back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Qypi me Mjaltë i komunistit Halim Xhelo Koçia… nga Bedri Çoku

Gazeta

Gjen. Kol.  Halim Xhelo
Gjen. Kol. Halim Xhelo

Qypi me Mjaltë i komunistit Halim Xhelo Koçia…

nga Bedri Çoku*

“…Komunistet e parë që futën lugën,
thirrën në kupë të qiellit:
“Mjaltë, o popull, mjaltë…!”
Tani ata s’po thërrasin më,
sepse lugët me mjaltë mbaruan, u ka dalë m…
Këtë po ha edhe im bir. Po dale, dale,
se nuk është ngopur ala…!”
.
Kur Halim Xhelo (Koçia) goditi shtëpinë e vet me topa (murtajë) vetëm sepse i ati, Xhelo Koçia, ishte komandant i Ballit Kombëtar, për zonat e rrethinës së Vlorës, ndërsa i biri komandant i një çete partizane, njerëzit e krahinës që çapëluan sytë e veshët nga habia, vajtën një e nga një e tufa-tufa tek i ati i “gjeneralit” dhe, të indinjuar për veprën e djalit-partizan, pyetën:
-Po mirë mo, Xhelo Koçia i famshëm, i thanë, si shpjegonet që yt bir la nam duke e goditur me predha shtëpinë e tija, ë?
I prekur, burri i mençëm dhe trim i Labërisë, u gjegj:
-Edhe im bir, si shumë të tjerë, bijtë e mi, mori mendjen e serbëve, që po gënjejnë dynjanë, bashkë me ca bashto të tjerë të origjinës tënë, pa dinë e iman, sikur në malin e Koçisë, në një guvë, paska qypa të mbushur me mjaltë. Pa po janë turrur ca humbameno, si im bir dhe kush e kush të zaptonjë ndonjë qyp me mjaltë. Të parët që futën lugën, thirrën në kupë të qiellit: “Mjaltë, o popull, mjaltë…!” Tani ata s’po thërrasin më, sepse lugët me mjaltë mbaruan, u ka dalë m… Këtë po ha edhe im bir. Po dale, dale, se nuk është ngopur ala…! Në këtë jetë do të jeni e keni për të parë, që tani për tani im bir po ha me kënaqësi çka brenda në qyp, nesër, ai dhe i tërë populli do ta hanë me pahir…”
Burgu Burrelit - Tmerri i Intelektualeve
Burgu Burrelit – Tmerri i Intelektualeve
Këto fjalë profetike të Xhelo Koçisë m’i tregonte në burgun e Burrelit, Ladi, djali i madh i Halim Xhelos, gjeneralit, i cili në vitin 1966, doli i vetëm hapur kundra heqjes së gradave të ushtarakëve, veprim për të cilin u dënua me heqje të lirisë.
Kam qenë në burgun e Burrelit me Halimin, më vonë edhe me të birin, Ladin, kopjo ky, siç thonë, i gjyshit të vet. Por të birit i shpëtonin lotët rrëke për të atin që kishte vdekur aty, në Burgun e Burrelit, nga një “atak në zemër”. Kështu ua kishin transmetuar vdekjen e “komandantit të SS-ve”, siç e quante veten Halim Xhelo, i burgosur, gruas dhe fëmijëve. Ndërsa të vërtetën e vdekjes, i biri e mësoi vetëm kur e dënuan edhe atë dhe e sollën aty, në burgun e Burrelit.
“U hap fjala njëherë, në vitin 1972, më thoshte Ladi në burg, sikur im atë kishte vdekur, madje pak ditë pasi kishim qenë unë e mamaja në takim me të. Çuditesha kur njerëzit më ndalonin rrugës e më ngushëllonin. I kundërshtoja që vdekja e babait s’ishte e vërtetë. Ata hapnin sytë, gati sa s’i shqyenin. Aq i fuqishëm ishte disinformacioni i Sigurimit të Shtetit, atëherë. Ore, u thosha njerëzve, unë para tri ditësh isha tek babai dhe e lashë shëndosh e mirë…”
Shkova në shtëpi i mërzitur tej mase dhe i thashë mamasë që duhet të shkoja patjetër në burg tek babai…
-Pse? -më pyeta ajo…
-Sepse janë hapur fjalë, i thashë, sikur Halim Xhelo ka vdekur…
Mamaja sa nuk ia dha kujës.
U nisa menjëherë.
Komandanti i burgut, Hazbi Lamçe, qeshi kur i thashë se kisha vajtur për të pyetur, nëse ishte gjallë babai apo jo?
Më takoi përnjëherë me të. Edhe babai vuri buzën në gaz, sapo dëgjoi pse kisha vajtur, por jo aq pa teklif, siç qeshi komandanti i burgut.
-Dëgjo, bir, – më tha i vendosur për të më treguar diçka shumë të rëndësishme, – mund të dëgjosh edhe herë të tjera se, gjoja Halim Xhelua vdiq, ose vrau veten, a më the e të thashë, por asnjëherë mos u beso përrallave të Sigurimit të Shtetit. Babai nuk do të vdes kurrë këtu në burg, aq më keq po të vras veten… Sepse e di, ndoshta, edhe më mirë nga cilido që drejton sot shtetin dhe qeverinë. Se tek unë, këtu, një ditë do të vijnë të gjithë ata që drejtojnë këtë ngrehinë kriminale shtetërore, ndoshta jo të gjithë, sepse disa do të hanë plumbin kokës. Vetëm dy vetë do të jenë ata që do të shpëtojnë, emrat e të cilëve s’po t’i them sot. Por ama, një gjë ta kesh të qartë, bir: Unë mund të vdes këtu, në burg, por kurrë nga vetja ose mosha, atë mund të ma shkaktojë edhe një njeri i lig, por mbi të gjitha mallkimi që më ka dhënë babai. Ka mundësi kjo e dyta, sepse jam i vetmi, ndoshta, në të gjithë Shqipërinë që, gjatë luftës së Dytë Botërore, shkallmova shtëpinë time me predha, i verbuar nga ideologjia antinjerëzore e antikombëtare e komunizmit, por edhe për rastin kur erdhi nëndetësja angleze për të marrë babanë. Sepse, me urdhër nga lart, unë shkova për ta penguar e arrestuar. E thirra nga bregu dhe i thashë se do të pendohej që po largohej nga atdheu. E shava, e mallkova. Ndërsa ai m’u përgjigj se, do të kthehej përsëri, por vetëm atëherë, kur ne, të gjithë partizanët, të kishim mbaruar qypin me mjaltë që e kishim nisur të hanim. Më la amanet për ju, fëmijët që të mos u edukoja me marrëzitë e mia. Më uroi shpëtim të shpejtë nga kthetrat e djallit, me emrin “komunizëm” dhe iku…
Ladit i shpëtuan pika loti për gjyshin që kishte vdekur në Amerikë, ato ditë…
.
Kohe diktature - Koha e Njeriut te Ri
Kohe diktature – Koha e Njeriut te Ri
Pasuria e tij si trashëgim erdhi nga Amerika me motivin: “Vetëm për fëmijët e Halimit, i cili u martirizua në Burgun e Burrelit, duke luftuar me veten për të larguar nga trupi djallin e tmerrshëm të shekullit XX-të….”
Atë vit, para se të vdiste Halim Xheloja (Koçia) në Burgun e Burrelit, varën veten edhe katër djem të rinj. Emrat e të cilëve nuk përmenden në këtë shkrim, vetëm për të mos ngjallur në zemrat e vrara kujtime të hidhura. Ata i dhanë fund jetës së tyre të re, vetëm sepse nuk donin t’u jepnin xhahilëve kënaqësinë që ata përftonin, kur u shkaktonin stërmundime të burgosurve politikë.
Ishte viti 1975, viti më i egër, ndoshta, i luftës brenda llojit, kur gjeneralët më në zë të ushtrisë së diktaturës po u ikte koka, sikur të ishin presh të mbjellë në një zallishte. Luftë, e cila në burgun e tmerrshëm të Burrelit, në atë situatë, nga administrata e burgut u përkthye vetëm në tortura fizike e psikologjike ndaj atyre qenieve të mbyllura brenda katër mureve, që konsideroheshin njerëzit më të rrezikshëm për diktaturën. Tri herë në muaj nisi kontrolli nëpër dhomat e të burgosurve që do të thoshte, tri herë në muaj, me detyrim, zbrazeshin në oborrin e burgut dyshekët me kashtë, jastëkët me kashtë e, mbi to, edhe ato pak ushqime personale të rezervuara, nëpër trastat e varfra të të dënuarve. Të gjitha këto së bashku, me shpejtësi marramendëse, duhet të transportoheshin nga të burgosurit e sfilitur për t’u futur nëpër dhomat e ngushta, të përziera, kashtë e ushqime, sepse, ndryshe, ngurrimi më i vogël i tyre, shoqërohej me shkopinjtë e gomave, apo bishtat kazmave me bollëk në duart e policëve, mbi shpinat e pambrojtura.
Në këto kushte Halim Xhelo refuzoi të nxirrte dyshekun e tij në oborr.
E thirrën në zyrën e komandantit, Idajet Dedës, në prani edhe të komisarit e operativit të burgut. E pyetën pse nuk zbatonte rregulloren e burgut dhe ai, Halimi, i egërsuar siç ishte, u përgjigj:
-Zoti shef i SS-ve, komandanti juaj i SS-ve, pra, unë, Halim Xhelo, nuk i bindem më urdhrave tuaj antinjerëzor e kriminalë…
-I dënuar, e ndërpreu komandanti i burgut, ju nuk po kundërshtoni rregulloren dhe urdhrat e mia. Fatmirësisht po kundërshtoni e nuk po zbatoni rregulloren, të cilën ju vetë e keni firmosur dikur, së bashku me Kadri Hazbiun. Urdhëro, shikojeni!
Rregullorja e Burgut të Burrelit, e cila e theksonte tri herë në muaj kontrollin fizik të të burgosurve, ishte e firmosur nga Kadri Hazbiu dhe Halim Xheloja.
I mbetur keq ky protestoi, duke pyetur:
-Pse ende me rregulloren time po i torturoni të burgosurit ju?
U kthye në dhomë i dërmuar shpirtërisht.
E morën përsëri pas disa orësh. Por këtë herë nuk e kthyen më në dhomë, tek bashkëvuajtësit e tij. U përgojua sikur e kishin dërguar në birucat e Degës së Punëve të Brendshme të Burrelit, për ta ridënuar…
Mos vallë atje, i vrarë në ndërgjegje, Halim Xhelo i dha fund jetës, sepse me firmën e tij vazhdonin të fikeshin ende jetë njerëzish, siç ndodhi kohët e fundit me djemtë e rinj, në atë burg?!
Apo i dhanë ndonjë kokërr koçifos, siç ndodhte rëndomë në tilla raste, nga…
Megjithatë, i biri e qau të atin njerëzisht, pavarësisht nga shkaku se si i erdhi vdekja atij…
Tani Ladi jeton në Itali, familjarisht…
Do të kthehem në Shqipëri, më tha para ca vitesh, sapo të bindem se “qypi me mjaltë” do të jetë zbrazur i tëri në Shqipëri…
.
*P.s. Ky është një tregim i vërtetë nga ish i burgosuri politik zoti Bedri Çoku

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.