back to top
12.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Pse refuzohet Trebeshina? – nga Behar Gjoka

Gazeta

Kasem Trebeshina në studion e tij... qershor 2016
Kasem Trebeshina në studion e tij… qershor 2016

Pse refuzohet Trebeshina?

nga Behar Gjoka

Në mjediset letrare dhe joletrare, në mënyrë të veçantë të Shqipërisë, dje dhe sot, mjafton që të përmendësh emrin e Kasëm Trebeshinës, për t’u përballur rrufeshëm me reagime të skajshme, mohuese dhe denigruese. Megjithëse e shoqëruar me një drojë të habitshme, kur ia përmend emrin ndokush, e përgëzojnë për guximin e treguar. Sa ironike, që vetëm sa të përmendësh emrin e një shkrimtari, i cili ka shkruar në gjuhën shqipe, u dashka trimëri dhe kurajë! Më tepër se sa ironike, është qëndrim absurd ndaj letërsisë. Mbizotërues në të gjithë parametrat, në mjediset e dijes dhe të padijes, është refuzimi ndaj autorit dhe veprës letrare. Për shumë kohë, në librari të ndryshme, madje edhe tani, librat e Trebeshinës nuk pranohen, për më tepër, fshihen nën banak, si të ishin të ndaluara ose që bartin rrezik.
E nisa praninë e logjikës së refuzimit jo rastësisht nga libraria, që dëshmon neutralitetin, sepse librat e Trebeshinës, apo të çdo shkrimtari tjetër, kanë një vlerë monetare të shënuar mbi kopertinë dhe e sjellin aty, kryesisht për ta tregtuar. Fara e hidhur e mallkimit, refuzimi total ndaj veprës letrare të Trebeshinës, ka prekur fundin, aq sa refuzohet të tregtohet në librari. Refuzimi i tij, si autor dhe vepër, edhe në këtë 90- vjetor të lindjes së autorit, i cili më tepër i përkon legjendës, jo pa shqetësim konstatojmë se ka dy pamje: A – Refuzim total, aq sa të mos i përmendej dhe emri, si dhe heqja e së drejtës së botimit, burgosja dhe internimi, në vitet e diktaturës. Refuzimi shkatërrues i djeshëm çoi në situatën që shkrimtari dhe vepra letrare, me të tria gjinitë dhe kaq shumë lloje e nënlloje shkrimore, nuk u bë pjesë e klimës letrare të kohës shkrimore. Prej rrethanës së ndalimit të emrit dhe veprës letrare, duam apo nuk duam, është nga të paktit që përmbush kriteret e kundërshtarit të sistemit, prej nga buron edhe përmbushja e tiparit të shkrimtarit disident, gjë që në fakt, nuk është se ndikoi për të ndryshuar statusin e marrëdhënies së autorit, të veprës së gjerë letrare, me lexuesin dhe studimet letrare. Aq më tepër që vetë shkrimtari e braktisi edhe këtë atribut, pra të qenit nga të paktit, në mos të vetmit shkrimtar disident të letërsisë shqipe. B – Pranim formal dhe refuzim real në vitet e demokracisë. Pavarësisht botimit të një numri veprash, në prozë, poezi, dramatikë dhe eseistikë, përsëri vepra letrare e Trebeshinës ekziston në dy forma: – E botuar, pjesa më e madhe në Kosovë, disa tekste në Shqipëri, e ndonjë tekst edhe në Francë, Gjermani, Itali apo diku tjetër, që megjithatë, vetëm sa tenton të përfshijë një pjesë të krijimtarisë letrare të autorit, në të tria gjinitë letrare. – Në dorëshkrim vijon të mbetet sërish rreth 50 % e veprës letrare të shkrimtarit, që nuk është se i humbet vlera, por përsëri mungesa e komunikimit me lexuesin është një pengesë serioze, për autorin e sidomos për letërsinë shqipe. Pjesa e botuar, diku është lexuar dhe vlerësuar, më së shumti është anatemuar pa u lexuar, e përsëri edhe ajo është e paintegruar në panteonin e letrave shqipe.
.
Kasem Trebeshina - Kenga Shqiptare - 5 vellime
Kasem Trebeshina – Kenga Shqiptare – 5 vellime

.

Në mes çudive, që vërtet të lënë pa mend në kokë, është qëndrimi ndaj veprës dramatike të autorit, që tashmë ka kapërcyer numrin tetëdhjetë të teksteve të këtij lloji, ndaj së cilës teatri shqip, në Tiranë, Prishtinë, Shkup, ka mbajtur qëndrim indiferent dhe refuzues. Dramatika e autorit, përveç librave në prozë dhe poezi, shënon një përmasë të pazakontë dhe rrok në spektrin e vet tragjedinë dhe komedinë, dramën dhe teatrin absurd, duke pasuruar dhe formësuar kështu dramaturgjinë shqipe, gjithëkohore e sidomos atë të bashkëkohësisë. Refuzimi i Trebeshinës, si autor dhe vepër letrare, është i plotë dhe thelbësor në të dyja kohët, pavarësisht faktit se në këtë kohë, për disa tekste është bërë i mundur botimi i veprës letrare. Refuzimi, skajor dhe paradoksal, si jetëshkrim dhe krijim letrar, në mes të tjerash, ngjet për këto shkaqe: Së pari: Për shkaqe politike, pra mirëfilli jashtëletrare, prej sistemit monist të para viteve ’90, ndërsa pas viteve ’90, prej mendësisë përjashtuese, që mjerisht e bart në gjirin e vet demokracia allashqiptarçe. Së dyti: Për shkak të vijimit të leximit dhe analizës së krijimtarisë së Trebeshinës dhe të autorëve të tjerë, me anë të principeve biografike dhe antibiografike, të leximit historik dhe antihistorik të ndonjë teksti letrar. Së treti: Për shkaqe të mirëfillta letrare, të cilat megjithatë, kanë shpërfaqur dy pamje: – Skenën e letërsisë shqipe, ende vijon që ta sundojë hierarkia letrare e realizmit socialist, që ka në qendër Kadarenë, Qosen dhe Agollin, e cila nëpër këto vite i ka mbijetuar edhe sistemit demokratik. – Modeli letrar i Trebeshinës, për tekstet e botuara dhe të lexuara, në asnjë shenjë nuk ka lidhje me realizmin socialist. Trebeshina është pjesë unike e letërsisë bashkëkohore, së pari si lëvrues i surrealizmit, që estetikisht buron nga kundërshtia e realizmit socialist; së dyti, për vetë zgjerimin e shtratit ligjërimor të dramaturgjisë shqipe; së treti, si autori i tekstit Kënga Shqiptare, teksti përfaqësues i romanit epope në letrat shqip
.
Marrë nga https://atunispoetry.com

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.