back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Rëndësia Morale e Don Kishotit – nga Robert Martiko

Gazeta

Don Kishoti
Don Kishoti

Rëndësia Morale e Don Kishotit

nga Robert Martiko

Këtë radhë, falë një tjetër përkthimi me vlerë të Elvis Zaimit nga anglishtja, do të merrem me interpretimin e drejtë të figurës së Don Kishotit, aq shumë i njohur për lexuesin shqiptar. E bëj këtë edhe me qëllimin që të kuptohet se pa një vlerësim esencial të gjërave me karakter të përgjithshëm, nuk mund të fillojë diçka të ndryshojë edhe në Shqipëri. Siç kam vënë në dukje edhe herë të tjera, falë kulturës false, marksiste, me të cilën u bombarduam gjatë gjysmë shekulli, intelektualët e lartë me grada të shumta, janë jashtë lojës. Mbasi vetëm duke e drejtuar vëmendjen në gjëra të sakta, të moralshme, me frymë kritike ndaj individëve më të zgjedhur të Civilizimit Perëndimor, mund të thuhet se mendimi akademik është futur në binarët e duhur, për të ndryshuar diçka edhe në Shqipëri. Në të kundërt do të mbetemi të denjë për fatin tonë. Verbërisht do të vijojmë t’u hedhim fajin korrupsionit dhe politikanëve, që janë sigurisht pjesë e së keqes, veç se ne nuk do të kemi arritur të prekim thelbin e së keqes, që gjendet në një pjesë të shoqërisë.
Në një trajtë të përmbledhur, qëllimi i Migel Servantesit, autor i romanit në fjalë, është të nënvizojë pamjaftueshmërinë e fisnikërisë së epokës së tij, për t’u përballur me kohët e reja në Spanjë. Një tjetër qëllim i Servantesit është të bëjë qesharakë librat që trajtonin temën e kalorësisë nëpërmjet Don Kishotit “të çmendur” dhe njëkohësisht të verë në dukje edhe “lexuesit e çmendur”, karakteristikë e Francës së shek. të XV, që mund të interpretohet sot si një sëmundje kronike e mendjelehtësisë së lexuesit, që aprovon gjithçka pa vrarë shumë mendjen.
Servantesi përfaqëson intelektualin e mençur që arrin të futet në problemet e kohës. Të gjitha kohët e njerëzimit kanë pasur kontradikta. Detyra e një intelektuali me mendje të hapur është të hapë sytë e njerëzve, jo të bëhet vetë pjesë e problemit. Konkretisht, në Shqipëri, pika e referimit për të dalë nga cikli i mbyllur i fatkeqësisë popullore është Civilizimi Perëndimor që përfaqëson një Model Real, të prekshëm, jo një përfytyrim donkishotesk, mullinjsh me erë. Gjerat duhet të shikohen me ndershmëri dhe jo me atë dëshirën e çmendur, për t’u bërë i pëlqyeshëm në kafene me ca admirues të pa thelluar përreth, që s’dinë gjë tjetër veç të aprovojnë pa pushim. Vetë Sanço Pança, të cilin Servantesi, edhe atë, e paraqet si figurë qesharake, kishte momente që kuptonte gjërat më qartë nga zoti i tij.
.
Donkishoteske...
Donkishoteske…

.

Nëse intelektuali dëshiron të jetë Servantes dhe jo “Don Kishot”, duket të gjejë sekretin e Kulturës Evropiane, d.m.th. të mendojë se si u zhvilluan evropianët që edhe ata, si gjithë njerëzimi, e kanë origjinën nga xhungla vëllavrasëse. Servantesi nuk ishte vetëm një individ me mendje të hapur, por ishte edhe një luftëtar guximtar në betejën e Lepantos. Duroi me stoicizëm dy burgime si dhe një jetë të kaluar në fukarallëk. Kuptohet se me çfarë syri i shikonte Sevantesi heronjtë e gënjeshtërt, në krahasim me “Heronjtë e Një Jete të Tërë” ndershmëri e burrëri skajore. Këta në Shqipëri ishin Mbinjerëzit e Kohës së Diktaturës, të pathyeshmit në hetuesi, për të mos tradhtuar shqiptarin apo edhe të panjohurin, duke sakrifikuar veten dhe gjithë familjen e tyre. Këto janë modele të denja për të rritur një brez të moralshëm të aftë për të ndryshuar fatin e një Vendi.
Humbja e kontaktit me realitetin, siç ndodh me Don Kishotin është karakteristikë e të gjitha Vendet e Prapambetura të Botës, me Kohë të ndaluar diku në shekujt e mëparshëm. Intelektuali për të merituar këtë emër duhet të gjejë sekretet e zhvillimit për t’ia ofruar shoqërisë. Me këtë temë, si rrugën e vetme të zhvillimit të shoqërisë nuk merret askush. Deri më sot nuk kam dalluar asnjë. Ekziston një minierë e tërë ari në terrenin e zhvillimit të mendimit filozofik në Evropë. Do të dëshiroja të ishin aq të shumtë individët e kësaj natyre me karakter zbulues në Shqipëri, po aq sa janë gradat e tyre akademike të larta. Unë vetë le të humbisja pa nam e nishan mes njohurive të tyre. Por askush nuk e ka ndër mend një gjë të tillë. Përpiqen me rrugë të tërthorta, pa krye, ndërkohë që Historia Botërore, pas gjithë atyre tentativave të çmendura në shekullin e kaluar me njëqind milionë të vrarë e asgjësuar, tregon se e vetmja rrugë që edhe Shqipëria të shikojë një ditë të bardhë, është Kultura, Kultura dhe vetëm Kultura. Tjetër rrugë s’ka.
Romani “Don Kishoti” nxjerr në dritë nevojën që çdo njeri të nxjerrë në dritë individualitetin e tij pozitiv, për të dalë nga shoqëria uniforme, mendërisht e ngrirë, e grupit primitiv. Don Kishoti u bë qëllimisht qesharak nga shkrimtari. I drejtohet lexuesit me mendje të hapur, t’i bëjë pyetje vetvetes: “Mos vallë edhe unë jam pjesë e një patologjie shoqërore!?” Për çfarë të më hyjë në punë e kaluara e pa filtruar, pa u futur në radhë të parë në Kohën Moderne, ku luhet gjithë e Ardhmja ime dhe e fëmijëve të mi!? Mos vallë jam edhe unë një i gjymtuar!? Me qëndrim kritik ndodh Rilindja e vërtetë shpirtërore në modelin e Rilindjes Evropiane, që vuri poshtë Mesjetën kriminale, duke i hapur rrugën progresit. Rruga e vetme e shoqërisë është secili të ndryshojë vetveten. Finlandezi, shqiptari apo afrikani janë të gjithë qenie njerëzore. Në jetë, njeriun duhet ta tërheqë logjika. Kjo është arsyeja që në këtë raport fatal midis instinkteve të pakontrolluara dhe logjikës, në vendet e Civilizimit Perëndimor mbizotëron e dyta.
Don Kishoti konsiderohet nga kritika botërore i përngjashëm me Hamletin e Shekspirit, çmenduria e të cilëve përdoret, respektivisht nga Servantesi dhe Shekspiri, si instrument artistik për të refuzuar banalitetin dhe poshtërsitë e jetës së përditshme.
Intelektual do të thotë të hedhësh dritë mbi shoqërinë aktuale. Tjetër është se sa të kuptojnë…!

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.