back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Rënia e malësorëve në kryeqytet – tregim i shkurtër nga Faruk Myrtaj –

Gazeta

Malsorë në Shkodër
Malsorë në Shkodër

Rënia e malësorëve në kryeqytet

– tregim i shkurtër nga Faruk Myrtaj –

Fare kollaj ta mendosh një mal, o një tufë malesh. Zakonisht përfytyrohen si “veriorë”, me majat nën borë, përherë në stinë të ashpër por, po aq natyrshëm, male të tillë i gjen fare në Jug.
Në munç të fokusohesh në dy a tri maja afër e afër, ndjenë erëra të rrepta në midis tyre, dhe cikmë. Edhe në je në përfytyrim sikur të duhet të strukesh, në guvë në trup të malit që mund të jesh edhe ti.
Zemra bën të dalë prej kraharorit. Si copëra shkëmbinjsh, lëndë prej këtyre maleve, dëgjon që pa i parë me sy, një uragan malësorësh zbresin për në Qendër.
Qendër domethënë një ngrehinë në pak pëllëmbë truall të sheshtë, aty poshtë, ku ujërat e rrokullisur kristalesh prej guvave karstike, pasi u shpëtuan sipërfaqeve të akullta atje lart, kanë zbritur gjer aty, në këmbë të maleve.
Aty qetësohen, por jo doemos sepse pikërisht aty shfaqen njerëzit. Urtohen, bri hapave të tyre që shkelin mugull në udhë të ngushtë.
Gjer sa arrijnë në këtë han të dikurshëm ku është vendosur Zyra e Pushtetit.
Mu përballë, në një trung të gjerë lisi, është fiksuar Kutia e Postës.
Njerëzit e këtyre anëve vijnë e hedhin letrat për qeverinë. Pasi sigurohen se karta e shkruar është e tëra aty brenda, kthehen për andej nga erdhën. Krejt të rastësishëm në një copë udhëtim, ujërat vazhdojnë rrjedhën. Në të kundërtën.
Pushteti për këta njerëz, si deti për ujërat e këtyre maleve, gjithnjë ka qenë larg, diku në Qytetin e Madh. Ku rri i Pari i Vendit.

Letra e më-në-fundme, i katërti vit pa përgjigje për ta, qe nisur ditë më herët.
Si Postier Shteti, kisha mbërritur në Qendër nga ana e kundërt, pak përpara tyre. Sipas rregullit të postierëve të mëparshëm, e dija se çelësin e zyrës do ta gjeja varur në një thumb, në derë. As e dyshoja këtë, edhe pse ishte hera e parë që vija. Hapa derën dhe hyra.
Një karrige, e vetme, një tavolinë, natyrisht jo e rrumbullakët, një foto e varur në mur. E Njëshit të Vendit.
isha mbështetur në faqen e murit përballë dritares së vetme, që me siguri kurrë nuk hapej. Po këqyrja shpatin e malit, zhytur në vajtje-mendjet që rrëfeva më sipër, kur u ndje shtjella, lëvizje e ajërt.
Kishin ardhur ata, malësorët…
“S’ia kemi borxh mbretit…”, tha i pari prej tyre.
M’u duk e kot t’i kujtoja se mbretëria nuk ekzistonte. Njëlloj si t’u thosha “Kërkoni borxhe të vdekurish, a?!” As tu kujtoja se ‘I Pari i Gubernës së Re’ – siç e quajtën për ta vendosur në kohë, sa kishte hyrë në zyrat e Shtetit, edhe pse po ato ishin. E dija se nëse qenë borxhe, borxhe mbeteshin. Nëse jo borxhe, merrnin emër tjetër, të lig, e këta njerëz krenarë s’e falnin dot.
“Duam të lidhim fjalë burrash!”
I kërkova këtij vrundulli njerëzish, të ndanin tri prej shpurës së tyre. Tri shpirtra, prej tyre, të zbrisnin me mua deri në Qendër të Madhe, ku i priste Shteti. Më gërryen rreptë me vështrimin e tyre, ngaqë fytyrë e pa parë, mbase s’dyshuan, që po ata sy rrëshqitën përmbi vetët e tyre: zgjodhën tre për Dërgatën.
Pas orësh të gjata udhe bri ujërave prej majave të tyre, dhe orësh të tjera në udhë të shtruar, të gjerë, ku dukej se s’kishte ndodhur të shkelnin, arritëm në Qendrën e Madhe.
Drejtë-për-drejt tek Pallati i Madh.
Sigurisht që Pallatin e Madh të Shtetit e kishin parë në fotografi, me ngjyra, që e urtuan ca hapin. Përballë portës më vështruan nga afër. Sysh. Aty besova të thënën se edhe malet më të rreptë bëhen të butë nga afër. Shfaqin luginat, sqetullat e dherta, lugjet, lulet, ujërat e pijshëm…
“Po na bën nder të madh, o Njeri!”
Rojet në shërbim, nderuan, me pëllëmbën në gjoks, pranë zemrës.
Për seriozitet shtetëror, kontrollonin këdo që hynte.
Më verifikuan së pari mua. Malësorët vështronin gjithçka. Nuk ishte fare e nevojshme t’i sqaroja. Me siguri u ndjenë të nderuar te vetja që askush prej të vetëve s’kishte armë në brezat e mesit. Ndonjë gurë stralli, uruar dhe ca eshkë, ndonjë biçak të vogël që u duhej ditëve atje, të gjitha i lanë në tryezën e gjerë të paradhomës.
Pa ua kërkuar kush, i hoqën edhe plisat, qylafët e bardhë, pak para se të hynim në zyrën e Njëshit të Shtetit. Sikur mu bënë të tjerë, teksa i vështrova pa to. Si ato ujërat kur arrinin te Qendra e Vogël e Tyre, në këmbë të maleve…
Njëshi i Madh na priti pa hyrë mirë te Zyra e Tij.
Siç e kishin menduar ata, edhe ai shtatlartë.
Këtë vend gjithnjë e kishin qeverisur shtatlartët.
Mbase pushteti ushtrohej kollajshëm prej lartësisë, si hija e majave, që edhe të Ardhurit, sjellë prej meje, e mjegulluan menjëherë në respekt.
U prekën duarsh dhe kryesh me Njëshin, ai i ftoi të uleshin dhe mua mu duk se humbën në kolltukët e thellë që krejt pa qëllim s’qenë zgjedhur për ta. Si prurës i tyre, u ula përkundrejt. Vetëm sy e veshë kthyer. Ulërinte brenda meje kureshtja për tërë ata burra malesh brenda këtij Pallati…
Njëshi uroi edhe një mirëseardhjen.
“Jeni të parët që pres në këtë detyrë!”
“Edhe ne, për së pari hyjmë në pallatin e qeverisë!”, shtoi njeri nga ata të tre.
Pas pak Njëshi e la karrigen. Erdhi dhe u ulë përbri tyre. Për fat, isha pak mënjanë, nuk ia dëgjoja fjalët. Ua tha si sekret, se ata po e dëgjonin si ca fëmijë të urtë, mësuar t’i binden pa fjalë të Madhit.
Njëshi u kthye te karrigia, foli për vendin, për atdheun d.m.th, të përbashkëtin, emrin e bukur në botë.
“Jemi lindur mes armiqsh…”, u tha të Zgjedhurve prej malësorëve. “Mbase kështu ka qenë e do të jetë gjithnjë. Nuk lëvizin gjërat kollaj. Bekuar e mallkuar ta gëzojmë si fat…”
“Neve na ke gati!”, ia priti i pari i Dërgatës, duke hapur e shtrirë krahët mbi supet e dy të tjerëve.
M’u bë se qenë gati të ngriheshin më këmbë, por ai nuk ua kërkoi këtë gjë. Ata u ulën sërish, humbën edhe një herë brenda kolltukëve, kollajshëm sa midis lugjeve, gati të binin në gjunjë nderuar në Pallat.
“Në lipset, te ju do trokas. Do t’ju njoftoj. Kurrë s’e vë në dyshim Fjalën tuaj. Dhe ju keni fjalën time…”
Ai u ngrit. U ngritën edhe ata, u përshëndoshën, një nga një, të gjithë. Dolën nga salla e madhe si fëmijë të urtë nga kopshti pa drekë për tu kthyer në shtëpizat e tyre si lodra fati në faqet e maleve…

Me të njëjtën makinë, i ktheva në Qendrën e Vogël. Nuk këmbyen as edhe një fjalë, tërë udhëtimit. Sikur kishin qejf të dëgjonin zhurmën e rrotave mbi asfalt, mbi gurë e më në fund mbi zallin bri ujërave të tyre.
Pa fjalë zbritën te Zyra në Qendër, ku prisnin të Vetët. Aty, te Kutia e Postës, mbërthyer në trung.
“Duket keni takuar Krajlin, a…?!”
“Pooo, na priti. Vendi është në duar të sigurta… Ia dhamë fjalën, edhe ne, në emrin tuaj.”
Mbase aty, mes të tjerëve, pasi unë isha larguar, do jenë kujtuar se me Njëshin e Madh s’kishin këmbyer as edhe një fjalë të vetme për ç’kishin zbritur në Qendër të Madhe, por asnjeri prej të treve, isha i sigurt për këtë, nuk do ta ndërronte fjalën.
Ndaj kujtdo që do t’i pyeste…

Marre nga Muri i FB i Faruk Myrtajt, 3 prill 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.