Rënia e Prevezës, 1798
nga Gëzim Zilja
Tartarët që ven e vin’,/ Ç’thonë për Vezir Alinë?
Zuri dyfek me Frëngjinë./ Kush hyri Prevez’i pari?
Myftar Pashë kumandari,/ Më trim s’bënet shqiptari.
Sipas poemës së Haxhi Sheretit, “Alipashaida” dhe vargjeve të tjera nga epika historike
Më 12-13 tetor 1798, Ali Pasha goditi Prevezën, tashmë e pushtuar nga francezët, të cilët kishin vendosur atje një garnizon me mbi katërqind ushtarë të zgjedhur francezë. Me kthimin në Janinë, pas fushatës në Vidin, të Bullgarisë në ndihmë të sulltanit, ai u kërkoi francezëve dhe banorëve të Prevezës t’ia kthenin pa luftë atë, që gjoja i kishin marrë, madje t’i kërkonin falje. Prevezarët, të mbështetur fuqimisht edhe nga francezët, me anë të një letre iu përgjigjën, që “jo vetëm Pargën s’ta japim, por bëj kujdes se do të të marrim edhe Janinën”. Kjo përgjigje e tërboi, Pashanë e Janinës:
Lajmi se për luftë gati/ Ishin bërë në Prevezë,
Si murtajë i mbuloi çeren,/ Si një hije pis e zezë.
Më tej jepet përmbajtja e letrës së prevezarëve që, jo vetëm nuk ia kthejnë Prevezën, por e paralajmërojnë gjithë përbuzje e fyerje, se do t’i marrin dhe Janinën:
Mos të marrim dhe Janinën/ Mbaje fort që të shpëtosh,
O harbut o mëkatar/ S’është çudi të ngelesh bosh.
Prandaj boll na dërdëllite/ Nga ku je ikë sa më parë,
Po e zgjate, prit ta shohësh,/ Do të bëhet tym e zjarrë.
Më mirë çohu Ali Pashë,/ Lufta para se të ndezë,
Njëri-tjetrin ne do grijmë/ Kjo vërtetë është ditë e zezë.
Çohu ik nga këto troje,/ Më mirë vonë e me nder,
Se do lesh nëpër Prevezë/ Shpatën, kockat, me të tjerë!
Me tej ata i kujtojnë Ali Pashës se Preveza nuk është Hormova:
Se këtu nuk është Hormova,/ Që ta grish ta bësh thertore,
Që të lidhur dhe përçorin,/ Kur do, t’i bien përdore.
Përgjigja e Ali Pashës do të vijë e menjëhershme, e frikshme dhe e pamëshirshme. Si komandant ai cakton birin e vet, Myftarin, të cilin e porosit:
Myftar Pashë o biri im,/ Do vërtet të më nderosh?
N’ballë të luftës ti të jesh,/ Pa mëshirë kudo të shkosh.
Sot na ty kërkon Preveza, / Të mësojë se ç’është ndëshkimi,
E dëgjove çfarë të them?/ Ta provojë kush është trimi.
Ai e urdhëron Myftarin të jetë i pamëshirshëm deri në hollësi të tilla:
Urdhër çoi Ali Pashai:/ “Në Prevezë kështu të bëni,
Prisni koka, merrni shpirtra/ Pa mëshirë ndaj atij qëni!”
Para se të sulmonte Aliu, mjeshtër i prapaskenave dhe intrigave, arriti të blejë një pjesë të prevezarëve të pasur, të cilët i premtuan, se në çastin e duhur do të braktisnin vijën e frontit së bashku me ushtarët e tyre. Më 12 tetor 1798, Ali Pashë Tepelena, sulmoi francezët në Nikopol. Në krye të forcave franceze ishte gjenerali francez La Salset. Aliu kishte zgjedhur një trupë prej shtatëqind vetësh nën komandën e të birit, Myftarit, të cilin e porosit prerë: “Mos u kthe i gjallë nëse nuk i dërrmon francezët!” Pas një lufte të ashpër, me një sulm të tërbuar dhe përpjekje të përgjakshme i dëboi kundërshtarët nga pozicionet e fortifikuara. Vetë gjenerali La Salset, që udhëhiqte trimërisht qëndresën, kur pa se kishte mbetur me pak njerëz dhe ushtarët e Aliut e të Myftarit sulmonin ngado, për të shpëtuar jetën e njerëzve të vet, që kishin mbetur ende gjallë, ngriti flamurin e bardhë. Duke përfituar nga pozicionet e pushtuara, Luani i Janinës u bë gati të sulmonte Prevezën.
Sulmi mbi Prevezë ishte i fuqishëm dhe i llogaritur imtësisht. Nga njëri krah sulmonte Myftari dhe nga krahu tjetër vetë Ali Pasha. Qëndresa e mbrojtësve, sipas Haxhi Sheretit, duke pasur parasysh dhe tradhtinë e disa prevezarëve, ishte fare e shkurtër, as një orë. Aliu me forcat e tij, kryesisht shqiptare, arriti ta thyeje mbrojtjen e prevezarëve, të cilët bënë një mbrojtje heroike së bashku me francezët. Pasi thyen vijën mbrojtëse, ushtarët e tij u derdhën si stuhi mbi rrugët e Prevezës, duke mos kursyer asgjë. Në përfundim të sulmit ai u hakmor egërsisht, duke mos bërë dallim midis robërve të luftës dhe popullsisë së pambrojtur, burra gra e fëmijë:
Pa fre zbriste ai zjarr,/ Hynte brenda në Prevezë,
Vdekje, kuje e llahtarë,/ Ditë e keqe, ditë e zezë.
Në garnizonin e francezëve arritën të shpëtonin pak njerëz. Nga terrori dhe barbaria e pashoqe, pjesa dërrmuese e popullsisë shqiptare të atyre anëve, u detyrua të shpërngulet në territoret e Peloponezit, në Greqi, dhe të braktisë përfundimisht trojet e veta amtare. Haxhi Shereti, dëshmitar i ngjarjeve, shkruan:
Oh, sa lotë u derdhën lumë/ Ish lëngatë ajo ditë,
Gratë pa burra vetëm mbetën,/ Lumë lotësh rrjedh nga sytë.
Nënat me fëmijë të vegjël,/ Mbetën rrugëve jetimë,
Orë e çast shkretohej vendi,/ Nëpër rrugë gërmadhat rrinë.
Shumë fëmijë nëpër djepe,/ Shumë fëmijë që pinin sisë,
Nënat kurrë më s’i panë/ Nëpër ëndrra do t’u ndrisë.
Ashtu si në Hormovë e Kardhiq, urdhërat e Vezirit ishin të shpejta dhe të pamëshirshme. Gjithçka që reziston, çdo ushtar i kapur të ekzekutohet, fëmijët e gratë të kthehen në skllevër ose dëbohen larg zotërimeve të tij:
Moj Prevezë ç’u bë tek ti/ Kurrë s’ishte bërë më parë,
Bridhte gjaku nëpër detë/ Me tërbim, si lumë i marrë…
Duke qenë bashkëkohës i Ali Pashës, Haxhi Shereti, poeti kronikan i tronditur nga sa ndodhi, i drejtohet Prevezës sikur të ishte njeri:
Fajin ty kush s’ta pati,/ Koka thonë të mori erë,
Ndaj ndëshkimi shkon për shtati/ Vafshi skllevër me të tjerë!
Batërdia që do të bëhej pas rënies së Prevezës, përshkruhet me ngjyra të gjalla e të besueshme dhe përputhet pothuaj plotësisht me atë të historianëve të kohës. Në Prevezë ndodhej një regjiment ushtarësh francezë ndaj të cilëve Aliu u soll egërsisht. Oficerët dhe ushtarët e mbetur gjallë i ngarkoi me kokat e prera të bashkëluftëtarëve francezë dhe ia dërgoi si trofe Sulltanit. Pjesa dërrmuese e këtyre ushtarëve vdiqën rrugës:
Treqind robërit francezë/ Nëpër pranga i shtrëngoi,
Në Stamboll dërgoi lajmin/ Vetë sulltanit t’ia dhurojë.
Njëmijë kokë (prevezarë dhe francezë) të këputura
Larg i çoi në Dovlet,
Kartë u nisi të mësonin/ Në Prevezë gjak’u bë det.
Këto vargje përputhen saktësisht me ç’shkruan Pouqueville-i, në librin e tij voluminoz “Ali Tepelena”: “Satrapi dha urdhër t’i shpinin në Janinë robërit francezë të ngarkuar me kokat e shokëve të tyre, të cilave më parë u kishin rrjepur skalpin” Në epikën historike gjejmë vargjet, ku lufta e pashait të Janinës, jepet me ngjyra të tjera, duke lartësuar figurën e tij dhe të bashkëluftëtarëve. Veç kësaj fitorja, konsiderohet si një fitore, mbi vetë Francën:
Tartarët, që venë e vinë/ Ç’thonë për vezir Alinë,
Zunë dyfek me Frëngjinë.
Nga kjo luftë, fama e Aliut rritet dhe kapërcen kufijtë e zotërimeve të tij:
Ali! Prevezën e more,/ Kalatë i zaptove,
Namin tej detit e hodhe./ Dhe më tej jepen hollësi:
Kush hyri Prevezë i pari?/ Myftar Pashë kumandari,
Djal’ i Aliut i madhi,/ Më trim s’bëhet shqiptari.
Bir o Bir Hasan Çapari,/ Ku shkoje dridhej pazari!
Hasani nga Margëllëçi / Pika gjaku i kullon këllëçi.
Fitorja ndaj garnizonit francez, që mbronte Prevezën dhe masakra ndaj tyre, bëri që emri Ali Pashë Tepelenës, të përmendej në të gjithë Europën e më tej. Beteja e Prevezës ishte një fitore ndaj ushtrisë së Napoleon Bonapartit dhe jehona midis shqiptarëve e grekëve ishte e jashtëzakonshme. Çuarja e robërve francezë në Stamboll të ngarkuara me njëmijë kokat e ushtarëve shqiptarë e francezë të rrjepura e të futura në kripë, si dhuratë Sulltanit, bëri që ky ta shihte me respekt Ali Pashën dhe të shtonte privilegjet ndaj tij.
.