back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Refleksione mbi librin “Saggi di lettetatura albanese” – Firenze 1972 Ernesto Koliqi: “Studi e Testi”, volume V, pp. IV – 260 – nga Martin Camaj

on

|

views

and

comments

Ernesto Koliqi - Saggi di letteratura albanese" 1972
Ernesto Koliqi – Saggi di letteratura albanese” 1972
Refleksione mbi librin “Saggi di lettetatura albanese” – Firenze 1972
Ernesto Koliqi: “Studi e Testi”, volume V, pp. IV – 260
nga Martin Camaj

Ky botim përmban nji vistër të shkrimeve të autorit, pjesërisht dalë dhe ma përpara ndër revista të ndryshme, mbi tema të letërsisë shqipe. Fillon me atë popullore, tue e shikue atë në kohë (në gjenezën e saj). Me këtë problem dhe aspekt të tij, Koliqi asht marrë gjatë, pothuejse nji jetë njeriu, që përmbledhtas mund të përcaktohet: si lind e merr frymë nji poezi popullore? (Krh. Come nasce in Albania un canto popolare fq. 35 vv.), shkoqitshëm: kush e këndon e si këndohet? (Rapsodi e rapsodie delle Alpi Albanesi, 1-34).
Shkuemja në burim të kangës popullore ase të folmes së nji bashkësie asht prirje metodike e rrymave të reja shkencore; frytet e kësaj mënyrë gjurmimi janë të dukshme, jo vetëm në tërhollimin e metodës, por edhe në gjetjen e ligjshmënive deri në sot të panjoftuna, sepse po vërtetohet se përshkrimi i gjithëmbarshëm i këtyane dukunive (krijim popullor e gjuhë) të pashkëputuna nga rrethi gjallnues i tyne, hjedh dritë dielli (jo dritë artificiale) mbi letërsinë reflekse dhe gjuhën e shkrueme.
Por për gjurmuesit ma me randësi se piknisja metodike asht interpretimi intuitiv i landës: si e sheh autori krijimin popullor nga hap krahët dhe letërsia jonë reflekse, si shkrimtar që asht, përfaqsues i nji periudhe letrare tek ne, që karakterizohet prej shmangies nga “folklorizmi” formal e pjesërisht dhe nga përmbajtja folklorike. Duhet ta dinë, pra, disa kritikë të rij të ditve të sodit, se shì kjo pikë nuk asht temë e re, por që ka fillue të rrahet dhe mes dy luftave botnore në Shqipni!
Interpretimi themelor, pwr mos me thanë tendenca për të dishmue se jemi nji komb me nji pajë të përbashkët shpirtnore, del kjartaz në tanësinë e pjesëve të këtij libri. Por këtë ide ma shkoqitshëm e sintetizon eseja “Tre poetët ma të i mëdhej të Shqipnisë” (tre maggiori poeti d’Albania, fq. 53 v.) ku Koliqi përpiqet me gjetë tiparet e përbashkëta të shpirtit të nji kombi. Kontrastet i zbut me argumentacione logjike, terapi e njoftun dhe prej Rilindasvet. Koliqi, me baza kulturore thellësisht perendimore, nuk prapon aspak adstratet kulturale e artistike të lindjes dhe veri-lindjes dhe i shijon ato me nji shije përkatëse romantike, gja që neve, breznive ma të reja nuk na shkon aq për pin. (Krh. Influenze orientali sulla letteratura albanese; Islam e Cristianesimo nella letteratura albanese; Spirito autoctono e influssi stranieri nella letteratura albanese, fq. 132-153).

Koliqi - Camaj - Maloki
Koliqi – Camaj – Maloki

Zgjedhja dhe botimi i nji pjese të shkrimeve të shumta mbi pajën kulturore të arbëreshëve të Italisë, i hap vëllimit në fjalë horizontin vërejtues mbi botën e gjanë arbnore. Koliqi merret prej dheta vjetsh me traditën letrare reflekse të arbëreshëve të Italisë, e cila dhe kjo niset prej krijimit popullor. Këtë pajë shpirtnore të arbëreshëvet të Italisë, autori e njeh si mos kush ndër hulumtuesit e deritashëm, mbasi kjo asht tema shkencore kryekreje e Institutit të Studimeve Shqiptare të Universitetit të Romës nën drejtimin e tij. Kjo njoftuni e vuni në gjendje Koliqin të jepte ato gjykime të qëllueme mbi De Radën (krh. Girolamo De Rada, fq. 85 v.; Poesia e realtà nella vita e nell’opera di Girolamo De Rada, fq. 100). Pa këtë atmosfere e pasuni të mrekullueshme gojdhanore nuk do të kish lulëzue kurr në Makja ajo lirikë e pashoqe, pothuejse në krejt letërsinë shqipe. Me të drejtë Koliqi e paraqet De Radën si dhe Zef Sqirojn (krh. Giuseppe Schirò, Poeta della Fratellanza pan-albanese, fq. 193 v.) si zadhanës të këtij spiritualiteti arbëresh. Me fjalë tjera kemi të bajmë me nji polarizim ideshë të Ri¬lindasve shqiptarë dhe arbëreshë, kusht ky doktrinar i njësisë, sadopak shpirtnore, të shqiptarëve në shtet e diaspore. Ngjan se kjo pikpamje kundërshtohet nga disa kritikë (krh. Rexhep Qosjen nga Kosova), të cilët e përjashtojnë veprimtarinë letrare të diasporës nga rryma e përgjithshme e zhvillimit të letërsisë nacionale. Diçka të huej dhe të pakuptueshme, sepse të vjetrueme e ndjejnë dhe në trajtën gjuhësore, rrjedhimisht dhe në përmbajtjen e poezisë së De Radës. Ky qëndrim don shkoqitje ma të thellë sepse asht vështirë të besohet se ato qëllimojnë ta vorfnojnë krijimin artistik ndër ne tue shkëputë, si mbas lojës “a më don a s’më don”, fletëzat nga rremi nji mbas nji për të rà mandej në nji absurditet të tillë sa të shkepim prej trungut të letërsisë të gjitha majet. Asht heret t’iau qajmë hallin De Radës apo Fishtës se nji ditë nuk do të lexohen për vështirësi gjuhe: me pak zell që mendimtarëve të rij nuk u mungon ata ka për t’i kuptue çdo shqiptar i arësimuem edhe në të ardhmen. Nga ana tjetër asht e provueme dhe shkencorisht se gjuha shqipe në sistemin thelbësor ç’prej dokumentimit të saj (Buzukut, Matranges etj.) deri në sot nuk ka ba ndërrime samos me u kuptue në vija të përgjithsme çdo ligjëratë. Aq ma pak do të psojë sot e mbrapa shndërrime në sistem, edhe po qe se mirret për bazë e gjuhës së shkrueme e folmja ma periferike, si arbnishtja e shqiptarëve afër Zarës apo ndoj e folme arbëreshe e shqiptarëve të Italisë apo të Greqisë. Në këtë mes, natyrisht, asht e domosdoshme që në proceset e standardizimit mos të diktojnë ligje vetje që nuk i njohin ligjshmënitë themelore të kësaj gjuhe.
Çdo botim i ri me vlerë, si ky i Koliqit, na bindë se studimet albanologjike, letrare, gjuhësore, etj., kanë marrë jo vetëm trokun nëpër rrafsh përpara, por edhe hovin e ngritjen në naltësi. Shkrimet e këtij vëllimi janë të shënueshme edhe për karakterin kontrastiv mes rrymave të ndryshme të gjurmimeve letrare të kohëve tona. Këtyne duhet t’u njihet në çdo kohë dhe vlera e stilit të kthjellët dhe pjekunisë së mendimit të nji shkrimtari që ka nji vend në këtë letërsi.

Marrë prej “Shejzave” 1973 fq. 138-140

Related Images:

Share this
Tags

I ke lexuar?

Kontesha Bengazina – nga Lazër Radi – Pjesë nga Libri “Vorbulla t’Jetës Universitare” (Roma)

 Nji prej historive ma të bukura studentore, të rrëfyeme mjeshtrisht prej Lazër Radit në librin autobiografik: “Vorbulla t'jetës Universitare”, ku ai me at sinqeritetin e tij...

Katalogimi i Veprës së Plotë të LAZËR RADIT

  Katalogimi i veprës së plotë të LAZËR RADI  Materiali që paraqesim asht nji bibliografi e thuejse krejt Veprës së Plotë të Dr. Lazër Radit, botue dhe...

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin – nga librat e Lazër Radit

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin nga librat e Lazër Radit Kanuni dhe teza e doktoraturës Mbasi mbylla llogarinë me Procedurën Civile, në mënyrën ma të...

Te rejat

More like this

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.