back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Qerim Haxhiu – nacionalist dhe veprimtar i shquar për çështjen kombëtare, në Diasporën Shqiptare të Egjiptit – nga Kevin Haxhiu

Gazeta

Qerim Haxhiu - Qytetar Nderi i Lushnjes
Qerim Haxhiu – Qytetar Nderi i Lushnjes

Qerim Haxhiu – nacionalist dhe veprimtar i shquar

për çështjen kombëtare, në Diasporën Shqiptare të Egjiptit

nga Kevin Haxhiu

Qerim Haxhiu lindi në Lushnjë më 7 shkurt 1920, në një familje qytetare, fisnike, patriotike të Lushnjes. Djali i patriotit të shquar shqiptar Bajram bej Haxhiu, i cili ishte një nga anëtarët e Komisionit Nismëtar të Thirrjes dhe Organizimit të Kongresit të Lushnjës dhe vëlla i legjendës së sportit shqiptar Abdurrahman Roza Haxhiu.
Qerimi shkollën fillore e kreu në Lushnje, ndërsa shkollën e mesme e kreu në Medresenë e Tiranës. Shkollën e lartë për teologji (shkenca islame) e vazhdoi në universitetin “Al-Azhar” në Kairo të Egjyptit. Në vitet ’30, ai u aktivizua si futbollist me ekipin e futbollit “Kongresi i Lushnjes” i qytetit të Lushnjes. Qerimi qe një nga futbollistët e gjeneratës së parë “Haxhiu”, të ekipit lushnjar dhe i pari që nisi traditën e gjatë të mbiemrit që bëri histori në sportin lushnjar dhe atë shqiptar.
Në vjeshtën e vitit 1938, Qerimi u nis nga Lushnja, tranzit në Selanik dhe mbrrin në Aleksandri. Kjo rrugë e gjatë për Qerimin ishte e paharruar për faktin se për të, sepse qe rrugë pa kthim mbrapa në atdhe, derisa ndërroi jetë, (vetëm në vitin 1967 arriti të merrte një leje për një vizitë në atdhe.) Patrioti Qerim Haxhiu fizikisht ishte në Egjipt, por me shpirt e me zemër mbeti gjithmonë në Shqipërinë Etnike. Ai ka botuar vazhdimisht artikuj për atdheun, për Shqipërinë e tij dhe çështjen kombëtare në gazeta, revista të diasporës shqiptare të Egjiptit, gjithashtu ka shkruar dhe poezi nga më të ndryshmet.
Qerim Haxhiu qe nismëtar i shumë organizimeve, dhe hartues i disa memorandumeve e peticioneve, të gjitha këto për çështjen kombëtare Shqiptare.
Në 7 prill 1939, kundër okupimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, Qerimi hartoi një peticion si dhe ishte një prej studentëve shqiptarë, që organizoi protesta në Kairo.
.
Qerim Haxhiu dhe Diaspora Shqiptare e Egjiptit
Qerim Haxhiu dhe Diaspora Shqiptare e Egjiptit
Në vitin 1958, Tito do të vizitonte Naserin në Egjypt. Edhe këtij të fundit, Qerimi i nisi një memorandum me rreth 20 faqe për gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi. Në përmbajtjen e Memorandumit jepeshin mjaft të dhëna mbi golgothën e shqiptarëve në Jugosllavi dhe shpjegohej se myslimanë nuk jetojnë vetëm në Bosnje, por edhe në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi e gjetiu… dhe se ata me kombësi janë shqiptarë. Memorandumi, megjithëse iu drejtua Naserit, nuk u protokollua në zyrat e Institucionit të Presidentit të Egjiptit, por ai u dorëzua Ambasadës Jugosllave. Kjo bëri që atdhetari Qerim Haxhiu të arrestohej përkohësisht, ndërsa Tito vizitonte Egjiptin.
Në 9 korrik 1941, Qerimi do të shkruante poezinë “Teqeja Magauri” kushtuar teqesë bektashiane shqiptare të Baba Ahmet Serri Glina me origjinë nga Përmeti. Teqeja “Magauri” në Kairo të Egjiptit, u kthye në “shtëpi” për shqiptarët atjeshëm pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Qerim Haxhiu ishte një besimtar myslimanë i devotshëm dhe kurrë s’u largua nga leximi i Librit të Shenjtë Kur’anit dhe nga falja e namazit. Haxhiu ishte ndër personalitetet e njohura shqiptare që emigruan në Egjipt. Përveç kësaj ai ishte edhe atdhetar i paepur për çështjen kombëtare shqiptare, në Koloninë e Shqiptarëve të Egjiptit, dhe gjithë jetën dhe veprimtarinë patriotike ia kushtoi atdheut, Shqipërisë, Kosovës, shqiptarëve të Malit të Zi, Maqedonisë e Çamërisë.
Qerimi kishte njohuri të thella për historinë shqiptare, dhe gjithnjë fliste për Rilindasit, për gazetat që ata botuan, e që kontribuan në zgjimin dhe ndërgjegjësimin kombëtar të shqiptarëve të Egjiptit.
Ai mbeti një antikomunist i flakët, demokrat dhe nacionalist i madh. Për regjimin diktatorial komunist në Shqipëri, patrioti Qerim Haxhiu ka thënë se: “Regjimi komunist në vend që rinisë t’ia shtojë dashurinë për atdheun, u interesua për Rusinë dhe Vietnamin, për dallim nga rinia kosovare e cila ndjenjën e atdhedashurisë e ruajti më tepër. Mirëpo, rinia kosovare s’e dinte se Shqipëria zyrtare më tepër interesohej për Vietnamin se sa për Kosovën”.
.
Qerim Haxhiu ne Kajro 1951
Qerim Haxhiu ne Kajro 1951
Në 21 vjetorin e ndarjes nga jeta të Andon Zako Çajupit (11 korrik 1930-11 korrik 1951), Qerimi mbajti një fjalim mbi jetën dhe veprën e Çajupit, gjatë homazheve të zhvilluara nga atdhetarët e kolonisë shqiptare të Egjiptit, në varrin e Andon Zako Çajupit në Egjipt. Nga gjithë veprimtarët e Kolonisë Shqiptare të Egjiptit, Qerim Haxhiu ishte i vetmi që shkruajti një përmbledhje (histori) për diasporën shqiptare të Egjiptit që i duhej Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” në Amerikë.
Patrioti Qerim Haxhiu ka mbajtur lidhje të vazhdueshme në të gjallë të tij me Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra” dhe ishte i abonuar në Gazetën “Dielli”. Gjithashtu Qerimi ka bashkëpunuar me Drejtuesit e Vatrës edhe në një projekt historik të Diasporës Shqiptare në Egjipt, projekt që e ndërmori “Vatra” dhe që u realizua nga Qerim Haxhiu në bashkëpunim me studentët shqiptarë në Egjipt. Qerimi edhe në Egjipt u qëndroi pranë shqiptarëve, e për këtë është shprehur: “Unë kudo që të shkoj, kërkoj shqiptarë, sepse pa ta dita s’më shkon…” Qerimi ka takuar edhe Mbretin Faruk të Egjiptit, me origjinë shqiptare së pari gjatë një iftari që mbreti organizoi për studentët dhe së dyti në Bashkësinë Shqiptare. Në Kairo është takuar edhe me personalitete të rëndësishme shqiptare, ndër të cilët Mbreti Zog I dhe Familja Mbretërore (Mbretëresha Geraldina, Princi Leka I, Skënder Zogu), Ernest Koliqi, Abaz Kupi, Nexhmedin Qorraliu, Qemal Butka, Aleksandër Meksi, etj. Gjatë qëndrimit të Familjes Mbretërore Shqiptare në Aleksandri, Qerimi mbajti lidhje miqësore, kjo në vazhdimësi të një miqësie të vjetër, që i kishte fillesat në vitin 1920, në Kongresin e Lushnjes, ku babai i Qerimit, Bajram Haxhiu, qe ndër nismëtarët e Kongresit, e mik me delegatin e Matit, Ahmet Zogun. Haxhiu e ka vizituar shpesh Familjen Mbretërore Shqiptare. Gjithashtu, gjatë stinës së verës, ai qëndronte në residencën e Familjes Mbretërore Shqiptare, ku i mësonte gjuhën arabe (lexim dhe shkrim) mbesave të Mbretit Zog.
.
Homazhe ne Varrin e Andon Zako Cajupit ne Kajro ne 1951
Homazhe ne Varrin e Andon Zako Cajupit ne Kajro ne 1951
Qerimi kishte miqësi edhe me Abaz Kupin dhe me djalin e tij, me të cilin ishin moshatarë e shokë të ngushtë. Haxhiu ka kontribuar vullnetarisht në mësimin e gjuhës shqipe tek fëmijët e Shqiptarëve në Kairo. Gjithashtu ai jepte edhe leksione, 3 herë në javë, për studentët shqiptarë në Liceun e Kairos.
Në vitin 1967, gati pas 3 dekadash u nis me vize (pasi kapërceu pengesa të shumta burokratike të regjimi diktatorial komunist) për të vizituar për herë të parë atdheun, Shqipërinë, qysh pas vajtjes me studime në Egjipt, në 1938. Kjo do të ishte vizita e parë dhe e fundit në atdhe, ndaj e kujtoi gjatë gjithë jetës së tij.
Një moment mjaft prekës i kësaj vizite për atdhetarin Qerim Haxhiu, që s’e harroi asnjëherë ishte se: “Nga Tirana deri në Lushnje s’kam pushuar së qari. Kur mbrrita në Lushnje oborri i shtëpisë ishte mbushur me njerëz. U takova me të gjithë me shumë mall. Kur hyra në dhomë ku rrinte babai (Bajram Haxhiu), posa më pa thirri: Qerim! Dhe i ra të fikët! Nuk kishte faj! Njëzet e nëntë vjet që s’më kishte parë! Këto janë përshtypjet e asaj dite që nuk do ta harroj kurrë!”
.
Qerim Haxhiu, e shoqja Shukrane dhe dy fëmijët Dhurata dhe Iliri,
Qerim Haxhiu, e shoqja Shukrane dhe dy fëmijët Dhurata dhe Iliri,
Qerim Haxhiu ishte i martuar me znj. Shukrane, me origjine nga Prishtina, por me banim në Kairo, vajza e Dr. Shyqyri Çupishtit, i cili ishte kirurg dhe Drejtor i Spitalit të Vlorës, në vitet 1933-’35.
Qerimi la dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Djali Iliri me profesion farmacist, punon në fabrikën e ilaçeve në Stamboll të Turqisë, ndërsa vajza Dhurata, Doktore Shkencash në Kimi, Profesoreshë në Universitetin Koç të Turqisë. Iliri i ndoqi studimet në Universitetin e Kairos, ndërsa Dhurata në atë Amerikan. Fëmijëve, Qerimit jo vetëm gjuhën shqipe ua mësoi, por punoi që ata ta flasin qartë e rrjedhshëm. Ata janë njohës edhe të disa gjuhë të huaja. Shtëpia e patriotit Qerim Haxhiu, në lagjen “Abidinë”, në rrugën “Sherif Pasha El Kebir nr. 2”, në Kairo ishte një mjedis totalisht shqiptar në tokë të huaj. Biblioteka e Qerim Haxhiut ishte burim dijesh dhe e njohur nga të gjithë ata të cilët (kryesisht studentët shqiptarë me studime në Kairo, me origjinë nga Shqipëria, Kosova, shqiptarë të Malit të Zi, Maqedonisë e Çamërisë) që kishin vizituar patriotin dhe kishin marrë libra nga bibloteka e tij, apo edhe ishin këshilluar për çështje atdhetare. Bibloteka përbëhej nga literaturë e çdo lloji e përzgjedhur në disa gjuhë si: shqip, turqisht, italisht, anglisht, frëngjisht, etj. Librat kryesorë në bibliotekën e atdhetarit të shquar Haxhiu ishin ata që flisnin për historinë e Shqipërisë dhe për çështjen kombëtare shqiptare. Në disa prej rafteve të Biblotekës së madhe të Qerim Haxhiut qëndronin pothuajse të gjithë librat e shkruar nga autori i preferuar i tij, i cili ishte “Homeri Shqiptar” Gjergj Fishta.
Librat e Fishtës e kthenin shpesh herë me mendje dhe zemër në atdhe, pa harruar edhe pikturat e veçanta të piktorit korçar Guri Madhi që pasqyronin atdheun që Qerimi aq shumë e donte dhe kishte kontribuar pamasë për çështjen kombëtare shqiptare.
.
Qerim Haxhiu mes personaliteteve të Diasporës Shqiptare në Mërgim
Qerim Haxhiu mes personaliteteve të Diasporës Shqiptare në Mërgim
Qerim Haxhiu ditët e pleqërisë i kaloi duke punuar paradite në fabrikë (edhe pse kishte dalur në pension), kurse pasditeve duke lexuar, e hera herë duke vizituar ndonjë familje shqiptare. Qerim Haxhiu ka kontribuar në fillim të viteve ’90 në përpilimin e librit “Shqiptarët e Egjiptit” me informacionet e tij të shumta për Historinë e Diasporës Shqiptare të Egjiptit. Me pak fjalë ai ishte erudit, por që s’arriti dot të jepte kontributin e tij në Shqipëri, sepse në atë kohë regjimi diktatorial-komunist personaliteteve intelektuale të arsimuar jashtë si atdhetari Qerim Haxhiu nuk ia hapi “derën” për të kontribuar në atdhe, për Shqipërinë. Megjithatë ai e vazhdoi në Egjipt veprimtarinë e tij patriotike me kontributin e madh për çështjen kombëtare shqiptare.
Emri Qerim Haxhiut është shënuar me shkronja të arta në historinë e Kolonisë Shqiptare të Egjiptit, i konsideruar si Rilindas i Fundit i komunitetit.
Qerim Haxhiu u nda nga jeta, më 1 Janar të vitit 2003.
.
Qerim Haxhiu mbas 30 vitesh kthehet ne Atdhe dhe Familjen e tij
Qerim Haxhiu mbas 30 vitesh kthehet ne Atdhe dhe Familjen e tij
Për Qerim Haxhiun janë shkruar disa faqe në librin “Shqiptarët e Egjiptit” -Autor, Emin Azemi, Shkëlzen Halimi-Botuar, Logos-A, 1993 Shkup. Në Gazetën Illyria,1209, 21-23 Janar 2003 është botuar një artikull nga Prof. Beqir Ismaili me titull: “U largua nga kjo jetë edhe një veprimtar i diasporës shqiptare: Qerim Haxhiu (1920-2003)”. Në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Roli i Mërgatës në Shtetformim”, Prizren, 10-13 qershor 2012, e organizuar nga Ministria e Diasporës Kosovë me rastin e 100-vjetorit të Shtetit Shqiptar, është publikuar një shkrim për atdhetarin Qerim Haxhiu.
Në 100 vjetorit të lindjes së atdhetarit (1920-2020), Këshilli Bashkiak Lushnje me Vendimin me Nr. 67 datë 28/07/2020 vendosi ta vlerësojë me titullin “Qytetar Nderi i Lushnjes” z. Qerim Haxhiu (pas vdekjes) me motivacionin: “Bir i një familjeje shumë të njohur lushnjare, zoti Qerim Haxhiu, mbetet një atdhetar i madh midis diasporës shqiptare në botë. Në Egjiptin e largët, ku jetoi e punoi për gati 60 vite, ai krijoi një Lushnje dhe Shqipëri të vogël, bëri gjithçka për mësimin dhe përhapjen e gjuhës sonë të lashtë dhe lartësoi vlerat e bukura morale e kulturore të vendit tonë”.


Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.