back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Që krimi të mos jetojë mes nesh… nga Avis Gjyshja

Gazeta

Avis Gjyshja në Juneau, Alaska
Avis Gjyshja në Juneau, Alaska

Që krimi të mos jetojë mes nesh…

nga Avis Gjyshja

refleksion në pak rreshta mbi shkrimin “Lëkura e Daulles” nga Jozef Radi.
 
Këtë rrëfim të Jozefit e lexova në facebook dhe lashë një koment atje.
Do të doja të ishte letërsi, por fatkeqësisht nuk është e tillë. Eshtë një dokumentim i hidhur i një procedure politike të pushtetit të kohës, në Kampin e Internimit në Savër të Lushnjës.
Denigruese dhe ofenduese përtej shpirtit, i përjetuar dhe i rrëfyer nga i biri dhe bashkëvuajtës i Lazër Radit, zoti Jozef Radi.
Dhe e tëra kjo nën shijen e keqe të faktit se Lazër Radi nuk mund të kthehet dot më e të bëjë pjesën e artë të kulturës sonë edhe më të mirë. Ata që e përndiqnin për armik nuk kishin as aftësinë dhe as dëshirën ta shihnin botën e tij të dijes e aftësisë…
Dhe për fat të keq kjo nuk ç’bëhet dot më. Dhe unë i dëshpëruar e këshilloj në inbox autorin e rrëfimit “Lëkura e Daulles” Jozefin, dhe i them: “Duhet të punosh për dy emra: për Lazër Radin dhe për Jozef Radin!”
.
Lazer dhe Jozef Radi 17 Janar 1996
Lazer dhe Jozef Radi 17 Janar 1996
***
Nuk do të hyj në hollësitë teknike të rrëfimit. E para dhe nëse do të duhej, nuk ndjehem njeriu i duhur për të bërë një analizë letrare të këtij rrëfimi. E dyta si rrëfim i një ngjarjeje të vërtetë që është besoj se nuk e ka nevojën e analizës letrare që ju bëhet rëndom veprave të artit. Sepse nuk është vlera kryesore e kësaj rrëfenje krijimi letrar…
Eshtë bërë e modës që kur flasim për të kaluarën e afërt bëjmë fajtor më së shumti një person të vetëm: – Enver Hoxhën.
Për mua gjëma jonë nuk ishte kurrsesi çeshtje individi!
Dhe kjo është ajo pse po i lë këto shënime.
Kohe më parë shikoja një dokumentar për holokaustin, transmetuar nga “Netflix” dhe midis shumë momenteve të llahtarshme të asaj kronike ishte dhe intervista e një ekzekutuesi lituanez hebrenjsh, i cili në kohën e intervistës merrej me bujqësi dhe asnjëherë nuk qe dënuar, as thirrur apo fajësuar për ç’kishte bërë. Lituania e Luftës së Dytë Botërore ishte shteti i parë në Europë që u deklarua e pastruar nga hebrenjtë. Turma të tëra hebrenjsh të rrethuara nëpër vendet e ekzekutimit, pak minuta para ekzekutimit, prisnin të pafuqishëm vdekjen dhe mundoheshin të zgjidhnin njëfarë vendi “më të mirë” për kufomën e tyre ose të fëmijëve të tyre duke u vetrreshtuar gati për pushkatim mbi pellgjet e gjakut e pirgjet akoma te ngrohta të kufomave të sapo ekzekutuara disa minuta më parë. Në filmimet e rralla të kohës shihen ekzekutorët që qeshnin e mbushnin armët për ekzekutimin e grupit të radhës, e ndërkohë që grupi tjetër zhvishej e bëhej gati të vdiste. Ekzekutori në fjalë siç thoshte vetë, kishte dalë vullnetar si shumë e shumë të tjerë në atë kohë për “ta pastruar Lituaninë nga hebrenjtë…” Ai kishte ekzekutuar (dhe këtë e pranonte pa problem) qindra hebrenj të të gjitha moshave. Çudia ishte se ai nuk ndjehej fare keq në ndërgjegje, ngaqë sipas tij të gjithë e bënin këtë punë dhe se populli në atë kohë i respektonte e i nderonte shumë ngaqë ata po pastronin Lituaninë nga hebrenjtë. Për më tepër ai mburrej dhe ishte i bindur se ishte njeri shumë i mirë dhe se e mira e tij qe pse ai, ndryshe nga gjithë të tjerët, i qëllonte viktimat e tij në ato pjesë të trupit që vdekja e tyre të ishte sa më e shpejtë e mundëshme…!!!
.
Intelektualja Tefta Tasi ditën e arrestimit
Intelektualja Tefta Tasi ditën e arrestimit
***
Kam parë gjatë jetës time që turma e quajtur në atë kohë “masa e gjerë”, qe një forcë e verbër dhe e tmerrshme. Fare e pandjeshme ndaj dhimbjes njerëzore dhe individit të pambrojtur deri në atë pikë sa nuk e kishte aspak të vështirë të asistonte në ekzekutimet publike që kryente sistemi i asaj kohe. Pa personalitet individi, me uniforma çizmesh llastiku dhe xhupash gri të shqyer e rreckosur, (sigurisht me erë të qelbur) me sqetulla e brekë të palara nga mungesa e kushteve të jetesës.
Rrafshimi i dhunshëm i personaliteteve të njerëzve duke i detyruar të ishin të barabartë në varfëri, në veshje, në poshtërim e servilizëm, në duartrokitje e brohoritje, në modelim shtëpishë të njëllojata kudo, çka i bëri njerëzit të mos kishin më egon e duhur për ndërtimin e personalitetit personal e familjar. Varfëria ua mposhti turpin dhe frikën e halli apo uria e fëmijëve apo edhe atyre vetë, i detyroi të vidhnin diçka nga prona e përbashkët. Kështu me kallirin e parë të misrit të vjedhur iku për të mos u kthyer kurrë më nderi i fshatarit të asaj kohe, siç iku ai i muratorit me një tullë apo i bariut me një filxhan qumësht e kështu me radhë. Si askund tjetër, hero u bë rrugaçi e krimineli ordiner që me qëndrimin e tyre pak ndryshe në atë botë vuajtjesh e hipokrizie jepnin imazhin e një trimoshi për të cilët kish aq shumë nevojë shoqëria.
Jam ndodhur njëherë në një sallë gjyqi ku të pandehurit u dënuan me vdekje dhe turma kaloi në ekstazë duke duartrokitur e brohoritur vendimin. Kam parë njerëzit që shkonin për të parë një të varur në sheshin e qytetit tim dhe komentonin pa menduar aspak çastet e fundit llahtarisht të paimagjinueshme të të ekzekutuarit dhe familjen e tij që pothuaj kish vdekur njëherazi bashkë me të gjatë agonisë së të dënuarit në litar. E me radhë e pafund..
Lexova nga komentet në facebook për Tefta Tasin në kampin e internimit në Grabian të Lushnjes kur turma në garë solidariteti ndaj pushtetit të kohës e bëri copë me gurë e me hunj mbas demaskimit çka solli menjëherë edhe arrestimin e saj për të ashtuquajturën veprimtari armiqësore…
E kemi dëgjuar shumë e shumë e shumë. Po në facebook dëgjova për një baba që paska thënë: “Nuk vdeska njeriu kur dashka!!” Sepse i kërkonin të dënonte apo ta mohonte fëmijën e tij…
Nuk e di nëse ka shkuar ndonjëherë Hitleri në Lituani. Por e sigurt që ai personalisht nuk ka asistuar në tmerret që flasim. As Enver Hoxha nuk ishte personalisht në kinemanë e Savrës kur “demaskonin” Lazër Radin. As dhe në shumicën e tmerreve të tjera të asaj kohe. Të akuzosh vetëm atë do të thotë të mos thuash të vërtetën! Dhe këtu flitet për të vërteta të mëdha: – të vërteta historike që nuk fshihen dot kurrë!
Edhe në kanun thuhet gjaku shkon për gisht. Edhe në drejtësi pyetet kush e tërhoqi këmbëzën!
Unë sot pyes: – Kush gjuante me gure? Kush ofendonte? Kush pështynte? Kush brohoriste për dënimet politike? Kush gëzonte me hidhërimin e Lazër Radit? Kush spiunonte? Kush nuk donte të bënte krushqi me Lazrin e kompani? Dhe shumë e shumë e shumë pyetje të tjera… Dhe pyetja e fundit: Pse?!?
Historia thotë që turma/popull kryqëzoi Krishtin!
A nuk është e mundur qe në të jemi pak më shumë të hapur me vehten tonë? Jo për ideologji e politike, por për hir të shpirtit njerëzor. Sepse nuk ka kishë që t’i falë këto mëkate! Në atë sallë kinemaje (e në shumë e shumë të tjera si ajo) “ekzekutori” ishte ndarë në dy pjesë: në atë të presidiumit e në atë të sallës.
Dhe faji i vetëm i Lazër Radit ishte vlera e tij. Ishte një i ditur!
Të varfërit kundër të pasurve dhe të paditurit kundër të diturve! Kaq ishte e tëra! Ky ishte komunizmi në raportet midis individëve të shoqërisë.
Dhe ai Mihal Këshilli i gjysmës që rrinte në presidium më ngjan pothuaj njëlloj me ekzekutuesin lituanez të hebrenjve. Jam i bindur se edhe Mihali i presidiumit mund të mburret sot me diçka siç ai “killeri” lituanez mburrej me “mirësinë” e tij për të bërë gjuajtje të sakta e vdekjeprurëse me të shtënën e parë, për t’i kursyer të ekzekutuareve kështu ca sekonda vuajtje më shumë në atë botë jo aq të largët të gjallësh që gërmonin varrin e tjetrit.
…………………………….
Di që Jozef Radi ka vite që ka ikur nga Savra dhe unë (nuk e di ai) i gëzohem kësaj ikje, se të paktën Jozefi nuk do të shikoje përditë e për orë transformimin hipokrit e të pështirë të linçuesve të tij e të babait të tij në “shokë” e “miq” që gjoja e donin dhe e kuptonin që në atë kohë…
Dhe në fund do t’ju tregoja një strofë nga “Kënga e një nëne gjermane” të Bertold Breht e përkthyer në shqip nuk e di nga kush:
“…Dëgjova tek po flisje, bir,
për një brezni heronjsh mbi dhé,
e nuk e dija, nuk e shihja:
që ti xhelat i tyre qe…”
Gusht 2017 USA.
 
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.