back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

“Reja në Kominoshe” Xum-Xam use Vitet ’60 – nga Leka Ndoja – “Kritika Konjitive”

Gazeta

Studiuesi Leka Ndoja
Studiuesi Leka Ndoja

“Reja në Kominoshe” Xum-Xam use Vitet ’60

nga Leka Ndoja – “Kritika Konjitive”

Me përfundimin e Luftës së Parë Botërore u quajt i mbaruar dhe revolucioni i Futuristëve në art nga ana e poetëve italianë. Por Marinetti nuk hoqi dorë nga tipologjia futuriste derisa arriti në shkrimin e dramave futuriste dhe një hap larg nga kinematografia. As Majakovski s’desh t’ia dinte se koha e futurizmit mbaroi me “revolucionin”. Ajo rrymë që vijoi të imitohej gjerësisht në Shqipërinë e pas Luftës së Dytë si metodë Majakovskiane në poezi që mund të kishte cilësinë e futur-bolshevizmit. Por ishim më shumë se gjysëm shekulli mbrapa shpalljes së Traktatit të Futuristëve nga Marinetti në “Figaro”, Shkurt 1909.

Tamburxhinj dhe poetë

Majakovski shpalli pasionin ideologjik dhe vepra e tij u quajt në Rusi e shenjtë dhe ai si këngëtari suprem i revolucionit rus. Paralelja me këngëtarët shqiptarë ishte shpallur si Gara e antikëve grekë në Pythos, por me ndryshimin e thjeshtë që në Shqipëri synohej nga poetët kurorëzimi si superpoeti i revolucionit. Pas diskutimeve të viteve ‘50 për pranimin ose jo të kësaj lloj gare për superpoetin e revolucionit kur vetë revolucionarët e mirëfilltë nuk e kishin fort për zemër për arsyen e thjeshtë se nuk ishin të bindur nëse duhej heqë një paralele aq e trashë me botën sllave kulturore, garimi (i ri) nisi në vitet ‘60.
Tashmë s’kishte mëdyshje, poetët e ftuar rusë me nxitjet e tyre të hapura nëpër auditorët e shkrimtarëve për letrarizimin e kultit politik kishin vendosur vulën mbi letërsinë dhe autorët e shpërthyer në garën e njeriut të ri. Në fakt realiteti i tillë shfaqej dhe këngëtari kërkoi rolin kryesor. “Të gjithë sovjetët së bashku nuk i lëvizin ushtritë/ nëse muzikantët nuk i bien marshit…” Këtë ide kishte për artistët Majakovski në vitin 1918, në poezinë “Urdhër ushtrisë së artit” që mbyllet me distikun “Nëpër rrugë, futuristë,/ tamburxhinj dhe poetë!”
Efektet, rrapëllimat ishin thelbi i krijimtarisë prej hekurishtesh të futurbolshevizmit. Diku më poshtë ai përsërit Palaceskin kur kërkon: “Pështyni mbi rima” por me “marshin e së majtës”: “Majtas, majtas, majtas”. Në poezinë : “Urdhër nr. 2 armatës së artit” pasi urdhëron artistët “Të pështyjnë mbi rima, mbi tubën me trëndafila dhe malinkoniçkat e arsenalit të artit” përmbyll urdhëresën: “Shokë,/ bëni një art të ri,/ t’atillë/ që të nxjerrë republikën nga lluca”. Urdhëri i Majakovskit mban datën e shkrimit 1921. Këto poezi arrijnë kulmin e revolucionit poetiko-politik me poemën e vitit 1924 “Vladimir iliç Leninit” kur mbyllet periudha ultrarevolucionare e Majakovskit.

Tomaso Filippo Marinetti - (1876-1944)
Tomaso Filippo Marinetti – (1876-1944)
Ura e Bruklinit

Më në fund edhe Majakovskit i këputen kordat e tensionit të lartë dhe kjo pas vizitës në perëndim. Jehona e parë: “Në Paris të trishtohesh?/ A është e mundur?”-“Për diçka të bukur/ as unë vetë nuk i kursej fjalët.” Dhe: “Ura e Bruklinit: kjo po…/ Është diçka madhështore”. Këtu është drama e vërtetë e Majakovskit kur zbulon arritjet njerëzore pa ndihmën e tamburxhinjve të ushtrisë së artit të tij.
Në dy vitet e fundit para vetvrasjes “Tamburxhiu” ul zhurmat e tam-tam-it poetik duke shprehur një zhgënjim revolucionar duke përdorur mjetet e “arsenalit të artit” që ai vetë më parë i kish flakur si në poezinë ironike kundër opinionit të klasës: “Përgjigje thashethemeve të ardhme”;  “Bukuri, atëhere,/ ju kërkoj ndjesë/ nëse/ nga Parisi/ solla një Renault,/ dhe jo parfume/ a kravata.”
Kështu në poezinë e Majakovskit vërehen dy morale. Morali 1, ai revolucionar, dhe morali 2; ai ironik dhe fatalist me figurshmërine sentimentale aq të urryer nga periudha e parë krijuese e poetit të revolucionit bolshevik. Por fati e desh që opinioni të njohë së shumti kulminacionin e periudhës së superrevolucionarit Majakovski. Periudha e dytë nuk i intereson kujt, ndonëse është periudha më e dhimbëshme e poetit që paralajmëron fundin e tij oria e artit është më futuriste se Futurizmi. Ajo nuk e njeh dhimbjen është si një mekanizëm i ftohtë kozmik.
Majakovski u dashurua në Shqipëri si kudo, më tepër për periudhën revolucionare dhe nxiti formimin e poetëve ultrarevolucionarë në Shqipëri që e ndoqën krijimtarinë dhe modelin e tij si një idol.
Një shembull shembullor i imitimit të “Reja në pantallona” e kthyer në një garë poetike u pa dhe u ndoq si “risi” në poezitë me temë pritjen e së dashurës, pa dalë nga koncepti Majakovskian i pritjes së Maries.
“Ora kaloi./ Ti u vonove./ Drita e abazhurëve u bë e keqe./…/ Ti do të vish patjetër…” – Kështu vargëzon Kadare në poezinë “Pritje” (1962).
Edhe Fatos Arapi më parë në poezinë “Ti do të vish” ka këto ndjesi të kohës së pritjes:  “Ti do të vish, e dashur, – si s’do të vish…”.
Këtë garë e vijuan edhe poetë të tjerë më pas, ndoshta pa e kuptuar zanafillën, duke përmendur herë grepat e sahatit të madh të Tiranës (si të gjithë konviktorët apo ekskursionistët që vijnë së pari në kryeqytet që kanë për pikë referimi kullën e sahatit dhe xhaminë) herë telefonin, e herë duke ju referuar autobuzit urban si ritëm qytetar.
“Do të vij në katër – më tha Maria./ Ja tetë./ Ja nëndë./ Ja dhjetë./… /Por ja, si gjigand/ përkulem në dritare,/ dhe shtyj me ballë xhamin./
Kështu e përshkruan në vitin 1925, pritjen e dashurisë Majakovski në poemën “Reja në panatallona”, ndërsa “Pantallonat” e shqiptarëve pas 50 vjetësh ishin asgjë më shumë se kominoshe, por revolucionare sigurisht! Nga gjithë vepra e Majakovskit ka mbetur pritja e Maries që i përket periudhës së parë. Po nga autorët tanë, cili fat sipas periudhës revolucionare dhe asaj postrevolucionare do të përzgjidhet.
Revolucionarë apo postrevolucionarë?

Vladimir Majakovskij 1912
Vladimir Majakovskij 1912

Nëse Majakovski e zgjidhi çështjen e zhgënjimit me vetvrasje, mjaft nga shkrimtarët tanë e thyen penën e artit dhe u kthyen në soditës të realitetit të ri të shkrimtarëve revolucionarë që si Majakovski vargëzonin akuza kundër borgjezisë, burokratëve, imperializmit, prostitutave dhe dokeve tradicionale. Veçoria e vargëzimeve të akuzave në Shqipëri pati si origjinalitet akuzat në sferën e besimit dhe kristianizmit. Nga “gara” revolucionare u tërhoqën; Poradeci, Kuteli, Marko, Trebeshina… për të gjetur strehë në të shumtën e rasteve tek përkthimi duke i hapur rrugën një breznie me ego më të thekshme revolucionare shpesh edhe në lëmin e teknikave artistike. Kritika i kushtoi vëmëndje kësaj breznie duke e nxitur drejt ekstremeve futur-bolshevike, duke krijuar “Majakovskët” shqiptarë (siç thirreshin nga shkrimtarët e Viteve ‘30) si një sfidë arkaike ndaj Futurizmit origjinal të Marinetistëve matanë Adriatikut. Në skenë nuk u pa “teatri sintetik” që la pa kryer Marinetti dhe “teatri befasues” i vitit 1940, pasi edhe këtu do të kishte vlerësim, por, pas vdekjes së Majakovskit asnjë futurist rus nuk solli “të reja” tek ne. Futurizmi në Shqipëri (ai kallp) nisi e mbaroi si ultrarevolucionarizëm në vitet ‘60.
Më pas siç e përmendëm u shfaq vetëm në rrafshin e tematikës (prostitucioni, bestytnitë, borgjezët e rënë nga vakti… dhe si novitet vargëzohej kundër armëve atomike e biologjike e jo shrapnelëve e katjushkave) ndërsa fondi i leksikut diku-diku ka lënë gjurmë në krijimtarinë e Kadaresë (Poema blindazh), e F. Arapit (Ritme të hekurta) dhe të bashkëkohësve minorë.
Ndryshimi i këtyre krijuesve me Majakovskin dhe Marinettin ishte se nuk morën pjesë në luftë drejpërsëdrejti ose madje duke u plagosur si Marinetti në transhe, por, duke hamendësuar transhetë dhe luftëtarët brenda tyre. Pra, një revolucion psikik me formë artistike.
Ndikimet futuriste pushuan së qeni gradualisht, si një tren (për të përdorur mënyrën e figurshme futuriste) që i mbaron karburanti në stacion, aty ku vitet ia shtojnë ndryshkun.
Vizitorët që kalojnë andej pari e shohin të çuditur, e prekin me dorë nëpër rropulli dhe tundin kryet të bindur që ai tren nuk do të fishkëllejë më.
Shkurt, 1999, Rilindja, Drita 2000.

Marrë nga Muri i Fb Vrethee Lnika, 1 maj 2023

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.