back to top
5.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

Qylymi Lumjan… nga Ilir Seci

Gazeta

Ilir Seci 2014
Ilir Seci 2014

Qylymi Lumjan…

nga Ilir Seci

Mbramjet që shtrohen në Amerikë për Festën e Pavarësinë së Shqipnisë, unë i gjej gjithmonë interesante… Në këto mbramje mblidhen shqiptarët e krejt trojeve tona në Ballkan… Shqiptarë nga tanë breznitë që jetojnë në Amerikë… Të lindun nga prind ardhun moti, para njiqind vjetësh, qysh para pavarsisë apo nga prind të ardhun në kohë të Zogut… Shqiptarë të arratisun mbas vendosjes së komunizmit si dhe shqiptarë të ardhun mbas viteve nandëdhetë…
Në nji nga këto mbramje nji miku jem qilloi me kenë i njoftun i përbashkët me nji zotni nga Luma për të cilin do flas… Në fakt edhe para se me u takue me at burrë me kishte ba përshtypje prej larg qëndrimi i tij dinjitoz, nji heshtje të fisme tek rrinte si më vedi e nuk përzihej nëper grupe të zhurmshme diskutuesish… Kishte nji soj fisnikrie që shquhej prej larg…
Duke ndejtë në tavolinë, kur vjen nji miku jem dhe më thotë se do me më prezantu me nji njeri… Shkova me të dhe doli që ishte fjala për zotninë nga Luma… U falëm si asht tradita jonë… Menjiherë nisëm bisedë dhe afërmendsh dolëm te diskutimet për historinë tonë kombtare… Nga biseda pamë që kishim shumë interesa të përbashkët, njaq sa mund të diskutonim për ditë të tana!Në nji moment kur unë po shprehja keqardhje për objektet tona shqiptare që gjinden nëpër muzetë e shumë metropoleve të botës… lumjani ma preu fjalën:
-Meqë dolëm te kjo temë, po u kallzoj nji ndodhi të jetës teme!…
Unë dhe miku jem u bamë sy e veshë…

Qylymet tipike shqiptare
Qylymet tipike shqiptare

-Familja jeme vjen nga Luma… Vetë jam lindë në Lumë dhe deri 7 vjeç kam jetue në katundin tem ku kam le… Mbasi hyni komunizmi, në vitin 1944, menjihere nisën arrestimet e kundërshtarëve të komunizmit si dhe internim-dëbimet e familjeve të mëdha… Ato gjashtë-shtatë vjetët e para komunistët patën burgosë të tanë meshkujt e familjes, çka ishin mbi 14 vjeç! Familja jonë ishte shumë e njoftun në Lumë e duke goditë familjet e tabanit dojshin me trembë popullin, si e kanë praktikë komunistët! Kohna shumë të vështira… N’at kohë kam kenë i vogël por mbaj mend shumë mirë çdo gja! Tanë burrat e shpisë sonë ishin në burg. Luftë klasash na bahej kahmos dhe mbrriti nji kohë që punët shkuen shumë keq ekonomikisht! Dikush duhej me i ndjekë burrat e burgosun dhe ajo barre i ra Nanës së madhe, Gjyshes… E shkreta plakë, nji grusht kockash kishte mbetë duke ngah mbas djemve e nipave nëpër burgje! Vrap te nji i njofshëm, vrap te mjeku gjithëhera mundohej me ba diçka për burrat e shpisë në burgje… Nuset e shpisë shitën stolitë e dhuntitë e martesave, por edhe ato pare nji ditë u sosën… Mbandej shitem çka mund shitej, por me tanë at shkelm që na kishin vu fyt ishte e pamujtun me ia dalë mbanë!
…Në kët pikë Lumjani e ndali kallzimin, mbasi piu pak nga gota që kish para, vazhdoi…
-Nji ditë herët në nadje po ndigjoj gratë që bajshin kuvend me za të naltë! …Në shpinë tonë kurrë s’asht ngritë zani! Na doli gjumi të tanë fëmijëve që u afruem me ndigju… Ma shumë kurreshtarë se sa të trembun u afruem edhe na fëmijët me ndigju çka ishte puna!?
Kishte ardhë nji e afërme e jona nga nji katund tjetër. Duke e ditë gjendjen e vështirë ekonomike kishte ardhë me i thanë Gjyshes se disa inxhinjiera rusë nga Bashkimi Sovjetik paguenin mirë për veshje kombëtare, për sixhade dhe qylyma… Krahina e Lumës asht e përmendun për to!
-Për at e kam ba rrugën me ardhë! Shkoni njiherë deri në Gjegjan, te fabrika mos e shitni Qilymin e Odës së Burrave! – u kishte thanë Plaka…  Gratë ishin nda mëdyshas… Disa me dhimbje ishin me e shitë, ndërsa tjerat thoshin mos me e shitë kurrsesi! Kur e ndjeva atë bisedë diçka më theri në zemër… Qylymi jonë ishte i njoftun në tanë Lumën… Ai qylym shtrohej vetëm për raste, sa krenarë ndjeheshim na si fëmijë kur nuset e shtronin në Odë para se të na vinin miq! Sa herë që vinin miq gjaja e parë që thonin kur merrnin me u ulë në at qylym ishte: “Sa i bukur asht!!” Dhe çdo mik qe vinte nuk rrinte pa e thanë nji vlerësim… Shumë nuk e fshehnin as lakminë!…
-Nuk kena tjetër zgjidhje! – foli Gjyshja,- Duhet me e shitë! Shkoni e mbledheni qylymin!”
Nuset heshtën… Në Kullë nuk ndihej asnji pipëtimë! Për nji moment u duk sikur gjjthshka u ngri! Mbas pak dy nuse zbritën prej katit të tretë me Qylymin në krahë… Gjyshja më thirri mue si djalë, isha ma i madhi ndër fëmijë, unë pesë vjeç për veti!Thirri Nanën teme, si nusja ma e madhe për me e mbajtë qylymin në shpinë dhe u nisem për Gjegjan ku ishin specialistët sovjetike… Gjyshja, Nana, Une dhe Plaka e afërme e jona që na kishte kallzu për blemjet e rusëve…
Tanë rrugës Nana ime qau… Më kujtohet se ecja afër saj tanë kohes, kapun mbas fustanit dhe lotët e vakëta të saj me binin mbi krye!Po shisnim edhe Qylymin e Odës së Burrave! Atëhere si fëmijë instinktivisht e vueja pa e ditë se pse… kisha nji pshtjellim ndjenjash, e ndjeja se ishte diçka e randë! E ndjeja se Nana qau tanë udhës kurse Gjyshja s’e foli nji fjalë deri në Gjegan… Ma vonë kur u rrita e kuptova pse kishin ndje aq dhimbje Nana me Gjyshen… Ai qilym ishte simbol për ne, si nji lloj flamuri që përfaqësonte statusin tonë në Lumë… Shpi e Madhe me Odë Burrash në za, që e kanë të mbulueme me nji Qylym të vetëm në të katër anët! Nje qylym aq i madh, sa mbulonte tanë Oden! Burra nga Luma, Hasi e Malsia, burra nga Mirdita, Lura dhe Dibra ishin ulë kambëkryq n’at qylym! E të tanë kishin shprehë admirimin për atë qylym aq të madh e aq të bukur… Kurrë sa të jem gjallë nuk kam me i harru ato lotë të nxehta të Nanës teme që më pikonin mbi krye si dhe fshamat e Gjyshes që mezi e bani udhën deri në Gjegjan…
Kur mbrritëm me Gjegjan ajo plaka e afërme e jona, foli me shoqnuesin e inxhinjierëve sovjetikë. Sa panë Qylymin u shndritën sytë! E bleu, ai ma i madhi në detyrë, si na thanë ishte përgjegjës i tyne… Për 17 mijë lekë! Gjyshja mori ato lekë, i lidhi në shami dhe u kthyem… Asnji fjalë s’e ka folë kush tanë udhës në kthim! Njisoj sikur të ktheheshim prej nji morti…
Mbas dy vjetësh burrat dolën nga burgu të tanë dhe nji natë të errët vjeshte, krejt si Familje, me pleq e plaka, me burra gra e fëmijë u arratisëm në Jugosllavi… Qëndruem do kohë atje… Nga Jugosllavi te disa miq të familjes na ndihmuen me kalue në Itali në kampin e Triestes e prej aty mbrritëm në Amerikë…

Valle me Veshje te Veriut (Ismail Lulani)
Valle me Veshje te Veriut (Ismail Lulani)

***
Edhe në Amerikë gjithëherë e kujtonim atë Qylym… Aq sa carroket, (fëmijët) e vegjël të lindun në Amerikë e paraftyronin si Qylymin Fluturues të Aladinit në Prrallat e Njimije e nji Neteve… Gjyshja deri sa vdiq e përmendte…
Në Amerikë unë mësoja shumë mirë në shkollë dhe përfundova me rezultate të shkëlqyeme studimet për Biznes në Universitetin Bentley në Massachusetts… Sa mbarova studimet fillova punë në nji kompani të madhe amerikane dhe pas disa vitesh mbrrita me u emnue në bordin drejtues të asaj kompanie… Në vitin 1991, mbasi ndodhen ndryshimet në Europën Lindore kompania jonë ishte nga të parat që hapi filiale në vendet ish-komuniste! Për vetë peshën e marrëdhënieve kur erdhi rradha me hapë filial në Rusi kompania vendosi të nisë atje nji anëtar bordi… Dhe nji ditë të bukur unë mbrrita në Moskë si përfaqësues i njenës nga kompanitë ma të mëdha në Amerikë dhe në botë… Nuk po zgjatem me detaje, për ceremoninë dhe pritjen se ato mund të merren me mend… Mbasdite në koktejin e shtruem për nder tonin më afrohet nji nga drejtuesit e filialit në Moskë dhe më thotë:
-Nga kolegët mësova se jeni nga Shqipnia… Baba jem ka kenë inxhinier dhe ka punue disa vjet në Shqipni në kohë të komunizmit para se me u prishë marrëdheniet. Ka punue në Jug e në Veri si inxhinjer gjeolog…
-Unë kam ikë i vogël nga Shqipnia! – i thashë, – dhe Familja jonë asht arratisë nga komunizmi!
Rusi po përpiqej me fitu simpatinë teme ndaj vazhdoi: “Baba ka respekt per shqiptarët! Kur është kthyer nga Shqipnia ka sjellë shumë relike që ka ble atje! Ende i kemi ato relike… Baba që asht ende i fortë mburret me to! Sidomos me nji Qylym që e ka ble diku në Veri të Shqipnisë ku ka punue si inxhinjer!”
Unë shtanga… “A ka se si me kenë e mujtun!?” mendova…
-Kam dëshire me takue Babën tand! – i thashë – dhe do kisha dashtë me pa reliket që ka sjellë!”
Rusi u gëzue shumë se që në fillim po plaste me u afru e me kriju afërsi… I shkova në shpinë që i ati e kishte në periferitë e Moskës… Tip Daçe si u thonë rusët… Takuem të atin e tij… Ma vona erdhi momenti kur do më kallzonin reliket e bleme në Shqipni! Nuk mujta me u besu syve! Aty ishte Qylymi që kishim shitë atë ditë në Gjegjan… Nga tronditja me mbuluen djersët!Sumbulla djersësh më binin nga flokët si lotët e Nanës at ditë kur shitëm atë Qylym… dhe kurrë s’e kisha imagjinu me e pa ma!?
Inxhinjerin rus nuk e mbajsha mend! Për djersët u thashë se kisha vapë… Nuk e dhashë veten… Gjatë darkës, u thashë me kujdes se a mund të ma shisnin atë Qylym…
-Unë kam ikë i vogël nga Shqipnia! – u thashë, – Jemi arratisë dhe nuk kam asnji relike nga vendi i babës… Do e vlerësoja shumë po të ma shitni atë Qylym!
Babe e bir u panë njiherë ndër sy… Si duket peshuen me mend interesin, lidhjet e mundshme në te ardhmen me kompaninë amerikanë dhe rane dakord… Kur thanë se mund të ma shesin gati sa nuk kceva përpjetë prej gezimi!… Ka kushtu diku te 17 mijë lekë shqiptare më thanë, dhe më kërkuan 17 mijë dollarë! Ata nuk e dinin se unë do ta blejsha edhe për 170 mijë dollarë!…
E bleva Qylymin e Kulles teme në Lume dhe at natë në hotel kam thirrë në telefon të tanë familjen në Amerikë, vllaznit, motrat, me ju kallzu! Isha ngazellyem si nji fëmijë… Rruga e kthimit me avion nga Moska për në Neë York m’u duk sikur u ba jo me avion po me Qylym Fluturues more miqtë e mi!
Lumjani heshti pak… ne ishim ngri duke e ndigju… Mbasi ktheu gotën, Lumjani na tha:
-Eh more miq! Kështu e bleva Qylymin tem në Moskë… Kurdoherë që të bahet Shqipnia e zoja e vetes, njashtu ka me na u dashtë me ba… Do na duhet me e ble krejt historinë tonë të shpërndame anembanë botës…!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.