back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Qazim Laçi, njëri nga pjesëmarrësit në aksionin e hedhjes së dinamitit të legatën sovjetike 70 vjet më parë – nga Kastriot Dervishi

Gazeta

Studiuesi Kastriot Dervishi
Studiuesi Kastriot Dervishi

Qazim Laçi, njëri nga pjesëmarrësit në aksionin

e hedhjes së dinamitit të legatën sovjetike 70 vjet më parë.

nga Kastriot Dervishi

Në foto është Qazim Laçi, njëri nga dy personat që mori pjesë në hedhjen e dinamitit në legatën sovjetike në Tiranë të hënën e 19 shkurtit 1951. Bashkë me personi tjetër, ishin pjesëtarë të organizatës së drejtuar nga Sejfulla Shima, e quajtur Bashkimi Kombëtar, e formuar në nëntor 1950, e cila doli nga organizata Grupi i Rezistencës (apo Fronti i Rezistencës), pasi u zbulua (jo plotësisht) mbasi kjo e fundit kish rënë në duart e Sigurimit dhe drejtohej prej tij.
Aksioni për hedhjen e dinamitit u mbajt shumë i fshehtë midis anëtarëve të organizatës. Dinamiti u sigurua në Krujë. Për të kryer aksionin u ngarkuan dy veta:
-Hysen Bajram Llulla, 25 vjeç, lindur në Krujë, por me banim në Tiranë, në lagjen e “Tabakëve”.
-Toger Qazim Abdi Laçi, 27 vjeç, lindur në Pukë, banues në Tiranë.
Koha e atentatit i takonte përkujtimeve që po bëheshin në Tiranë për nder të Ushtrisë së Kuqe.
.
Qazim Laçi
Qazim Laçi (1924-1951)
Në orën 19.30 Hysen Llulla dhe Qazim Laçi dolën nga shtëpia e këtij të fundit dhe u nisën me biçikleta drejt legatës sovjetike në rrugën e Durrësit në Tiranë. Të dy do bënin një xhiro që do zgjaste 30 minuta e do ktheheshin pa i dyshuar askush. Qazim Laçi i veshur ushtarak, ecte i pari, por nuk mbante armë. Hysen Llulla që udhëtonte pas tij, mbante me vete një revolver dhe dy bomba. Ishte një natë e errët dhe e frikshme. Rruga krejt e zbrazët sikur po i priste ta thyenin heshtjen e asaj nate. Qazimi kaloi legatën dhe shkoi në drejtim të shtëpisë së oficerëve, afër ambulancës së madhe. Hyseni ngeli prapa sepse ndezi një cigare, në mënyrë që ta përdorte për ndezjen e fitilit. Qazimi ngurroi, e hetoi rastin si të papërshtatshëm pasi një makinë po shkarkohej aty pranë shtëpisë së oficerëve. Pikërisht në këtë kohë Hyseni hedh dinamitin. Qazimi pa Hysen Llullën të ecë me shpejtësi të madhe në drejtim të tij, duke u larguar nga legata. Duke kujtuar se atë e kanë kuptuar Qazimi iu bashkua Hysenit dhe të dy vazhduan me shpejtësi nëpërmjet rrugës së Radio Tiranës që të çon në rrugën e Kavajës. Vijuan të ecin deri sa mbërritën te pallatet buzë Lanës, vend ku dëgjuan shpërthimin që ndodhi në legatë.
Organizata u zbulua rastësisht. Të gjitha planet për gjetjen e autorëve dështuan. Ky zbulim lidhej me faktin se njëri nga anëtarët, Mark Zef Pali nuk i kishte shkëputur lidhjet me dy elementë të Sigurimit si “Fiku” dhe “Angazhonjësi”. Ua tregoi këtyre me sinqeritet si ishte puna. Sigurimi u vu në ndjekje të anëtarëve të organizatës. Hysen Llulla nuk ra në dorë të tyre dhe u vra në përpjekje. Të tjerët u arrestuan midis datave 3 mars – 3 prill 1951. Qazim Laçi, Sejfulla Shima, Rustem Thaçi, Zenel Rika dhe Ali Vogli u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan në Tiranë më 28.12.1951.
.
Marre nga mủi i Fb i Kastriot Dervishit
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.