back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

“Që kur vallë égjra bëhet shkak për të refuzuar grurin?” – nga Robert Martiko

Gazeta

William Shakespeare - Victor Hygo -
William Shakespeare – Victor Hugo 

“Që kur vallë égjra bëhet shkak për të refuzuar grurin?”

nga Robert Martiko

Sa aktuale janë sot, sidomos në Shqipëri, këto fjalë të Viktor Hygosë, në mënyrë që mendimi i lartë intelektual, të mos mbetet i plogësht, por të përpiqet për të rilindur shpirtërisht shoqërinë…
“Wlliam Shakespeare”, vepër e Viktor Hygosë, është një manifest romantizmi, që lexuesit i vjen në dorë nga përkthimi i Ermira Godos dhe gjyshit të saj: Abdulla Rami, i cili nisi ta përkthente kur porsa kishte dalë nga burgu i Burrelit, pa mundur ta përfundonte, pasi vdiq pa e ripunuar përsëri. Ky gjest i përkthyesit, tashmë i larguar nga jeta, nuk mund të shpjegohet përveçse me atë flakën e pashuar, të një grushti intelektualësh, para vitit 1944, për të sjellë dritën e vërtetë të Kulturës Perëndimore në Shqipëri. Pikërisht nën këtë vizion Universal e trajton edhe autori i “Të Mjerëve” veprën e Shekspirit, me një zjarrmi tipike, të denjë për karakterin e tij.
Për të arritur te Shekspiri, Hygoi analizon më parë një plejadë të tërë individësh të jashtëzakonshëm, që ndihmuan mendimin perëndimor, për të nxjerrë njeriun nga xhungla e krimit. Janë të shumta shoqëritë e parilindura shpirtërisht, që ende sot, jetojnë të kredhura në armiqësi të brendshme, të pashuar. Pikërisht këta gjeni të stafetës së mendimit botëror, nxitën në Evropë Rilindjen Shpirtërore.
Sipas Hugoit janë: Orfeu, Jobi, Homeri, Eskili, Isaia, Ezekjeli, Hipokrati, Fidias, Sokrati, Sofokliu, Platoni, Aristoteli, Arkimedi, Euklidi, Pitagora, Lukreci, Plauti, Juvenali, Taciti, Shën Pavli, Zhan Patmosi, Tertuliani, Dantja, Gutenbergu, Zhan D’Ark, Kristofor Kolombi, Luteri, Mikelanxhelo, Koperniku, Galileu, Rableja, Kalderoni, Servantesi, Shekspiri, Rembranti, Kepleri, Miltoni, Molieri, Njutoni, Dekarti, Kanti, Piranezi, Bekaria, Didëroi, Volteri, Betoveni, Fultoni, Washingtoni.

Dorëshkrimet e përkthimet të Veprës së Hygoit mbi Shekspirin
Dorëshkrimet e përkthimet të Veprës së Hygoit mbi Shekspirin

Duhet vënë re diçka mjaft e çuditshme që ndodhi në kontinentin evropian, ku bën pjesë dhe Shqipëria. Para më shumë se njëmijë vjetësh, Evropa jetonte në barbarizëm të thellë. Për të ndërtuar kishat e para erdhën në Itali, Francë, Spanjë, Gjermani e Angli, Irlandë e Suedinë jugore, teknikët e parë nga Kostandinopoja. Kjo pjesë gjigante e ish Perandorisë Romake, ku bën pjesë dhe Shqipëria, nuk arriti të realizonte “Rilindjen Shpirtërore”. Bllokimi ndodhi fillimisht për shkak të një vendimi fatal të perandorit Justinian: mbylli shkollën e mendimit logjik të Platonit dhe Artistotelit në Athinë. Ndërsa në Evropë, një numër i madh individësh të dalë nga fiset më barbare në botë: me instinkt maksimal kriminalitetin në tru, nuk mbetën vetëm te pamja e jashtme e gjërave dhe fakteve. Problemi i tyre ishte të dallonin bllokimin shpirtëror tragjik të njeriut, pikërisht në lidhje me të Padukshmen, Misterin, të Përjetshmen e pazbërthyer, në qiell. Ishte pikërisht mendimi filozofik perëndimor që mundi të shndërrojë Zotin në një forcë gjigante pozitive, për të mundur të ndryshojë krimineli mesjetar. Ja arritën qëllimit duke i krijuar njeriut ndërgjegjen, ndjenjën e kujdesit për tjetrin, nëpërmjet individualizmit të përgjegjshëm. Kështu, pas pesë shekujsh mendim ndriçues intensiv, përherë nën efektin e kritikës, dialogut e monologut të brendshëm, mundën ta bënin njeriun më paqësor, më optimist për të ardhmen, krijues, si vetë Zoti në qiell. Jo fajtor, që gjoja çlirohet nga mëkatet vetëm në një botë utopike, magjike. Në jetën praktike, ky lloj njeriu, i tipit të dytë, mbetet i ndërtuar me një humnerë të përhershme, të pashëruar në tru. Mijëra vjet, për shkak të mosndryshimit, janë baras me një sekondë. Prandaj Mesjeta e vëllavrasjes dhe kaosit vijojnë deri në ditët e sotshme.
Thelbi i shkrimit dedikuar Shekspirit mëson lexuesin e kujdesshëm se vetëm fuqia e arsyes me karakter ndriçues, mund të shpëtojë njeriun nga Ferri i vetvetes. Ndërsa në Shqipëri mendimi me karakter studimi është pa orientim, pa kurrfarë interesi për të shpëtuar shoqërinë sipas një rruge evropiane tashmë të sprovuar. Është e vetmja mundësi që nxjerr gjërat nga terri në dritë. Logjikisht, si mund të shkruhet një libër pa zbuluar sekretet e “Rilindjes Shpirtërore”, përveçse nëse studimet janë të destinuara për konsum të brendshëm, të dënuara me jetën e shkurtër të mikrobeve.

Abdulla Rami & Ermira Xhomaqi - Godo
Abdulla Rami & Ermira Xhomaqi – Godo (përkthyesit)

Vini re disa nga mendimet e Hugosë, për të kuptuar se vetëm pasionet e mëdha mund të ndryshojnë shoqërinë, jo lavdërimet e kota në konferenca, tip përshpirtjeje, si në funerale. “Është koha që njerëzit e veprimit të vihen pas dhe njerëzit e mendjes të dalin në ballë. Koka është maja. Atje ku është mendimi qëndron edhe forca. Është koha që t’i jepet Çezari ajo ç’ka i takon Çezarit dhe librit ç’ka i takon librit. Një shekull është një formulë; një epokë është një mendim i shprehur, sipas të cilit qytetërimi kalon në një tjetër. Qytetërimi formohet nga fjali. Këto fjali janë shekujt. Qytetërimi ç’thotë këtu s’thotë atje, por fjalitë e tij misterioze lidhen midis tyre me një zinxhir, Logjika-Logos, është brenda dhe seria e tyre formon progresin. Të gjithë këto vargje janë shprehje e një ideje të vetme, idesë hyjnore, dhe shkruajnë gradualisht fjalën: Vëllazërim.”
Konkluzioni është, se interesi për ndryshim shoqëror në Shqipëri mbetet vetëm për një pakicë fare të vogël intelektualësh. Thuhet në Torahun Hebre se pëllumbi, me degën e ullirit në sqep, lajmëroi Noen për të zbritur në tokë nga anija e tij, si shenjë se ujërat e përmbytjes masive ishin larguar. Sfida e madhe për mendimin e lartë intelektual, shqiptar, dega e ullirit në sqep, është shkrimi i dy fjalëve: “Rilindje Shpirtërore” në Internet, diçka që kërkon më parë edhe studimet përkatëse. Profesorët e filozofisë në Universitet nuk mjafton te merren vetëm me fragmente filozofike, të përkthyera nga një gjuhë e huaj, pa i lidhur drejt për drejt me praktikën, me jetën e gjallë të shoqërisë. Fjalët çudibërëse “Rilindje Shpirtërore” historikisht në Shqipëri mungojnë. I përmend diku, pa i trajtuar me hollësi, vetëm Dora D’ Istria. Dhe askush tjetër! Për ndryshimin e fatit të një shoqërie, më parë, duhet të ndryshojë mendimi i mbyllur, beton armé. Për sa kohë që interesi studimor do të mungojë, të gjithë gjërat e tjera, janë thjesht për të rrahur ujë në havan. Sepse, pa dashur, injorohet gjithë thelbi jetësor i mesazheve të gjenive më të mëdhenj të botës. Në vend të këtij thelbi çudibërës, për vetë cilësinë e jetës, jo teori të kota, pëlqehet bota e shpellës vetlavdëruese, pa kurrfarë interesi për botën e mahnitshme të brigjeve të tjera, të ndriçuara, diku matanë. Jo më kot Viktor Hygoi shkruan ndërmjet mjaft gjërave të mrekullueshme: “Që kur vallë égjra bëhet shkak për të refuzuar grurin?”
Prandaj Abdulla Rami, me botën e bukur të revelacionit, apo zbulimit shpirtëror, porsa doli nga burgu, filloi të përkthente këtë vepër të jashtëzakonshme, përkthimin e të cilit e vijoi në mënyrë të suksesshme mbesa e tij, Ermira Godo. I ftoj të gjithë për të lexuar këtë libër me fjalët e një gjeniu evropian për një tjetër gjeni. Gjithmonë sipas parimit se njohuritë humane nuk janë: “lexoj libra”, por avuj dhimbjesh që duket sikur pikojnë nga qiejt e thellë të universit…

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Përshëndetjet e mia dhe përgëzime Robert për këtë përcjellje që i ke bërë një libri të rrallë, ku fatet njerëzore edhe ato intelektuale takohen në rrathana nga më të çuditshmet…
    Libri në fjalë ka ardhur si një parathënie e Hygoit për të birin, që kishte përkthyer Veprën e Shekspirit, ndërsa në shqip, ka ardhur prej një juristi të shkolluar në Francë dhe këtë libër, do ta niste mbas 20 viteve të burgut në Burrel, dhe do të jetonte si dorëshkrim prej vitit 1973, e deri më sot… ku falë mbesës së përkthyesit Ermira Godo – Xhomaqi, dhe këmbënguljes së saj libri erdhi edhe në shqip… pra nga dy breza, si në frëngjisht edhe në shqip…
    Edhe një herë përgëzimet e mia më të sinqerta për këtë shkrim, ku koncepti yt filozofik i lëvizjes mendore tashmë ka marrë një pamje më të plotë…
    4 janar 2023

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.