Requiem për gazetarin skrupoloz dhe njeriun e përkushtuar, Dalip Greca…
me rastin e dyvjetorit të vdekjes
nga Jozef Radi
Dalip Greca, hyn tek ata gazetarë që jetuan në dy kohra, dhe në të dyja kohrat ai jetoi si gazetar i vërtetë!
Duke qenë se me të kemi jetuar dhe ndarë një kohë të gjatë dhe miq të përbashkët, në të të njejtin qytet, si dhe faktin se të dy vinim nga periferitë, po ndalem të ahkruaj pak rreshta në përkujtim të kohës, miqve dhe rrethanave të përbashkëta, në një kohë kur Dalipin s’e kemi më mes nesh!
Kam mundur ta ndjek Dalip Grecën qysh në periudhat e hershme të tij, edhe kur pikat e takimit mes nesh ishin disi të largëta. E kam njohur si gazetar qysh kur ishte korrespondent i gazetës “Shkëndija” e Lushnjes, në fundvitet ’70 dhe fillimvitet ’80, dhe duke qenë se ai vinte nga një zonë e quajtur Darsia, zonë që për mua ka zgjuar gjithnjë interes sepse niste nga Karbunara dhe përfundonte buzë Shkumbinit në Peqin. Mund të them se nga kjo zonë kisha mjaft të njohur po edhe fise e figura historike që i kam vlerësuar… si fjala vjen Matjanët, Gjolenët, Gjyshajt, Hajdarët, Toskët, Balët, Grecët, Kasharët, Sinanët, Senkët, apo edhe figura si Xhevit Matjani, Sherif Bali, Gëzim e Agim Hajdari, Ramazan Gjolena, Abas Gjyshja e mjaft të tjerë, mund të them se emri i Dalip Grecës, pati një afërsi më të drejtpërdrejtë. Simbas mendimit tim, banorët e kësaj zone, në pjesën më të madhe kishin zbritur nga veriu dhe kishin gjetur aty mbas kodrave me të cilat rrethohej Tërbufi. Ata ishin aty diku nga shekull i 18 dhe kisha një konsideratë të veçantë ndaj tyre…
Njohja periferike me Dalip Grecën nga vitet ’80 deri në vitet ’90, kaloj në një njohje më të afërt përmes shokëve të mi Shpend Sollaku dhe Gëzim Hajdari, kur ata të tre së bashku në vitin 1991, krijuan bërthamën solide që nisi të drejtonte fillimisht Partinë Republikane në Lushnje, më pas edhe gazetën e parë opozitare në qytetin e Lushnjes dhe mund të them ndër të parat gazeta opozitare serioze në rrethe. Me “Orën e Fjalës” nis edhe trinia e vërtetë opozitare: Shpend-Gëzim-Dalip, bënë që kjo gazetë për një periudhë thuajse shtatëvjeçare të ishte gazeta më e kuotuar opozitare në rrethe, bile aq shumë preku në tastet e ish nomenklaturës së atëhershme, sa dy prej themeluesve të saj u detyruan të mërgojnë e të kërkojnë azil politik. Kështuqë, Dalip Greca ia doli ta mbajë gazetën në këmbë gjatë kësaj periudhe, po edhe të mos e zbresë nivelin e saj si një frymë përballjeje me situatat që kalonte vendi.
Një periudhë tjetër e Dalip Grecës, nis me largimin e tij nga Lushnja dhe vendosja në kryeqytet ku për tre vite ai do të ishte kryeredaktor i gazetës Republika, organ qendror i partisë Republikane, ku edhe aty dëshmoi aftësitë e tij prej gazetari serioz e skrupoloz, me një koncept të qartë mbi rolin e gazetarisë, duke u shkuar deri në themel problemeve të një shoqërie të kapur për fyti nga metastazat e një korrupsioni galopant dhe të frikshëm.
Mbas vitit 1999, ndodhi emigrimi i tij drejt Amerikës, ku fillimisht do të atashohej pranë gazetës Illyria dhe mbas dhjetë vitesh kontribute aty, do të niste drejtimi i tij i gazetës Dielli, ku ai ruajti konsistencën e një njeriu korrekt dhe gazetarit të paepur që ndoqi jetën e mërgatës në një përditshmëri të admirueshme deri në periudhën fundit të daljes së tij në pension.
Mendoj se për Dalip Grecën mund të thuhet se ai pati kontakt të vazhdueshëm me njerëzit dhe problemet e tyre, duke e bërë atë element thelbësor të jetës së tij. Përgjat 12 viteve që ai e drejtoi Diellin, konsiderohet si ndër gazetarët më jetëgjatë të shtypit të diasporës në Amerikë…
Gjatë kësaj periudhe komunikimi me Dalip Grecën ka qenë i vazhdueshëm, tejet pozitiv dhe i frutshëm. Ajo që më ka bërë më së shumti përshtypje ishte se ai ndiqte me kujdes gjithçka e për gjithçka që ai e gjente të vyeshme për komunitetin, asnjëherë nuk hezitonte në bashkëpunim, duke kërkuar ndihmë jo vetëm prej miqve të tij të vjetër, po edhe prej kujdo që shfaqte vlera e që mund t’i shërbenin Gazetës Dielli!
Ndër meritat e padiskutueshme të Dalip Grecës do të kujtohet shpirti i tij i komunikimit, fryma e sinqertë e bashkëpunimit, vlerësimi i kolegëve të tij, përhapja e gazetës Dielli dhe ruajtja e një konstanteje në shpërndarjen e shtypit, në një kohë kur komuniteti shqiptar, i parë nën prizmin e organizimit dhe frymës përbashkuese, në veçanti periudhën e fundit ka lënë mjaft për të dëshiruar.
Nisur nga mardhëniet mes nesh, të shtrira në hapësirën e një gjysëm shekulli, mund të them se rrallëkush në historinë e gazetarisë shqiptare ka një karrierë të tillë ngjitëse konstante. Dalip Greca, djaloshi i një province nga Lushnja, me një këmishe të bardhe e stilolaps në xhep të saj, eci me dinjitet nga gazeta e regjimit e deri tek Dielli liberal i Faik Konicës, përmes një shkallareje të admirueshme, çka do ta bëjë të kujtohet jo vetëm nga kolegët dhe bashkëpunetorët, po edhe nga ata që thjesht e kanë njohur, duke përcjellë vlerat e një njeriu të sjellshëm, një intelektuali të rrafshët, një gazetari kërkues po e dhe një personi të veçantë, i cili në gjithë peripecitë që i ofroj gazetaria në kohra tejet të vështira, diti të ecë kujdeshëm, me maturi po edhe me kurajo, çka i bën nder jo vetëm kujtimit të tij edhe të familjes, po edhe gjithë atyre që bashkëpunuan me të, e që janë edhe sot pjesë e një kontributi qës’mund të harrohet lehtë. Unë besoj se Dalip Greca do të vazhdojë të vlerësohet në të gjitha kohrat, për atë çka ishte dhe atë çka dha…!
Jozef Radi, 2023-2024