Reçension a refleksion?!
nga Frederik Ndoci
(Këto vargje të “frikëshme” për Zuckenbergun dhe fb-un e tij,
më dënuen duke më bllokue si Frederik për 24 orë!?
S’e di çfarë shpifjeje ka ky shkrim
o pse e marrin si t’rrezikshëm, sa me m’dënue?!)
Ç’ka asht ai vend, ai komb, ajo etni??
ku fillimisht gjuejnë me gurë
qejt e rrugës,
e mandej i rruejnë, i pastrojnë e i veshin me kollare
me i zgjedhë për në krye t’qeverisë?
Ç’ka asht ai popull që u bjen edhe pllumbave me gurë,
e mban sorra e korba n’kafaz, për zbukurim?
Si mundesh me e quejt njerëzì
at turmë që iu lshohen me gurë e i përzejnë fëmijtë e vet,
me pranuë fëmijë të huej?
Çfarë etnie janë, ku poetit i vritet vargu,
mandej i varë poetët
edhe nderon ata poetë që andrrojnë tanë jetën Nobelin,
Nobel… meqë i thurën nji jetë lavde, kriminelave të tyne!?
A mundet me u quejtë artdashës nji popull
që përgjak, perdhunon mandej i përzen artistat,
e pranon çdo art, pa asnji molekulë atnore?
që puth për së vdekuni
të persekutuemit,
që vetsakrifikohen ndër greva t’urisë
për njat liri që s’mujten me e perqafë kurrë?
Më thuej çfarë emri ka kopeja,
ku çdo ditë burrat vrasin nanën e fëmijës së vet,
dhe ndjehet n’rehatì?!
ku i ndrrojnë motrat e veta
me shokun për me i nxjerrë n’semafor,
pse na u vjen paksa zor, me e nxjerrë ata vetë!?!
E që pshtyjnë e përbuzin herojtë e vërtetë,
e i kthejnë në shenjtorë kriminelat, vagabondat?!
nderojnë e shenjtojnë djallin e pushtuesin
tue djegë e përdhunue ata shenjtorë t’cilve bota u përulet?!
Breza që shkelin e pshurrin lulishta e lule,
që zhgarravisin trupin me tatuazhe e hekra t’kromuem??
që zhubrosin e shkyejnë historinë e tyne,
veç me përjetsue historinë e rrejshme të fqinjit barbar
e ma mbas qahen pse sëbashku
e gllabërojnë historinë??
Gjuejnë me gurë tempujt,
e ndërtojnë e nderojnë n’themelet e tyne
tempujt e pushtuesve?!?
Vrej se edhe njerëzimi lëviz tue ndjekë diellin,
pse pat edhe ka frikë gjithmonë kah Lindja,
se tana tmerret prej andej na erdhën
e shpëtimi veç kah perëndimi.
Turma sot vazhdon edhe sot hap mbas hapi
gjersa mbas pak serish të mbrrijë
aty prej kah u nis
tue e pà vedin n’lindje,
e vërtetue rrumbullaksinë e botës
në 12 kandshin e rrashtave t’veta.
15 rrjeshta lajm kronike për vdekjen e artistit
që kurrnjiherë s’i kërkuen falje
as etnit… e as bijtë e atyne
që e dënuan për 17 vite.
Dhe katër-pesë faqe
për ripopullimin e Albanistanit
me afganë
bangladeshas
e palestinas…
Hahahah… Edhe asnji rrjesht t’vetëm
për largimin e rinisë e popullit t’vet
As për ikjen masive t’shqiptarëve,
mandej trumbetojnë me t’madhe
edhe për bashkim kombtar!!
Ah po:
se për tanë k’to vese e tmerre
u duket vetja shumë pak.
Edhe pse turma
kah lindja e largme dhe e afërt
po iu dynden gjithkah…
.