“Qëndroni, se s’kanë çka me ju ba! Qindroni!”
nga Dom Simon Jubani
Unë, Simon Jubani, ba mos me i thanë këto fjalë mue s’më lejon vorri mbrendë.
Jam kenë dënue me burgim të përjetshëm, me dekë mbrendë, por “Perestrojka” më nxorri jashtë prej burgut, 20 vjet përpara, mbas 26 viteve burg, e m’kanë lanë pa asnji dhamb në gojë.
Dola prej burgut ma prift se hyna!Arsyeja: se 26 vjet kam ndejtë me krye mbi libra. E kam zgjanue horizontin tem të fesë, horizontin tem të kulturës, se deri n’vjetin 1967, janë kenë lejue të gjithë librat. Mbas 1967, kur u ba revolucioni kultural kinez e u suprimue feja, prap kena vazhdue me i mbajtë librat tinza.
Në shkurt të 1989, papritmas m’u hapën dyert e burgut edhe m’thanë: “Na fal! Të kena mbajtë gabimisht 26 vjet… e kështu, mbas 26 vjetëve burg, kam dalë i pafajshëm!
Në burg, ma shumë më kanë torturue të burgosunit se sa Drejtoria e Burgut, tue me paditë e tue më spiunue. Kam kalue ma shumë kohë në birucë se sa n’odë bashkë me të burgosunit e tjerët. Biruca ishte çimento me ujë e me lagshtinë.
Vuejtja asht nji tra i madh që ka peshue mbi shpatullat e tanë shqiptarve. Po shumica, e kanë ulë shpatullën e ia kanë lanë barrën shokut.
Në burg kam bërtitë: “Poshtë Enver Hoxha”. Ky s’asht racë shqiptari!Ky asht i shartuem me turq, me sllavë, me grekë, me serbë, me rusë me kinezë.
Më ndigjo, se duhet me thanë të vërtetën! Komunistat kanë pasë bazë në Shkodër. Bazë ndër françeskanë e bazë ndër jezuitë. Kudo kanë pasë baza, si ndër katolikë edhe ndër myslimanë. Kanë pasë baza kudo, ndër kisha e ndër xhamija! Kudo. Kur ata e kanë marrë pushtetin në 1944, spiunat nuk u arrestuen asnjeni! E pra ishin majora, ishin kryetarë komunash, ishin në pushtet! E kam pasë afër kolonel Shantojën, ishte njiktu afër, ishte bazë komunistësh, shtëpia e kolonelit.
Kanë shkrue libër për Tuk Jakovën, edhe ai krahasohet me Nikodemin e Jezu Krishtit. Ia ka thanë haptaz Tuk Jakova klerit katolik, i ka thanë padër Marin Sirdanit:
“Qëndroni, se s’kanë çka me ju ba! Qindroni!” Atherë, kur deshtën me e ba Kishën vegël të shtetit, ia ka thanë vetë Tuku, po e përsëris Padër Marin Sirdanit: “Qindroni, e mos e bani Kishin vegël të Sigurimit të Shtetit! Nuk kanë ç’ka me ju ba!”
Persekutimi filloi kundra katolikëve. Me zhdukë vlerat e katolikëve, me zhdukë elitën katolike. Arrestimet u banë kryesisht ndër katolikë, gjysa e lagjeve katolike, u xunë prej partizanëve, u okupuen, u mbushën me oficera të ardhun prej jugut. Filluen me vra, me pushkatue! Ma të shumtët katolikë, po sigurisht edhe muslimanë. Shkonin n’shpi të Tuk Jakovës edhe i thoshin: “Po ju na keni premtue “Lugën e Arit” more! Ju na keni grabitë shpijat! Po ju na keni hy nëpër shpija e po na shnderoni vajzat, more, ju po na shnderoni edhe burrat…
Këta na prunë tifon e morrit!! Këta prunë imoralitetin, këta prunë mizerjen, këta prunë injorancën, këta prunë tana të kqijat.
E kam pa unë vetë të parin ekzekutim. Asht ba në pjacë. Gjyq pa kurrgja. Ishin nja njizet vetë. E mblodhën popullin që ishte nëpër pjacë. Ishin të lidhun të tanë. I mbështetën për mur, karshi fototekës “Marubi”, edhe skuadra e pushkatimit na tha ne, krejt popullit aty: “Këta janë të tanë spiuna, këta i kanë shërbye okupatorit…” e prralla tjera ksisoji, edhe i pushaktuen pa gjyq, pa dokumente, pa kurrgja…
Për shembull, dom Pjetër Çunin e kanë mbytë tue e hjedhë të gjallë, lidhun kambësh e duersh në birë të nevojtores… aty ka dekë i shkreti. Dom Lekë Sirdanin gjithashtu. Dom Lazër Shantojën e kanë mbajtë në hetuesi nja dy vjet e herë i kanë sharrue, herë krahun e djathtë, herë të majtin herë e herë kambën…
U grumbulluem me 4 edhe 11 nantor, edhe tundëm botën. Tundëm qiellin edhe tokën. Tundëm qiellin, sepse martirët që janë vra na ndërmjetsuen pranë Zotit, na dhanë forcë për me shkrue datën ma të randsishme në historinë e Shqypnisë! Me thanë meshën e parë në epokën e terrorit, kur Ramiz Alia e vriste rininë që po ikte nëpër kufijtë e Shqypnisë e të Greqisë e Jugosllavisë. Ikte për me gjetë pak ma shumë liri, kurse Ramiz Alia i vriste e i lidhte kambsh e duersh me tela të istikamit dhe nëpër kamiona me sponde të rrëzueme i shetitte për me i pa krejt populli.
Shkonte te nanat e tyne edhe u thote: “A e njef djalin tand?” e djali ishte njaty i vramë e i lidhun me tel istikami…
E pra, midis atij terrori na kena thanë Meshën e Parë, e ajo Meshë e Parë, asht fundi i epokës ma terroriste që kishte pësue populli shqiptar. Populli e kishte ruejtë fenë nëpër shpia e nëpër katakombe, e me kishat e mbylluna, çdo shpi katolike ishte kthye në nji kishë, e aty i kena ba edhe pagëzimet, edhe rrëfimet, edhe kungimet, meshën e të tana. Ajo asht nji ngjarje puro shqiptare!
Nuk e kena ba as me ndihmën e Jugosllavisë, as të Greqisë apo Venedikut, sepse në të gjitha ngjarjet e tjera historike ka gisht edhe i hueji. Austro-Hungaria, Turqia, këta na kanë prishë bazat!
Na kanë prishë sportin aty ku ka mësue Loro Boriçi, na kanë prishë shkollat, aty ku ka mësue Padër Gjergj Fishta, për me ndërtue të vetat! E kanë ndërtue nji Smajl Kadare!
Smajl Kadareja antarët i parlamentit të Enver Hoxhës, Smajl Kadareja antar i partisë së Enver Hoxhës, Smajl Kadareja, shkrimtar i Oborrit, domethanë trubadur! Kurrë s’e ka folë nji fjalë në favor të popullit. Smajl Kadareja, kur ndodhi eksodi, në ’90-91, ka deklarue botnisht: U lirue Shqipnia nga jashtëqitjet! E ka quejtë popullin, Jashtëqitje… e mandej u ba jashtëqitje adhe ai vetë, sepse hiku e ndejt në Francë. Ai nuk ka vlera, se vlera nis nga Morali, ai asht stilist! Poooo ai shkruen bukur. Po ma s’pari nuk asht miell i thesit të tij, se kërkush nuk guxon me ia ba analizën veprës se ku i ka kopjue e ku i ka marrë. Nuk guxon se asht Nomenklaturë. Heej, me folë kundra Smail Kadaresë asht si me folë kundra Komitetit Qendror… Unë ia kam thanë ndër sy: “Ti e ke ulë vedin kaq poshtë, sepse i ke dalë në gjyq shokut tem të burgut Petrit Karazit! Çfarë shkrimtarit je, me u ba vegël e Sigurimit e me i dalë dëshmitar Petrit Karazit. “Unë nuk e njof!” – më tha! “Të njëf ai ty!” i thashë, se asht dënue për agjitacion e propagandë. I ka dalë Petriti n’nji rrugicë atje në Tiranë edhe i ka thanë: “Ti mor qenbirqeni me na e sha Fishtën ne? – e pra Petrit Karazi, musliman e shoku jem, – A s’ke marre mor, po kush je ti more! Ti je klysh i Enverit, nji sahanlëpirës! Shqip ja thotë: Sahanlëpirës!!”
Ai s’ka vlera morale, e njeriu matet prej vlerash morale: Sa i shërben së Mirës kundra së Keqes. Ai s’e ka hapë gojën kundra së Keqes kurrë, po gjithonë ka marrë pjesë në të Keqen! Unë jam ba avokati i tanë katolikëve, i tanë shqiptarëve të ndershëm e më gjykim të shndoshë, që i din të tana këto që i di unë, po që s’ja mban me ia kallzue botës se çka po ndodh në Shqypni…
Marrë nga albanian.martyrs.com