back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Quo vadis, o njieri? & Terrinë prej qiellit…! – nga Ledri Kurti – Kraja

Gazeta

Ledri Kurti - Kraja
Ledri Kurti – Kraja

Quo vadis, o njieri?

nga Ledri Kurti – Kraja

Jo shumë, por vetëm tri ditë ma parë, ishte festa e Pamvarësisë, 28 Nandori!
Viti 2023!
Me thanë, ndjesia e asaj ditë, ishte si moti i errësuem, apo ishte shkurajuese, asht pak, ku jo veç flamujt nuk binin në sy, por as shejat e nji dite t’tillë…!
Ndoshta, prej motit t’errët t’fundnandorit!
Por kjo ‘ndoshta’ fundnandori, mundet edhe me kenë preludi i nji populli, për t’cilin Pamvarësia dhe herojtë e saj, endé nuk janë kuptue e jo ma mishnue në Kênien e Kombit, pse edhe mendësia, n’esencë t’vet, flen n’gollen e dimnit dhe endé asht n’letargji prej moti…!
T’i lamë fasadat e bame kshtjellë, s’bashku me njerëzit, që brenda kësaj kshtjelle ndihen vedja e nj’asaj maske, kur duertrokitjet vazhdojnë…
T’i lamë pasarelat e shfaqjeve me ‘argtimet’ kilometrike n’orë, apo botokset e llojllojshme, që mpijnë ma përtej synin, pa u mundue aspak me mbrritë n’perceptimin e tuj gjenerue kështu, instiktin e ‘pashkruem n’ballë’!
T’i lamë edhe ato, ‘avangardat’ – reklamë t’fjalëve, që publiku don e pranon me i ndigjue, si e vetmja bangë, ku mësimet merren shpejt, me zà e figurë… dhe aq!
Ja pra, që vazhdojnë lajmet n’jetën shqyptare… Grueja, edhe mbas nji shekulli, ende nuk mbërrin me u perceptue, si dikur shprehej At Anton Harapi n’ligjëratat e tij: ‘N’prêhen t’nanës, rriten kombet!’

Edukimi dhe modeli sipërfaqsuer (në familje, shoqni, shkollë, punë, karrierë, ceremoni lindje e gjer në përcjelljen e fundit) i çdo lloj forme, që koncepti edukim përfshin, asht injektue e kthye n’nji ligj t’pashkruem i barazvlefshëm me dukjen dhe imazhin e rrejshëm, tuj çue n’agoni t’dekës, thelbin e njierit, që e bart ate, pa e kuptue ma as vetë, çfarë nuk shkon dhe pse mos me i meritue kostumet e vlerës!
Fundja, edhe manekinët veshin kostume e veshje për femna, edhe t’shtrejta, por n’asnji prej tyne nuk ka njierin!
Quo vadis, o njieri?

Ndal Feminicidit!
Ndal Feminicidit!

Terrinë prej qiellit…!

Poezi prej Ledri Kurti – Kraja

U vra nji grue
E vranë nji grue
Vrau gruen e vet,
U vra nji nanë
E vranë nji nanë
Vrau nanën
E fëmijve t’vet,
U vra nji bijë
E vranë nji bijë
Vrau bijë,
Ahtin e prindve t’saj
Pa njehë…
U vra nji femën
E vranë nji femën
Vrau femnën
Që dikur
E desht!

N’terr…
Po, n’terr u hap dita
E dielli sterrë
I varun
Rrin n’qiell
Terrina shtue,
Terrue
Drita e mendes
Harbue shpirtnat
Mbrapshtia ndër to
Lanë dangë
E shenjue!

Shndrrue sytë
E dikur – njierit
N’nji pellg
Tinzie
Me kohën përzie
E n’tamth
Gatue,
Madhnue shtatin
Por harrue
Kuptimin
N’gand mashtriet
E n’pré tundimesh
Zvoglue
E tkurrë!

N’mbrendsi t’krahnorit
Tuj dashtë
Me hekë dritet
Ate, tanden
Dikur – dashni
Përbuzë
Poshtnon
Mallkon,
Ven gojë
Ven dorë
Përplasë
E harbon,
Buzëqeshë
Shëtitë
Uron
E maskon,
Palcë e vertebra
T’burrnisë
Shkërmoqë,
E njierit t’motit
Ra mohit
Pa drojë!

Heu,
T’u thaftë, po dora
Që mbi bijë t’huej
Mbi grue tande
A mbi nanë
T’fmive tuej,
Krahin çon
E t’zeza
N’mende tjerrë,
Kombit,
Marrue ftyrën
Mbi 100 vjett
T’flamurit…
….Bjerrë!

Ty
Që prehnit t’saj
N’jetë erdhe
Diellin
Mos me e nxi,
Ty
Që n’gurë
Iu ktheve
Qiellit
Mbi krijesë tij
Ty
Që guxove
Mbi nanë
Mbi grue
Mbi femën
Mbi
…Bijë!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.