greke, por jo ato sllave. Në mbledhjen e Stambollit të vitit 1879, u paraqitën katër variante të alfabetit, dhe atë ku gërmat që mungonin plotësoheshin me gërma të dyfishta latine, e propozoi Pashko Vasa, por nuk u pranua. Një alfabet i ndërtuar sipas idesë së Pashko Vasës u miratua në Kongresin e Manastirit të vitit 1908. Rilindasit më të rëndësishëm shqiptarë, të cilët qenë të pranishëm në mbledhjen e Stambollit të vitit 1879, nuk e pëlqenin alfabetin mikst, por donin atë thjesht latin (“Drita që lind andej nga perëndon” do të shkruante më pas Naim Frashëri). Por, për të mos shtuar një përçarje të re mes shqiptarëve ata e bënë këtë kompromis. Në atë kohë kishte një përçarje mes shqiptarëve për alfabetin, kishte shqiptarë të turqizuar, të cilët donin që gjuha shqipe të shkruhej me karaktere arabe, me të njëjtin argument si ai i mbështetësve të alfabetit mikst. Kështu që një tjetër përçarje midis shqiptarëve u gjykua e tepërt dhe u vendos për alfabetin mikst. Por më pas, fakti që Naim Frashëri dhe Sami Frashëri e kishin pranuar alfabetin e Stambollit, kërkonte të përdorej për ta legjitimuar këtë alfabet si të përjetshëm. Krejt ashtu si më vonë fakti që Eqrem Çabej, Pashko Gjeçi, Lasgush Poradeci kishin nënshkruar rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit, kërkohej të përdorej për ta kthyer në kult gjuhën letrare të krijuar nga ky kongres.
Tre dekada pas Mbledhjes së Stambollit, çështja e alfabetit u ngrit përsëri në Kongresin e Manastirit, në 1908. Këtë herë krahu pro alfabetit latin ishte më këmbëngulës. Ai i kishte edhe të gjitha argumentet në anën e tij, si ato teknike, ashtu dhe ato parimore. Alfabeti mikst krijonte probleme të mëdha në shtypjen e librave dhe gazetave, se procesi i shtypshkrimit për to ishte shumë më i ndërlikuar se në rastin e librave dhe gazetave të cilat shtypeshin në secilin prej alfabeteve që e përbënin atë. Gjithashtu, alfabeti mikst u krijonte të huajve përshtypjen se shqiptarët kishin një identitet të paqartë. Mbështetësit e alfabetit mikst kishin si argument kryesor atë se tashmë ky alfabet qe në përdorim prej tridhjetë vitesh dhe se njerëzit qenë mësuar me të. Qartësisht, ky ishte një argument alogjik, se shqiptarët të cilët qenë mësuar me alfabetin e vështirë mikst, do ta kishin shumë më të thjeshtë të mësoheshin me alfabetin e ri, ku karakteret sllave dhe greke, qenë zëvendësuar me latine.
Kongresi, i cili ishte duke dështuar për shkak se asnjëra nga palët nuk tërhiqej, u mbyll me një kompromis. Kompromisi ishte absurd në fakt. Vendimi i Kongresit të Manastirit është i dokumentuar, dhe është botuar në librin “Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare”, ku gjendet transkripti dhe vendimet e këtij kongresi, ku thuhet: “…me pëlqim të të gjithëve u vendos që të mirret Abeja e Stambollit e me të bashkë edhe një Abe fjesht latine që të mësohen e të përdoren bashkërisht në mest të shqyptarëvet. Mësimi ndër shkollë do të jetë i shtrënguar e i detyrueshëm për të dyja”. (“Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare: 1878-1912”, Akademia e Shkencave e RPSSH, Instituti i Historisë, Tiranë 1978, f. 190)
Më tutje paraqiten të dy alfabetet, ku i pari është ai i Stambollit, me karaktere shtesë greke dhe sllave, dhe i dyti është ai thjesht latin, i cili përmban edhe gërmat dyshe latine. Ky alfabeti i dytë është ai që e kemi në përdorim edhe sot. Nuk është e vështirë që të kuptohet se sa absurd ishte ky vendim dhe sa në dritë të keqe i nxirrte shqiptarët para të huajve. Shqiptarët, në vitin 1908, ende nuk qenë pajtuar për alfabetin në të cilin do të shkruhej gjuha e tyre! Por meqënëse edhe kjo betejë për alfabetin u zhvillua në kontekstin e luftës që bëhej kundër atyre që donin që gjuha shqipe të shkruhej me alfabet arab dhe të cilët kishin mbështetjen e autoriteteve osmane, krahu i alfabetit latin e pranoi kompromisin. Ata që i imponuan gjuhës shqipe alfabetin me gërma greke dhe me cirilica, morën mbi vete turpin e historisë dhe vepra e tyre u mbulua në varrezën e turpeve të historisë shqiptare.
Me krijimin e shtetit shqiptar, nuk shkoi shumë kohë dhe alfabeti mikst u braktis vetiu dhe në përdorim mbeti vetëm alfabeti latin. Me krijimin e shtetit shqiptar u kuptua shpejt se përdorimi i alfabetit mikst në dokumentet zyrtare dhe në shkolla vinte në diskutim identitetin e shtetit dhe atë të kombit shqiptar. Por gjuha shqipe ende ka atavizma të trashëguara nga kjo krizë që pësoi dikur, siç kam treguar më lart. Sipas alfabetit mikst, në shqip duhej shkruar “Evropë” dhe “Evropian”. Në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972, u vendos që të shkruhet “Evropë” dhe jo “Europë, si një homazh për alfabetin mikst!
Pasi mbështetësit e alfabetit mikst e humbën betejën për karakteret në të cilat do të shkruhej gjuha shqipe, ata e zhvenduan luftën në një fushëbetejë tjetër. Kongresi i Manastirit i vitit 1908, vendosi që brenda dy vitesh të tubohej në Elbasan një kongres, i cili të merrte vendim për gjuhën standarde shqipe. Ky kongres u mbajt në vitin 1909 dhe vendosi që e folmja e Elbasanit, si një pikë ku konvergonin dy dialektet, toskërishtja dhe gegërishtja, të bëhej baza për gjuhën standarde shqipe. Nisi kështu procesi i standardizimit, normativizimit të gjuhës shqipe. Për këtë qëllim u punua ngadalë deri në ardhjen e Enver Hoxhës në pushtet në 1944.
Enver Hoxha shtirej se i respektonte vendimet e Rilindjes Kombëtare. Propaganda komuniste e përdorte shumë sloganin e rilindasit Pashko Vasa “Feja e Shqyptarit asht Shqyptaria”, për shkak se regjimi komunist ishte antifetar. Por në rastin e gjuhës, regjimi komunist e shkeli vendimin e rilindasve mbi parimin sipas të cilit do të ndërtohej norma gjuhësore shqiptare, si miksturë e dy dialekteve kryesore. Kjo përmbysje nuk ishte një vendim i gjuhëtarëve të kohës së regjimit komunist. Ata u thirrën në skenë më pas thjesht për ta legjitimuar “shkencërisht” vendimin politik. Jo vetëm që vendimi për përmbysjen dhunshëm të procesit të standardizimit të gjuhës shqipe, të përcaktuar që në kohën e Rilindjes, ishte një vendim politik i regjimit komunist, por si për të poshtëruar rilindasit, për ta shprehur atë u zgjodh minoritari grek, Manol Konomi, Ministër i Drejtësisë dhe njëherësh kryetar i Institutit të Shkencave(?!). Në vitin 1947, Kryetari i Institutit të Shkencave, Manol Konomi, duke raportuar para Asamblesë Popullore (parlamentit komunist), foli edhe për çështjen e gjuhës standarde shqipe: “Duhet të jemi të qartë, gjuha letrare, gjuhë e përbashkët kombëtare, duhet të jetë ajo e masave të popullit që përfaqësojnë pjesën më progresive të vendit tonë. Rruga që çeli populli me luftën e tij duhet të jetë edhe rruga që duhet të ndjekë gjuha në zhvillimin e saj. Zhvillimi i gjuhës në një drejtim tjetër ose në drejtim të kundërt nuk është i mundshëm. Ky është kriteri i shëndoshë që duhet të kemi gjithnjë parasysh në punën tonë”. (Buletini i Institutit të Shkencave, Viti I, 1947, f. 18-19.)
Aluzioni nuk ishte e vështirë të kapej. Pjesa më progresive e popullsisë, ajo e lidhur me luftën (kështu quhej lëvizja komuniste gjatë Luftës së Dytë Botërore) quhej ajo e Toskërisë. Prandaj dhe gjuha standarde duhet të ndryshonte duke u bërë bazë e saj dialekti tosk. Që këtë gjë po e shpallte minoritari grek Manol Konomi, kjo mund të shihet si një homazh që po i bënte Enver Hoxha krahut të alfabetit mikst. Me deklaratën e Konomit krahu i alfabetit mikst merrte revanshin dhe asgjësonte paskajoren nga gjuha shqipe, duke u hakmarrë për eliminimin e cirilicave dhe gërmave greke nga alfabeti shqiptar. Regjimi komunist vepronte me ato që quheshin “direktiva” dhe që ishin udhëzime të pashpallura zyrtarisht. Pikërisht sipas një direktive të tillë të Enver Hoxhës vepronte Manol Konomi. Ndryshe si mund të guxonte të shprehej kështu për gjuhën shqipe minoritari grek, Manol Konomi, i cili ironikisht ishte edhe jurist dhe ministër i Drejtësisë dhe e dinte se po shkelte Kushtetutën në fuqi, për barazinë e shtetasve të Republikës Popullore të Shqipërisë, barazi e cila duhet të ekzistonte edhe në fushën gjuhësore? Kështu, pas ardhjes së komunistëve në pushtet, nisi të shkelej ky vendim jozyrtarisht. Si mund të guxonte ndryshe kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, Dhimitër Shuteriqi, që të shprehej në 1952, në Buletinin për Shkencat Shoqërore, që ishte organ i Institutit të Shkencave: “Krijimi i gjuhës sonë nacionale letrare në kushtet tona nuk mund të bëhet në baza spontane, por në mënyrë koshiente, nën udhëheqjen e Partisë së Punës dhe qeverisë sonë. Prandaj duhet ndjekur procesi i zhvillimit të të folmes toske, të cilën vetë zhvillimi historik e vuri mbi bazën e gjuhës sonë të vetme letrare dhe duhet pasuruar ajo me format e gegërishtes, që janë të domosdoshme për gjuhën letrare nacionale. Paslufta e bëri toskërishten gjuhë zyrtare, gjuhë të arsimit, të shkencës, të shtypit e propagandës, të pjesë më të madhe të letërsisë shqipe. (“Buletini për Shkencat Shoqërore”, nr. I, Tirane 1952, f. 74)
Siç shihet, në fillim regjimi komunist kishte pretendime modeste nga pikëpamja shkencore gjuhësore, duke qenë fliste vetëm për një gjuhë letrare të njësuar, dhe jo për një gjuhë normative apo për një gjuhë standarde, që janë shkalla më e lartë e përpunimit të gjuhës së një vendi. Më pas gjërat do të ndryshonin shumë.
Përmbysja që ishte duke bërë regjimi komunist në gjuhë, ishte në fakt zbatimi i stalinizmit në gjuhësi, sipas modelit të përdorur në republikat sovjetike me popullsi islamike. Në këto republika, kur ishte bërë norma gjuhësore e kombit përkatës ishte përzgjedhur zakonisht një dialekt skajor, i folur nga një pjesë e vogël e kombit, përzgjidhej rëndom e folmja e asaj pjesë e popullsisë vendase, e cila kishte pasur më shumë njerëz të lidhur me bolshevikët. Kjo bëhej para së gjithash në mënyrë që pjesa më e madhe e vendasve të kishin vështirësi për të folur gjuhën e tyre dhe të përfitonte rusishtja… Vetë norma gjuhësore e këtyre republikave pastaj mbushej me sllavizma, siç ndodhi edhe në Shqipëri me gjuhën letrare të njësuar, gjë që e kam treguar më lart. Në këto republika sovjetike islamike, zyrtarët rusë, i kritikonin vendasit kur nuk flisnin në dialektin e ngritur në normë gjuhësore, duke u thënë “folë në mënyrë korrekte”. Me këtë rusët kinse bënin se po i nxisnin vendasit të mësonin më mirë gjuhën e tyre, kur në fakt ishte e kundërta.
Në këtë mënyrë shpreheshin edhe specialistët rusë që erdhën në Shqipëri në të gjitha fushat, në ekonomi, kulturë, Ushtri, Polici, Sigurimin e Shtetit. Ata u përzgjodhën prej atyre që kishin punuar në republikat islamike sovjetike, të cilat shiheshin nga Moska si më të afërta me Shqipërinë. Këta njerëz pasi mësuan pak shqip dhe mësuan të dallojnë dialektet nisën t’u thonë shqiptarëve gegë, të cilët i dëgjonin duke folur, se duhet të flisnin në gjuhën normale, domethënë në toskërisht.
Veçanërisht me arrogancë shpreheshin oficerët rusë të KGB, të cilët erdhën në Shqipëri për të ndihmuar Sigurimin e Shtetit në shtypjen me dhunë të kundërshtimit ndaj vendosjes së diktaturës komuniste në Shqipërinë e Veriut, ku kundërshtimi ishte më i fortë. Pothuajse të gjithë oficerët e KGB-së që erdhën në Shqipëri kishin qenë në Çeçeni, ku ishin dërguar me një operacion të ngjashëm. Në Çeçeni gjatë Luftës së dytë Botërore kishte pasur një rebelim masiv kundër sundimit rus dhe për këtë shkak KGB, në vitin 1943, fill pas Betejës së Stalingradit bëri një operacion masiv spastrimi në Çeçeni, duke deportuar me dhunë popullsinë vendase. Pikërisht nga oficerët e KGB, të cilët morën pjesë në këtë operacion, qenë ata të cilët erdhën në Shqipëri, si këshilltarë të Sigurimit të Shtetit dhe të brigadave të ndjekjes, për të asistuar diktaturën komuniste shqiptare, në shtypjen dhe kontrollimin e Shqipërisë së Veriut. Këta oficerë rusë të KGB sollën në Shqipëri fjalën “çeçen”, si emërtim fyes për shqiptarët e Shqipërisë së Veriut. Fjala “çeçen” u ripërdor në fjalorin politik në Shqipëri, në vitet nëntëdhjetë, si etiketim fyes për shqiptarët e Shqipërisë së Veriut. Oficerët rusë të KGB, të cilët erdhën në Shqipëri dikur, e quanin gegnishten, me përçmim, “çeçenisht”.
Synimi i KGB ishte që konflikti ideologjik të shndërrohej në konflikt identiteti gjeokulturor brendashqiptar. Ashtu siç oficerët e KGB dhe zyrtarët rusë, u thoshin çeçenëve në Bashkimin Sovjetik, se “Duhet të mësoni të flisni rusisht”, filloi që t’u thuhet edhe shqiptarëve të Shqipërisë së Veriut, se duhet të mësonin që të flisnin shqip. Me këtë kërkohej që të thuhej se gjuha e tyre, gegnishtja, nuk ishte shqip. Përderisa regjimi komunist ishte i identifikuar me toskët dhe me toskërishten, atëherë gjuha shqipe, ideologjikisht korrekte, duhet të ishte toskërishtja. Me këtë regjimi komunist rihapi një çështje të mbyllur që në kohën e Rilindjes Nacionale.

Kongresi i Drejtshkrimit - Tiranë 20-25 Nëntor-1972
Kongresi i Drejtshkrimit – Tiranë 20-25 Nëntor-1972

Pikërisht këtë praktikë e veshi me me një petk “shkencor” Kongresi i vitit 1972, që e ndryshoi vendimin e Kongresit të Elbasanit të vitit 1909 vendosi që gjuha letrare e njësuar shqipe të ishte dialekti tosk. Në pikëpamje afatgjatë, kongresi i vitit 1972, nuk bëri gjë tjetër veçse u bë premisë për rihapjen e një debati tashmë të mbyllur shqiptar, atij për gjuhën standarde.
Diktatura komuniste në Shqipëri e mbajti kongresin e vitit 1972, se donte që të legjitimonte faktin e kryer që kishte bërë fill pas ardhjes në fuqi, duke dhunuar vendimin e një forumi të Rilindjes, çka ishte Kongresit të Elbasanit, për gjuhën standarde shqipe.
Aspekti më i keq i Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972 është se në të dominoi fryma, të cilën e kemi ende si trashëgim, e atij krahu të hershëm të Rilindjes, i cili mund të quhet si Anti-Rilindje, që ishte për alfabetin mikst me karaktere sllave e greke, përveç atyre latine. Këtë e zbulon sot ndonjëri prej nënshkruesve të Rezolutës së Kongresit të vitit 1972, siç është rasti me prof. dr. Shaban Demiraj, emri i të cilit ishte i pari në listën prej dyzet intelektualësh të cilët në dhjetor 2010, nënshkruan një apel drejtuar opinionit shqiptar ku kundërshtonin konferencën që mbajti Qendra Albanologjike, dhe ku ndër të tjera do të diskutohej për rishikimin e gjuhës standarde të përcaktuar në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972. Në konferencën e mbajtur në vitin 2002, në Tiranë, me rastin e 30 vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, “Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot”, prof. Shaban Demiraj, nga Vlora, e kundërshtoi kështu tezën se në gjuhën standarde shqipe duhet futur paskajorja e gegërishtes: “I vetmi ndryshim i rëndësishëm midis dy dialekteve tona në rrafshin gramatikor është mungesa e paskajores perifraztike të tipit ‘me punue’ në dialektin jugor. Por a ka përbërë kjo mungesë një pengesë në funksionimin e rregullt të shqipes standarde? Siç dihet, në gjuhën shqipe, ashtu si në gjuhët e tjera ballkanike, është zhvilluar prej kohësh prirja për përdorimin e rregullt të formave të mënyrës lidhore edhe në ato funksione që janë karakteristike për paskajoren”. (“Shaban Demiraj: Rreth disa çështjeve thelbësore të shqipes standarde”; cituar sipas librit me përmbledhje kumtesash: (“Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot”, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, Shtëpia Botuese “Shkenca”, Tiranë 2003, f. 34.)
Ky është një argument sa i çuditshëm, aq edhe domethënës. Shaban Demiraj është një shkencëtar dhe jo një sharlatan. Ai e kupton mirë se është një gafë kolosale që kur diskutohet për krijimin e gjuhës standarde shqipe ku do të konvergojnë dy dialekte, toskërishtja dhe gegërishtja, në rastin e paskajores, të merren parasysh gjuhët ballkanase të vendeve sllavo-ortodokse, pra serbishtja, bullgarishtja, greqishtja, dhe të abandonohet gegërishtja. Sipas Demirajt, i cili vetëm sa zbulon frymën e Kongresit të vitit 1972, fakti që toskërishtja e ka të ngjashme me gjuhët sllave dhe greqishten mungesën e paskajores, atëherë kjo është një arsye e mjaftueshme që mos të pranohet paskajorja. Pra, për gjuhën letrare të njësuar gegërishtja quhet më e largët se serbishtja dhe greqishtja!!! Ç’kuptim tjetër ka kjo përveç që shqiptarët gegë quhen më të largët se serbët dhe grekët?! Pra, thuhet qartë se orientimi i shqipes duhet të jetë kah gjuhët ballkanase sllavo-greke. Këtij Demirajt dhe të tjerëve si ai as nuk u shkon ndër mend as sot, se gjuha shqipe nuk duhet orientuar tek gjuhët ballkanike sllavo-ciriliko-greke, por te gjuhët perëndimore dhe posaçërisht tek anglishtja.
Nëse gjuhët perëndimore, dhe posaçërisht anglishtja, e cila është lingua franca bashkëkohore, e kanë paskajoren, madje e kanë boshtin rreth të cilit ndërtohet gjuha, atëherë përse të mos e ketë edhe shqipja, kur një dialekt i saj e ka paskajoren? Por t’u japësh argumente shkencore mbrojtësve të gjuhës letrare të njësuar vitit 1972, është njëlloj sikur t’u jepje argumente të arsyeshme dhe shkencore mbrojtësve të alfabetit mikst dikur. Sot lufta kundër paskajores gege është bërë bërë ekuivalenti i kauzës së alfabetit mikst. Meqenëse gjuhët sllave dhe greke nuk e kanë paskajoren, atëherë mungesa e saj në gjuhën shqipe shihet si kompensimi për humbjen e alfabetit mikst.
Nuk është e vështirë që të kuptohet se tek gjuha letrare e njësuar mungesa e paskajores shkakton shumë probleme. Duke mos pasur toskërishtja një paskajore, tek kjo gjuhe janë kultivuar struktura foljore absurde. Në ndërtimin e strukturave foljore të toskërishtes nuk është marrë si bazë paskajorja munguese, çka bën që zgjedhimi i foljes mos të ndjekë një logjikë gjuhësore. Kështu, me gjuhën letrare, kemi njësinë gramatikore, që quhet “folje”, kur në fakt duhet të themi “flasje”, se veta e parë, numri njëjës bën “Unë flas”. Paskajorja e kësaj folje sipas gjuhës letrare është “për të folur”. Veta e parë njëjës bën “Unë flas”, veta e dytë bën “Ti flet” (Ju flisni), veta e tretë bën “Ai flet”, ndërsa veta e parë shumës bën “Ne flasim” etj. Ndërsa në gegërishten e pastër, veta e parë njëjës bën “Une fol”, veta e dyte bën “Ti fol” (Ju folni), veta e trete bën “Ai fol”, ndërsa veta e parë shumës bën “Ne folim” etj. Pra, duket qartë se ekzistenca e paskajores tek gegërishtja ka mundësuar një zgjedhim të foljes me një logjikë të brendshme. A nuk është e qartë se ndonëse në të ashtuquajturën gjuhë e njësuar letrare është fjala “folje”, kur duhet të ishte fjala “flasje”, sipas (a)logjikës të gjuhës letrare të vitit 1972.
Në 1972, në Kongresin e Drejtshkrimit, kur u miratua gjuha letrare e njësuar, që është sot në fuqi, u procedua në pajtim me rregullat “shkencore” staliniane, duke mos pasur kurrfarë debati rreth projektit që u paraqit, i hartuar sipas urdhërave të regjimit, projekt i cili u votua. Por është absurde se dhe sot vazhdon të mbretërojë kjo dogmë gjuhësore, duke u futur gjuha shqipe në sarkofagun e shkencës komuniste, që parapëlqente ta orientonte shqipen nga gjuhët sllavo-cirilike dhe greke.
Të dyzet nënshkruesit e apelit të dhjetorit 2010, duke i renditur emrat pas Shaban Demirajt treguan se janë vazhduesit e krahut Anti-Rilindje që mbronte alfabetin mikst. Ata janë antirilindasit. Jo rastësisht ndër të dyzetët është Gaqo Bushaka, shefi i botimeve pranë uzurpatorit grek të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Ata janë trashëgimtarët e kauzës së cirilicave në alfabetin shqip. Ata nuk e kanë për turp të bëjnë mashtrime nga më të trashat, si atëherë kur thonë: “flitet shpesh për ndalimin e gegërishtes si një akt politik nga regjimi komunist. Kjo nuk përputhet me faktet. Partia komuniste dhe regjimi komunist interesoheshin në radhë të parë për përhapjen e ideologjisë së tyre me çdo mjet të mundshëm. Ata nuk shqetësoheshin fort nëse krijoheshin vepra letrare a këngë në këtë ose atë dialekt: mjaftonte që ato t’i thurrnin lavde partisë dhe udhëheqësit të saj, t’i bënin jehonë asaj çka thoshte partia. Prandaj janë të shumta veprat letrare dhe krijimet edhe në dialektin e Veriut. Ndërprerja e botimeve gegërishte te ne ndodhi pas Konsultës Gjuhësore që organizoi në prill të vitit 1968, Instituti Albanologjik i Prishtinës. Në këtë konsultë u vendos njëzëri që në Kosovë, në Maqedoni, në Malin e Zi e në vise të tjera shqiptare në Jugosllavi, të përdorej gjuha letrare e Shqipërisë dhe drejtshkrimi i saj, sipas parimit ‘Një komb – një gjuhë letrare kombëtare’. Pas kësaj edhe në Shqipëri, pa ndonjë vendim administrative, praktika e mëparshme e krijimit dhe botimit të letërsisë artistike dhe shkencore në gegërishte u vetëndërpre si një akt solidarizimi vullnetar me Konsultën e Prishtinës. Përdorimi i një forme të njësuar të gjuhës dhe zbatimi sa më i përpiktë i normës letrare u ndien si detyrim qytetar i përgjithshëm. Në kushtet kur veprimtaria botuese ishte vetëm në duart e shtetit, kjo u absolutizua dhe iu mohua krijuesve e drejta e natyrshme për të zgjedhur vetë formën gjuhësore të shprehjes”. (Gazeta “Shekulli”, 15 dhjetor 2010, f. 19)
Kështu shprehen apeluesit-antirilindas të dhjetorit 2010. Këtu qëllimisht përzihen dy gjëra të ndryshme, që janë vendimi për gjuhën letrare, e cila më pas do të përdoret nga administrata dhe shkollat, si dhe lëvrimi i letërsisë apo këngëve në dialektin, apo më saktë në nëndialektet e ndryshme gege. Kur Konsulta gjuhësore e Prishtinës, e vitit 1968 mori vendimin që përmendet më lart, kjo nuk do të thoshte se ajo njohu toskërishten si gjuhë letrare, se ende nuk ishte marrë vendimi në Shqipëri për gjuhën letrare. Në vitin 1968, ashtu siç ishte në fuqi vendimi i Kongresit të Manastirit të vitit 1908 për alfabetin latin, ashtu ishte në fuqi edhe vendimi i Kongresit të Elbasanit të vitit 1909 për gjuhën standarde mikste toskërisht-gegërisht, mbi bazën e së folmes konverguese të Elbasanit. Prandaj Konsulta e Prishtinës e vitit 1968, nuk mund të sillet si argument për të mbrojtur atë që u bë në Tiranë në 1972. Ajo që u bë në Tiranë në 1972, ishte dhunim i vendimit të një forumi të Rilindjes Kombëtare, çka kishte qenë Kongresi i Elbasanit i vitit 1909. Delegatët nga trojet shqiptare në Jugosllavi, të cilët qenë në Kongresin e vitit 1972 në Tiranë, u vunë para faktit të kryer. Fakti është që asnjëri prej tyre nuk ka shprehur asnjë opinion shkencor mbi mënyrën se si po bëheshin gjërat në kongres.
Sa për atë që thonë dyzet nënshkruesit e apelit të dhjetorit, se në Shqipëri u hoq dorë nga lëvrimi i gegërishtes në art, si një gjest solidarizimi me konsultën e Prishtinës të vitit 1968, kjo është si ajo që thoshte Enver Hoxha se tufëzimi i bagëtive ishte veprim vullnetar i fshatarëve. Shkrimtarët dhe poetët shqiptarë vendosën të mos shkruajnë më në gegërisht, ashtu siç vendosën më pas fshatarët që të mos mbajnë më lopë dhe pula, kur Enver Hoxha vendosi të bëjë tufëzimin! Dyzet nënshkruesit e Apelit të dhjetorit 1990, mund të quhen si Çeta e fundit e cirilicave në gjuhësinë shqipe. Ata e kanë ndarë mendjen që të vdesin sharlatanë, dhe disa prej tyre tashmë e kanë bërë këtë gjë.
Sot ka një përpjekje djallëzore që të konsiderohet Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972, si Kongresi i Shqipes standarde apo i shqipes normative. Në të vërtetë pretendimi i tij ishte shumë më modest, ai ishte thjesht Kongresi i Drejtshkrimit, çka do të thotë se pretendonte që të ishte vetëm inicues i standardit. Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972 ishte një përpjekje për standardizimin e gjuhës shqipe, dhe me gjithë arritjen e pretenduar të tij, mbetet një përpjekje modeste, për nga vetë emërtimi i tij si kongres, si dhe për nga vetë emërtimi i produktit të tij: gjuha letrare e njësuar. Është koha që të mendohet për kongresin që do të kurorëzojë procesin e nisur nga Rilindja Kombëtare për krijimin e normës gjuhësore shqipe, apo të shqipes standarde. Ky duhet të jetë një kongres me pjesëmarrjen e shkencëtarëve dhe studiuesve shqiptarë nga e gjithë bota, të albanologëve të huaj, dhe që duhet të përdorë edhe arritjet më të fundit teknologjike që përdoren sot në shkencën gjuhësore moderne.

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.