back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Requiem për Ardit Gjoklaj – nga Elona Caslli

Gazeta

Ardit Gjoklaj
Ardit Gjoklaj

Requiem për Ardit Gjoklaj

nga Elona Caslli

Petrit Fusha që mbuloi këtë krim, sot dha doreheqjen se është “lodhur”!
Petrit Fusha nuk e pranon vettingun!
Dhe shteti jonë nuk mban më asnjë përgjegjësi për bëmat e tij!
#SukseseNeJeteVetting
Elona Caslli
Elona Caslli

Ç’do të kesh menduar atë ditë kur vendose të punoje në Landfillin e Sharrës? Do të ketë qenë një ditë e nxehtë dhe nëna, me urtinë e një shenjtoreje do të ketë filluar të bëjë llogaritë për shkollën, që do të fillonte në shtator. Kështu janë nënat. Mendojnë gjithmonë për çka do të vijë. Ndërkohë që shkolla sapo kish mbaruar, nëna jote do të udhëtonte para në kohë për të menduar për fillimin e saj, për librat, për fletoret, për rrobat e për gjithçka tjetër. Dhe bilanci nuk ndryshon asnjëherë. Lekët kurrë nuk dalin.

Duhet të shtohen të ardhurat. Dikush duhet ende të punojë. E ti, me përgjegjësinë e një të rrituri, por me shtatin e një fëmije ke menduar t’i gjendesh pranë familjes tënde.
Je paraqitur në Landfill. Ditët e para do të jenë dukur të vështira e shumë herë mund të jesh lodhur dhe i ke premtuar vetes se nuk do të ktheheshe më aty, ndonëse të nesërmen e ke thyer premtimin që i bëre së djeshmes.
Mbrëmjet do të kenë qenë të gjata. Ditët edhe më shumë. Vakti i pushimit të drekës, kur me nxitim ke ngrënë bukën, që nëna ta kish mbështjellë me aq merak në mëngjes, do të ketë qenë edhe vakti i bashkimit të njerëzve që punonin në Landfill.
Të gjithë bashkë keni ngrënë, jo veçse bukën tuaj por edhe hallet e njëri-tjetrit. Halli i bashkon njerëzit e kur halli ndahet me të tjerë duket se peshon më pak.
Një kafshatë dhe një hall. Dy kafshata dhe dy halle derisa vjen çasti ku pushimi ia dorëzon çelësat pronarit dhe punëtorët të nemitur mendojnë gjithmonë me vete: Sikur të pushonim edhe pak…
Si do të ketë qenë dita e fundit?! Si do të jesh ngritur në mëngjes?! Si do t’i kesh folur vëllait, nënës, motrës, babait?! E ke ndjerë vallë që ajo ditë e nxehtë gushti do të ishte dita jote e fundit?
E ndjen vallë njeriu ditën e fundit të tij?!
Ajo mbrëmje kur kafka jote është përplasur rëndë me ekskavatorin, nuk mund të ketë qenë veçse një mbrëmje. Mbrëmjet nuk janë kështu. Do të ketë qenë një ulërimë qielli. Qielli do të ketë ulëritur, kur trupi yt përleshej me ekskavatorin. Do të kesh thirrur nënën në ato çaste. Sado të mëdhenj që jemi, në çastet më të vështira, në ato çaste ku duket se një forcë e madhe po na tërheq poshtë, thërrasim gjithmonë nënën. A thua se nëna është pranë? A thua se nëna është një forcë e mbinatyrshme që mund të mposhtë gjithçka?
Nëna nuk t’u përgjigj. Ndërkohë që qielli ulërinte, nëna gatuante vaktin tënd, atë vakt që nuk e hëngre kurrë.
Ulërima e qiellit zgjati gjatë. Agu i dritës të gjeti të copëtuar dhe të fjetur. Nëna dhe vakti të prisnin ende zgjuar.
*
Post Scriptum – Thonë se të fjeturit nën tokë, nuk duan qe ti të flesh bashkë me ta, por t’i mbash në jetë, në mendime, ne zë, në gjeste.
Drejtësia ardhtë për shpirtin tënd të fjetur!
Amen!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.