back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Ra aksidentalisht nga shkëmbi, e quajtën “Hero të Popullit” – Historia e rrejshme e Nik Pjetër Ndrekës – Dëshmitarë, intervista dhe Dokumente

Gazeta

Nik Pjetër Ndreka (1939-1952) Hero i Popullit
Nik Pjetër Ndreka (1939-1952) Hero i Popullit

Ra aksidentalisht nga shkëmbi, e quajtën “Hero të Popullit”

Historia e rrejshme e Nik Pjetër Ndrekës

Dëshmitarë, Intervista dhe Dokumente

Krijimi i heronjve të rremë ishte një nga mjetet e propagandës së regjimit komunist, propagandë e cila është ndalur. Njëri ndër ta ishte edhe 13 vjeçari Nik Pjetër Ndreka, i cili në fjalorin enciklopedik të vitit 1985, cilësohej si “shembull i lartë patriotizmi e besnikërie për mbrojtjen e atdheut dhe të fitoreve të revolucionit popullor”. Jo vetëm kaq, por gënjehej duke sajuar ngjarje të paqenë sikur ishte kapur dhe therur nga “diversantët”. “Diversantët” ishin pa emra dhe gjoja ishin shpartalluar nga forcate kufirit. Për këtë ngjarje janë dy njoftime të kohës.
Sipas komunikatës operative të Komandës së Kufirit, nr.173, datë 22.6.1952, ora 8.00, nga Sektori i 3-të Shkodër njoftohej se më 19.6.1952, ora 17.00, në sektorin e postës së Vermoshit ishin parë 6 diversantë prej pionierit Nik Pjetri, i cili informoi komandën. Ishin diktuar gjurmët e tyre, por “diversantët” as ishin parë e as ishin dukur. As drejtimi i tyre nuk dihej. Në orën 21.00 të datës 20.6.1952 ishte gjetur “i vrarë me thikë” trupi i Nikë Pjetrit.
Por sipas komunikatës operative të Komandës së Kufirit, nr.176, datë 25.6.1952, ora 8.00, Shkodra saktësonte: “Në lidhje me komunikatën tonë nr.173, datë 22.6.1062, ky sektor njofton se sipas analizës së bërë në vend nga Komanda e Batalionit dhe shokët e zbulimit, rezulton se pionieri Nik Pjetri nuk është vrarë me thikë nga diversantët por është gremisur vetë nga shkëmbi”.

Marrë nga Muri i FB Kastriot Dervishi, 7 dhjetor 2023

Sekuencë nga komunikata zyrtare në lidhje me vdekjen e Nik Pjetër Ndrekës - Kastriot Dervishi
Sekuencë nga komunikata zyrtare në lidhje me vdekjen e Nik Pjetër Ndrekës – Kastriot Dervishi

Ka pasë një këngë me çifteli për Nikë Pjetër Ndrekën që këndohej shpesh. Më kujtohet edhe vargu që përmend diversantin që e hedh Nikën nga shkëmbi “Marka Pashku shpirt katili”. Pastaj fjalët e babës së Nikës: “Kështu foli baba Pjetër/ burrë zakoni, burrë i vjetër/ Pasha shpirtin e atij djali/ qi ma lshuen katilat shkamit…” etj, etj. Duhet të gjendet kënga. Në shkolla jepnin tema hartimesh me të. Po këtë trashëgimi historike rrenash, falsifikimesh e sajimesh e mbron sot Akademia e Nel Gjinushit dhe Partia Socialiste me Petro Koqin. Dhe na shajnë se po u hedhim baltë në historinë e Luftës NÇL! Agron Tufa

Nik Pjetër Ndreka -Histori & Dokumente
Nik Pjetër Ndreka – Histori & Dokumente

Nikoll Hysaj: “Ju rrëfej të vërtetën e Nik Pjetër Ndrekës”

nga Dashnor Kaloçi

Nikoll Pjetër Gjeka (Hysaj), me banim ne SHBA, ku jeton që nga viti 1979, kur u arratis nga Shqipëria, tregon historinë e dhimbshme dhe tepër tragjike të familjes së tij nacionaliste me origjinë nga Vermoshi, e cila u masakrua nga regjimi komunist, pas intrigave të Sigurimit të Shtetit, që e akuzoi babanë e tij, Pjetrin, sikur ai kishte vrarë pionierin Nik Pjetër Ndreka, Hero i Popullit
“Pjeter Ndreka, i lidhur me Sigurimin e Shtetit, manovron në mënyrën më çnjerëzore dhe përgatit intrigën, duke akuzuar babanë tim, Mark Gjekën dhe një kushëririn e tyre, Mark Pashkun, sikur ata i kishin vrarë djalin, Nik Ndrekën dhe ia kishin hedhur në greminë. Pas kësaj, trupin e djalit e marrin nga varret familjare dhe e varrosin te shkolla, ku ishin varret e dëshmorëve të fshatit, duke i bërë ceremonitë zyrtare. Më vonë, prap e marrin Nik Ndrekën prej aty dhe nga Vermoshi e dërgojnë në varrezat e dëshmorëve të Shkodrës, duke e varrosur si Hero të Popullit”. Njeriu që flet dhe tregon ekskluzivisht për gazetën “Koha Jonë”, është Nikoll Pjetër Gjeka (Hysaj) me banim në SHBA, i cili hedh dritë mbi një ngjarje të largët, të ndodhur plot 59 vjet më parë në fshatin Vermosh, prej nga është dhe origjina e tyre, ngjarje e cila i nderroi krejt rrjedhen e jetes, jo vetëm Nikollës, por edhe të gjithë fisit të tij. Bëhet fjalë për historinë e pionierit dëshmor Nik Pjetër Ndreka, “Hero i Popullit”, të cilin historiografia e regjimit komunist e ka paraqitur si viktimë të diversantëve dhe breza të tërë shqiptarësh për 40 vjet me radhë, e kanë njohur atë ngjarje ashtu si u është servirur nga propaganda e asaj kohe. Kjo ngjarje, të cilën Nikoll Hysaj e ka rrëfyer për herë të parë në emisionin Histori me Zhurmues të TV Klan, vjen edhe në faqet e gazetës “Koha Jonë”, pas jehonës së madhe që pati dhe vazhdon të ketë ende dhe interesit të madh për ritransmetimin e saj.

Zoti Nikoll, si fillim deshëm të dinim diçka rreth historisë së të parëve të familjes suaj? Origjina ime është nga fshati Vermosh i Kelmendit i Malësisë së Madhe. Vermoshi është fshati më i thellë në zonën kufitare dhe fshati më i njohur i anës së Veriut. Ne vijmë nga një familje me tradita patriotike, ku dy gjyshët e mi kanë luftuar kundër turkut dhe kundër shkjaut. Luc Mark Gjeloshi ka qenë ai që ka marrë pjesë në ngritjen e flamurit në Deçiq me 5 malësorë të tjere: Ded Gjon Lulin, Dom Nikën, Mirash Ucin dhe Zenel Shabanin. Ne kemi krijuar një jetesë në Vermosh, fshat i cili është krijuar në 1906-ën, pasi deri në atë kohë, ai ka qenë bjeshkë dhe ne ishim një nga 5 shtëpitë e para të këtij fshati. Në atë kohë, ka qenë shumë e vështirë të zije vend në Vermosh, pasi ishte frika nga shkjetë. Duhej që dy punëtorë të punonin dhe të tjerët te rrinin roje nga shkjetë që vinin për t’i vrarë. Të them të vërtetën, mua nuk më takon që të lëvdoj familjen time, por dua që t’ju tregoj diçka: kishim një nga të parët tanë, me shumë zë në atë zonë. Gjoku i Mark Gjeloshit i thoshin. Kur serbët donim që t’u bërtisnin fëmijëve për t’ju shtirë frikën, u thoshin: Hesht se vjen Gjoku! Ai ka vdekur 22 vjeç, por kishte vra 22 shkje, këtë e dinë të gjithë vermoshasit. Ne jemi vrarë shumë me shkjetë, për toka dhe për bjeshkë. Edhe në luftërat kundër turkut ka marrë pjesë gjyshi im, i cili ka qenë komandant i forcave të armatosura të Kelmendit. Madje, për të ka shkruar dhe Mis Edith Durham në librin e saj “Kujtimet e Malësisë”.

Po gjatë periudhës së Mbretërisë së Zogut, me çfarë është marrë familja juaj? Cilat kanë qenë raportet e saj Monarkinë? Në kohën e Zogut, d.m.th. gjatë gjithë periudhës së Monarkisë, në kemi pasur një njeri nga shtëpia jonë oficer të atij regjimi dhe kjo ishte caktuar nga vetë Mbreti. Në vitin 1939-1944, në e ndihmuam lëvizjen Nacional-çlirimtare. Ne ishim një familje e mesme fshatare dhe kështu, babai im u rreshtua fillimisht me forcat partizane, i priti ata në shtëpi, mori pjesë në organizimet e tyre dhe pas luftës, ai ishte komandant i postës kufitare. Por, pas vitit 1948, me dënimin e Koçi Xoxes, Vermoshi pësoi goditjen dhe humbjen më të madhe në të gjithë historinë e tij!

Konkretisht, çfarë ndodhi me Vermoshin?? Një kapter i quajtur Ahmet Nika, i komandës së vendit, shkon në Degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës dhe harton një listë me 48 burra, të gjithë për pushkatim. Një vit me parë, një kushëririn tim, Marash Vatën, e pushkatuan pa gjyq dhe pa asnjë faj. Kështu popullit nisi t’i hyjë frika dhe sidomos, pas asaj listë që erdhi nga Dega e Brendshme. Goditja e Koçi Xoxes dhe prishja e Enver Hoxhës me Jugosllavinë, bëri që 48 burrat e Vermoshit të arratiseshin për një natë në Jugosllavi.

Nga familja juaj, kush u arratis? Nga familja ime u arratisen 6 meshkuj; i zoti i shtëpisë Çun Nishku, babai im, Pjetër Gjeka, Muho Çuni, Gjon Çuni, Prel Çuni dhe Marka Gjeka. Të gjithë këta u arratisen bashkë me 48 burra të fshatit, prej të cilëve mund të përmend Nikollë Toma, që ishte dhe me kryesori, Nikoll Gjetja, Nikoll Mala, Zef Baci, Fran Zef Deda e Fran Mirakaj. Të gjithë këta, në atë kohe, ishin me detyra shtetërore, pra si të thuash njerëz të qeverisë.

Pas arratisjes së këtyre, çfare ndodhi me pjesën tjetër të fshatit? Kur u arratisen këta, në shtator të 1948-ës, në shtëpinë e Prek Calit, ku ishte komanda e vendit, erdhën nga Shkodra shumë forca policore e ushtri dhe i bashkuan të gjitha këto familjet e të gjithë burrave që u arratisen dhe i futën në postë. Më pas, aty sollën të gjitha mushkat dhe kuajt e fshatit, pasi do t’i dërgonin nga Vermoshi në Han të Hotit, (73 km rrugë në këmbë) dhe prej aty do t’i dërgonin në kampin e internimit të Tepelenës. Pjesa më e madhe e tyre ishin pleq, plaka, fëmijë dhe njerëz që nuk ishin në gjendje për me ecë në këmbë. Një nga ata, isha edhe unë.

Sa vjeç ishit në atë kohë? Unë isha 18 muajsh. Fati im, ishte se mua me morën në një mushkë, e cila nga që ishte e egër, më rrëzoi midis pluhurit. Nëna ime u kthye me më marrë mua, por ata nuk e lanë. Dhe unë kam jetuar për tre muaj shtëpi me shtëpi në atë fshat, ku nënat që kishin fëmijë sa unë, më mbanin mua si femijën e vet. Mbas tre muajsh ka dalë gjyshja më ka marrë, nëna e nënës nga Shkreli. Ajo nuk kishte asnjëri në shtëpi, pasi djalin e vetëm 22 vjeç, ja kishte pushkatuar partia dhe ajo ishte e vetme, pa njeri në shtëpi. Aty te ajo gjyshe, unë kam jetuar shtatë vjet. Nana Age, vëllai Gjergji, Katrina, Gjeloshi, Lula, Prena dhe Mara, shkuan të gjithë në internim në Tepelenë. Atje u internuan edhe pjesëtarë të tjerë të kushërinisë time. Po ju tregoj një histori tragjike që ka ndodhur në Tepelenë. Aty ka vdekur një grua nga fisi ynë, Mara i thoshin. Dhe djali i saj ka fjetur me nënën e vdekur, duke i pirë gjirin e saj gjithë natën. Mbas disa vjetësh, disa fëmijë që ishin të vegjël nën moshën 18-vjeçare, i liruan nga internimi. Siç më kanë treguar, në atë kohë, erdhi aty një delegacion rus dhe të internuarit e vjetër e përgatiten me njësoj parade duke bërtitur: Enver-Stalin, pionierët duan lirim. Dhe kështu, të gjithë pionierët e internuar që ishin nën 18 vjeç i liruan dhe i kthyen nëpër shtëpiza, kurse nëna ime mbeti në internim, deri në vitin 1953. Në 18 shtator 1952, babanë tim, Mark Gjekën, e vrasin.

Si ndodhi vrasja e tij? Ishin dy djem kushërinj tanët, jetima pa nënë dhe pa babë, të cilat i bënë kulakë, duke u sekuestruar të gjithë pasurinë. Kështu daja i tij, Mark Pashku, bashkë me babën tim u detyruan dhe erdhën nga jashtë për me i marrë dhe me i nxjerrë në Mal të Zi. Në parantezë desha t’ju them se në shtëpinë tonë ka ndenjur 8 vjet ushtria, ndërsa ne rrinim në kasollen e bagëtive. Kemi jetuar bashkë gjysë për gjysë. Pra, në këtë kohë, baba erdhi dhe ra në pritë me forcat kufitare, fare afër shtëpisë që ishte bërë posta kufitare dhe e vranë ushtarët. Shteti të vret dhe nuk është ndonjë gjë e pazakontë. Të nesërmen e kanë marrë trupin e vdekur të babës dhe e kanë sjellë afer postës, ku ishte shtëpia dhe e kanë varur në kumbull. Pas kësaj, kanë dërguar njerëz për të bërë disa gjëra që janë tepër çnjerëzore. Me një fjalë për ta masakruar kufomën e tij, gjë e cila nuk ka qenë kurrë në traditën e shqiptarit dhe për më shumë, ajo gjë ka qënë e ndaluar edhe me kanun. Por fatkeqësisht, ajo gjë ndodhi: babës i kanë futur duhan në gojë etj. Pastaj e kanë ngrit zvarrë duke e tërheqë për 2 km. Në një vend ku nuk kishte varre, por që një vit më parë kishin pushkatuar një fshatar tonin, Dodë Prek Nikën. Donin t’i fusnin të dy në një gropë. Dy burra, Nik Gjetja dhe Nik Gjeloshi, të cilëve u jam shumë mirënjohës, nuk kanë pranuar ta tërheqin zvarrë kufomën e babës, duke thënë: me e dijtë që vdesim nuk e bëjmë këtë punë. Ai është fshatari ynë dhe ne nuk e bëjmë këtë gjë. Kur e kanë çuar aty afër varrit, ka qenë gjëja më e tmerrshme. Dy komunistë, (nuk ka nevojë me ua përmende emrin, se dinë i gjithë Vermoshi se kush janë ata), kanë nis me e zhvesh, me ja marrë rrobat tërë gjak, këmishën, pantallonat, kapotën, këpucët, etj. Kurse një burrë tjetër, të cilit gjithashtu i jam mirënjohës, kur e kanë shti babën në gropë dhe kanë dashtë me i hedh edhe gurë në fytyrë, (pasi ka qenë pa arkivol), ai burrë trim dhe fisnik, ka hequr shallin e vet dhe me të i ka mbuluar fytyrën. Kështu ndodhi kjo punë, por çka ishte më e rënda ishte një ngjarje tjetër. Po në verën e vitit 1952, nje nxenes i shkolles se Vermoshit, i quajtur Nik Pjetër Ndreka, fshatar që shkonte me bagëti, bie nga shkëmbi dhe humb jetën. Pasi e kanë nxjerrë, atë e sollën në shtëpi ku janë kryer ritet mortore dhe e kanë varrosur me nderimet e fshatit, si një njeri që ka rënë aksidentalisht nga shkëmbi. Natyrisht dhimbja ishte shumë e madhe, pasi ai ishte vetëm 13 vjeç dhe atë ngjarje e kanë parë nja 20 fshatarë të tjerë që ashtu si, ai ishin me bagëti aty. Baba i tij, Pjetër Ndreka që në atë kohe ishte në Velipojë, (ku dhe banonin ata si familje asokohe, pasi në Vermosh ata vinin vetëm për verim me kullotë bagëtinë) e ka marrë vesh mbas nja shtatë ditësh vdekjen e djalit. Sepse siç dihet, në atë kohë, nuk kishte telefon dhe duhej 3-4 ditë me dalë nga Velipoja në Vermosh në këmbë, se as makina nuk kishte. Ma vonë Pjetër Ndreka, i lidhur me Sigurimin e Shtetit, manovron në mënyrën me çnjerëzore dhe përgatit intrigën për me e mbrojtë familjen e vet, duke thënë se babai im, Mark Gjeka dhe një kushëriri i Pjetër Ndrekës, Mark Pashku, ma kanë vrarë djalin duke e hedhur në greminë. Dhe djalin e marrin nga varret familjare dhe e varrosin të shkolla, ku ishin varret e dëshmorëve të fshatit.

Mjafton nji Rrenë - dhe bahesh jo vetëm Hero i Popullit po edhe Dëshmor i Luftës Naçl!
Mjafton nji Rrenë – dhe bahesh jo vetëm Hero i Popullit po edhe Dëshmor i Luftës Naçl!

Kjo gjë u bë në mënyrë zyrtare? Po, në mënyrë zyrtare u bë. Më vonë, prap e marrin Nik Ndrekën dhe nga Vermoshi e dërgojnë në varrezat e dëshmorëve të Shkodrës, duke e varrosur si Hero të Popullit. Ma vonë, për çdo vit në fshatin tonë bëhej përkujtimi i tij. Shkollës së fshatit i vunë emrin “Nik Pjetër Ndreka”, mbaheshin mitingje, fjalime, dilte Muho Asllani, Prokop Murra e njerëz të tjerë të qeverisë dhe flisnin para popullit që dilte aty. Po kështu, për çdo natë kur ishte radio-posta me kërkesa të dëgjuesve, këndohej kënga për Nik Ndrekën, ku thuhej: “Si në befasi e kapën Nik Ndrekën, duke u lëshu mbi të furish, si zagarët kur bien në mish!” Kështu thuhej ndër të tjera se ajo këngë që këndohej nga rapsodi popullor. Do të thonë shumë njerëz se ajo ishte këngë, por dihet se në atë kohë një këngë që dilte dhe këndohej në radio, miratohej me parë nga autoritetet përkatëse të qeverisë. Pra, nuk mund të nxirrte çdo njeri këngë sipas dëshirës. Në atë kohë, janë luajtur filma si “Lugina e Pushkatarit”, janë luajtur drama e shumë gjëra të tjera në emrin e Nik Ndrekës.

Populli i Vermoshit, a e dinte se babai juaj nuk kishte gisht në këtë ngjarje? I gjithë Vermoshi e dinte mjaft mirë se ajo ishte e pavërtetë dhe se babai im nuk kishte fare gisht në atë ngjarje, pasi kur ka rënë Nik Ndreka nga shkëmbi, aty kanë qene rreth 20 fshatarë (çobanë) të tjerë, por nuk mund të fliste njeri. Bile atë gjë e vërteton edhe filmi dokumentar, ku thuhet se Nik Ndrekën e pyeten diversantët se ku është kufiri!? Andej nga ana jonë i thonë: Po i thotë djali babës, hajde të tregoj se ku i ke arat. Por ata ishin vendali dhe si babai im e Mark Pashku, i cili ishte kushëri i dytë i Nik Ndrekës, e dinin me pëllëmbë atë vend.

Kush ishte organizatori kryesor që e kurdisi ketë ngjarje? Këtë ngjarje sigurisht, që e organizoi regjimi komunist për të përçarë familjet, në mënyrë që në rast të ndonjë provokacioni nga jashtë, ata të mos kishin mbështetje në popull. Sigurisht, qeveria dhe fatkeqësisht, Pjetër Ndreka që e pranoi atë pavërtetësi.

Si rrodhi jeta e familjes suaj pas kësaj ngjarjeje? Për familjen tonë, pas kësaj, pati shumë fatkeqësi të tjera të reja. Pasi u vra baba, u burgosen Zef Miraka Hysaj, Nikoll Zef Mirakaj Hysaj, (të dy nga shtëpia jonë), me akuza të montuara pa kurrfarë bazë, sikur kishin strehuar diversantë etj. Më vonë, kanë futur në burg edhe tre të tjerë nga familja jonë: Gjelosh Çuni Hysaj, Gjon Çuni Hysaj dhe Prek Pashku Hysaj, të tre me nga 9 vjet burg për agjitacion e propagande. Pas kësaj, deri në moshën 7 vjeç, unë u rrita te gjyshja ime, nëna e nënës, Age Fran Lumaj. Ajo na rriti, ajo na ushqeu dhe na dha shkollën fillore. 7-vjeçaren unë e kam mbaruar në Vermosh, me andej nuk më kanë lejuar të vazhdoj. Ne na konsideronin në atë mënyrë që ta them sinqerisht, më vinte shumë turp për atë gjë që bëhej ndaj nesh. Sidomos, kur bëhej mitingu, kur luhej drama, thoshin se aty ishte edhe djali i kriminelit. Në Vermosh nuk ndihesha shumë keq, se ata e dinin të vërtetën, por po të shkojë në fshatra të tjera dhe nga Shkodra, atë e kanë besuar dhe nuk u dukej ndonjë gjë e pavërtetë. Unë kam pasë shumë raste kur jam ndjerë mjaft keq. E gjithë jeta ime ka kaluar pa tesere rinie në xhep dhe as triskë fronti nuk kam pasur, vetëm prej këtyre shpifjeve dhe masakrave që patën bërë ndaj nesh, si burgosjet, vrasjet, internimet etj. Siç ju thashë më lart, në shtëpinë tonë qëndroi ushtria 8 vjet, por të tëra falen, me përjashtim të shpifjeve, që ishte gjëja më e rëndë dhe më e tmerrshme.

A patët biseduar me Pjetër Ndreken, se përse bëhej ajo gjë në kurriz të familjes suaj? Gjatë periudhës së diktaturës, asnjëherë nuk patëm biseduar, se nuk patëm guxuar të flasim, pasi Pjetër Ndreka ishte një njeri që kur dilte në bjeshkë, rrinte me njerez te Byrose Politike. Ata nuk kanë qenë nga Vermoshi, ata ishin me origjinë vermoshas, por banonin në Velipojë. Në Vermosh, ata dilnin vetëm për verim.

Ku i çuan ata, pas asaj ngjarjeje? Ata i çuan në Milot dhe Pjetrit i dhanë vilën e Abaz Kupit. Në atë kohë, një djalë tjetër i Pjetër Ndrekës, Gjeka, u rrëzua me makinë në Bulqizë dhe humbi jetën. Ishte fatkeqësi që ai humbi jetën tragjikisht me makinë, por ishte fat që ai ra me makinë, pasi po të mos kishte rënë me makinë, edhe atij, Pjetri do t’ia kishte kurdisur ndonjë gjë të paqenë, ashtu si Nikës.

Kur mbaruat shkollën ku punuat? Kur mbarova shkollën unë kam punuar në bujqësi, pasi në atë kohë ishim pa hyrë në kooperativë bujqesore dhe aty kam vazhduar deri në vitin 1966, që shkova ushtar. Ushtrinë e kreva në NBU (Ndërmarrja Bujqesore Ushtarake), ku kam qëndruar 24 muaj. Rrobat, jo vetëm ne, por me mijra, i kemi pasur si të burgosurit. Me kapele jo me yll, por me strehë si burgosurit. Ne kishim dhe rroba liridalje, por rrobat e tjera i kishim si të burgosurit. Ne ishim të gjithë të deklasuar, reaksionare, siç na thoshin, djem kulakësh. Pasi u lirova nga ushtria, shkova në fshat, ku ishte bërë kooperativa bujqësore dhe ku kishte punuar edhe nëna ime. Pas dy-tre muajsh që u lirova unë, nëna më vdiq dhe pas kësaj, unë shkova në Rruga-Ura (ndërmarrje shtetërore), si murator me kategori të 6. Për mua ishte një privilegj i madh, më mirë se në kooperativë bujqësore, pasi kisha një rrogë të mirë. Kështu, arrita njëfarë ekonomie të mirë, duke punuar në punë shtetërore. Një ditë, një kushërirës sime, Lules, i erdhi një pako nga jashtë. Ajo pako kushtonte 50 mijë lek (të vjetra), në atë kohe ishte pare e madhe dhe duke qënë se ajo nuk kishte mundësi ta paguante, më kërkoi ndihmë dhe unë i dhashë 20 mijë lek. Por duke i thënë se kur ta merrte pakon, çfarë të kishte për të shitur, të më thoshte mua se doja t’ia blija. Kështu i bleva një këmishë të mirë najloni me fije ari. Një ditë kur në fshatin tonë ishte një spartakiadë, unë e vesha këmishën dhe ajo gjë ra në sy të gjithë popullit. Kështu menjëherë më thirri punëtori operativ, Syrja Hasani, me një të këshillit vendas dhe me pyetën se çfarë e kisha atë këmishë. Unë ju thashë se ia kisha blerë filanit, por ata më thanë: “Hiqe shpejt atë, se gjela jemi ne këtu dhe asnjë tjetër!”. U detyrova dhe e shita këmishën. Një shok i imi shumë i mirë, Gjelosh Pretashi (që ka vdekur prej vitesh), me pyeti se çfarë më thanë dhe kur i tregova, ai më tha: “Hiqe, se për nder të familjes, ata të fusin në burg për atë këmishë!” Pra, dua të them se çdo ditë sa vinte dhe më shumë vështirësohej situata e më bëhej mjaft e keqe. Por njeriu kur është i ri, i kalon gjërat pa shumë kokëçarje. Një herë tjetër, isha në Shtëpinë e Kulturës, ku një kooperativë e rrethit të Shkodrës kishte ardhur aty në Vermosh për të dhënë një shfaqje teatrale. Unë isha në bankat e para të sallës dhe para meje ishin disa aksioniste nga Shkodra. Po luhej drama e Nik Ndrekës dhe njeri luante rolin e babës tim, Pjetër Gjeka, kurse tjetri atë të Mark Pashkut. Një vendali që ishte aty, u tha atyre vajzave se ky është djali i Pjetër Gjekës dhe ata më panë me trishtim të madh. Pra, çdo ditë e më shumë, vinte dhe rëndohej gjendja ime, jo ekonomike, pasi për ekonomi nuk ikën burri nga vendi i vet, por gjendja politike shpirtërore. Kushërinjtë i burgosën dhe vetë isha duke u rritur, kështu me 14 korrik 1979, vendosa të arratisesha. Ndoshta dikush mund të mos e besojë këtu që po ju tregoj tani dhe do thotë se nuk ka mundësi, por në atë kohë, unë pata vënë 3 kallëpe dinamiti në brez me fitil të hapur dhe kisha vendosur se po të më kapnin forcat kufitare, do t’i ndizja dhe do ta hidhja veten në erë. Unë kisha parasysh atë që kishte ndodhur me babën tim, të cilin e kishin tërhequr zvarrë, i kishin futur duhan edhe në gojë, si e kishin pështyrë, si e kishin zhveshur kufomën, etj; dhe mendoja se edhe mua do të më ndodhte e njëjta gjë. Por, fati im që kalova kufirin dhe dola në Mal të Zi, pa rënë në prita të kufitarëve. Kufiri, në atë kohe, ishte me shumë rrezik. Ishte brezi i butë, mina, tela me gjëmba dhe ushtarë kudo, por fati desh që të kaloja. U dorëzova në Mal te Zi dhe si për koincidencë, shkova pikërisht te shtëpia e Mark Pashkut që ishte akuzuar bashkë me babanë tim. Ky Mark Pashku, i cili ishte akuzuar nga regjimi komunist i Tiranës si tradhtar dhe armik, kishte hapur shkollat shqipe në Guci të Malit te Zi dhe ishte shumë nacionalist. Ai e kishte ndihmuar shumë emigracionin shqiptar që kishte shumë vështirësi. Pasi jam dorëzuar tek ai, më kanë mbajtur 20 ditë të izoluar dhe pastaj më kanë marrë në intervistë.

Diten e parë, kam qëndruar 8 orë pa lëvizur. Në mbrëmje më thanë se sot do hash pak më mirë, se nesër do të kemi më shumë pyetje. Të nesërmen më kanë pyetur 12 orë. Gjëja më e zorshme dhe më e vështirë, më është dukur atëhere kur mua, si shtëpi patriotike kundër shkjaut, më duhej të tregoja sekretin. Çfarë sekreti, nuk kishte sekret se ata i dinin të gjitha, por ata të bënin të gjitha pyetjet për sekretin ushtarak. Por për mua gjëja më e tmerrshme ishte të dilje te armiku dhe të tregoje se çfarë kërkonin ata!

Konkretisht, për çfare ju pyesnin? Konkretisht, ata ngulën këmbë shumë për disa bunkerë që ishin aty ku ndahet Vermoshi me Derçarin. Në ato bunkerë, unë kisha punuar si zborist dhe ata e dinin për të gjitha se ku e kishin grykat e zjarrit. Unë ju thashë se të gjitha janë me drejtim nga ana juaj. Por, pak kohë para se të arratisesha unë, ishte arratisë një tjetër person nga ajo zonë dhe ai ua kishte dhënë në mënyrë tjetër për grykat e zjarrit. Pas kësaj, ata nuk bënë asnjë, as dy, por më sollën një maket ku ishin të gjitha shtëpitë e fshatit tonë, ku ishin të gjitha, tokat e varrezat e gjithçka tjetër. Dhe më thanë se ku e kisha shtëpinë dhe ua tregova. D.m.th. ajo më ka bërë përshtypjen më të madhe kur më pyesin se sa pushkatarë kishte, sa komunistë, etj. Megjithatë, ata i dinin të gjitha, pasi Sigurimi i Shtetit shqiptar me UBD-n, ndonëse në pamje të jashtme hiqeshin sikur luftonin me njëri-tjetrin, faktikisht, për gjëra që ju interesonin, ishin të lidhur dhe bashkëpunonin.

A ju bënë presion që do t’ju kthenin në Shqipëri? Po, më bënë presion shumë. Më thoshin se do të më kthenin në Shqipëri, pasi nuk do të më gjente gjë. Por unë ngulja këmbë se po të më kthenin, do të përfundoja burgjeve. Dua t’ju tregoj, se për çdo njeri të arratisur që ishte nga familje nacionaliste, (ballistë dhe zogistë), konsiderohej kundër Jugosllavisë dhe mund ta kthenin. Ndërsa po të ishe familje komuniste, të mbanin aty, pasi konsiderohej se ishe pro Jugosllavisë. Kjo është mëse e vërtetë. Këtë gjë mua ma tregoj një përkthyes, i cili kur dolëm jashtë më tha: “Nikollë, kujdes, mos trego se je nga një familje nacionaliste dhe mos fol shumë kundër komunizmit, por lerja fajin vetëm stalinizmit, pasi të kthejnë andej nga ke ardhur!” Dhe unë kështu bëra. Herën e dytë e ktheva krejt bisedën dhe thashë se sistemi komunist në Shqiperi, që kur u prish me Jugosllavinë, u shkatërrua fare. Dhe ashtu ishte në të vërtetë. Por fati im ishte se në asnjë rast, mua nuk më zunë gabim, që të njëjtave pyetje t’u përgjigjesha ndryshe një herë dhe ndryshe herën tjetër. Kjo gjë ishte pasi unë i kisha të gjitha të vërteta. Pas 5 muajsh qëndrimi në Jugosllavi, unë shkova në Belgjikë. Përpara se të shkoja në Belgjikë, mua më thërritën në UDB-në në Mal të Zi dhe më thanë: “Për këtë të mirë që po të bëjmë ne ty, a mundesh ti që punosh për ne?” Unë ju thashë se sikur të kisha dashur të punoja për Sigurimin shqiptar, kisha punuar më mirë se me ju. Ua bëra të ditur se nuk doja të punoja për asnjë lloj shërbimi sekret, por kisha ardhur në Belgjikë për të kërkuar azil politik. “Mirë, – më thanë ata, – shko në Belgjikë, por ruaju nga emigracioni i vjetër, ballistë dhe zogistë e kësi punësh!” Dhe kur shkova në Belgjikë, më erdhi letra që për 7 ditë të largohesha nga territori i atij vendi, pasi me paditën ata. Nëqoftëse nuk do të largohesha, më thanë se do të më arrestonin. Kështuqë u detyrova dhe takova Muharrem Bajraktarin, i cili ishte për emigracionin e Belgjikës. I kerkova takim dhe shkova në zyrën e tij. Ai ishte një burrë i shkurtëdhe i trashë. Pasi më pyeti a e njihja, unë i thashë se vetëm si emër dhe ja tregova të gjithë problemin që kisha dhe se si më kishte ndodhur. Ai më tha të prisja dhe pasi mori në telefon në ministrinë e Punëve të Jashtme të Belgjikës, më mori në makine dhe më çoi atje, ku takoj një Ipeshkëv që punonte sekretar aty në ministri. Pas foli me te, ai më tha: shko në shtëpi dhe në rast se për 3 ditë nuk të vjen letra, ti do të largohesh nga Belgjika. Për 3 dite mua me erdhi azili politik dhe qëndrova në Belgjikë si emigrant për 4 muaj. Por shqiptarët kanë një zakon, se në rast se nuk shkojnë në SHBA, nuk e quajnë se kanë shkuar asgjëkund. Dhe unë nga Belgjika shkova në kamp në Itali dhe mbas 4 muajsh, me 4 korrik të 1980-ës, kam shkuar në SHBA.

Si vijoi jeta juaj në SHBA? – Jeta ime në SHBA shkoi shumë mirë. U martova dhe mora një grua shqiptare nga Mali i Zi dhe të dy kemi punuar në fabrikë. Kam djalin dhe vajzën. Punuam shumë mirë deri nga viti 1985, ku nuk binim në sy si emigrantë dhe në atë vit nisi lëvizja e madhe komuniste me serbët, malazezët dhe enveristët. Enver Hoxha financonte shumë para për gazeta dhe libra, kurse ne nuk kishim asnjë dritare tjetër për të mësuar se çfarë ndodhte në atdheun tonë dhe në familjet tona. Vetëm kishim Zërin e Amerikës që e dëgjonim gjithë shpresë, pasi nuk kishim korrespodencë letrash, as lidhje telefonike e asgjë. Në atë kohë, në të vërtetë ishte vetëm “Zëri i Amerikës”, që e dëgjonim rregullisht dhe na jepte shprese. Dhe sot, fatmirësisht, kisha me thënë me plot gojë, se është program juaj Histori me Zhurmues që na duket se diçka i shëndosh ato plagët tona. Ky emision jep shumë të vërteta dhe na duket si ilaç dhe është shumë i shikuar në SHBA. Ky emision jep gjëra që ne i kemi përjetuar dhe gjithmonë, ne e ndjekim me respekt shume te madh.

Pas viteve ’90-të, a tentuat të vinit në Shqipëri dhe në Vermosh për të hequr atë njollë që regjimi komunist ua kishte vënë me pa të drejtë sikur babai juaj ishte vrasësi i Nik Pjetër Ndrekës? A bëtë përpjekje të vinit ta sqaronit popullin e asaj zone? – Po, unë fillimisht kam ardhur në vitin 1991. Kam shkuar në Vermosh me deputetin e zonës së asaj kohe, Dodë Kaçaj dhe aty ka ardhur TV Shqiptar me Bujar Muharremin, ku u bë një kronikë televizive sipas asaj që kishte ndodhur me familjen time vite me parë. Dhe atë vit kemi gjetur eshtrat e babës në atë përroin që u tregova pak më sipër dhe i kemi varrosë me ceremoni, sipas traditës sonë. Në atë vit, në ceremonitë e rivarrimit që bëmë, kanë marrë pjesë edhe nga familja e farefisi i Nik Pjetër Ndrekës. Ne si malësorë, e kemi zakon se i vajtojme ata që varrosim dhe një nga ata që vajtonin, ishte kushëriri i Nik Pjetër Ndrekës, Zef Gjergj Deda, i cili i ka thirrë vaj babës tim. Pas kësaj kam ardhur një vit më vonë dhe për të nxjerrë të vërtetën e historisë së babait tim. Kam shkuar në Vermosh dhe kam mbledhur të gjithë burrat në derë të kishës, ku kisha dhe kamerën që i regjistronim bisedat e gjithsecilit. Aty u kam thënë: “Në rast se ju thoni se Nik Ndrekën e ka vrarë babai im dhe Mark Pashku, do të themi se e kanë vrarë ata!” I gjithë fshati, më shumë se 100 burra, kanë dalë e kanë thënë se ne kemi qenë aty dhe e kemi pa dhe e kemi ditur që ka qenë gënjeshtër, por nuk kemi pasur se çfarë të themi, se ashtu ishte koha atëhere. Njeri nga ata tha se: “Mua më ka rënë vajza në greminë dhe ka ardhur partia dhe Sigurim i Shtetit e më thanë se t’ia vija gishtin kujt të doja dhe ata do ta bënin heroinë!” Pra, kjo ishte një legjendë e krijuar se si e si me i përça familjet e medha, pasi me këtë familje ne kena miqësi dy herë. Kemi dy bijat tona të martuara në shtëpinë e tyre. Krejt farefisi i Pjetër Ndrekës, Kol Ndreka, Nikoll Ndreka, Rrok Ndreka, etj; nuk e kanë pranuar kurrë se kjo punë ka qenë e vërtetë. Në 1995-ën, ka ardhur kushëriri i tyre, Mark Pashku, dhe i ka takuar të gjithë njerëzit dhe dy axhët e Nikë Pjetër Ndrekës, shtëpi për shtëpi. Ata i kanë thënë me i falë se ata e kanë ditur se ka qenë rrenë, por “nuk kemi pasur se çfarë të bëjmë!” Pas kësaj, ai ka shkuar te Pjetër Ndreka në Milot dhe i ka thënë atij: “Ne jemi kushërinj, në dy breza, zgjidh kë të duash dhe sille këtu. Unë të bëj bé në kishë a ku të duash ti, se as nuk kam pasur dijeni dhe as kam gisht në vrasjen e djalit tuaj!” Pjetri i është përgjigjë se nuk besonte në bé. Dhe Marku i ka thënë: “Kurrë mos besofsh dhe pushka top t’u baftë!” Tash, them se familja e Pjetër Ndrekës duhet të distancohet nga shpifjet ose të përdorë traditën e zakonit malësor. Se, nëqoftëse familja ime, pra baba, Pjetër Gjeka, ia ka vra djalin, Pjetër Ndrekës, ne në bazë të kanunit, ne ia kemi gjakun borxh.

Ju, a tentuat të takoheshit me njerëz të afërt të Nik Pjetër Ndrekës? – Ne u takuam me gjithë të afërmit e tij, me axhët e Nikës dhe të gjithë e pranojnë se ajo gjë ka qenë e gënjeshtërt, por me Pjetrin kurrë. Pjetri ka qenë një matrapaz, një njeri që ka vënë gjakun e djalit mbi interesat e familjes. Se të përdorësh gjakun e fëmijës është e turpshme. Nëqoftëse ai ka përfituar merita me Nikën, ai ka përçarë familjen, se Mark Pashku ka qenë kushëri i tij. Pra, të ulësh një burrë shtëpie dhe të çosh një fëmijë, është një gjë e keqe. Ndërsa kjo familje është e mirë dhe shumë e nderuar, përveç Pjetrit, që ka pranuar dhe ka ngrënë bukën e turpit, bukën e marres. Por, në rast se kjo gjë për kohën e komunizmit i falet, se ashtu ishte sistemi që përgatiste skema dhe përçarje në familje, nuk mund t’i falet kjo gjë pas viteve ‘90-të. Pra, kur erdhi demokracia, ai duhet të dilte dhe të kërkonte falje, ashtu siç kanë bërë ata burra që kanë zhveshur kufomën e babait tim që kanë kërkuar falje. Dhe prandaj, unë nuk ua përmenda emrat atyre. Pjetri duhet të kishte përdorur zakonin. Për mua, dënimi më i madh për një njeri është dënimi me histori. Ta dënosh me histori është gjëja më e madhe. Dhe unë këtë gjë po ia le historisë. Edhe Nik Ndrekën, Pjetër Ndrekës ua le historisë që ta gjykojë dhe familja e tij le të prononcohet, ashtu siç i ka hije malësorit, shqiptarit dhe së vërtetës.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.