back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Requiem… jo vetëm për nji President… Gjergj Kola

Gazeta

Ceremonia e Vdekjes së Presidentit Austriak Klestil
Ceremonia e Vdekjes së Presidentit Austriak Klestil

Requiem… jo vetëm për nji President…

nga Gjergj Jozef Kola

Presidenti Klestil ndodhet përballë meje, mbulue me flamujt e kombit dhe landeve të ndryshme të Austrisë, e rreth e rrotull me kunora e tinguj organoje. Gjithçka kishte nisë me nji virus të vogël, të parandsishëm, gripal. Atë ditë ai kishte dalë në punë me temperaturë, kundra tanë këshillave të mjekut dhe në darkë e kishin nisë urgjent në spital me infrakt.
-Edhe nji virus i vogël ka forcë me mposhtë nji zemër të madhe… – po mendoj.
Në katedralen e Vjenës po hyjnë njeni mbas tjetrit presidentët e vendeve ma të fuqishme dhe ma pak të fuqishme të botës. Detyra e grupit tonë asht me ju kallxue seicilit vendin e vet në kishë, simbas nji skeme që tashma e kam mësue përmendësh.
Kjartësia, se në jetën teme s’kam me ndeshë kurrë ma aq shumë presidentë njiherit, e sidomos se nuk kam me ju kallxue drejtimin ku me ndejë, kjoftë edhe për pak çaste, më mbyt me emocione të rralla.
Tingujt e Mozartit e mbushin sallën. Befas përpara meje afrohet nji burrë i hollë, elegant me ballë të naltë e shikim të ngrohtë. Kjo qenie më avitet krejt afër dhe ndeshet në shikimin tem adhurues. Për nji çast na shihena ndër sy… dhe para syve tonë shetit nji jetë e tanë, dhe shfaqet nji komunikim i lashtë e i pafjalë.
-Na shqiptarët njifena me sy pa pasë nevojë me folë! – më thotë ai.
-Urdhnoni Zotni Rugova, i nderuemi president – ia kthej unë.
Tash po rri si i ngrimë afër tij e më duket sikur po i harroj tanë presidentët e tjerë, pse jam këtu me nji detyrë të veçantë, me mbajtë afër nji kujtesë, atë të nji njeriu të jashtzakonshëm, që më njofti midis qindra vetëve, ashtu si njef nji bari i mirë delen e vet.
E ndërsa këndohet “Gloria” e Mozartit dhe të gjithë janë çue në kambë, unë po mendoj pse ky president i brishtë afër meje meriton nji lavdi deri në qiell për paqen me të cilën e ka mbushë Kosovën. Përreth tij ka ra nji dritë e lehtë e gzueshme dhe muzika e përkëdhel at qenie të butë deri në thellësi të flokëve.
Unë i përshpëris lehtë se: Zoti përzgjedh në çdo komb at njeriun e duhun për me plotësue planin e paqes dhe të dashunisë së tij dhe se ai asht i përzgjedhuni i kombit tem!
Ai më buzëqesh lehtë me ata sytë e mëdhej prej kah rrezaton nji dritë e lehtë e njeriut që ka gjetë paqen me vedi dhe botën përreth.
“Dies irae” – e Mozartit e ka mbërthye tanë sallën në gjoks dhe po e çon përpjetë si nji trup t’vetëm. “Dita e zemrimit” futet ndër qoshet e stolave, ndër pikturat murale dhe i mbush me tinguj zemrat e njerzve, ndërsa unë shoh mbretin David që kalon aty përskaj dhe ulet afër presidentit Rugova.
Gjatë leximit të Unjillit, Presidenti i peshon fjalët e Ringjalljes me nji shikim të mprehtë dhe unë besoj se ai asht futë thellë aty, bashkë me Lazrin e mbështjellë në pelenat e vdekjes dhe pret me dalë në dritë.
-Edhe populli jonë ka me dalë në dritë nji ditë! – më pëshpërit dhe nji lot i madh i varet ndër qerpikët e mëdhej.
Balli i naltë prej malësori ilir, i merr nji rrudhë të thellë e i shtrihet mespërmes, e nji hije e randë i kalon afër….
Tash po luhet Halleluja, dhe nji dritë e fuqishme e mbush krejt sallën. Presidenti asht çue në kambë dhe zemra i rreh fort. Nji dritë e bukur i rrjedh prej syve.
Mozarti po e shpërthen sallën në të gjitha anët dhe, presidentët e vendeve të botës, pamvarsisht prej besimit, kanë gjetë nji pikë të përbashkët takimi me Krijuesin.
Gjatë predikimit Arqipeshkvi i Vjenës – Kardinali Shönborn, u kallxon të gjithëve për zemrën e madhe të presidentit austriak, për dashninë e tij të shpërndame në kohë, për dy gratë e jetës së tij, për vetmohimin e tij ndaj atdheut, të cilit i fali edhe frymën e fundit!

Rugova në ceremoninë e Klestil
Rugova në ceremoninë e Klestil 2004

-A e kam dashtë edhe unë Kosovën ma shumë se vedin? – më pyet Presidenti Rugova.
-Ti i ke falë asaj paqen, tuj kapërcye vedin, – i tham – dhe s’ka dashni ma të madhe se kjo!
Tash po pregatitet darka e fundit, nji e ngjashme me atë të Da Vinçit dhe njerëzit afrojnë bukën e venën e nji misteri dashunijet që ala sot, mbas dymijë vjetësh nuk asht zgjidhë plotësisht.
Tingujt e Sanctus-it të Mozartit depërtojnë shumë thellë, sikur kërkojnë me u futë bashkë me njerzit atje ku askush s’ka guxue me hi ma parë, përveç gjenisë së artistit. Më duket së në kët çast presidentët bashkë me stolat prej drunit po ngrihen nalt në kupolën gotike të katedrales.
Në “Paternoster” janë ngritë të gjithë në kambë e afrohen edhe ma fort, si ai fëmija kur ndjen se hija e prindit po afrohet ngadalë mbi shpinë e ngritun në shkamb.
Unë po ndjej nji dorë të fortë, e nji shtërngim të butë që më mbërthen. Ngrej sytë dhe presidenti Rugova më buzëqesh tuj me thanë se na jena bijtë e nji Ati atje në qiell.
Tash po i lutena bashkë Atit Tonë, që asht në qiell për paqen dhe dashninë në botë, dhe dora e lehtë e Presidentit më duket si nji pëllumb i ngroftë, i bardhë, gati me fluturue.
Momenti i paqes në Requiemin e Mozartit asht i mbushun me kaq shumë dashni sa që njeriu ka dëshirën me u çu në kambë e me ba paqe me tanë botën…
Presidenti Rugova, në kët çast po ju shtërngonte dorën presidentëve të tjerë, nga të gjitha anët e botës dhe ju uronte atyne paqen me sytë që i ndrijnë.
Ai ban nji hap dhe më tërhjek afër vedit tuj ndeshë qoshen e ballit siç bajmë na shqiptarët tash mija vjet kur i japin paqen njeni tjetrit tuj i falë at pjesën e ballit që vjen fill mbas syve…
Salla qetësohet dhe presidentët rreshtohen njeni mbas tjetrit. Tash asht ai çasti ma delikat i Meshës së Shejtë, kur njerzit ftohen me marrë pjesë në ‘darkën e fundit’ të Jesusit.
Mozarti e ka mbushë me nji mikpritje të pafund këtë motiv të meshës, aq sa çdokush ndihet i gatshëm me u çu dhe me marrë pjesë në të.
Presidenti Rugova sapo e u ngrit në kambë dhe po matet me u futë në rreshtin e presidentëve për kungim. Tash ai ndesh në sytë e mi të mëdhej që i thojnë se jo çdokush guxon me marrë pjesë në kungim, megjithse Mozarti fton gjithkend me magjinë e tingujve të tij.
-Unë guxoj! – më pëshpëriti lehtë dhe sytë i ndrijnë prej paqjes së zemrës – sepse jam pagëzue si Gjon Buzku, me fjalët e tij dhe me formulën e dashnisë.
Gjitha kamerat duket sikur janë drejtue nga Presidenti Rugova, ndërsa ai merr pjesë në “Darkën e fundit” dhe shikime të shkujdesuna përhapen ndër muret gotike të Katedrales Vjeneze…
Ostja në duert e tija dukej si nji diell i vogël që ai e merr me kujdes dhe e bashkon me trupin e tij.
Tash ai po vjen përsëri drejt meje, ngadalë dhe i heshtun, si nji Lazër i sapodalë prej vorri… i hijshëm – si nji ringallje dashnije. Ulet ngadalë në bankë afër presidentesh të tjerë dhe me shikimin nalt në altar, unë shoh dy pika të ndritshme që i lëvizin në ballë.
Nuk kam pa në jetë nji president ma të dashtun si njeri, me at fytyrë të paqme, në të cilën i lexohet tanë bukuria e shpirit njerzor… dhe nuk ia largoj sytë për asnji çast.
Ai asht ndër presidentat e rradhë që e kanë kapërcye vedin me dalë në dritë. Ai asht nji bekim për kombin e vet e lume ajo tokë që e rriti! – pëshpëris unë.
Ai përsëri me hjedh at shikim te njoftun dhe miqsor, që m’u bà i afërt në fillim të Requiemit, e me të cilin na gjetëm njeni tjetrin. Ai prap sikur don me m’thanë se na shqiptarët e njofim njeni-tjetrin kudo në botë.
Tash “Benedictus” e Mozartit asht shtrue si nji urë me ngjyra që i lidh njerzit me fijet e padukshme të jetës. Nji paqe e lehtë po përhapet nëpër sallë dhe unë po kujtohem se kjo asht vepra e fundit e Mozartit, vepra që ai e mori me vedi në përjetsi.
-Ky requiem asht si nji tapet hyjnor që Mozarti i krijoi për udhëtimin e tij të fundit – më pëshpërit Presidenti…
Presidentët tashma janë rreshtue njeni mbas tjetrit dhe pa u shty e pa u ngushtu ndjekin rregullat e daljes prej Katedrales gotike të Vjenës. Unë përpiqem me i ndejtë sa ma afër Presidentit tem, në at mori presidentësh, e që drejt daljes po e humbim njeni-tjetrin disa herë prej syve. Vetëm në dalje e ndesha dhe ai rri krejt afër, tanë hutim se mos po më humbet prej syve pa e përshëndetë.
-Kush je ti në t’vërtetë? – më pyet me nji shikim tanë mend.
-Jam ejlli jot mbrojtës, presidenti Rugova! – ja kthej me shikim tuj i humbë prej syve.
Unë hapi krahët dhe fluturoj nalt tanë gëzim engjëllor, se sot i kam ndejtë afër, dhe e pashë krejt jetën e nji njeriu me dashni të madhe, me sytë e mi, prej engjëlli mbrojtës…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.