Republika e qyqarëve –
një nënvizim nga Aldo Shala
Dje postova një status në lidhje me një koncept të ri të futur në legjislacionin procedurial penal i emërtuar “dëshmitari anonim”.
Ky dëshmitar nuk i prezantohet të pandehurit duke i hequr atij të drejtën e mbrojtjes. Pas kësaj nuk mund të ketë as më të voglin dyshim se një koncept i tillë do të shkatërrojë përfundimisht procesin e rregullt ligjor penal ne Shqipëri.
Pas këtij statusi pati komente rreth tij, por më bëri përshtypje komenti pro i një miku fort të vlerësuar prej meje, i cili e justifikonte futjen e këtij koncepti me frikën që kishin njerëzit e këtij vendi me kallëzu një kriminel klasi.
Pikërisht për këtë arsye dua të bëj do sqarime të vogla në lidhje me dëshmitarin dhe kallëzuesin e një vepre penale; si në lidhje me ndjenjën e detyrës dhe ushtrimin e së drejtës.
Parimi i parë në lidhje me kallëzuesin dhe dëshmitarin, është që të kallëzosh e më pas të dëshmosh është detyrë. E tashmë dihet se në zbatim të detyrës mund të rrezikosh edhe jetën!
Kallëzimi dhe dëshmia janë detyra të cilat rrjedhin nga qenia qytetar. Ato vijnë si rrjedhojë e detyrës/drejtës që ka qytetari për të mbrojtur veten, të tjerët dhe gjithçka që i përket dhe e rrethon, nga autorët e veprave penale, pasi pasojat e veprës penale nuk bien vetëm mbi të dëmtuarin, por mbi të gjithë shoqërinë. Po t’i referohemi teorisë të së drejtës penale kur flitet për anën objektive, del qartë që një vepër penale nuk drejtohet kundër një individi, por kundër gjithë shoqërisë pasi cënon marrëdhëniet juridike dhe normat ligjore që janë vendosur për ta rregulluar këtë marrëdhënie.
E dyta! Në hapësirën ku veprojmë, shteti po ndahet nga shoqëria gjithnjë e më shumë. Pra shteti tashmë konceptohet gjasme shërbëtor i qytetarëve dhe ne ia kalojmë çdo të drejtë e detyrë dhe vetë rrimë e bëjmë “pallë”. Por, ngado që të rrotullohemi, teoria e së drejtës publike na mëson se shteti është një prodhim i qytetarëve dhe ata kanë për detyrë ta mbështesin dhe të kontrollojnë funksionimin e tij. Kjo bëhet për arsye që shteti të mos abuzojë me detyrën e ngarkuar. Por ne qyqarët e këtij vendi i kemi dhënë kuptim tjetër; mbështetja detyrë dhe kontrolli e drejtë. Ose thënë ndryshe, mbështetja është e detyrueshme, kurse kontrolli po na desh qejfi!!
Ne, anëtarët e Republikës së Qyqarëve duhet të kuptojmë se detyra dhe e drejta janë një, pasi e drejta përgjithësisht përmban mjetet që ka një qytetar për të kryer detyrën.
Në çastin kur ne refuzojmë me hir a pahir që të ushtrojmë të drejtën, i kemi dhënë goditje vdekjeprurëse edhe kryerjes së detyrës.
Për ilustrim po ju sjell në vëmendje të drejtën e pronës! Ne qyqarët, para 60 viteve, ku me hir e ku me pahir hoqëm dorë nga e drejta e pronës.
Heqja dorë nga kjo e drejtë na zhbëri si njerëz aq keq sa edhe sot pas 30 vitesh me demek kapitalizëm; akoma nuk e kemi marrë veten, dhe siç duken bathët nuk do ta marrin veten dhe për shumë kohë.
Nuk e mora rastësisht këtë shembull, pasi prona ka lidhje me dinjitetin e njeriut dhe është dinjiteti ai që na bën ta konsiderojmë të drejtën detyrë; dhe detyrën të drejtë.
Po të vesh re, ne si shoqëri kemi një sjellje banditeske karshi së drejtës, sa është kthyer në proverbiale shprehja: “kap ça të kapësh”, shkurt: “kçk”. Ose “merr të huajën se tënden nuk e merr dot!”.
Pra ne jemi një shoqëri banditësh dhe ligji i heshtjes (omerta) nuk vepron nga frika, por si një kod etik midis banditësh.
Rrjedhimisht “dëshmitari anonim” nuk do të jetë një qytetar që bën detyrën, por një qyqar që do përdoret si armë për t’ia futur bandës rivale. Detyra e dëshmitarit dhe kallëzuesit të së keqes është një detyrë e shenjtë dhe është nominale, ashtu si çdo e drejtë që pret të mbrohet nga kryerja e kësaj detyre!
Përfundimisht, njerëzit e këtij vendi duhet të kuptojnë se ndryshimi nga qyqarë në qytetarë, qëndron në faktin se me sa dinjitet dhe kurajo mbron të drejtën nëpërmjet zbatimit të detyrës!
.
Ylli Kameri:
Nisur nga e kundërta: së pari: Parlamenti shqiptar ka 140 deputetë banorë edhe përfaqësues të Tiranës (me saktë të Unazës). Normale që politika penale ka frymë për të ruajtur këtë shesh (ndërtimi) edhe me lekët të ndërtohet “piramida” aty. (leku vjen ku ka siguri edhe aty duhet dhënë çdo lloj garancie përfshi edhe dëshmitarin anonim)
Së dyti: Populli shqiptar është popull “frikacak” minimalja i “frikësuar”. Psh si lexohet frika: Dy vëllezër që kanë bërë gjyqe me njeri tjetrin akuzojnë Gjykatën për korrupsion. “Frika”, ndër ne, ndjenja më sublime njerëzore, barazohet me “turpin”. Pra kur thuhet frikacak dmth i turpëruar.
Së treti: Këto, përcaktime ligjore, janë shpikje se si të jetojmë pa punuar. Edhe këtu jemi mjeshtra (kemi gënjyer Partinë, jo më ministrinë apo prokurorinë ).
Po që nuk paskam çfarë të rregulloj (dënimi me burg u rrit, nga 25 vjet në 35 vjet, më arsyetimin politik, se po na dalin kriminelët e rrezikshëm nga burgu edhe do të hakmerren…) Çfarë koncepti primitiv për “heqjen e lirisë”!
Sallahu Adriatik
Mendoj se problemi nuk qëndron tek “dëshmitari anonim” por se si do ketë kjo provë funksionin e sajë në duart e organit burokratik të prokurorisë, ku duke e ditur se pavarsisht faktit e zeza në të bardhë përmban se jemi palë të barabarta në procesin gjyqsor; prokuroria mbetet akoma organ i ndërtuar pranë gjykatës dhe janë pjesë e buxhetit të ekzekutivit… kështu që një rregullim i tillë ligjor me “dëshmitarin anonim” nuk do funksiononte drejt në Shqipëri me një burokraci të administratës publike, dhe do na kthente pas në kohë…! Këtu ka shumë per të diskutuar, diskutimet tona dhe shqetësimet nuk arrijnë t’i dëgjojnë veshët e atyre që i ka bllokuar dyllëku…
Aldo Shala
Adriatik, kjo ka lidhje me sjelljen e shoqërisë. Askush nuk e bën detyrën e vet në Shqipëri. Dhe unë mendoj që këtu është pengesa.
Sallahu Adriatik
Ligji dhe morali!
Eduart Dhimarko
Duhet kurajo qytetare dhe nivel intelektual, t’iu vesh emrin e duhur fenomeneve. Më pëlqeu shumë lidhja “qyqar-qytetar”!
Eduart Veçani
Po kjo mund të zgjidhej me dhënien e statusit të mbrojtjes atij dhe gjithë familjes, ndrrimit të identitetit dhe shpërngulja në një vend tjetër: Usa, Australi, etj!
Apo paratë tona këta i duan për PPP?