back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Requiem për poetin Bardhyl Londo – nga Gëzim Zilja

Gazeta

Bardhyl Londo (1948-2022)
Bardhyl Londo (1948-2022)

Requiem për poetin Bardhyl Londo

nga Gëzim Zilja

U mbush java që s’të shohim më o Bardhyl Londo! Gazetat dhe TV-të shkruajtën e folën të gjitha për largimin tënd nga kjo botë. Në këtë shkrim do të përsëris diçka, që ti ke thënë, por u vërtetua sërish, kur shpirti yt i bukur nuk kishte as 24 orë, që shëtiste i qetë, në lëndinat dhe mrekullitë e parajsës. Erdha me shkrimtarin Lazër Stani, mikun tënd të vjetër e bëmë homazhe në sallonin e godinës së Kuvendit. Ndenjëm pak në oborr, duke takuar miqtë e tu të shumtë, që lotonin për ty. Pamë tek-tuk qeveritarë e kuvendarë të pikëlluar, duke bërë homazhe e vendosur kurora. Sigurisht, ti i dashur Bardhi nuk shikon gjë këtu në tokë, se parajsa është shumë lart atje në qiell, andaj pa lejen tënde do të shkruaj nja dy fjalë, që zemra s’mi mban dot e shpirti s’më del po nuk i shpreha. Nuk do të flas për poezitë e tua. Për to është shkruar, shkruhet e do të shkruhet derisa të flitet e të botohen libra në gjuhën shqipe. Unë do të shkruaj për atë që ti nuk më lejove atëherë, duke më thënë se: “Kam shkruajtur vet, për problemin e pushimit nga puna prej Ministreshës së Kulturës. Asgjë. Kjo shoqëri është krejtësisht e kalbur dhe e politizuar, prandaj nuk ia vlen.” Po unë them se ia vlen, që të rithuhen e rishkruhen ca dukuri, që shoqëria shqiptare të mos urrejë e përjashtojë bijtë e vet për bindje politike, e të kuptojë se lufta kundër urrejtjes midis njëri-tjetrit, padrejtësisë e militantizmit është detyrë e përhershme qytetare.

Bardhyl Londo (1948)
Bardhyl Londo (1948)

Këto kohët e fundit bashkë me disa miq të tu, vinim te Varri i Bamit, te pallati parafabrikat në anë të rrugës, ku banoje, se ti nuk mund të vije te “Pazari” ku takoheshim më parë. Atje në tavernën pas pallatit hidhnim dhe ndonjë gotë e bisedonim. Kishte çfarë përfitoje nga ai grup miqsh sepse flisnim për letërsinë, teatrin, mjekësinë, dashurinë, politikën e çdo gjë tjetër. Të çmoja jo vetëm urtësinë dhe mençurinë por veçanërisht se ishe i drejtpërdrejtë, me një sinqeritet çarmatosës. Në vitin 2013, ty i paharruari Bardh Londo, (doje me pak se një vit të dilje në pension) bashkë me shkrimtarin Lazër Stani, (që është ende i papunë) të pushuan nga puna sapo pushtetet u ndërruan. Të dy ishit nga ajo racë njerëzore, që jeton ndershmërisht me pagën, pa i njohur vjedhjet e hatëret. Dikur në tavolinë kemi bërë këtë dialog:
Unë: Bardhi! Cili qe ministri, që ju pushoi nga puna,?
Ti: Ik o Gëzim, mos na rokanis kokën. Tani do shkruash ti?
Unë: Jo! Jam thjesht kurioz!
Ti: E kam harruar.
Unë: Po shkaku?
Ti: Si mijëra të tjerë, që ishim të qeverisë demokratike: pa shkak.
Me thjeshtësinë që të karakterizonte, duke parë me ata sytë e tu të thellë, ku rrathët e zinj nën qepalla dalloheshin tashmë që larg, iu drejtove aktorit Bujar Asqeriu: “Ty Bujar, që dole vjet në pension me që je dhe Mjeshtër i Madh, të bën ndonjë ceremoni lamtumire me këtë rast?” Bujari, hapi fort gojën, qeshi me atë zërin e tij si bubullimë, bëri pastaj një “pëëëëëëf” të stërzgjatur dhe deklaroi: “Bardhi të lutem! Na lër ta pimë rehat këtë qelqe (gotë), hë të kam vëlla! Ditën që mbusha moshën e pensionit më lajmëroi sekretarja të tërhiqja librezën dhe paga mu pre atë ditë. Kam luajtur mbi 150 role. Në teatër kam kaluar gjithë jetën time qysh nga shkolla e mesme. Asnjë telefonatë, asnjë fjalë, kurrfarë ceremonie, apo falënderimi. Po se mos vetëm mua! Aktorë të mëdhenj, kanë shkuar në botën tjetër sikur të mos kishin ekzistuar fare dhe kanë lënë amanet: Nga shtëpia, në varreza! Është çështje nderi, respekti, mirënjohjeje… Po bereqaversën! Nuk ma bënë si ty dhe Lazrit, që ju flakën nga puna…!”

Bardhyl Londo - Nata e Verbër
Bardhyl Londo – Nata e Verbër

Çudi i dashur poet i mijëra shqiptarëve: Si nuk shkroi një gazetë tjetër qoftë dhe një gërmë, kur të pushuan nga puna, nëntë vjet më parë, dhe tani po “qajnë e lajnë” për ty?! Po këta gazetarë, pronarë gazetash e TV-ësh ishin dhe atëherë dhe ti po aq i famshëm sa sot!? Nuk e kuptonin thua që kjo përzënie nga puna ishte një “pushkatim” për poetin, si në kohën e diktaturës? Dhe e fundit: Erdhi për homazhe edhe ministresha që të largoi nga puna. Shumë e pikëlluar dukej. E ndoqa me vëmendje gjatë gjithë kohës. Vendosi një kurorë të madhe me këmbaleca për të shprehur dhembjen e respektin për ty. Sado mundohej, të dukej e mërzitur sa kaloi kangjellat e oborrit gjithë gjallëri u tha mikeshave: “Ç’ditë e shkëlqyer sot, plot diell. Një kafe në Dajt do të ishte mrekulli.” Bëri disa hapa para dhe u kthye: “Hë pra, thoni tani? Nuk më rri bukur ky kostumi gri i hapur? Shkon me këtë pallto e shall kashmiri…” Hypi në makinën e parkuar mbi trotuar dhe urdhëroi: Në Dajt… M’u kujtua një thënia jote ato ditë, kur mblidheshim bashkë. Vure kokën midis pëllëmbëve të duarve dhe fole tepër i trishtuar: “Këtu në Shqipërinë tonë, i harrojnë dhe i vdesin për së gjalli poetët e artistët. Kur ata largohen nga kjo botë i nderojnë e dekorojnë. Madje i përcjellin me homazhe e muzikë funebre.” Ka më shumë se tridhjetë vjet, që përsëritet kjo maskaradë o Bardhyl Londo! U përsërit edhe me ty para një jave. Këtë besoj e ke ditur edhe vet. Ne miqtë e shokët e tu nuk do të harrojmë derisa të piqemi, po qe e thënë edhe për ne, atje në parajsë, ku ti nxitove e shkove! Lamtumirë përgjithmonë, miku ynë!

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.