back to top
6.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Qilaret e gjyshërve të mi – nga Natasha Pustina

Gazeta

Qyteti i Beratit
Qyteti i Beratit 

Qilaret e gjyshërve të mi

nga Natasha Pustina

Më kujtohet, në fëmijëri, kur bënim gabime, na mbyllnin në qilar. Ky ishte dënimi.
Dalëngadalë, qilari u bë miku ynë.
Vlen të theksohet se qilarët e gjyshëve ndryshonin nga njeri-tjetri. Kujtimet me të hershme i kam nga gjyshja e babait.
Në shtëpitë e vjetra beratase, gjysëm nën tokë, e gjysëm kati sipër saj, ndërtohej qilari. Ndriçimi bëhej nga dritare të vogla, të vendosur sipër tokës. Zakonisht përdoreshin për të ruajtur produktet ushqimore të konservuara, drutë e dimrit, ose orendi të tjera.
Këto qilare, shpesh kishin edhe një derë që dilte mbrapa në kopësht, tek ne ishte ullishte.
Në një nga ditët, që isha e detyruar të rrija në qilar, hapa derën e mbrapme, me vështirësi e u ndodha përballë një lope, që nuk di nga kish ardhur, por që unë e shihja për herë të parë. U tremba tmerresisht dhe fillova të ulërija:
-Ujkuuu, ujkuuu.
Me qe mbushur mendja se ishte ujk dhe aq shumë u tromaksa, sa mbaj mend për atë verë shpëtova nga qilari, (nuk i shkonte njeriu në mend të më fuste më aty.)
Një verë tjetër ishim në Paftal, fshat në rrezë të Shpiragut, mjaft shkëmbor por shumë i bukur.
Ishte periudhë e vjeljes së rrushit.
Në fëmijëve, na hipnin në kuaj ose mushka brenda në kosha që lidheshin te samari i kafshëve.
Vreshtat tona ishin shtretër të ulët, që arrinim edhe ne femijët të këpusnim vilet e rrushit.
Këtë punë e bënim me kënaqsi.
.
Natasha Pustina
Natasha Pustina

.

Rrushi i vjelë dërgohej në një qilar, që ishte ngjitur me dhomën ku jetonim, sepse një të tillë kishim. Aty gjyshja mblidhte gjithë nipër e mbesa, që veronin bashkë me të.
E kisha fjalën tek rrushi, të cilin kishim mësuar ta ndanim sipas llojit (i kuq ose i bardhë), e futnim në disa kade dhe fillonim ta shtypnim. Ne fëmijët ishim shumë të përshtatshëm për këtë punë. Aty për rreth ishin vendosur fuçite e fermentimit dhe kazani i distilimit të rakisë dhe gjithë damixhanët, për raki e verë.
Nga rrushi me kokra më të zgjedhura dhe më të embla, gjyshja bënte reçel dhe pekmes.
Në qilar vendoseshin edhe frutat dimërore, si mollë, ftonj, dardha, gorrica, arra e bajame. Të gjitha këto operacione punë i drejtonte gjyshja ime, e ndihmuar nga nusja e xhaxhait e ndonjë mikeshë e saj.
Aty në një qoshe të qilarit flinte edhe Spirua, një kushëri i ynë, pak më i largët, i cili mezi fliste dhe ne e kishim frikë. Atij i ishte mbushur mendja të martohej dhe në një arkë të mbyllur me kyç, në të cilën ruante me fanatizëm disa gjëra për t’ia dhënë nuses së ardhshme.
Një herë, unë me njërin nga djemtë e xhaxhait, që ishim më kuriozët, arritëm t’i merrnim çelsin e arkës, dhe kur ai nuk ishte në shtëpi e hapëm.
Atje ishte një dyqan i tërë me copa fustanesh, disa bizhuteri të lira, bojra të ndryshme, fruta të mira dhe arra e bajame të qëruara. E ç’nuk kishte aty! Mbushëm duart me arra e bajame dhe mbyllëm arkën. Sado u munduam të mos linim gjurmë, Spirua e kuptoi dhe dënimin e morëm nga gjyshja, e cila na ndërpreu për disa netë me rradhë, historitë rreth zjarrit.
Çdo darkë na tregonte histori të bukura nga librat që lexonte, sepse edhe më shumë punë e miq, gjyshja jonë gjente kohë të lexonte për vete dhe na tregonte edhe ne.
Qilarët e gjyshërve nga nëna ishin më hijerëndë.
Raftet ku ishin sistemuar produktet ngriheshin deri lart në tavan, aty ishte edhe një tavoline e vogël e një karrike.
Një herë kisha thyer një gotë të një servisi, e ime më më kishte mbyllur në qilar. Aty fillova të shfletoja disa fletore llogarish që nuk më tërhoqën vemendje, pastaj ishin disa letra dhe kartolina me pulla të vendeve të huaja, mbaj mend disa turke, greke dhe amerikane.
Gjyshi im ishte koleksionues i tyre dhe mbi tavoline kishte gjithfarë revistash në gjuhë të huaj, sidomos greke dhe amerikane (ai kish emigruar 9 vjet në Amerikë).
Gjejë që më tërhiqte vëmendjen ishin revistat e ilustruara, i shfletoja dhe nuk e ndjeja që koha kalonte aty në qilar.
Përsëri u ndesha me qilarin e gjyshërve kur isha në klasën e pestë dhe të gjashtë.
Qilari ishte përsëri gjysëm nëntokë, por tashmë i sistemuar më ndryshe;
.
Qilar fshati
Qilar fshati

.

Bashkë me gjyshërit, jetonte edhe një tezja ime, ose më mirë, ne jetonim tek ajo.
Në qilar, vendin kryesor e zinte garderoba dhe këpucët e saj që nuk përdoreshin, ose kishin dalë jashtë mode. Unë provoja aty të gjitha gjërat dhe argëtohesha me to.
Përsëri aty shiheshin revistat dhe gazetat që kish koleksionuar gjyshi.
Afër shtëpisë sonë ishte kinema Republika dhe një shitës geshtenjash, që ishte gjithmonë në krizë për letrat e kausheve. Unë dhe Marta, që ishim shoqe e nuk na ndante gjë, disa herë u vumë në ngasje, donim të shkonim në kinema, si tani kujtoj, filmin “Doni i qetë”, me dy seri dhe një tjetër, që nuk më kujtohet, por nuk kishim lekë, atëhere biseduam me shitësin e gështenjave, sa letër i duhej për biletat dhe nga një kaush gështenja të pjekura. Natyrisht burimi ishte tura e gazetave të gjyshit.
Këtë nuk e zgjatëm shumë sepse ishim aq të rritura sa të kuptonim se mund të bënim dwm.
Qilari më ka ndjekur edhe më e rritur, kur ndihmoja babane tim të bënte verë të kuqe, me rrush aromatik, të zgjedhur, dhe fruta të thata, kumbulla, fiq, rrush dhe të hapnim kosheret e bletëve. Im atë ishte agronom dhe kishim rreth shtëpisë një kopësht me të gjitha llojet e frutave.
Nuk di ç’ishte kjo që shkrova këto kujtime!
16 tetor 2018

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.