back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

“Racizimi” i Maks Velos i ka rrënjët në komunizëm nga Erl Kodra

Gazeta

Maks Velo (1935-2020)
Maks Velo (1935-2020) – (realizuar nga Fatbardh Marku)

“Racizimi” i Maks Velos i ka rrënjët në komunizëm

nga Erl Kodra

Mendova të mbajë njëlloj distance nga dita e vdekjes së Maks Velos,
për të shkruar këto rradhë. Maksi i shkretë iku nga kjo botë
pas një jete plot vuajtje dhe mungesa,
por edhe i përcjellë me vlerësime dhe respekt për çka ishte si njeri dhe artist.
.
Mundet që shumë njerëz nuk do të pëlqejnë ato që do të shkruaj. Me gjasë, do të jetë ajo pjesë e zërave të spikatur publik që mendojnë se veriorët, ose malokët, ose gegët janë ndryshe, dhe se qasja ndaj tyre duhet të jetë po ndryshe.
Unë nuk mendoj se Maks Velo ishte një racist, por, mendoj se ai, për arsye naive, të pakuptueshme dhe të palogjikshme, kishte rënë pre e një strategjie të stërholluar, të ngritur në sistem nga regjimi terrorist i Enver Hoxhës, dhe që, ironikisht vazhdon edhe sot e kësaj dite nga shumë zëra publik.
Le të shohim më në thellësi këtë fenomen, që tashmë nuk mund të cilësohet vetëm i tillë, por gati një mendësi shtetërore, e ngritur në sistem nga terroristi Enver Hoxha, që edhe sot e kësaj dite po i kushton rëndë kombit tonë.
Demonizimi i veriorëve ose gegëve të Shqipërisë nga regjimi i Enver Hoxhës është kryer në mënyrë sistemike, duke filluar para vitit 1944, përgjatë konsolidimit të regjimit terrorist, deri në vitin 1990. Gjenocidi politik kundër klerit katolik dhe posaçërisht kundër françeskanëve ishte i pashembullt. Po ashtu u ndaluan autorët gegë, ku mes tyre shquhen emrat e Padër Anton Harapi dhe Padër Gjergj Fishta, dy gjigandë të letërsisë dhe të mendimit shqiptar. U rrënuan kisha dhe xhamia, u vranë dhe u pushkatuan pa gjyq nga partizanët dhe komunistët shqiptar para dhe pas lufte me mijëra burra dhe djem nga Malësitë e Veriut.
Gazeta Panorama e datës 12 Tetor 2019, shkruan: “Me 9 gusht 1949, pas vrasjes së Bardhok Bibës në Mirditë, Mehmet Shehu kishte dhënë urdhër për të kryer një masakër, në formë hakmarrjeje. Telegrami i dërguar prej tij nga Rrësheni, në adresë të Enver Hoxhës (Komandanti), vetëm dy ditë pas vrasjes së Bardhok Bibës, zbulon aksionin e paprecedentë që komunsitët do të kryenin në 24 fshatra të Mirditës. Listat e arrestimeve ishin gati. Madje, Mehmet Shehu kishte bërë kategorizimin në tre grupe, ku veçonte se cilët do të pushkatonte, cilët do të burgoste dhe cilët do të çonte në internim.
.

Maks Velo para se të arrestohej
Maks Velo para se të arrestohej
“Do të arrestojmë 132 mirditorë, 31 prej të cilëve do të pushkatohen me urgjencë, 84 do të burgosen e 17 të tjerë do të dërgohen në internim”- shkruante Mehmet Shehu për Enver Hoxhën, për masakrën e tmerrshme që do ta kryente vetëm pas dy ditësh.
Letërsia e realizmit socialist dhe artet e tjera (Kinostudio “Shqipëria e Re” dhe Teatri) i portretizonin veriorët ose gegët si njerëz të trashë, të prapambetur, të pagdhendur, që nuk dinë shkrim e këndim(siç!), me zakone prapanike, kriminelë dhe diversantë. Merreni me mend; kjo lloj qasje bëhej kundër shumicës së popullsisë shqiptare, nëse kemi parasyshë se veriorë, përndryshe gegë janë dy të tretat (2/3) e kombit shqiptar. Në vazhdën e asaj qasje ishte edhe Kongresi i Drejtëshkrimit të Gjuhës Shqipe, ku u imponua si bazë e shqipes zyrtare elemente thelbësore të dialektit toskë.
Maks Velo ishte një artist i vuajtur dhe i pakornizuar, me aktivitet të spikatur në disa fusha të artit, ku shkëlqimin më të madh e pati si piktor. Ai ishte një zë interesant në disa fusha, por, urrejtja e tij patologjike kundër më shumë se gjysmës së kombit mbetet e pashpjegueshme me terma jetësor; se nga i buronte ajo urrejtje shtazarake dhe e pamotiv.
Unë e di se kjo është një ndër temat më të ndjeshme publike, por gjithashtu e di, se është e domosdoshme që të ndryshojë qasja publike kundrejt veriorëve ose “malokëve”, por edhe për figurat e shquara të identitetit tonë kombëtar si At Gjergj Fishta (dhe jo vetëm).
.
Ps. Ju lutem paraprakisht, të mos përdoren sharje dhe fyerje për askënd, përjashto terroristët Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.