back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Qendra MEMO dhe beteja e së vërtetës “lakuriqe“… nga Gjon Radovani

Gazeta

MEMO - Beteja me Kujtesen Kolektive
MEMO – Beteja me Kujtesen Kolektive

Qendra MEMO dhe beteja e së vërtetës “lakuriqe“…

nga Gjon Radovani

Ditën e martë, në mbrëmjen e 3 korrikut,
në ambientet e së famshmes “Shtëpi e Gjetheve“,
u organizua një takim tejet konfidencial në lidhje me Projektin Memo,
vullnet pozitiv i një grupi intelektualësh
për të trasmetuar përmes imazhesh me rreth 70 deri në 120 sekonda,
apo përmes tekstesh të një koinciziteti të rrallë trajta klithmash artistike, me të vërtetat e një kohe,
 cila duket sikur po shthuret ngadalë e pa u ndjerë, si retë në qiell të verës…
Organizatorët Ema Andrea dhe Gjon Radovani, si dhe znj. Vllahutin,
folën për këtë besim të tyre në raportin e së vërtetës me artin,
të dhimbjes me imazhin, të kohës me hapësirën…
dhe falenderuan të gjithë ata vullnetmirë që me energji i janë bashkuar këtij projekti,
i cili beson se se pika e ujit e grryen gurin me lehtë se stuhia e shiut…
jozef radi, tiranë, 4 korrik 2018
.
Ema Andrea, duke folur në mbrëmjen e 3 korrikut
Ema Andrea, duke folur në mbrëmjen e 3 korrikut
.
Shkëlqesi ambasadorë,
të nderuar përfaqësues të komuniteteve fetare,
zonja dhe zotëri,
ndjehemi të nderuar nga prezenca juaj në këtë mbrëmje falenderimi dhe sigurisht ndjehemi shumë më të fortë, por edhe shumë më tepër nën presionin e përgjegjësisë për këtë punë që e kemi filluar me shumë pasion, me shumë përkushtim dhe mbi një bazë totalisht vullnetare.
Grupi i punës i yni fillimisht u gjet bashkë në kuadër të një projekti të iniciuar nga Ambasada e Italisë në Tiranë, UNDP dhe AIDSSH, projekt që trajtonte memorien historike.
Dëshira për të vepruar me efikasitet në një fushë, që për mendimin tonë është tepër e rëndësishme dhe e lënë pas dore në dekadat e kaluara, ose është trajtuar në mënyrë sipërfaqësore dhe jo shterruese, na motivoi për të punuar me një intensitet të pamendueshëm në gjashtë javët e kaluara, duke mbledhur rreth vehtes njerëz të të gjitha shtresave shoqërore, të cilët na u bashkuan vullnetarisht sapo kuptuan mënyrën e trajtimit, që do i bënim kësaj teme.
.
Grupi i Punës i Projektit Memo
Grupi i Punës i Projektit Memo
Eksperienca jonë në këtë proces pune dhe reagimi tepër pozitiv i publikut, i cili tregoi në mënyrë të pashembullt interesin e tij për t‘u njohur me një të kaluar historike tepër të dhimbshme të kombit shqiptar duke u bërë pjesë aktive në këtë nismë, shtoi në mënyrë të ndjeshme motivacionin tonë dhe na vërtetoi se bindja jonë, që vërtetësia e fakteve duhet të jetë një tabu e padiskutueshme dhe e paprekshme në trajtimin e çdo teme historike, sociale, politike apo ekonomike. Nëse një shoqëri shtrembëron faktet nuk ka kurrë as më të voglin probabilitet që të marrë vendimet e duhura për zgjidhjen e problemeve të saj dhe nuk ka asnjë mundësi objektive për të programuar një të ardhme të suksesshme, që siguron prosperitet, integritet dhe dinjitet njerëzor.
Praktika e tre dekadave të fundit në Shqipëri ka treguar dhe vazhdon të tregojë qartazi, se e vërteta e fakteve është mjerisht një element puthuajse i “dorës së dytë” në çdo analize historike, sociale, politike apo edhe tekniko-ekonomike. Ne jemi të bindur se në një rrugë të tillë, ku e vërteta nuk trajtohet si tabu e paprekshme, as gjykimi objektiv, as meritokracia, as suksesi i të mirës dhe të së drejtës nuk mund të garantohen. Nuk mund të ekzistoje një diagnostikim dhe terapi e saktë nëse ato rrjedhin nga një analizë e bërë mbi fakte plotësisht ose pjesërisht të rreme.
Qendra MEMO trajton për momentin një temë sa të qartë aq edhe të padiskutueshme për të gjitha shoqëritë e tjera europiane bashkvuajtëse të epokës së diktaturës komuniste. Në shoqërinë shqiptare ky diskutim akoma ose anashkalohet ose trajtohet në bazë të interesit të ngushtë partiako-klanor. Kur mendimi i shoqërisë nuk unifikohet as në trajtimin e krimeve të tilla monstruoze është iluzion të mendojmë, që këto shoqëri do të jenë racionale dhe të drejta në gjykimin e problemeve apo situatave më pak dramatike. Hapja e Autoritetit të Informimit për Dosjet e Sigurimit të Shtetit, vetëm në vitin 2017, pra 27 vjet pas rënies së diktaturës në Shqipëri, lejimi me dëshirë apo për pasivitet nga ana e shtetit e shkatërrimit total të pronës private dhe asaj shtetërore, uzurpimi i trojeve të të tjerëve në një masë biblike për numrin e popullsisë dhe aprovimi i legalizimit të tyre pothuajse si një vepër normale dhe të natyrshme, janë fakte të qarta për dështimin e drejtimit të shtetit të bazuar mbi fakte të rreme dhe vetëm në shërbim të interesave klanore.
.

Arkitekti Gjon  Radovani
Arkitekti Gjon Radovani
Është e shpjegueshme, që një shoqëri provinciale si ajo shqiptare, lidhjet farefisnore janë shumë më të forta dhe të evidentueshme se në shoqëritë moderne dhe shpesh prevalojnë para lidhjeve mbi bazën e një logjike të shëndoshë në shërbim të së mirës publike. Nga ana tjetër transfomimi i këtyre lidhjeve nga farefisnore në lidhje klanore vetëm në shërbim të interesave të ngushta klanit, gjë që në këtë vend ka arritur pothuajse në perfeksion, paraqet një rrezik tepër të madh për integritetin dhe të ardhmen e shoqërisë. Kjo mënyrë e funksionimit të shoqërive piksëpari nuk është aspak moderne dhe nuk premton zhvillim, por nga ana tjetër është e destinuar që herët a vonë gjithsesi të dështojë duke shkaktuar dëme të mëdha për gjithë individët e saj.
Vetëm nëse zhvillimi i shoqërisë bazohet në të vërtetën e çliruar nga çdo lloj përkatësie dhe ngjyrosjeje, vetëm nëse logjika, meritokracia dhe vullneti për prosperitet do të vihen në shërbim të individit dhe të dinjitetit të tij, duke bashkuar në raport të shëndetshëm interesin publik me atë privat, vetëm në këtë rast shoqëritë do kenë një probabilitet të madh zhvillimi dhe suksesi. Çdo zhvillim i bazuar mbi falsitete historike apo edhe aktuale është i destinuar të krijojë shumë më tepër dëme se sa të mira për të ardhmen e vetë shoqërisë dhe gjithsesi nuk garanton asnjë lloj jetëgjatësie në falsitetin e saj.
Teza famekeqe “ne kemi qënë të gjithë bashkfajtorë dhe bashkvuajtës“, tezë e cila ka mbizotëruar mendimin e politikës shqiptare në dekadat e fundit, mendoj se bie poshtë pa asnjë debat vetëm pas shikimit të cilësdo tragjedie njerëzore të përshkruar nga videot e nismës “i përkasim njëri tjetrit“. Mjaftojnë vetëm 60 sekonda për të zhbërë një mit të tërë demagogjik të ndërtuar me shumë diabolizëm nga makineria e politikbërjes klanore në këtë vënd.
.
Shtëpia e Gjetheve, 3 Korrik 2018
Shtëpia e Gjetheve, 3 Korrik 2018
Paraqitja e të vërtetës “lakuriqe“, pa asnjë indoktrinim ideologjik apo në shërbim vetëm të interesit individual është hapi i parë themeltar në ndërtimin e një shoqërie moderne europiane. Në një vend si Shqipëria, ku edhe për arsye historike e vërteta shpesh është dashur të kamuflohet, mjerisht kjo mënyrë sjelljeje është bërë kulturë dhe është mishëruar në sjelljen e individit të ashtuquajtur normale. Bazuar në këtë realitet fiktiv në relacion me të vërtetën, gënjeshtra, shpifja, pandëshkushmëria, servilizimi, sjellja bigotte, mungesa e kurajos civile, korruptushmëria, sjellja klanore, mashtrimi, mungesa e përgjegjësisë e deri tek injorimi total i rëndësisë së dinjitetit njerëzor, mbesin vetëm një rrjedhojë logjike.
Me gjithë situatën e rënduar së tepërmi në raportin me realitetin, ne kemi patur fatin të konstatojmë, që paralelisht ka një thirrje dhe një nëvojë të madhe nga shumë individë dhe shtresa të tëra të shoqërisë shqiptare për të vërtetën “lakuriqe“. Këto sinjale janë një shenjë pozitive dhe premtojnë, që me një punë intensive mund të arrihet që gënjeshtra, mashtrimi, korrupsioni, padrejtësia të stigmatizohen edhe nga kjo shoqëri moralisht të lënduar nga historia.
Qendra MEMO në punën e saj për bërjen transparente të së kaluarës së hidhur diktatoriale të Shqipërisë synon të ofrojë një platformë ndërveprimi dhe koordinimi të gjithë strukturave simotra shtetërore dhe private, kombëtare dhe ndërkombëtare, që veprojnë në të njëjtën lëndë, duke garantuar autonominë e veprimeve të gjithseicilit, me qëllim rritjen e efikasitetit të punës dhe arritjen e vlerës së shtuar, që vjen gjithmonë nga një ndërveprim i mirëkoordinuar.
Kjo kërkon përveç koordinimit edhe një aftësi dhe gatishmëri për t‘i thënë gjërat ashtu siç janë edhe kur dhëmbin edhe kur lëndojnë, nën moton e Eric Geiger: “Nëse doni të kënaqni çdo person, mos u bëj lider, shit akullore“.
Ne duhet të mësohemi të themi hapur atë që mendojmë, të jetojmë ashtu siç mendojmë, për të mos rrezikuar të detyrohemi të mendojmë ashtu sic jetojmë (citat).
Në fund më lejoni t‘ju prezentoj grupin e vogël, por të palodhshëm të punës, që në javët e fundit, ditë-natë kanë qënë në shërbim të nismës “i përkasim njëri tjetrit“ dhe shpesh gjithseicili prej nesh ka tejkaluar edhe pritshmëritë e veta
1.Gjergji Pano – Montazhier
2.Elvana Zaimi – Përkthyese
3.Ardita Repishti – Mardhënie me media
4.Ervin Kotori – Regjizor
5.Agron Tufa – Shkrimtar
6.Ema Andrea – Artiste dhe autore.
Duke ju falenderuar edhe një herë për mbështetjen dhe prraninë tuaj sonte, ju uroj të kalojmë së bashku një mbrëmje konstruktive për të programuar ndoshta së bashku ecurinë për ndërtimin e një marrdhënie sociale të shëndetshme dhe të bazuar mbi të vërtetën e fakteve dhe jo mbi realitete fiktive.
3 korrik 2018

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.