Punëtoria e rrokopendlave – Grupi i Qytetarëve “Frrok Çupi”
nga Agim Morina
***
E shkrueme me 1993.
Tallesha me marrëzitë e Frrok Çupit, i cili këshillonte “kosovarët”
të dilnin në zgjedhjet e Serbisë! Përveç pjesëmarrjes si parti dhe individë,
në atë kohë kishte mundësi me u organizu edhe si “grup i qytetarëve”
e me marrë pjesë në zgjedhjet e Serbisë. Duke qenë se Frroku jepte këtë këshillë
u desh me emërtu grupin e qytetarëve të imagjinuar “Frrok Çupi”.
Dhe ja, tash, prap Frroku. E ka shtypë dikush butonin në Beligrad…
.
* * *
Grupi i Qytetarëve “Frrok Çupi” do të frrokitet dhe do të çupitet t’ia shpjegojë kombit të vet komshi Kosovar se zgjedhjet në Serbi janë rasti i vetëm për ta, me të cilin do t’u hapen dyert e xhenetit, megjithëse edhe vetë serbët sot jetojnë në xhehenem social. Pra, ky është rast i mirë. Dhe mirë. Prapë mirë. Dëllëngthi mirë. Dollapthi mirë. Quuuuksh – mirë. Kuku për ne – mirë. Hajde, hajde – mirë. Ani çka mirë? Këqyre, këqyre – mirë. Këqyre mirë! Mirë.
Grupi i Qytetarëve “Frrok upiÇ” (gabim teknik i domosdoshëm) do të frrokçupitet dhe çupifrrokohet t’ua bëjë me dije Kosovarëve se mbi supe të tyre gjendet edhe një pjesë e trupit të tyre, me të cilën nuk shërbehen fare, ose, kur shërbehen me të, e vënë në përdorim për gjëra krejt të tjera. E këtë pjesë të pashfrytëzuar e quajnë – kokë. Kosovarët e mjerë gjithmonë kanë menduar se koka është çekiç, sepse shpesh i kanë mëshuar murit me kokë. Koka e tyre bëhet çekiç, sidomos kur në të u hyn ndonjë ide e marrë, siç është ideja për Republikën. Ata me kokë nuk mendojnë fare, sepse, po të mendonin, do ta kishin të qartë se duhet të dilet në zgjedhje dhe të votohet për ne, Grupin e Qytetarëve “Frrok Çupi”. Kështu gjithë këto mosmarrëveshje do të zgjidheshin në mënyrë paqësore. Pikëpamjet tona paqësore ne i kemi parashtruar në gazetën “Lufta” (“Borba”) të Beogradit.
Kosovarëve, elektoratit tonë potencial, ua bëjmë me dije se koka di të gjendet në pozita të ndryshme vektoriale: koka mund të marrë erë, koka mund të gjendet në tepsi, kokën mund ta zërë çarku, koka mund të fryhet, mund të qethet, por koka mund edhe të ngjethet. Sidomos tash, kur para elektoratit tonë kosovar t’i parashtrojmë katër alternativat tona, me të cilat bëjmë kokë nga bishti, megjithëse ne e dimë fort mirë se Kosovarëve s’u bën koka def për asgjë.
.
Alternativa e parë: Kosova nuk është
Në qoftë se Kosova nuk është, si mund të jenë kosovarët? Atëherë kosovarët mund të jenë vetëm ca lugetër, që në ndonjë ballo vurkollakësh i ka zënë mëngjesi në krahët e ndonjë zonjushe-lugat dhe kështu, në shkatërrim e sipër, kanë lënë testamentin në të cilin kërkojnë që Kosova të jetë Republikë. Dhe ne tash të merremi me lugetër e punë lugetërish? Ta zëmë se kosovarët janë, por Kosova s’është askund?! Ose anasjelltas: Kosova është, por kosovarët trushullepsur s’janë asgjëkundi? As te Hata, as te Fata. (Ndoshta janë edhe te Hata edhe te Fata, se Kosovarëve në këso punësh hatashefatash nuk u dihet kurrë. Por, kështu nuk shkohet në Evropë, pos në Emiratet e Bashkuara Arabe!)
.
Alternativa e Dytë: Kosova është, por ajo është zemra e Serbisë
Edhe ju, o kosovarë kokëtulë, mund ta merrni me mend se zemra nuk i merret kujt. Aq më pak një fqinje siç është sot Serbia mike. Sepse kurrkush s’është aq kokëkrisur të të lejojë që t’ia marrësh zemrën. (Megjithëse serbët herë e quajnë Kosovën – djep, e herë-zemër! Se a mund të bëhet djepi-zemër e zemra-djep, këtë nuk e dimë, por do ta bëjmë një referendum në Serbi ose do ta pyesim SPS-in, sepse referendumi dhe SPS-i janë një e njëjta gjë, dhe do të përcaktohemi qartë se a është Kosova djep apo zemër. Por, lëre që Serbët e lemerisur nga kosovarët s’dinë se çka e kanë Kosovën, por kosovarët separatistë kërkojnë që zemrën ose djepin ta bëjnë republikë! Obobo, po, ku është dëgjuar e pabëra që djepi i drunjtë të bëhet republikë! Të mos flasim për zemrën, se duhet të dalim mendsh!)
Po hajt, ta zëmë se ia merrni zemrën, se me fantazi mund të bëhet gjithçka, atëherë duhet që Serbisë t’ia sigurojmë pejsmejkerin. Fjala vjen – Trepçën. Se qenia pa zemër nuk bën dot. Megjithëse, çudi e madhe, kjo e ju Kosovarëve, që bëni zemra të mos dalë në zgjedhjet, të cilat i organizojnë zorrët, mushkëritë, idhca, eshtrat etj. Ju doemos duhet të keni në kokë miza çmendurakësh…
.
Alternativa e Tretë: Kosova nën tendën e shtetit shqiptar
Së pari, ajo tendë nuk na zë as ne Shqiptarëve, lëre më ju kosovarëve të parehatshëm, se ata të “Pelikanit” s’na lanë ndonjë tendë për të qenë. E aty ju dëshironi ta futni parlamentin tuaj separatist, ministrat dhe kryeministrin, të cilët gjenden përkohësisht të punësuar në botën e jashtme. Po pse more dëshironi të na futni në bela me fqinjët tanë të mirë? Ç’doni ju me atë Kosovën tuaj? Ta bëni planet të veçantë? Le ta marre Greqia Vorio Epirin dhe le ta lulëzojë, sepse ka pare; lë ta marrë edhe Serbia Vorio-Albaninë, se i ka sanksionet e le ta shtyjmë edhe ne inatin me gjithë botën. Dhe në fund, të lumtë ne që u krijua Maqedonia, se s’do lë kishte kush ta merrte edhe Shqipërinë e Mesme që ta kemi kokën rehat. Ç’na duhet Shqipëria me telashe? Ne kemi gazetën “Koha jonë” dhe gjithnjë e dimë kur është çasti i kohës sonë. Paj, tjetër gjë as që na duhet. Gazeta, gazeta, sa më shumë gazeta! Kështu do ta kemi edhe xhepin edhe barkun plot. Sepse as Shqipëria s’është më e madhe se lukthi. Dhe tash për kaq Shqipëri, e aq më pak Kosovë, të bëhemi rezilë me fqinjët?
Alternativa e Katërt: Kosova para përmbytjes
Kosovarë, në jeni diku, sepse humbni si teksti në kompjuter, po vendosët me atë kokën tuaj çekiç që të mos dilni në zgjedhje, atëherë blini gozhda dhe dërrasa dhe filloni të ndërtoni Barkën e Arkanit diku në majë të Pashtrikut, sepse me 20 dhjetor për ju do të bëhet përmbytja dhe ju mori lumi! Pastaj atje bëni atë republikën tuaj. Sepse me ju s’bën kush. Edhe po të ndaheni sot nga Serbia, ju pastaj do të kërkoni prapë bashkim me Serbinë, se jeni të parehatshëm e lolo, se ju mashtrojnë ca rrugaçë që kanë dalë nga bira në të cilën kanë hyrë për treqind qese. As Butros Butros Galani s’di si t’ia bëjë me ju të zinjtë…
Pra, po nuk votuat për ne frrokupiÇët atë Barkë të Arkanit mos e drejtoni më kah Shqipëria! Kurrsesi! Shkoni zini vend atje në Afrikën e Jugut, lyhuni me bojë të zezë dhe le të ju prijë edhe ju Mandela juaj. Atje sigurisht do të keni më shumë të drejta. Bëhuni dy popuj të krisur, të zinj e fatzinj dhe bëni konfederatë me fiset Bantu, Zulu, Gashi, Shala. Kur të takohen atje dy Mandelat apo dy Demaçët, do të kenë pas vetes 60 vjet burg. Por nëse edhe atje nuk ju shuhen dëshirat, u shofshit në zjarrin e xhehenemit!
Amen.
(Revista “Forumi”, Nr. 5 • 20 dhjetor 1993, fq. 28)