back to top
12.5 C
Tirana
E enjte, 14 Nëntor, 2024

Qafa e Barit – Porta e Ferrit! nga Urim Gjata

Gazeta

Urim Gjata
Urim Gjata

Qafa e Barit – Porta e Ferrit!

nga Urim Gjata

Të sfidoj o krimineli,
Ludovik Cali,
azilant në Kanada!!

Shumkush ka shkruar për tmerret e diktaturës, dhe pikërisht për te vërtetën e trajtimit dhe torturave çnjerëzore ne burgjet e te dënuarve politike, por ndoshta pena e tyre letrare me gjithë bukurinë, nuk ka shkruar të gjithë atë të vërtetë të dhimbshme dhe të hidhur jo vetëm për ata që e kanë përjetuar për vite e vite me radhë, por dhe për ata që e kanë jetuar ndoshta dhe në kushte të tjera, jashtë këtij rrethimi të vdekjes së ngadaltë të dhjetra e qindra të dënuar të ndërgjegjes.
Sot shkruajnë me dhimbje ish të dënuarit. Por sot kanë filluar të shkruajnë dhe të krenohen dhe kriminelët, ata që kanë marrë pjesë në torturimet dhe dënimet e tyre.

Burgu i Qafë-barit
Burgu i Qafë-barit

Qafa e Barit apo porta e ferrit.

Qaf-Bari, është një emër i lakuar në shkrimet e ish të dënuarve të ndërgjegjes apo dhe atyre që e kanë njohur apo jetuar nga jashtë. Qafa e Barit  qe një kamp i tmerrshëm përqendrimi dhe pune, ku shfrytëzoheshin të burgosurit e ndërgjegjes 24 orë në 24 orë në galeritë e piritit të vdekjes. Qafa e Barit vendi ku për here te pare, ideali i lirisë dhe demokracisë, fitoi mbi diktaturën.
Ndoshta dhe Malet në thellësi të Mirditës, nuk do e kishin besur kurrë se në zemrën e tyre, atje ku bijtë e saj mbroheshin dhe kishin folenë, do të vinte një ditë që dhe ajo do e ulte kokën mbas krenarisë shekullore, ai vend ku trimat kishin luftuar dhe mjekuar plagët me barot, ku shqipet kishin folenë, e ku cubat e Malësisë nuk ju dorëzuan, as Turkut, as Gjermanit dhe as Komunizmit… do të kthehej në një kamp tmerri, vrasjesh dhe vdekjesh, ku do të realizohe shfrytëzimi dhe torturimi më barbar të këtyre bijve më të mirë të këtij vendi nga bisha e kuqe sllave. Bjeshkët e Nemuna, këto bjeshkë me histori kishin mbajtur me shekuj mbi vete peshën e krismave, luftrave dhe përpjekjeve për liri. Ato Bjeshkë ishin dëshmimtare të asaj lufte të pamposhtur dhe dhimbjeve pafund, dhe asnjëherë dëshmimtare i tradhëtisë, dhunimit, vdekjeve dhe vrasjeve të bijve të saj më të mirë nga diktatura që veç emër tjetër s’mund të kish.

Qafa e Barit, një vend mes malesh në Tuç, pranë një rruge shumë të vjetër Ilire. Një vend që lidhte dikur mes për mes Mirditën, Spaçin me Qafë-Barin, Fushë-Arrsin, Pukën, një vend në të cilin dikur kishin lënë eshtrat në përpjekje me malësorët e Mirditës nizamët Turq, por edhe gjithë pushtonjësit e tjerë, tashti ishte kthyer në një vend të mallkuar ku kësaj radhe ishin do të ishin vetë shqiptarët ata që po zëvendësonin eshtrat e dikurëshme të nizamëve pushtues, por këta te fundit kishin një emër tjetër. Të dënuarit e ndërgjegjes, apo luftetarët e parë kundër diktaturës, të etiketuar si tradhëtarë dhe armiq të sistemit.
Qafa e Barit. Ky kamp përqëndrimi më i tmerrshëm se ato naziste, por në kohra të reja të socializmit, i njëjtë në mos edhe më mizor se ato, u ndërtua aty mes malesh në një vend tmerrsisht të thepisur ku as drita e diellit nuk shihej veç disa orëve, një vend ku edhe zogjtë ishin larguar, e pra aty silleshin të dënuarit e ndërgjegjes, aty shfrytëzoheshin dhe torturoheshin jo çifutët nga nazistët, por shqiptarët nga shqiptarët.
Mbi 500 të dënuar të ndërgjegjes me dënime mbi 25 vite, ishin grumbulluar këtu për t’u shfrytëzuar mizorisht në galeritë e vdekjes së Piritit, galeri që kishin marrë brenda tyre jetën me dhjetra e dhjetra nga këta shpirtëra të vdekur me fytyrë njeriu. Vdekja ishte e vetmja mënyrë e shpëtimit nga vuajtjet dhe torturat çnjerëzore. Aty nuk kishte dallim feshë apo krahinash, bile as shqiptarët nga Kosova a Çameria përbënin dhe pjesën e dënimeve më të larta dhe torturoheshin më tepër.

Martirët e Qafë-barit 1983
Martirët e Qafë-barit 1983

Galerite e piritit.

Një varr i hapur, disa kilometra në thellësi të malit Tuç, aty ku të dënuarit e ndërgjegjes kockë e lëkurë me ato pak rroba në trup punonin me tre turne, por për ata që nuk realizonin normën turni ishte dy fish. Ata duhej të ktheheshin përseri mbas 8 orëve në galeri për të plotësuar normën që nuk kishin mundur ta realizonin në tetë orët e punës në turnin e tyre.
Shfrytëzimi e dhunimi barbar nga drejtuesit dhe policët e burgut ishte i pamëshirshëm, duart dhe brinjët e thyera ndaj çdo të denuari rebel nga gardianët e burgut nuk përbënin më ngjarje të ditës. Ato ishin thjesht rutinë e punës ditore në këto kampe shfarosjeje, kampe ku gjenin vdekjen me qindra e qindra të dënuar, por qe edhe trupat e tyre u zhdukën dhe nuk ju dorëzuan kurrë familjeve të tyre edhe mbas mbarimit të dënimit, megjithëse të vdekur. Trupat pa jetë të të burgosurve varroseshin fshehtazi në një kodër që ndodhej mbi kampin përballë. Aty zhdukej gjithshka, aty zhdukeshin torturat thyerjet e kockave, aty zhdukej uria, pabarazia, tortura, dhimbja, familja… gjithshka, aty ishte fundi i vuajtjeve, aty ishte shpëtimi nga kthetrat e diktaturës!
Në kushte të rrepta sigurie mbas shumë rrethimesh me ushtarë specialë të MB, kampi në vetvete qe i rrethuar dhe me tre rreshta telash me gjemba, me lartësi mbi 4 metra ku rreshti i mesit ishte i gjithi me rrymë elektrike dhe pjesa mes telave ishte e minuar, kjo bënte atë që as dhe zogjtë të mos kishin mundësi të depërtonin brenda tij. Mbi 20 kulla vrojtimi me prozhektorë dhe mitralozë, të dukshme e të padukshme në lartësi mbi 5 metra, ku ushtarët ishin të pajisur me të gjithë llojet e armatimeve të sigurisë, kampit i shtohej dhe në krye të kodrës si ciban reparti special ushtarak i Ministrisë së Brendshme me forcat speciale të batalionit të sigurimit, të gatëshme të ndërhynin në çdo moment. Veç të dënuarve shqiptarë në këtë kamp shfarosjeje ishin edhe shumë shqiptarë të Kosovës, patriotë të arratisur nga Serbia, të cilët regjimi shqiptar i dënonte si agjentë të Serbisë UDB për akte terroriste. Në fakt ata ishin njerëz nga më të pafajshmit, që kishin vënë kokën në rrezik duke u larguar nga Serbia drejt Shqipërisë mëmë. Në letrat që ju dërgonin familjes ata me dhimbje u shkruanin  të mos vini kurrë në Shqipëri, sepse do të burgoseshin, do të dhunoheshin dhe do të dënoheshin pa faj ashtu si ata. Po fatkeqesisht, ato qindra letra të shkruara ndër vite nuk mbrritën asnjëherë në duart e të afërmve të tyre, ato letra të dhimbjes shpirtërore i përvetësonte shefi i sigurimit të burgut, komandanti Ludovik Cali dhe drejtori i përgjithshëm i burgjeve Edmond Caja.

Ludovik Cali dhe Edmond Caja -Tmerri i Burgut te Qafe-Barit
Ludovik Cali dhe Edmond Caja -Tmerri i Burgut te Qafe-Barit

Në bazë të atyre letrave shumë prej atyre dënoheshin dhe ridënoheshin. Këta të burgosur që 90% e tyre ishin njerëz me shkollë dhe intelektualë të mirëfilltë ishin kthyer me detyrim në robotë të cilët ditë e natë punonin pa e kuptuar se po plakeshin dhe po vdisnin duke pritur si shpëtim vetëm vdekjen, sepse vitet e burgut nuk mbaronin, ato shtoheshin sa herë i vinte fundi një dënimi për të marrë një tjetër!
Gjysmë të zhveshur, me rrobat e burgut shumë herë me barkun bosh, futeshin në minierë duke u shfrytëzuar si kafshë për të realizuar normën e vendosur nga komanda, normë e cila ishte e papërballueshme dhe për një puntor civil dhe jo më për një njeri gjysëm të vdekur. Ata që nuk kishin mundësinë të realizonin normën, i priste Pashku i Zi. Pashku i Zi: Kështu e thërrisnin kriminelin nga Fushe Arrësi, apo kriminelin tjetër, Nikolla nga Iballa, kriminelë me uniforma policie këta benjaminë të Ludovik Calit, këta kriminelë gjithë kohës me një dru në dorë thyenin kockat e këtyre njerëzve të kthyer në kufoma, sapo dilnin nga galeritë e punës. Britmat dhe dhimbjet nuk kishin te sosur, kriminelët me uniforma godisnin ku të mundeshin, në kokë, në duar, në trup, duke nxjerrë epshin e tyre të shfrenuar mbi këta njerëz të pambrojtur shpesh në moshë të thyer. Gjaku rridhte kudo në dhomën e sajuar me dërrasa të xhelatit, siç quhej nga të gjithë. Por nuk mbaronte me kaq. Mbas punës të lodhur pa bukë liheshin në shi dhe në dëborë duke ju nënshtruar nga komanda një kontrolli çnjerëzor, çveshja lakuriq nën preteksin e kontrollit special të përditshëm mbas daljes nga galeritë disa orë mbaronte më rënien e të fiktit të disa prej të dënuarve çdo ditë, radhë që vazhdonte dhe në mencën e bukës ku Nikolla i Iballës i nxirrte disa herë nga buka jashtë këta njerëz – viktima të diktaturës, jua derdhte edhe ushqimin, i mbante dhe me orë të tëra me një këmbë apo dhe duke i detyruar për t’i bërë masazh këtij dhe Ludovik Calit brënda në dhomën e mjekut në kamp…
Kalvarit të mundimeve të tyre nuk ju shpëtonin as familjarët, të cilët megjithëse vinin nga larg dhe rrugën e bënin me këmbë prej 18 kilometrash, nga Fushe Arrësi, ose rrallë herë mbi karroceritë e kamionave me dëborë, sepse shoferët ishin të urdhëruar të mos merrnin asnjë prej këtyre familjareve megjithëse kishin dhe fëmijë të vegjël me vete. Me orë të tëra familjarët dhe fëmijët, prisnin jashtë në të ftohtë dhe në acarin e dëborës me orë të tëra për të takuar të dashurit e tyre. Fëmija babën, nena djalin, gruaja burrëziun… Të gjithë dridheshin në dëborën dhe acarin e maleve të Tuçit në Mirditë. Qëllimisht atyre Ludovik Cali takimin ja u realizonin në mbrëmje, vetëm e vetëm që ata të kalonin përsëri një natë të tmerreshme në dëborë jashtë mes malesh në Qafë-Bari, mundësia për t’u kthyer ishte zero, pra ju duhej dhe një natë jashtë në dëborë përpara se të merrnin rrugën e kthimit, një natë mes ulërimave të ujqërve, ushtarëve, të ftohtit, dhimbjes dhe frikës së përdhunimit. Nga ata policë-kafshë me fytyra njerëzore. Nga ata që shikonin gratë e zeza që vinin të shihnin burrat, vëllezerit, baballarët. Nga ata që me porosi të shefit të tyre Ludovik Calit. Dhunuan dhe përdhunuan me fuqinë e diktaturës ato gra fatzeza që… mbetën në duart e tyre… Këta bastardë, njerëz pa moral, kriminelë ordinerë e flliqësira me uniformë policie në kampin e Qafë-Barit… Po, po nga ata bastardë me uniformë policie, u dhunuan në emër të ligjit, atje mes malesh ku dhe ariu ka frikë të jetojë. Atje ku dhe zoti kishte frike të afrohej, atje ku për qejf të komandant Ludovikut të dënuarit kishin ndërtuar dhe një palestër dhe fushë vojlebolli me parket, kolltuk me rrota për kryekurven e Burgut të Qafë-Barit, Ludovik Calin. Atje ku dhimbja bashkohej me pafuqësinë….
Te sfidoj ty o krimineli Ludovik Cali dhe ty  o Edmond Caja dhe ju bastardët shefa apo zëvëndësues, për ato që keni bërë, ju sfidoj dhe ju dal ballë për ballë. Nëqoftëse ish të dënuarit politikë nuk kanë fuqi, jam unë ai që ju sfidoj dhe ju akuzoj ballë për ballë së pari ty o Qen i pabesë! Shefin e sigurimit, apo ke harruar mor bastard i diktaturës, të gjitha ato dhunime çnjerëzore që ju ke bërë këtyre njerëzve të pambrojtur, viktima të diktaturës komuniste. Ushqimet që me fukarallëk dhe mundim silleshin nga familjarët, mbasi përziheshin dhe vidheshin nga duart tuaja të palara qëllimisht, të policëve të zgjedhur nga komanda, gjysma ktheheshin mbrapsht dhe një pakicë ju jepej këtyre kufomave njerëz, rrobat jo e jo pse duhej të vdisnin ashtu siç ishte urdhëri në të ftohtë, duhej të ishte fat i madh që polici të lejonte ndonjë rrobe për trupat e tyre… dhe vuajtjet nuk mbaronin me kaq. Sigurimi i shtetit kishte futur oficerët e tij në burg si të dënuar për të kontrolluar dhe raportuar cilindo fatkeq që pëshpëriste ndonjë fjalë kundër regjimit komunist dhe për ta ridënuar përsëri atë fatzi duke i futur lakuriq në birucë në mes të dimrit të egër ku temperaturat arrinin në shumë gradë nën zero. Me javë të tëra këta të dënuar ushqeheshin vetëm me një tas supë të prishur në ditë dhe me shkopin e gomës që nuk ju ndahej para supe dhe mbas saj.

Burgu i Spaçit - Foto me pranga
Burgu i Spaçit – Foto me pranga

Me 20 maj 1984, regjimi u trondit, të dënuarit e ndërgjegjes, të vdekurit për së gjalli akoma nuk kishin vdekur. Ata si një vullkan shpërthyen duke sfiduar diktaturën, dhimbjet dhe torturat çnjerezore. Ata me çdo mjet kërkonin të shëmbnin diktaturën, megjithse të ndarë nga bota brenda telave, ata tronditën një sistem të tërë.
Ai mëngjes maji i mblodhi bashkë të gjithë bashkvuajtësit e diktaturës, nuk ish i pa qëllimshëm… rrahja dhe tortura para syve të tyre të dy shokëve të tyre bëri që grupit të parë të vogël t’i bashkohen me shpejtësi të gjithë. Thirrjeve të para ju bashkuan furishëm me zërat e tyre të gjithë të dënuarit. “Poshtë komunizmi!”, “Poshtë diktatura!”, “Poshtë diktatori!”, “Liri demokraci!” Flamuri kuq e zi për hëre të parë në dyzet vjet valëvitej në duart e tyre pa yllin si simbol të bollshevizmit dhe diktatuës! Thirrjet: “Jemi shqiptarë, nuk e duam komunizmin, nuk e duam diktaturën nuk e duam diktatorin! Duam lirinë, duam demokracinë…!”, po i mbushnin me jehonën e tyre gjithë bjeshkët e malësisë. Në ballë të turmës së të dënuarve qëndronin Tom Ndoj, Sokol Sokoli, Petrit Bazelli, Anastas Dhami, Ndue Pisha, Kosta Gjordeni, etj. Të cilët me zërat dhe fuqinë e tyre tmerruan kriminelët e diktaturës, që të zverdhur si mehitë nuk dinin çfarë të bënin. Ata që i dhunonin çdo ditë fluturuan mbi telat me gjemba si frikacakë të ndyrë që ishin, në largimin e turpshëm të tyre nga brenda kampit, forca të shumta i mbronin nëpërmjet breshërisë së plumbave nga jashtë. I tmerruar me pistoletë në dorë, komandanti i burgut Ludovik Cali, jepte urdhra sa majtas djathtas. E vetmja fjalë e tij ishte “Zjarr mbi armiqtë e popullit dhe të partise sapo të prekin telat!” Forcat ushtarake të kampit por dhe ato të ardhura me shpejtësi nga Puka dhe Tirana me helikopterë rrethuan komplet zonën, snaiperët zunë pozicionet në të gjitha pikat kryesore, a thua kishin të bënin me ndonjë bandë të armatosur apo me disa njerëz gjysëm të vdekur që thërrisnin brenda telave: “Liri-demokraci!” Ushtarakë të zverdhur dhe të tmerruar me gishtin në këmbëz, prisnin urdhërin për të qëlluar mbi këta njerëz brenda rrethimit çnjerezor. Nga Tirana me helikopter vjen dhe drejtori i përgjithshëm i burgjeve Edmond Caja, i njohur mirë nga të dënuarit si ish drejtor i këtij kampi famëkeq për krimet e tij. Zëri i tij nëpërmjet autopolantit nga helikopteri kërkonte ndalimin e revoltës, por a mundet një bastard t’i ndalonte më këta njerëz të lirë, më të lirë në shpirt se ata që ishin jashtë telave me gjemba. Papritur, nga helikopteri, zëri i çjerrë i Edmond Cajës jep urdhër “Zjrrrrrrmbi armiqtë, zjarrrrrrrrrrr…!” dhe krismat filluan të shtohen pak e nga pak. Zjarr – kundra një turmë të paarmatosur, brenda telave me gjëmba, zjarr ndaj disa njerëzve kockë e lëkurë që kërkonin liri… Zjarr – kundra bashatdhetarëve të tyre… Zjarr – kundra atyre që ishin lënë brenda rrethimit për disa ditë pa bukë e pa ujë… Sokoli bërtiti i pari: “Largohuni vëllezër, futuni në kapanone, largohuni nga sheshi, na futën në grackë, po na vrasin largohuni! Por tashmë ishte shumë vonë… Sheshi i burgut kish filluar të merrte ngjyrën e kuqe. Të plagosur hiqeshin zvarrë. Britma nga të katër anët: “Mos, mos qëlloni vëllezër, mos qëlloni… Jemi vëllezër mosss. Jemi shqiptarë, mos na vrisni mosssssss mossss mossss. Por kush mund të dëgjonte më. Ludovik Cali rrëmbeu automatikun e një polici dhe nga taraca e oficerit të rojes, harxhon gjithë karikatorin drejt grupit të të dënuarve. Nga helikopteri hapej zjarr pa pushim, nga kodra përballe gjithashtu. Pak nga pak thirrjet për ndihmë dhe britmat brenda rrethimit po mbuloheshun nga zhurma e armëve. Kishte edhe nga ata policë apo ushtarë që kur dëgjuan thirrjet ulën armët dhe nga sytë e tyre filluan të binin lot, lotë por asgjë më tepër nuk kishin se çfarë të bënin. Ndryshe do të ishin edhe ata pjesë e atyre që bërtisnin për ndihmë brenda telave të pa mbrojtur. Zëri i çjerrë i Edmond Cajes nga helikopteri bërtiste, “Zjarr, zjarr!”, “Zjaaaarr!” ulërinte edhe komandanti i burgut Ludovik Cali, po po “Zjarr!”. Midis britmave dhe të plagosurve që tërhiqeshin zvarrë duke sfiduar vdekjen një grup të dënuarish si Petrit Bazelli e të tjerë u futën për të ndihmuar mes plumbave, për t’u ardhur në ndihmë shokëve të tyre të mbetur në shesh, Anastasi, Nuja, Toma, Kosta. Minoritari Thoma Jergolati hapi lavanterinë për të strehuar shokët e plagosur. Mjeku i kampit, malazezi Drago Vujosheviç, dhe ky një i dënuar politik, mundohej të mjekonte sa të mundej për të shpëtuar nga vdekja viktimat e kësaj masakre të paparë dhe të padëgjuar ndonjëherë. Ato pak lule të fillimmajit brenda rrethimit të kampit, që këta njerëz i ujisnin çdo ditë filluan të përskuqen tani nga gjaku i tyre. Kriminelët me uniformat e shtetit nuk pyesnin më, ndaj armiqve të partisë ishte derdhur jo vetëm urrejtja dhe druri, por tanimë edhe plumbat pa kursim. Dhe më në fund u hapen dyert e rrethimit, dhe i pari qe Ludovik Cali, shefi i Sigurimit të kampit, dhe më pas menjëherë krimineli Edmond Caja që filluan të qëllojnë me çizmet e meshinit me thumba hekuri mbi viktimat gjysem te vdekura shtrirë në sheshin e kampit. Bastardët me uniformën e policisë Kola, Prenga, Marashi, Ahmeti, Bastriu të shoqëruar nga të tjerë filluan të thyejnë kockat e të dënuarve.

Gjetja e eshtrave te Tom Ndojes dhe Sokol Sokolit - vrare ne Revolten e Qafe-Barit
Gjetja e eshtrave të Tom Ndojës dhe Sokol Sokolit –
vrarë ne Revoltën e Qafë-Barit

Masakër, një masakër e paparë. Kriminelë dhe viktima, kriminelë të armatosur deri në dhëmbë dhe viktima lakuriq, të pabukë, të pauje, të pambrojtje. Masakër e bishave me uniforma kundër vëllezërve të tyre të pambrojtur, masakër kundër njerëzve kufoma. Zinzhirët e qenve të policisë dhe telat me gjëmba u vunë menjëherë në punë. Gjithë të dënuarit me plagë e pa plagë u lidhën këmbë e duar me zinxhirë, ndërsa qentë e kufirin ndërsuleshim mbi trupat gjysmë të vdekur duke i copëtuar me orë të tëra. Rreth e rreth malet ishin mbushur me forca ushtarake që nuk lejonin askënd të afrohej dhe shikonte çfarë ndodhte…
Dita e nesërme do të ishte edhe më makabre mbas asaj së parës. Të lidhur me zinxhirë, të torturuar çnjerzisht, të pagjumë, të pangrënë, të papirë,pjesëmarrës të tërhequr zvarrë në shesh për të parë atë çka do i priste edhe ata.
Mbas një torture çnjerëzore të dënuarin Tom Ndoji e vendosin mbi dy trupa pishe dhe krimineli Ludovik Cali e thyen në mes duke i shkaktuar një vdekje makabre. Ndërsa shokun e tij heroin Ndue Pisha mbas torturave e dënuan me vdekje, duke e pushkatuar ditën tjetër. Në mes të kampit i lidhur Anastas Dhami nga Pogradeci provonte një tjetër torturë çnjerëzore, drejtori burgjeve Edmond Caja se bashku me Ludovik Calin, në mes të sheshit me pinca ia shkulin mustaqet. Thirrjet dhe dhimbjet e Anastasit mbuloheshin nga të qeshurat dhe jargët e këtyre kriminelëve me uniformë. Thoma Jergolatit i thyen këmbën, dikë e trodhën, po, po të gjitha u zhvilluan aty në kampin e Qafë-Barit dhe në birucat e policisë. Moisi Mirakaj kaloi muaj në spital nga dhuna çnjerëzore së bashku me disa të tjerë. Mbi 30 veta u ridënuan dhe i nisen drejt burgut të Burrelit. Petrit Bazellin dhe Anastas Dhamin megjithëse me brinjë të thyera e priste biruca, të lidhur këmbë e duar duke ju nënshtruar torturave çnjerëzore. Ashtu si Petritin kaluan në tortura pothuaj gjithë kampin. Por spiunët e sigurimit, ordinerët, njerz të hurit e litarit të futur qëllimisht mes këtyre heronjve ju dha një shpërblim, si çdo spiuni. Kampi për disa javë ju nënshtrua një represioni të tmerrshëm. Të gjithë të dënuarit liheshin çdo ditë me dhe pa rroba për orë të tëra jashtë, familjet për disa muaj nuk u lejoheshin te vinin dhe t’i takonin njerezit e tyre. Birucat dhe shkopi i gomës ishte buka e përditshme e këtyre njerëzve viktima brenda rrethimit me tela…
Përsëri këta vuajtës të burgjeve të diktaturës ditën të falin dhe falën, ata që i torturonin tmerrsisht, dhe pse ju shkatërruan jetën. Falën kriminelët që ju morën vitet më të bukura të rinisë, ju shkatërruan familjet e tyre, të afërmit e tyre pësuan injorime dhe dhunime…
Ata falën dhe përsëri falin. Por falja e tyre po kthehet në dhimbje dhe gangrenë për demokracinë, sepse ata që i spiunuan, ata që ju dolën dëshmimtarë nëpër gjyqe, ata që i dënuan, ata që i dhunuan. Sot paturpësisht po drejtojnë politikën shqiptare. Prandaj mirë do të ishte që dosjet të hapen. Jo për hakmarrje, por për të mësuar të vërtetën dhe ata që i kanë duart me gjakun e njerzve të pafajshëm të mos na qeverisin dhe udhëheqin sot edhe nesër. Klithmat, gjaku dhe dhimbja e Qafë-Barit akoma nuk ka pushuar, dhe nuk do të pushojë kurrë! Të pushkatuarit nuk do të prehen të qetë, përderisa ata qe i spiunuan, i denuan dhe i pushkatuan… ata që ju shkatërruan ëndrrat rinore, sot mbrohen me imunitete dhe pozita të ndryshme… sot  bredhin e kapardisen me shoferë dhe makina të paguara nga xhepat e familjeve shqiptare. Pra dosjet duhen hapur, jo për të dënuar njeri, jo për t’u hakmarrë ndaj personave që shkaktuan tragjedi dhe dhimbje, por të paktën për të bërë një akt moral drejtësie pa gjyqe. Viktimat e dënuar apo të pushkatuar nga urdhërat e tyre nuk kthehen më… të pushkatuarit e Burrelit, Spaçit dhe Qafë-Barit nuk ngjallen me, të mbyturit në kënetën e Maliqit nuk do të rikthehen më. Shumë prej tyre vinin nga familje të shquara kombëtare, shumë ishin intelektualë të shquar që kishin mbaruar edhe studimet në perëndim… Prandaj zotërinj deputetë e pushtetarë bëni të paktën kët akt moral të pastërtisë.
Hapini dosjet pa frikë që ta shikojmë njëri-tjetrin drejt e në sy pa urrejtje, hapini dosjet dhe te pastrojmë me në fund morrin e kuq serb!
Hapni dosjet që njerëzit të flenë rehat.
Hapni dosjet që shpirtërat e të pushkatuarve të pushojnë qetësisht.
Hapni dosjet mor qenër, hapni dosjet, se në mos sot nesër kjo do të ndodhë!

(Marrë nga muri i Fb. i Urim Gjatës)

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. Pikërisht kjo është dhe revolta ime. Unë nuk vij nga shtresë e internuar, e burgosur apo e persekutuar, po as nga familje komunistësh… jam thjesht popull. Krimet e sistemit i kam mësuar nga shkrimet e rrëfimet e viktimave të atij sistemi dhe respektoj dhimbjen e tyre. Por ajo që nuk duroj dot është se pikërisht elemente të kësaj shtrese i bëjnë fresk politikanëve të djathtë, komunistëve që i torturuan dhe në demokraci ndryshuan kah, u rreshtuan djathtas… Kjo është e keqja e kombit tonë se harron dhe lajkavitet… Shkrimi ishte vërtet rrënqethes… Këte e kam ndjere edhe ne shkrimet e Maks Rakipajt apo të burgosurve të tjerë të ndërgjegjes. Ketë e kam ndjerë dhe në rrëfimet e tua Jozef, por edhe ato të Adrianës dhe Dines.

  2. Kjo është klithma e nji njeriu që tmerrin e ka jetuar në shpirt.
    Nuk ka se si bëhet rrëfim më dramatik dhe tragjik
    i nji ngjarje makabre e më shumë se rrënqethëse rrënqeth,
    ku ti i ndjen të gjallë vendin, njerzit ngjarjen krimin…
    Në fund të leximit ti e e ndjen se ke parë nji film,
    ke parë Delakruanë me lirinë mbi barrikada,
    ke përjetuar nji ngjarje që nuk është përrallë
    se janë mijra njerëz që e kanë parë me sytë e tyre
    dhe ende i kanë në lëkurë dhë në shpirt plagët…
    Nderim dhe respekt pwr ju z. Urim Gjata për këtë tabllo mahnitëse
    të nji krimi kolektiv, në të gjallë të Diktatorit
    që kurrë s’u gjetën as regjizorë, as piktorë dhe as shkrimtarë si duhet…
    Po ky popull pjesën më të vyer të tij e ka përjetsuar
    me këngë dhe me rrëfime… e keshtu si duket do vazhdojë…
    jozef radi

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.