Qemal Stafa, një hero i dyshimtë Çelo Hoxha (sta)
Zyrtarët e lartë do të vendosin kurora dhe tufa me lule në varrezat e “dëshmorëve” sot. Ndonjëri mund të shkojë vizitë në një familje “dëshmori”. Një pjesë e pensionistëve, kryesisht ata që hipin pa biletë në urbanë, do të kujtojnë me nostalgji, e me zë të lartë, kohën kur ishin aktivë dhe i shërbenin me entuziazëm diktaturës. Ka dekada që e njëjta gjë ndodh në çdo 5 maj, qysh kur komunistët morën pushtetin me armë, 1944.
Data e dëshmorëve është vendosur për nder të Qemal Stafës, i cili u vra në 5 maj 1942. Nderimi i këtij njeriu mund të interpretohet kështu: shqiptarët e urrejnë sistemin komunist, por i nderojnë komunistët. Nëse Qemal Stafa nuk i ka bërë keq Shqipërisë sa Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Koçi Xoxe, Bedri Spahiu,Ramiz Alia, Tuk Jakova, Tahir Kadareja e të tjerë, kjo nuk është meritë e tij, por karabinierisë fashiste që e hoqi qafe më herët. Aq sa jetoi, Qemal Stafa ka pasur veprimtari të bollshme antiligjore, para dhe pas pushtimit të Shqipërisë.
Qemal Stafa ka qenë, thuhet në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar (Vëll. 3, 2009), “pjesëmarrës i luftës ANÇ.” Kjo nuk është aspak e vërtetë. Që dikush të ketë qenë pjesëmarrës në luftë duhet të plotësojë dy kushte: 1) të ketë qenë anëtar i një formacioni ushtarak pjesëmarrës në luftë dhe 2) të ketë marrë pjesë në luftime kundër palës armike. Këto dy elementë mungojnë në jetën e Qemal Stafës.
Nasho Jorgaqi, bashkautori profilit të Qemal Stafës në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të vitit 2009 dhe 1985, ka shkruar një monografi, tregime dhe artikuj të shumtë për Qemalin, por asnjëherë nuk ka përmendur ndonjë formacion ushtarak antifashist pjesë e të cilit ka qenë ai, ose ndonjë betejë kundër forcave fashiste në të cilën ka marrë. Prandaj mund të themi me siguri që Qemal Stafa nuk ka luftuar për çlirimin e Shqipërisë nga fashistët.
Armiqësia e Qemal Stafës me fashistët, ashtu si e shumë të tjerëve, nuk kishte lidhje me pushtimin e Shqipërisë nga Italia në 7 prill 1939. Nga pushtimi i Shqipërisë Qemal Stafa doli i fituar, ai e shfrytëzoi kaosin për t’u arratisur nga burgu. Me arratisjen e Qemal Stafës dhe shumë shokëve të tij, shoqëria shqiptare fitoi vetëm një gjë: në gjirin e saj tashmë lëviznin të lirë më shumë shkelës të ligjit.
Pas burgut, Qemal Stafa nuk bëri ndonjë gjë për t’u shënuar në nivel kombëtar. Ai thjesht u përpoq të shkonte me studime në Itali dhe ia arriti pak muaj më vonë. Më 1 tetor 1939, botoi një skicë në gazetën “Fashizmi”, organ i Partisë Fashiste Shqiptare. Fakti që, ndërkohë që Shqipëria ishte e pushtuar, Qemal Stafa botonte në gazetën e pushtuesve dhe shkoi për studime në zemër të perandorisë fashiste, nuk sugjeron, mendoj unë, që ai ishte duke e luftuar atë.
Në 1940 e më vonë, Qemal Stafa filloi të vihet nën vëzhgimin e fashistëve. Kjo nuk u bë ngaqë kishte zhvilluar ndonjë veprimtari antifashiste, por sepse ishte pikasur si element komunist. Fashizmi i luftonte komunistët dhe nuk e kishte keq.
Edhe kur u kthye në Shqipëri Qemal Stafa, pasi Bashkimi Sovjetik hyri në luftë, komunistët shqiptarë vonuan të kryejnë veprime antifashiste, sepse nuk ishin të organizuar. Erdhën dy jugosllavë që i mblodhën së bashku dhe bënë me ta një parti. E megjithatë, edhe në këtë periudhë, Qemal Stafa nuk ka asnjë veprim ushtarak, që mund të cilësohet si luftëtar antifashist. Ai thjesht bridhte nëpër Shqipëri dhe propagandonte idetë komuniste. Gjatë kohës që ndiqej nga karabinieria, si komunist, Qemal Stafa strehohej në Shkodër në shtëpinë e kuestorit “fashist”, Zija Lunikut. Për këtë fakt, nipi i Qemal Stafës, Veli Stafa, ka botuar një artikull në gazetën Standard, në 5 maj 2007. Lidhja e tyre ishte e shoqja e Zijait, e cila ishte kushërirë e Qemalit. Në AQSH ka disa raporte të nënshkruara nga Zija Luniku, në të cilat thuhet se Qemal Stafa nuk gjendet në Shkodër. Ja një raport i Zija Lunikut, 16 dhjetor 1942: “Në përgjigje të shkresës sipërtregueme njoftoj qi studenti i përmendun në objekt nuk gjindet këtu. Në rast se do të vijë në kët qytet, kemi me e vëzhgue me kujdesie. Kuestori (Dr. Zija Luniku).”
Objekti i shkresës, studenti, ishte i formuluar kështu: “Qemal Stafa i të ndyerit Hasan.” Antifashisti, në këtë rast, ishte kuestori “fashist”, i cili nuk lejoi të binte në dorën e italianëve një shqiptar, dhe jo Qemal Stafa që punonte për llogari të jugosllavëve.
Fakti që Qemal Stafën u vra, nuk e bën atë më heroik se shumë të tjerë që janë vrarë deri më sot. Edhe Koçi Xoxe u pushkatua dhe ishte komunist më i hershëm se Qemal Stafa. Edhe Nako Spiru vdiq nga plumbi dhe ishte komunist i shquar po aq sa Qemal Stafa. Edhe Mehmet Shehu vdiq nga plumbi dhe ishte një luftëtar antifashist, e antinazist e antigjithçka, më i shquar se Qemal Stafa. Përse duhet të nderohet vetëm ai komunist që nuk ka bërë asgjë veç konferencave që u mbante, në shtëpi me qera, ca vajzave të arratisura nga shtëpitë e tyre? Koçi Xoxe, Mehmet Shehu, Enver Hoxha etj. konsiderohen – me të drejtë – kriminelë, kurse Qemal Stafa vazhdon të trajtohet si hero, meqë ishte komunist.
Ka një nonsens të madh në gjykimin e kësaj figure nga institucionet shqiptare. Në 1939, Qemal Stafa u dënua si komunist, bazuar në Kodin Penal. Përse nuk merret në konsideratë ky vendim gjykate që Qemal Stafa të konsiderohet ai që ishte: një shkelës ligji i pandryshueshëm. Një shkelës ligji, qoftë kur shet drogë, vjedh një bankë, përdhunon një vajzë, kryen krim në familje ose përhap idetë naziste, është vetëm një shkelës ligji dhe asgjë më tepër. Idetë komuniste në kohën mbretërisë ishin të dënueshme si idetë naziste në kohën e sotme dhe koha e tregoi që e meritonin të ishin të tilla. Të nderosh një njeri të tillë do të thotë që në gjykimin e historisë, institucionet shqiptare përdorin moralin e krimit dhe jo të ligjit.
Franca ka pasur një problem të ngjashëm para disa vitesh. Kur u bë president, në 2007, dekreti i parë që firmosi Nikola Sarkozi ishte leximi i një letre në të gjitha shkollat e Francës, ditën e parë të shkollës. Letrën e kishte shkruar Guy Moquet (Gi Moket), një ikonë e të majtës franceze. Vendimi i Sarkozisë u kundërshtua nga shumë historianë dhe mësues të historisë. Një pjesë e konsideruan veprimin e presidentit si përdorim të historisë për qëllime politike, një pjesë e kundërshtuan sepse, sipas tyre, Guy Moquet nuk kishte qenë anëtar i qëndresës franceze kundër nazizmit. Ata argumentonin se adoleshenti, djali i një komunisti, u arrestua duke shpërndarë trakte komuniste. Sipas tyre, në kohën e arrestimit të Moquet (tetor 1940) komunistët ishin pro pushtimit nazist të Francës, për shkak të marrëveshjes së Moskës me Berlinin, pakti Ribentrop-Molotov, gusht 1939. Arsyeja e ekzekutimit të është kjo: tre komunistë në Nantë vranë një oficer gjerman, komanda gjermane urdhëroi ekzekutimin e 50 të burgosurve në shenjë hakmarrjeje, mes tyre ishte dhe ai. Sipas historianëve, komunistët iu bashkuan rezistencës kundër nazizmit në pranverë të vitit 1941, koha kur ushtria gjermane nisi sulmin mbi Bashkimin Sovjetik. Presidenti francez u detyrua të hiqte dorë nga dekreti për leximin e detyruar të letrës.
Në rastin e Qemal Stafës institucionet shqiptare duhet të sillen në të njëjtën mënyrë, sepse ai është veç një simbol përçarës.
(Gazeta Standard 5 maj 2013)
Analiza dhe gjykimi më i dobët që kam lexuar ndonjëherë…
Sipas jush, meqënëse Qemal Stafa ka qënë shkelës i ligjit në atë kohë, kur idetë komuniste ishin të ndaluara dhe si i tillë duhet të gjykohet edhe sot… atëhere edhe të përndjekurit politikë nuk duhet të shihen si të tillë dhe të marrin dëmshpërblim për atë që u takon… sepse në fund të fundit edhe ata shkelën ligjin e asaj kohe…
Jeni shumë i saktë në logjikën që ndiqni z. Celo HOXHA.
Urime për shkrimin.
Qemal Stafa nuk ishte i burgosur ordiner Ai u arrestua për idetë e tija. Kështu që çdo lloj krahasimi me ata që shesin drogë apo përdhunojnë është krejtësisht pa vend.
Qemal Stafa u vra nga italianët jo si M.Shehu apo K.Xoxe etj. Kështu që përsëri edhe ky krahasim është krejtësisht pa vend.
Autori duket që është antikomunisit primar dhe me të tilla argumente diskrediton veten dhe kauzën e tij.
Në të gjithë botën (edhe në Francë meqë autori përmend Francën) nderohen ata që vriten nga pushtuesi i huaj pavarësisht nga idetë e tyre. Vërtet letra e Guy Moquet nuk lexohet po ka plot rrugë e shkolla që kanë emrin e tij ashtu si dhe emrin e Jean Moulin.
Qemal Stafa duhet nderuar, ndoshta jo deri aty sa që dita e vrasjes së tij të jetë dita e dëshmorëve, por ky është një debat tjetër.
Përshëndetje! Ky këndvështrim (bazuar mbi arkivat) mbi figurën e Qemal Stafës, është i diskutueshëm, sepse ai ishte një shkrimtar i mirë, në një epokë të trazuar, një penë e tillë nuk mund të besohet se mund të ishte hajdut, drogaxhi…, por kjo s’do të thotë se ai ishte pvrfaqësues i të rënëve dëshmorë duke luftuar… Ai ishte një djalë që u ekspozua shumë në at kohë… të tjerë luftonin… A pati mundësi të ekspozonte shkrimet e tij të tjerëve….! Nuk iu dha mundësia, kjo s’do të thotë se ishte talent i rrallë. Edhe sot i nderuar çelo, njerzit bëhen të famshëm se përdorin mediat, bëhen të dëgjuar si Qemali në at kohë (duke mos qene kushedi se çfarë) dhe kur largohen nga kjo jetë u ngrenë edhe përmendore si fjala vjen z.Godo!!!!!!!!!!!!!! e të tjerë!