back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 14 Nëntor, 2024

Refleksion ndaj librit “Historia e Durrësit” të Dorian Hatibi – nga Arjola Kondakçiu

Gazeta

Historia e Durrësit - Dorian Hatibi
Historia e Durrësit – Dorian Hatibi

Refleksion ndaj librit “Historia e Durrësit” të Dorian Hatibi

nga Arjola Kondakçiu

1.Përshtypjet rreth promovimit

Një libër historik që përfshihet mrekullisht bukur në një diskutim miqësor real brenda një Muzeu Arkeologjik mbreslënës, siç është ai i qytetit të Durrësit që e hap me dashamirësi derën e përkrahjes për aktivitete të tilla kulturore. 
Akoma më e mahnitur mbeta nga drejtuesja e aktivitetit Antigoni Suli Gjergji, e cila me zhdërvjellësinë e komunikimit dhe njohjen paralelizuar nga lexueshmëria e thellë meditative shoqëruar me përzemërsinë ndaj thelbit të temës, ndikoi pozitivisht që edhe autori i librit “Historia e Durrësit” Dorian Hatibi, të fliste më me pasion e lirshmëri për atë çka kishte shkruar, si dhe falë gjuhës së thjeshtë të na nxiste edhe ne dëgjuesit e pranishëm që t’i bënim pyetje praktike për të shuar kërshërinë. 
Aty papritur m’u kujtua “Bukuroshja e Durrësit” që qe në gjumë letargjik për 2.400 vjet kur ia hoqën dherat që i mbante mbi vete si shtresa. Ajo u zgjua në atë mozaik ashtu siç kishte rënë: e bukur dhe e freskët. 
Ndërsa gjatë oratorisë shpjeguese e frymëzuese të Dorian Hatibit kuptova që ndryshe nga ajo, nëpërmjet faqeve të librit kishte sjellë një tablo të tërësisë së qytetit, që vërvitur nëpër erërat e kohërave dhe mjegullnajat e shekujve i ishte dashur që jo thjesht dherat por “malet” e ngulitura sipër varrosjes së tij memece mes thesaresh arkivash të pluhurosura, t’i sheshonte me një super durim të gjatë hulumtues duke na folur me gjuhën e historisë së vërtetë.
Zakonisht të tjerët flasin për librin në një promovim, por në këtë rast, me mënyrën argumentuese se si e mbrojti përmbajtjen, autori që me modesti pranoi se “nuk ishte as historian e as shkrimtar”, bëri që ky dyzim i shijes së tij ku me respekt ka rindërtuar qytetin nëpërmjet ngjizjes së shkrimeve të veçanta në një raportim kronologjik nga Prehistoria deri në vitin 1912, falë një rrugëtimi (siç e quan ai) mitesh, luftërash epike, romancash dhe përplasjesh kulturore e ekonomike, të shtonte kuriozitetin edhe tek ata persona që ndoshta u pëlqente, por s’ishin të përkushtuar ndaj historisë. Kjo më përfshinte edhe mua personalisht. E, sa për sinqeritet, edhe pse për momentin nuk e bleva librin, ia mora dikujt për ta lexuar dhe gjatë përshtypjeve krijova një copëz mozaiku letrare sipas këndvështrimit tim formues në këtë drejtim.
.
Autorja e shkrimin - Arjola Kondakçiu
Autorja e shkrimin – Arjola Kondakçiu

2.Struktura ndërtuese

Kur hyj në shtëpi s’është se interesohem se me çfarë tullash është ndërtuar, si ka qenë ngjyra e tyre, e çfarë cilësie janë apo se kur janë prodhuar. Thjesht, futem dhe dua të shijoj relaksin që më ofron ajo folezë. Deri diku mund të interesohem për zgjerim njohurish apo për kuriozitet përtej kornizave të shtëpisë në hapësirat historike të ndërtimit të qytetit, por në këtë rast, gjatë vëzhgimit të librit “Historia e Durrësit” dhe shijimit si lexuese theksova dukshëm dhe bindshëm miniarkitekturën e tërësisë së tij, botuar me një përgjegjësi serioze nga shtëpia botuese “Jozef” po në Durrës, ku dhe drejtori i saj z. Aurel Kaçulini ka dhënë mbështetje në shumë forma për këtë vepër të parë të këtij lloji në Shqipëri dedikuar një qyteti.
Më konkretisht:
-Kopertina e trashë blu si thellësia e detit me nuancat e shekujve nëpërmjet skicimeve, dritëson në “verbërinë” e mendjes.
-Titulli domethënës me ngjyrën e artë dëshmon në mënyrë simbolike rezistencën.
-744 fletët e holla delikate në dukje, por me një prekje të rrëshqitshme favorizojnë mosprishjen.
-Pesha e librit: 2 kg letër, tregon seriozitetin e materialit dhe në mënyrë figurative përçon rëndesën e historisë.
-13 harta të ndryshme të përfshira na orientojnë vizualisht rreth disa zonave specifike.
-6 Kapituj interesantë dhe origjinalë: Prehistoria/ Antikiteti klasik/ Antikiteti i vonë/ Mesjeta e hershme/ Mesjeta e vonë/ Dekadenca, janë fuqia e librit.
-29 Nënkapituj të shtjelluar me takt në paragrafë të shkurtër alternuar me fakte, histori, rrëfime ngjarjesh e pasuruar me informacione të reja, me sqarimet e nevojshme dhe pa hollësira të panevojshme.
-24 faqe për burimet referuese dhe literaturën ndihmëse, ku përfshihen: dokumente, autorë antikë, fjalorë, enciklopedi, gazeta si dhe literatura të ndryshme.
-100 botime e dorëshkrime
-300 artikuj shkencorë
-3.000 citime
Shtoj këtu në mënyrë speciale dhe:
-1 Dedikim prindërve të tij, që i shigjeton librit ngjyrimin emocional
-100% Dashurinë për qytetin
-X…Orë të pafund kërkimesh pagjumësie
-Y…Sakrifica lekësh deri te botimi
E, të gjitha së bashku, në një hapësirë kohore prej 7-të vitesh (që si numër çuditërisht përkon dhe me simbolikën e plotësimit apo përmbushjes në Shkrimet e Shenjta) bënë të mundur vendosmërinë ndaj publikimit të këtij libri me vlerë historiko- kombëtare.
.
Dorian Hatibi - duke folur për "Historinë e Durrësit"
Dorian Hatibi – duke folur për “Historinë e Durrësit”

3.Veçoritë estetike dhe stilistike

Përtej dedikimit të librit kushtuar prindërve, veprim i cili pasqyron një shpirt sa të ndjeshëm aq dhe të fortë, në faqet 7- 9 autori ka ideuar në mënyrë parësore e të veçantë një pjesë të titulluar “Falënderime”, duke përçuar vlera njerëzore mirënjohjeje nëpërmjet mos’harresës. Meqënëse me modesti nuk ka pretenduar që “Historia e Durrësit” të jetë një libër i mirfilltë shkencor por si “perifrazim i historisë”, për vetë seriozitetin e hulumtimeve afatgjata që çuan në një përmbledhje praktike e të kuptueshme për çdo lloj lexuesi, ai ka falënderuar me gjithë zemër ata miq arkeologë, punonjës të bibliotekës, persona anonimë që e kanë ndihmuar në kapërcimin e vështirësive kërkimore si dhe në inkurajim; gjithashtu, fondet albanologjike të kishave katolike e ortodokse dhe përfaqësues të komunitetit mysliman të cilët bashkëpunuan duke i vënë në dispozicion dokumentet e ruajtura që vërtetonin autencitetin, por edhe që hidhnin dritë mbi shumë informacione të mbetura në trepikësha dhe pikëpyetje.
Ndër të tjera, dua të veçoj dhe disa fjali interesante nga parathënia e Geri Emiri ku shprehet që: “Autori është udhërrëfyes i guximshëm i lexuesit modern. Nuk i përket fushës së kërkimit shkencor, historisë apo arkeologjisë, ama është durrsak…” 
Këtë gjë e ka përforcuar akoma më shumë autori në një parathënie të vetën, ku njëtrajtëzohet ana emotive në fjalët e zgjedhura me kujdes e merak për qytetin. “Të harrosh ose të mohosh historinë e Durrësit do të thotë të harrosh dhe të mohosh historinë e Shqipërisë. Madje pjesën më të rëndësishme të saj” – shprehet me një revoltim të brendshëm autori D. Hatibi. Kështu, duke i kushtuar vëmendje historisë i jep një vlerë të veçantë librit, pasi e tregon i pari me shembullin e vet konkret ndërgjegjësimin për t’ia kthyer Durrësit vlerat e humbura nëpër kohëra, qofshin këto në evolucionin urban, kulturor, fetar, tregtar, socialo- ekonomik, ushtarako- politik dhe gjeografiko – historik.
Por edhe këndvështrimi në pasthënien e dr. Spiro Taço, ndër të tjera e mbështet fuqimisht, sepse e konsideron si “Libër të mirë dhe të këndshëm për historinë e qytetit, ngaqë sjell një panoramë të gjerë të ngjarjeve dhe individëve.”
Libri “Historia e Durrësit” është i mbushur me fakte të mbështetura në argumentime bindëse, por jo vetëm kaq. Me një stil unik të shkruari gjuha e thjeshtë gërshetohet me një mprehtësi teknike letrare dhe paragrafët e shkurtër zhvishen nga misteri i elementëve të pakuptueshëm e qartësohen falë mjeteve ndihmëse sqaruese, që e bëjnë më të lehtë, më interesant e më të përthithshëm informacionin.
Dëshifrimin e lidhjeve të brendshme të kohës që e vesh me kuptime faktesh të shumëfishta, autori e realizon bukur edhe nëpërmjet fragmenteve tingëlluese, të cilat nuk e lënë librin vetëm në kornizën e një vepre historike.
.
Dorian Hatibi - duke folur për "Historinë e Durrësit"
Dorian Hatibi – duke folur për “Historinë e Durrësit”
Shprehje si: “Durrës o qytet i bekuar, që je kërthizë e mëmëdheut” (Lëvizja kombëtare 1878 – 1906), apo “Durrësi është çelësi i Adriatikut, i Shqipërisë dhe i gjithë Turqisë” (Reforma e Tanzimatit 1839- 1878) etj, çojnë vetvetiu në trajtimin më me pasazhe lirike e historike të tekstit, pa anashkaluar dhe përdorimin e figurave letrare si: krahasimet, epiteti dhe hiperbola.
Gjatë leximit sa në një fletë në tjetrën, libri të vërtit si dallgët e detit nëpër hapësirat e thinjta të shekujve. Herë të kënaq me lavdinë e bukurisë së përshkruar, herë të trishton nga notat dëshpëruese të rrënimit nga ngjarjet e luftërave, herë-herë të impresionon nga situata interesante e herë të tjera të mahnit e të shton kuriozitetin për zbulimet e disa elementeve historike të vogla që mendon se paksa kalimthi i njeh, dhe çuditesh sesi autori ka rrezatuar detajin tek ato duke i bërë të rëndësishme falë kërkimeve të hollësishme (në fq. 179 ku flet për vajzën e re të krishtere Luçia, emri i së cilës mbante një peshë historie të gjithanshme, të panjohur më parë).
Një vëmendje, por që është dhe një ndihmë e çmuar për lexuesin, gjendet që në kontaktin pamor me tekstin. Mënyra e dallueshme e të shkruarit duke i zvogëluar shkronjat, holluar ose bërë një shkrim të pjerrët në rastin e ngjarjeve të treguara në formën e historive, dëshmive apo rrëfimeve historike (me perifrazime ose të cituara), tregon edhe një elegancë stilistike.
Njëkohësisht, fija e gjatë ngjyrë blu (që rrallë e shohim në botimet e dekadës së fundit) është një detaj që shmang palosjen e fletës duke ruajtur memorizimin e lexueshmërisë në mënyrë dinjitoze.
Detaj që shpreh vlerësim jo vetëm për atë që përmban libri, por dashuri edhe për librin në tërësi.
E s’ka sesi të ndodhë ndryshe kur vetë autorin e librit “Historia e Durrësit” Dorian Hatibi e grish po kjo ndjesi e thellë, që atyre pjesëve enigmatike të mozaikut historiko-letrar në formë pikëpyetje për vazhdimin e ngjarjeve të pas 1912-tës, t’ia gjejë vendin e duhur në vazhdimësinë e vëllimit të dytë.
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.