back to top
6.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Që shkolla të frymëzohet më shumë për një cilësi të vërtetë… nga Artur Shkurti – Drejtor i shkollës “Udha e shkronjave”

Gazeta

Artur Shkurti
Artur Shkurti

Që shkolla të frymëzohet më shumë për një cilësi të vërtetë…*

Qeverive të Shqipërisë e Kosovës për mësimin e gjuhës shqipe

nga Artur Shkurti – Drejtor i shkollës “Udha e shkronjave”

Dërguar me e-mail dy qeverive, më datë 12 tetor 2022

Duke qenë të interesuar:

për plotësimin detyrimeve kombëtare dhe kushtetuese për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare,
për frenimin e asimilimit të fëmijëve të shqiptarëve familjet e të cilëve janë larguar tashmë në emigracion,
për të shtuar investimin në burime njerëzore që ndodhen jashtë trojeve etnike por që mund të ndihmojnë edhe ashtu Shqipërinë dhe Kosovën ose troje të tjera etnike shqiptare është me rëndësi që qeveritë shqiptare të investojnë ndryshe në arsimin dhe kulturën shqiptare të shqiptarëve të diasporës.
Duke u nisur nga përvoja jonë si mësues, drejtues e si shkollë në 25 vjet me programe kombëtare, por edhe me programe ndërkombëtare, nga përvoja jonë si hartues e botues të teksteve mësimore, si edhe një përvojë jo e pakët për të kuptuar cilësinë e mësimit shqip në emigracion, jemi shumë të prekur nga niveli shumë i lartë i asimilimit të shqiptarëve. Kur flasim për nivel shumë të lartë të asimilimit, kemi parasysh nivelin shumë të ulët të investimit që do të prodhojë patjetër një nivel shumë të lartë të asimilimit.
Çfarë po ndodh deri tani?
Është të mos kuptuarit që një gjuhë që të mësohet mirë duhet kohë, kohë, kohë dhe asgjë tjetër. A jemi në gjendje ne të blejmë kohën e nxënësve që janë jashtë? Mund t’u blejmë libra e të themi: ja librat i kanë, por nuk i mësojnë? Mund t’u blejmë mësues, por përsëri do të themi “ja mësuesit, librat i kanë” por nuk kanë dëshirë të dhurojnë ata kohë. Ka shumë arsye që e dështojnë mësimin. Kur shkollat shqipe dështojnë këtu, mund të merret me mend sa të suksesshme mund të jenë ato në emigracion. Dobësia e këtushme eksportohet edhe atje dhe kështu kombi ynë shkon me shpejtësi drejt greminës.
Sami Frashëri thotë “Shqipëri pa shqiptarë nuk ka, shqiptarë pa gjuhë shqipe nuk ka dhe gjuhë shqipe pa shkolla që ta mësojnë atë nuk ka”.
Është e qartë se fëmijët në emigracion kanë nevojë për shkolla. Shtetet shqiptare duhet t’ua ofrojnë ato dhe zgjidhja mendoj që është e thjeshtë. Më poshtë e shpjegoj.
Propozimi: Çdo shkollë shtetërore dhe private në Shqipëri dhe Kosovë, të detyrohet të ketë krahun e vet mësimor online në diasporë, që do të thotë se mbasdite, ose paradite, ato duhet të japin mësim online për nxënësit e emigracionit. Nëse shtetet tona nuk kanë mundësi ta bëjnë këtë, fillimisht mund ta ofrojnë këtë shërbim me pagesë dhe më vonë, ato e futin në buxhetin e tyre.
Shembull
Shkolla “Ndre Mjeda” (Shkodër) ose shkolla “Mihal Grameno” (Fushë Kosovë) detyrohen të japin 9 klasa me emigrantë x 5 orë secila në javë = 45 orë në javë, që do të thotë se 2 mësues të rinj mund të punësohen vetëm për mësimin online të këtyre shkollave. Këto shkolla regjistrojnë nxënës kryesisht që janë përkatësisht nga Shkodra dhe nga Fushë Kosova, në mënyrë që ato jo vetëm të mësojnë gjuhën shqipe, por të mbajnë sa më shumë lidhjet krahinore, dialektore dhe interesin e vetë fëmijëve apo prindërve që të jenë të lidhur me vendin.
Nëse shkollat paguhen (ta zemë 5 euro/ora ose 100 euro në muaj) është e natyrshme që ato vetë do të grumbullojnë rreth 10.000 euro në muaj vetëm nga 9 klasa x 12 nxënës, që është një buxhet i mjaftueshëm për të paguar jo 2 mësues por 10 mësues të shkëlqyer. Ka edhe modele të tjera financimi, por mendoj që prindërit që janë jashtë do ta financojnë me kënaqësi shkollën.

Poezia: Gjuha shqipe
Poezia: Gjuha shqipe

Përfitimet

Është e padiskutueshme që numri i regjistrimeve do të jetë shumë i madh. Nxënësit që janë jashtë kanë shumë besim në shkollat shqiptare dhe fundja ato mbajnë edhe mallin e vendit.
Është e padiskutueshme që cilësia mësimore do të jetë shumë e madhe sepse mësuesit vendas, të Shqipërisë dhe të Kosovës do ta bëjnë këtë shumë më mirë se mësuesit në emigracion, sepse do ta bëjnë nga shkollat e tyre ku gjallon gjuha dhe kultura shqiptare.
Është e padiskutueshme që vetë shkollat shqiptare jo vetëm do të financohen më mirë, por ato do të mësojnë shumë nga nxënësit që janë jashtë dhe shumë projekte të nxënësve tanë shqiptarë, do të bëhen me bashkëmoshatarët e tyre të të njëjtit komb por që jetojnë kudo në botë. Fëmijët dhe familjet që jetojnë jashtë duke sjellë përvojat e tyre të shkollave shumë të mira, do të ndikojnë thellësisht cilësinë e shkollave tona.
Ky do të jetë një hap i sigurt drejt rikthimit të shumë familjeve në vendet e tyre.
Shkollat do të forcojnë kontaktet dhe kjo do të përkthehet në një ardhje gjithnjë e më të madhe.
Vetë shkollat tona do të frymëzohen më shumë për një cilësi të vërtetë.
Do të frenohet emigrimi i mëtejshëm. Jemi të bindur që familjet që jetojnë jashtë do të ndikojnë pozitivisht për frenimin e emigracionit të mëtejshëm sepse ato e shohin që nuk është mirë kjo punë.
Unë mendoj që propozimi është shumë i qartë dhe që mësuesit anembanë Shqipërisë, Kosovës, Maqesonisë së Veriut, të Greqisë, të Malit të Zi apo në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc, do ta presin shumë mirë.

*Titulli redaksional, radiandradi.com

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.