back to top
1.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Qiriazët – Nji familje në shërbim të Kombit Shqiptar

Gazeta

Parashqevi Qiriazi (1887-1971) dhe Sevasti Qiriazi (1871-1949)
Parashqevi Qiriazi (1887-1971) dhe Sevasti Qiriazi (1871-1949)

Sevasti Qiriazi, sfida me Stambollin për Shkollën e Vashave

nga Anton Çefa

(Sevasti Qiriazi-Dako (1871 – 30 gusht 1949)

Historia e familjes patriotike Qiriazi

Pas vitit 1944, motrat, Sevasti e Parashqevi Qiriazi,
me vendim qeveritar u dëbuan nga prona e tyre
dhe i strehuan në kotecin e pulave,
nga ku s’kishin të drejtë të hanin as vezët e pulave,
sepse ato i hanin komunistët!!!
Pensionin ua hoqën dhe i torturuan këto dy gra deri në fundin e jetës.
I dëbuan edhe nga koteci i pulave dhe strehë iu bë
një familje fisnike dhe besnike,
familja Tafaj me origjinë nga Dibra të vendosur në Tiranë.
Rukie Tafaj ishte një shërbyese besnike,
dhe në duart e saj ndërroi jetë Sevastia.
Çdo mëngjes, një burrë çam u sillte motrave Qiriazi
një shishe qumësht falas nga lopa e tij, për shkak se babai i tij,
dikur emigrant në Amerikë i kishte treguar të birit
për këto dy Zhan d’Arka shqiptare.
Si përfundim, edhe pas 20 vitesh ‘demokraci’,
Familjet Qiriazi e Dako nuk janë nderuar nga Presidentët e Shqipërisë
me titullin e lartë pas vdekjes, “Nderi i Kombit”!
(nga muri i fb i Elida Jorgonit, 30 gusht 2016)

Sevasti Qiriazi
Sevasti Qiriazi

Në radhët e atyre familjeve shqiptare që janë shquar për shërbimet e larta ndaj atdheut renditet nderueshëm familja e Qiriazëve, zulma e veprimtarisë patriotike të së cilës do të jehojë gjithnjë e më shumë në kalim të kohëve dhe do të ndikojë gjithnjë e më tepër në formim të breznive të ardhshme. Gjerasimi, Gjergji, Sevastia, Parashqevia; cilin të kujtosh më parë dhe cilin të vlerësosh më tepër? Të gjithë ua lanë borxh emrin e tyre kujtesës kombëtare. Një borxh ende i papaguar.
Qiriazët e kanë origjinën nga fshati Peras i Kolonjës. Stërgjyshi i Qiriazëve, Mëhilli, qe vrarë duke luftuar me turqit, në fillim të shek. XIX. Mbas kësaj drame, familja emigroi në Tërnovë, një fshat afër Manastirit. Gjyshi i tyre, Qiriazi, qe 11 vjeç, kur u larguan nga fshati i lindjes.
Lindën dhe u rritën në një mjedis thjesht shqiptar, një djep vërtet i denjë për të përkundur bij e bija të përkushtuar ndaj idealeve më fisnike njerëzore e kombëtare. Në kujtimet e saj, Sevastia ka shkruar: “Babai na tregonte histori të mahnitshme rreth stërgjyshërve tanë apo heronjve shqiptarë… Ndjenjat patriotike të tim eti na ushqyen me frymën e tij, e cila me kalimin e viteve u rrit dhe na bëri të gjithë ne fëmijët patriotë të mirë, që u përpoqëm me mish e me shpirt për çështjen e Shqipërisë”.

Kongresi i Manastirit (14-22 nentor 1908)
Kongresi i Manastirit (14-22 nentor 1908)

Në Manastir

Prindërit e Sevastisë, Dhimitri e Maria – edhe kjo vajzë kolonjare, e bija e Kristo Vodenës, – patën dhjetë fëmijë. Dhimitri zuri punë në Manastir, ku mori edhe familjen. Aty u lind Sevastia, në vitin 1871. Që në moshën 4-vjeçare, atë e dërguan në shkollën greke, prej nga pak më vonë kaloi në shkollën e Misionit Amerikan. Gjerasimi, vëllai më i madh, i mësoi asaj të shkruajë e të lexojë në gjuhën shqipe. Ai, gjithashtu, ndikoi shumë në edukimin e saj me ndjenja e ideale atdhetare. Shtëpia e Qiriazëve, ndërkaq, qe shndërruar në një vatër të rëndësishme kombëtare, që priste e përcillte personalitetet e shquara të Rilindjes si Kostandin Kristoforidhin, Koto Hoxhin, Pandeli Sotirin, Petro Nini Luarasin, Orhan Pojanin, Nuçi Naçin, etj. Në këtë shtëpi u bënë, në vitin 1908, mbledhjet e Komisionit të Alfabetit.

Shkolla e Vashave Korçë - dhe Sevasti Qiriazi
Shkolla e Vashave Korçë – dhe Sevasti Qiriazi

Sevasti Qiriazi – Dako, fama në Stamboll

E zgjuar nga natyra, me një botë shpirtërore të pasur, e ndezur që në fëmijëri me zjarrin e idealeve atdhetare, me një këmbëngulje e vullnet të paepur, Sevastia ndjeu që herët nxitjen e brendshme dhe nevojën e domosdoshme për dituri. Kështu, mbasi mbaroi shkollën e Misionit Amerikan, duke kapërcyer pengesa e vështirësi të patregueshme, ajo u regjistrua në Kolegjin e Kostandinopolit, e para vajzë shqiptare, në ato kohë, që po merrte arsim të lartë. Mbasi kreu Kolegjin, diploma e saj u regjistrua në Byronë e Edukimit në Kostandinopol, gjë që i mundësoi asaj të merrte “iradën”, d.m.th. lejen për të hapur një shkollë shqiptare për vajzat. Për këtë qëllim, bashkë me Gjerasimin shkuan në Korçë, ku kishte vetëm shkolla në gjuhën greke për fëmijët e krishterë dhe shkolla në gjuhën turke e arabe për fëmijët myslimanë. Më 23 tetor 1891, mbas një lufte të vendosur dhe përpjekjeve të pareshtura kundër Patrikanës së Stambollit dhe autoriteteve osmane, ata hapën Shkollën Shqipe të Vashave, të cilën Sevastia e drejtoi që nga dita e themelimit. Aty dhanë mësim mësueset shqiptare Parashqevi Qiriazi, Fanka Efthimi, Polikseni Luarasi, Helidhona Falli, etj. E mirëpritur dhe e dashur nga populli, shkolla u rrit shpejt dhe u shndërrua në një çerdhe të edukimit patriotik të vashave. Kur, në janar të vitit 1894, vdiq Gjerasimi, për të vazhduar punën e tij në shkollë erdhi nga Manastiri vëllai tjetër, Gjergji. Në vitin 1904, mbas mbarimit të Kolegjit të Kostandinopolit, erdhi edhe motra më e vogël, Parashqevia, gjë që i krijoi mundësinë Sevastisë të shkonte në Amerikë për të plotësuar studimet e saj për një vit. Mbasi vizitoi Bostonin, Sevastia shkoi në Chicago, ku ndoqi leksionet në Fakultetin e Pedagogjisë në University of Chicago. Njëkohësisht, ajo mbajti konferenca për t’ua bërë të njohur Shqipërinë miqve amerikanë. Në vitin 1905, u kthye në Europë. Gjatë udhëtimit, ajo u ndalua në Londër, Paris, Vjenë dhe në Bukuresht, ku u njoh me veprimtarinë energjik të çështjes kombëtare, Kristo Dakon, që në atë kohë ishte sekretar i përgjithshëm i Shoqërisë Patriotike “Drita” dhe një nga udhëheqësit kryesorë të studentëve shqiptarë të Universitetit të Bukureshtit. Meqë ai ishte specializuar në matematikë, Sevastia iu lut të përgatiste tekste mësimore për aritmetikën, gjeometrinë dhe algjebrën për Shkollën e Vashave, gjë që ai e bëri me dëshirë të madhe. Ato qenë të parat tekste të këtyre disiplinave në gjuhën tonë. Kjo veprimtari e përbashkët, që vazhdoi nëpërmjet korrespondencës mbasi Sevastia u kthye në Korçë, dhe hullia e qëndrimeve dhe idealeve të larta patriotike, i afruan me njëri-tjetrën, dhe, në vitin 1910, duke e ndjerë veten të denjë për njëri-tjetrën dhe për t’i shërbyer së bashku atdheut, u martuan. Patën dy djem: Aleksandrin dhe Gjergjin, që vazhduan me përkushtim e dinjitet jetën dhe bëmat e prindërve.

Sevasti Qiriazi dhe i shoqi Kristo Dako
Sevasti Qiriazi dhe i shoqi Kristo Dako

Mbas luftrave ballkanike

Mbas luftrave ballkanike, e kërcënuar herë mbas here për konfiskimin e librave, djegien e shkollës dhe internimin nga qeveria turke, dhe e ndjekur nga veprimtaria kriminale e Patrikanës, Sevastia u tërhoq përkohësisht në Manastir. Ajo e rihapi shkollën në dy vitet e para të Pavarësisë, 1912-1914; po për arsye të përndjekjevë të andartëve grekë, Qiriazët u larguan në Rumani dhe, me fillimin e Luftës së Parë Botërore, erdhën në Amerikë, në Natick, Massachusetts. Të dy motrat filluan menjëherë nga puna për t’i mësuar shqiptarëve të rritur gjuhën amtare. Shkolla në Natick, e para shkollë në gjuhën tonë në Amerikë, qe hapur që në vitin 1908 nga Kristo Dako. Ndërkaq, ndërsa Parashqevia boton revistën dyjavore “The Morning Star” (“Ylli i Mëngjesit”), çifti Dako-Qiriazi themelojnë Partinë Kombëtare Shqiptare, me qendër në Worcester, kryetare e së cilës qe Sevastia. Qëllimi i kësaj partie politike qe mbrojtja e të drejtave të Shqipërisë në forumet ndërkombëtare. Kësaj propagande, ndër të tjera, i shërbeu edhe “Memorandumi mbi të drejtat, shpresat dhe aspiratat e shqiptarëve”, që shkroi Sevastia dhe ua dërgoi Fuqive të Mëdha, më 12 tetor, në prag të Konferencës së Paqes të Parisit.

Gjergj Dako
Gjergj Dako

Dhuna e diktaturës komuniste mbi familjen e Sevasti Qiriazit

Në vitin 1922, Sevastia u kthye në Tiranë dhe, së bashku me Parashqevinë, që kishte ardhur nga Parisi mbas përfundimit të Konferencës së Paqes, ku kishte qenë delegate e shqiptarëve të Amerikës, rihapën Shkollën e Vashave, tashmë si Instituti Kyrias, një institut me karakter hollësisht kombëtar dhe me vlera të pakrahasueshme mësimore-edukative, ku mësonin vajzat shqiptare pa dallime krahinash e besimesh. Me vendimin e qeverisë shqiptare për mbylljen e shkollave private e fetare, në vitin 1933, mbas 42 vjetësh shërbimi, u mbyll edhe Instituti Kyrias. Me rënien e Shqipërisë në duart e komunistëve, si për gjithë popullin tonë dhe sidomos për familjet e nacionalistëve, filluan vitet e vështira të përndjekjeve, bastisjeve, dhunimeve, burgosjeve, torturarave, pushkatimeve, varjeve, etj. Nuk mund të përshkruhen peripecitë dhe dhimbjet fizike e shpirtërore, që kaloi Sevastia dhe familja e saj në vitet e fundit të jetës së saj. Ajo vdiq në vitin 1949, mbasi e patën nxjerrë nga shtëpia dhe pati përjetuar dhunimin e kufomës së të shoqit, patriotit të madh Kristo Dako, burgosjen e djemve të saj, Aleksandrit dhe kirurgut të njohur, Gjergjit, i cili, duke mos mundur të durojë torturat e hetuesisë, vari veten në qelinë e burgut.

Gjergj Dako, djali i Sevastisë - i vetvarur në burgun komunist
Gjergj Dako, djali i Sevastisë – i vetvarur në burgun komunist

Ajo vdiq, në vitin 1949, e ngushtuar në shpirt që nuk ia dhanë kufomën e tij ta varroste me duart e veta dhe zemërplasur, duke parë gremisjen e atdheut të saj të dashur, për të cilin pati punuar gjithë jetën. Arkivolin e saj, të vendosur mbi një karrocë, e përcollën vetëm njerëzit e familjes: dy nuset e djemve, mbesa e vogël, Viktoria, dhe kuzhinierja e Institutit Kyrias. Për opurtunitet dhe hipokrizi politike të pushtetarëve, më vonë, asaj i dhanë titullin “Mësuese e Popullit”. Siç duket, “u përmendën” ata mjeranët e kuq në pushtet që ajo kishte qenë gjithë jetën dhe do të ishte përjetësisht mësuese e breznive shqiptare.
Marrë nga http://www.zemrashqiptare.net/

Shkolla e Vashave
Shkolla e Vashave

Biografia e Gjerasim Qiriazit (1858-1894)

Predikuesi dhe njëri ndër rilindasit më të njohur të Shqipërisë
është Gjerasim Qiriazi, babai i Kishës Protestante Shqiptare.
Historia e jetës së tij është sa heroike dhe krenare,
aq edhe e dhimbshme dhe e perëndishme.
Kjo është biografia e tij:
Shkruar nga Dr. Femi Cakolli, pastor

.

Gjerasim Qiriazi (1858-1894)
Gjerasim Qiriazi (1858-1894)

-Emri dhe mbiemri: Gjerasim Qiriazi
-Datëlindja: 18 tetor, 1858
-Vendlindja: Manastir
18 tetor 1873: i bëhen fqinj tre misionarët e parë protestantë amerikanë ndër shqiptarët: Xh. Berd, Xh. Marsh, Xh. Hauz
1876: për herë të parë, 2 shqiptarë bëhen protestantë në Manastir, ku edhe hapet kisha e parë protestante shqiptare
19 gusht 1877: Gjerasim Qiriazi lë fenë ortodokse dhe bëhet anëtar i kishës protestante (ungjillore) të Manastirit
1878: Qiriazi fillon studimet biblike në Kolegjin Teologjik Amerikan në Samokovë të Bullgarisë
1882: kreu studimet me plot sukses dhe u diplomua
1882: bëhet pastor praktikant i një kishe bullgare në Shkup
1883: ftohet për të marrë pjesë në Komitetin e Huaj Protestant në Turqi dhe caktohet si ungjilltari i shqiptarëve

Kolegji Amerikan në Samokov të Bullgarisë
Kolegji Amerikan në Samokov të Bullgarisë

14 maj 1883: vendoset në Korçë
1884: bëhet anëtar i Shoqërisë Biblike Britanike dhe të Huaj
1884: fillon që të shkruajë himnet e para
1884: bëhet përgjegjës për shpërndarjen e literaturës ungjillore në shqip
8 qershor 1884: mbajti shërbesë në gjuhën shqipe në kishën ungjillore në Selanik
22 qershor 1884: mbajti shërbesën në shqip në kishën ungjillore në Manastir
12 nëntor 1884: zihet si peng për gjashtë muaj nga disa kaçakë, që i kërkonin para
1885: shkroi romanin historik me elemente autobigrafike: “Pengu i kaçakëve”
1886: vepron në Shkodër
1887: fillon që të japë mësim në shkollën e parë shqipe në Korçë
1888: përgatiti dhe botoi ungjillin e Mateut në shqip
1889: nën sygjerimin e Naim Frashërit, filloi që të përgatiste transkriptimin për botimin e pesë librave të parë të Biblës si tekste shkollore
1889: merr ndihma dhe përkrahje nga shoqëritë shqiptare jashtë atdheut: nga Nikolla Naço, Pandeli Sotiri, Avdyl, Naim, Sami Frashëri, Mihal Grameno, Kristo Dako etj.
1889: u fejua me Athina Mikelidhin, vajzën e pastorit të kishës ungjillore të Selanikut, Stavri Mikelidhi.
24 mars, 1890: u martua me Athinanë në Selanik
prill 1890: në mbledhjen e tij vjetore, Misioni Protestant për Turqinë vendosi që ta shugurojë “Ungjilltar i Popullit Shqiptar”.
1890: filloi që të ndihej keq nga ana shëndetsore, si pasojë e zënies peng
11 maj, 1890, e dielë: mbahet shërbesa e parë publike protestante në Korçë, ku morën pjesë mbi 400 persona. Gjerasimi atë ditë predikoi nga kapitulli i katërt i ungjillit sipas Gjonit.
31 mars, 1891: lind djali i Gjerasimit, Stefani, në Korçë
24 dhjetor, 1891: vdes gruaja e Gjerasimit në Selanik
mars, 1892: së bashku me Sevastinë, Gjerasimi përgatit planin dhe projektin për hapjen e Shkollës së Vajzave dhe Shkollën e të Dielës në Korçë.
korrik, 1892: viziton kishën ungjillore të Prishtinës (i vetmi romantik, që viziton Kosovën)
2 tetor 1892: Kisha Ortodokse lëshon mallkimin e saj kundër Gjerasimit
14 nëntor, 1892: u themelua Kisha Ungjillore e Korçës
14 nëntor, 1892: Gjerasimi themelon shoqërinë “Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë” në Korçë
nëntor, 1892: boton numrin e parë të gazetës së shoqërisë “Letra e Vëllazërisë”.
17 janar, 1893: u bë një tentim vrasjeje ndaj Qiriazit
1893: shkroi shumë vjersha, këngë etj. dhe bëri gati librin “Kristomaci”
2 janar 1894: vdes në moshën 35 vjeçare.
1903: Qiriazit iu botua libri “Kristomacia” në Sofje. I njëjti libër u ribotua në Prishtinë më 1991.
1933: me urdhërin e Mbretit Zog, ndalohet gjithë veprimtaria shkollore ungjillore e Korçës.
1940: u shpërnda kisha ungjillore e Korçës nga fashistët italianë
1959: në SHBA, vdes i biri i Gjerasimit, Stefani, duke lënë 6 fëmijë.
1987: Gjerasimit iu dha titulli “Mësues i Popullit”
1990: u ripërtëri kisha ungjillore dhe “Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë”
1992: iu akordua titulli: “Urdhëri i Lirisë i Klasit të Parë”
Motoja e veprimtarisë së Gjerasim Qiriazit ishte: Miq për Perëndinë, Dritë për popullin, Uratë për mëmëdhenë!

.
Marrë nga http://www.lwbc.co.uk

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.