back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Rëndësia dhe jehona e veprës “William Shakespeare” të kolosit të letërsisë franceze Viktor Hygo – kumtesë nga Drita Brahimi – Pedagoge e gjuhës frënge

Gazeta

Ermira Godo në Bibliotekën e Shkodrës
Prezantimi i veprës së Hygoit “William Shakespeare” në Bibliotekën e Shkodrës – 15 prill 2023

Përpara disa ditësh, në mjediset e Bibliotekës së Universitetit të qytetit Elbasan, në kuadrin e veprimtarive të Fakultetit të Shkencave Humane, me mbështetjen e Rektoratit të UE-së, Departamenti i Letërsisë dhe Gazetarisë në bashkëpunim me Departamentin e Gjuhësisë, organizuan, promovimin e librit “William Shakespeare” të Victor Hugo, përkthyer nga Abdulla Rami dhe Ermira Xhomaqi – Godo.
Të pranishëm ishin pedagogë dhe studentë të të dyja departamenteve, nxënës të Gjimnazit “Dhaskal Todri”, të cilët shprehën mendimet dhe vlerësimet e tyre për këtë vepër, si edhe diskutuan rreth vlerave dhe risive të saj në letrat shqipe.
Përkthyesja e librit, znj. Ermira Xhomaqi – Godo, pasqyroi rrugëtimin e gjatë dhe punën përkushtuese prej disa dekadash, për ta sjellë në shqip këtë vepër “sui generis” dhe me vlera shumëdimensionale për lexuesin shqiptar.
Në vijim, një aktivitet po aq mbresëlënës në lidhje me promovimin e kësaj vepre u zhvillua edhe në qytetin e Shkodrës, në Bibliotekën “Marin Barleti”, në bashkëpunim me “Aleancën Franceze”. Veprimtaria u moderua nga drejtorja e “Aleancës Franceze” Dhurata Hoxha.
Përkthyesja e librit Ermira Xhomaqi Godo foli për historinë e veçantë që ka patur procesi i përkthimit i cili ka filluar nga gjyshi i saj, intelektuali Abdulla Rami, në kushte të internimi gjatë viteve të diktaturës. Këtë punë ajo e ka vazhduar në vitet e fundit duke finalizuar botimin e librit.
Drejtori Maxhid Cungu, në fjalën e hapjes theksoi se përkthimi i veprave të kolosëve të letërsisë botërore mbetet një burim i pashtershëm për zhvillimin dhe pasurimin e kulturës në vendin tonë. Pedagogia e gjuhës frënge, Drita Brahimi mbajti kumtesën “Rëndësia dhe jehona e veprës “William Shakespeare” të Viktor Hygo. Më tej morën fjalën pedagogu Gëzim Puka, studiuesi Gjovalin Çuni, Aleks Dushi, etj të cilët i drejtuan pyetje përkthyeses dhe diskutuan rreth librit.

Pedagogja Drita Brahimi duke volur per vepren e Hygoit "William Shakespeare"
Pedagogja Drita Brahimi duke folur për veprën e Hygoit “William Shakespeare”

“Rëndësia dhe jehona e veprës William Shakespeare

të kolosit të letërsisë franceze Viktor Hygo”

kumtesë nga Drita Brahimi – Pedagoge e gjuhës frënge

U deshën më shumë se një gjysëm shekulli që lexuesit shqiptar t’i shtohej një vepër tjetër e shkrimtarit, poetit dhe dramurgut francez Viktor Hygo, këtë herë si eseist. Vepra William Shakespeare vjen e përkthyer mjeshtërisht nga version original. Është interesant fakti se përkthimi është nisur nga Abdullah Rami dhe më pas vijuar dhe përfunduar nga mbesa e tij, Ermira Xhomaqi – Godo, e cila ka realizuar ëndrrën e saj për të përmbushur amanetin e tij.
Për të kuptuar më mire veprën, le të paraqesim kontekstin dhe rrethanat e shkrimit të veprës William Shakespeare:

1.Është 300-vjetori i lindjes së Shekspirit. Teksti që Viktor Hygo boton me këtë rast është një himn për lirinë e gjeniut artistik dhe epërsinë e saj mbi të gjithë njerëzit e tjerë të mëdhenj (në fushën politike apo ushtarake): William Shakespeare- një flakëhedhës indirekt kundër Perandorisë së Dytë, ku ndjehet ky vrull militant.
2.Është botimi i Veprave të plota të Shekspirit nga François – Victor Hygo, (i biri) i cili ia besoi parathënien Viktor Hygo-it.
William Shakespeare lindi si zgjerimi i këtij projekti.
3.Është e drejta e përgjigjes që Hygo ia jep vetes pas sulmeve të kritikëve mbi romanin Të mjerët. Shumë nga reflektimet e shprehura në veprën William Shakespeare mbi dëmshmërinë e kritikës shpjegohen me këtë vetëmbrojtje indirekte.
4.Rrethana e katërt është më e përgjithshme. Është mërgimi. Ajo shpjegon denoncimin e të gjitha formave të tiranisë së vuajtur nga gjenitë e mëdhenj në të gjitha kohërat dhe dedikimin e tij ndaj Anglisë. Ja se si shprehet: “Për lavdinë e poetit të saj këtë libër ia kushtoj e të vërtetën Anglisë ia them; Por, si vendstrehim, e dua me shpirt”.

Victor Hygo - William Shakespeare
Victor Hygo – William Shakespeare

Shtrohet pyetja: Si duhet lexuar kjo vepër?
A është biografi? Po, një biografi indentifikuese ku nën pretekstin për t’i thurrur lavdi Shekspirit, Hygo synon të derdhë zemrën e shpirtin e tij dhe të militojë për romantizëm.
A është autobiografi? Po, por një autobigrafi ku uni që rrëfehet është ai i personazheve të teatrit, të tillë si: Mbreti Lir, Hamleti, Otello, Makbeti, Kordelia si edhe lexuesit i cili gjen pasyrën e kushtit të tij njerëzor.
A është kritikë letrare? Po, por një libër i kritikës mbi kritikën.
A është manifest? Po, por një manifest jo normative pasi kredoja e tij është konkretisht liria e gjeniut përkundrejt çdo norme të jashtme të shijes.
A është pamflet? Po, por një pamflet me karakter të përgjithshëm, ku armiku nuk përmendet me emër (Perandori i dytë, regjimi perandorak, kleri i korruptuar apo borgjezia puritane),
Leximi i William Shakespeare mund të duket turbullues në shikim të parë. Kjo nuk ndodh vetëm sepse Hygo, siç shpjegon Guy Rosa, “e mbush librin e tij me njohuri, duke përdorur shumë referenca, anekdota, emra dhe data, citime dhe aludime” por edhe sepse secila prej këtyre rrethanave dikton një apo edhe disa orientime të përgjithshme të veprës.
Vepra ndahet në tri pjesë.
Tek pasqyra e lëndës së veprës, Hygo tre pjesët i fillon me një libër mbi Shekspirin, por më pas kalon në diçka tjetër. Për shembull, në pjesën e parë të veprës Shekspiri shërben vetëm për të dhënë një përkufizim të Gjeniut. Vetëm dy librat e parë të pjesës së dytë i kushtohen Shekspirit. Tek “Shekspiri, gjeniu i tij” Hygo rendit kundërshtarët e tij dhe kritikat e bëra ndaj tij, të tilla si: teprimet dhe sjelljet e tij, marrëzia e tij, abuzimi me antitezën dhe imazhet.

Ermira Godo & Drita Brahim
Ermira Godo & Drita Brahim

Në fakt Hygo kompozon në këtë vepër autoportretin e Shekspirit si një gjeni rebele. Kush tjetër përveç tij, në fakt, mund të jetë ky “Shekspiri modern” ardhjen e të cilit ai e shpall, në një prejardhje që shkon larg në kohë, deri te Eskili, i mbiquajtur prej tij “Shekspiri Plak”? Identifikimi është i dyfishtë: nga një gjeni i persekutuar në një gjeni tjetër, nga kritika anti-shekspiriane te kritika antiromantike.
Plot anekdota historike, shtesa erudite dhe zhvillime anësore, në vepër sillen tri këndveshtrime: së pari, Shekspiri jo për veten e tij, por si një gjeni; së dyti, art por si situatë e gjenive që përballen me natyrën (ose Zotin) dhe njerëzit, dhe së treti, qytetërimi në lëvizjen e tij e rrjedhimisht historia nga e cila shpëtojnë gjenitë dhe nga e cila ata frymojnë.
Të tri këndvështrimet janë të ndërvarura sa që çdo zhvillim kushtuar njërës vendoset nën dy të tjerat. Mbi të gjitha, ne e kuptojmë ambicien e librit. Në qendër të tij është gjeniu, jo ideja apo nocioni i tij, por realiteti i tij. Jo nga shija për njerëzit e mëdhenj ose me synimin për të lavdëruar veten, por sepse gjenialiteti, në plasticitetin e tij, duke filluar nga ata që prehen në Panteon deri te shpikësit anonimë të progresit teknologjik, bën të mundur përfaqësimin e unifikuar të aktiviteteve të mendjes – arti, mendimi, shkenca, reforma morale apo sociale – ashtu siç ushtrohen në situatën e dyfishtë të njerëzimit, atë të përhershme mes natyrës dhe Zotit dhe atë progresive në histori.
Historia ndahet në dy kategori. Ajo përparon, si shkenca dhe shpesh përmes saj, ajo fiton hap pas hapi idealin për t’i bërë thirrje gjenive – është histori reale, gjithmonë e lënë në hije nga historia iluzore e dhunës dhe e shtypjes. Por ka ndodhur që gjeniu ta ketë pushtuar historinë dhe të ketë ngadhnjyer mbi të: revolucioni është momenti kur ai është bërë brilant falë përmbajtjes së tij – deklarata e të drejtave, barazia civile, e drejta e votës universale, heqja e kufijve dhe shkrirja e popujve në një republikë universale – si në rastin e tij: shkatërrimi efektiv, edhe pse i papërfunduar, i botës së vjetër ku njerëzit fituan të drejtat e tyre.
Lexuesi e merr me mend se si për Hygoin e mërguar Shekspiri mbetet një figurë identifikuese e një gjeniu të madh, i cili duhej të luftonte kundër paragjykimeve, censurës dhe pushtetit politik të kohës së tij. Ky libër u jep bashkëkohësve të djeshëm dhe të sotëm këtë mesazh subkoshiencë: Shekspiri ende gjallë, romantizmi nuk ka vdekur.
Viktor Hyyo na kujton këtu themelin e çdo organizimi shoqëror dhe këtë lidhje të pashprehur, por të domosdoshme, mes njerëzve dhe krijuesit, arsyen e të qenurit të Artit në shërbim të popujve. Ai mund të konsiderohet si vektor i një mendimi themeltar, si gjenerator i njerëzimit!
Prandaj, kjo vepër tingëllon aktuale edhe në shekullin e 21-të. Ajo mund të jetë një thirrje për ndërgjegjësim dhe pse jo një këshillë: qytetërimi le të ketë mbretëreshë lirinë, dhe injoranca le të ketë shërbëtore dritën…

Drita Brahimi, Shkodër 15 prill 2023

Gjatë bisedës mbi Shekspirin dhe Hygonë, në Bibliotekën e qytetit të Shkodrës
Gjatë bisedës mbi Shekspirin dhe Hygonë, në Bibliotekën e qytetit të Shkodrës – Ermira Godo & Dhurata Hoxha

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.