back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 15 Nëntor, 2024

Qysh fëmijë “e kam takuar” Raffaellën! – nga Luçiano Radi

Gazeta

Raffaella Carra (1943-2021)
Raffaella Carra (1943-2021)

Qysh fëmijë “e kam takuar” Raffaellën!

nga Luçiano Radi

Në fillim të viteve ’70, sikur kishte një farë lirie, filluan televizorët e parë, muzika sikur dëgjohesh aty këtu. Në radio prindët tonë, por edhe ne bashkë me ta ndiqnin kanalet italiane, e në mënyrë të veçantë ishim të apasionuar mbas “Hit-parade”, po edhe mbas futbollit, po nuk mbeteshin edhe ngjarje pak më të rralla siç ishte “Sanrremo” apo programet e të shtunave, e që në ato vite po bëhej mjaft e dashur ishte “Cansonissima”.
Sot, kur është larguar nga jeta “Reggina e Cansonissima-s” Raffaella Carra, më solli ndër kujtime një histori që e kam kujtuar shpesh, edhe pse nuk isha më shumë se 8 vjeç! Në shtëpinë tonë kishte mjaft rregull, dhe ne s’mund të lëviznim askund pa lejen e prindërve.
Pra duhet të ishte viti 1971, e nuk e kujtoj, nëse Nini na kishte marrë leje a jo te prindët, di se ishte nji mbramje e freskët tetori, dhe unë kam shkuar sëbashku me Ninin dhe Kujtim Nela e disa shokë të tij që mbas një gjysëm shekulli s’më kujtohen, në qytetin e Lushnjes: Qëllimi për të parë “Cansonissima-n”. Asokohe, sapo kishin ardhur televizorët e parë, dhe Partia i kishte shpërndarë ato kryesisht nëpër ndërmarrjet shtetërore të qytetit, e ku qenë vendosur në salla të mëdha mbledhjesh të këtyre ndërmarrjeve o në “Këndet e kuq” siç quheshin atëhere!
.
Savër 1967 - Tre fëmijët e Lazër Radit
Savër 1967 – Tre fëmijët e Lazër Radit
Kështu atë të shtunë u nisëm edhe nëe pesë a gjashtë adoleshentë nga Savra, ku unë isha më i vogli 8 veç, që ndiqja nga mbas vëllanë e madh, e ku të gjithë ishin 14-15 vjeçarë. E theksoj se ishte vjeshtë, bënte fresk dhe sapo kishte filluar të errej.
Fillimisht shkuam te Fabrika e Tullave, me shpresë për ta ndjekur aty “Cansonissima”, e cila ishte diku në të dalë të Lushnjes. Nuk kishte njerëz, dhe kur hymë te salla e televizorit pamë aty Dyrmish Braçen, të vetëm para televizorit që e kishte te italiani. E dinim që ai punonte në Lushnje, po jo pikërisht aty në Fabrikën e Tullave. Meqë Dyrmishi ishte nga lagja e të lirëve, nga frika se mos na spiunonte, dolëm duke u marrë vesh me sy, se nuk ishte vend i përshtatshëm…
Ashtu në grup siç ishim, vendosëm të shkonim tek Instituti Bujqësor, që s’ishte shumë larg prej Fabrikës së Tullave. Aty, për çudi gjetëm gjithçka të mbyllur!! S’më kujtohet mirë se kush ishte ai që kishte informacion por më duket se Kujtimi se ai ishte shumë i dhënë mbas këtyre gjërave,pra për Ndërmarrjet ku gjendeshin televizorët, por di se prej aty ikëm edhe diku tjetër, e përfunduam te Ndërrmarja e Grumbullimit, që ishte në qendër të Lushnjes! Mbas lulishtes qendrore, nga krahu i Shkollës Kongresi Lushnjes, ishte porta e hyrjes. U hodhëm nga nji mur i lartë e u gjendëm në oborrin e Ndërmarrjes. Aty ishte një sallë të madhe me stola e cila ishte mbushur plot me të rinj që ashtu si ne po prisnin fillimin e “Cansonissima-s”
Ashtu në heshtje e pazhurmë ulëm diku nga mesi i sallës. U ndjemë mirë se askush nuk na njohu e s’u interesua të dinte se kush ishim e nga vinim! Gjithsecili e kishte mendjen të fiksuar të ndiqte “Cansonissima”… dhe kur filloi, sigla pashë se prezantuesja quhej Raffaella Carra. E kam të fiksuar dhe të freskët si sot, kur u shfaq Raffaella duke kënduar “Chi sa se va”… ishte nji rrugë që ajo përshkonte e veshur në të dy anët me pasqyra. Aty dukeshin ishin njëqind Raffaella duke kënduar e vallzuar. Si fëmijë kisha mbetur i habitur e i mahnitur… Ndër të tjera mbaj mend se edhe Domenico Modugno, gjatë këngës e hoqi xhaketën dhe e vërviste në ajër!
Një mbrëmje e paharrueshme deri në mesnatë, kur të lumtur ashtu grup siç erdhën duke diskutuar për atë që kishim parë u kthyem për në Savër…
Sot që Raffaella u ngjit në qiellin e lavdisë, unë munda të dëshmoj se kështu e kam ndjekur atë qysh fëmijë “Cansonissima”, e saj më mbeti e dashur përjetë.
5 korrik 2021
.
post scriptum: E falenderoj Luçianon, që e kujtoi këtë histori të 50 viteve të shkuara e që shumë gjëra edhe i kisha harruar… Ke harruar të shkruash se te Ndërmarrja e Grumbullimit hynin vetëm punonjesit e ndërmarrjes të afërm të tyre dhe ndonjë shok apo mik i tyre… dhe se ne u futëm duke kërcyer nga muri që ishte nja dy metra e gjysëm i lartë… Dhe ashtu si hajdutë pa bërë zë zumë vend… dhe i përcollëm deri në fund ato emocione… që sot ndokush edhe nuk t’i beson…!
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.