back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Requiem për Ziso Kamberajn – nga Jozef Radi

Gazeta

Ziso Kamberaj dhe Profesor Bonanno
Ziso Kamberaj dhe Profesor Bonanno
COVID-19 ka shuar një tjetër artist shqiptar,
duke lënë pas një boshllëk jo vetëm për artin por edhe për familjarët e tij.
Piktori Ziso Kamberaj ka ndërruar jetë në moshën 56-vjeçare,
i cili nuk ka mundur dot të fitonte betejën e tij me koronavirusin.
Ai kishte prej muajit shtator që luftonte virusin.
Ziso Kamberaj humbi jetën gjatë kohës që po kurohej në një spital në Gjermani.
Piktura të Ziso Kamberajt në Art Arena - New York
Piktura të Ziso Kamberajt në Art Arena – New York

***

Më erdhi krejt papritur, kjo humbje e Ziso Kamberajt… e pakohë.
Ishte fort i ri, dhe i solla ndërmend gjithe kuadrot që kam prej tij. 
Ishin ndryshe, të konceptuara nga seria. Nuk luante fort me formën dhe ngjyrën,
por me përmbajtjen. Tentonte tek monocolori dhe forma e thjeshtë.
Piktori i preferuar i tij ishte Balthus.
Ziso ishte shpirt i lirë me identitet dhe personalitet, krejt të vetin.
Kontrovers dhe jo i pajtueshëm me më të fortin.
Me pikonka shpirti për Zison… Mund të kish pikturuar bukurira dhe më tej.
Kam një “Vuno” të tij, që për mua, është tepër i realizuar,
duke dhënë shpatet e ashpra e të thepisura të malit, dhe në majë një fshat i vogël,
vigjëlues, i hershëm, i pakohë, si vetë shkëmbijtë e hirtë, mbi të cilët ai ngrihet.
Për fat te keq, pikturat i kam në depo, cip mbi cip, sepse po ndërroj shtepi.
I kam kaq thellë dhe nuk i nxjerr dot, dhe më vjen tepër keq për Zison?
Më vjen keq që nuk i fotografoj dot disa kuadro të tij,
që janë me te vërtet të bukur dhe interesantë.
Eva Dibra, 21 tetor 2021
Ziso Kamberaj - Quo Vadis?
Ziso Kamberaj – Quo Vadis?

Requiem për Ziso Kamberajn

nga Jozef Radi

Isha n’udhëtim midis qiejve të botës, diku në hapsinë midis Floridës dhe Nju Yorkut, e ndërsa shetisja faqen e Fb edhe pa valë, ndesha në murin e nji mikeje të FB nji përshpirtje të dhimbshme për nji artist, që me dhimbti në shpirt edhe pse njoftja ime s’u ba kurrë aq e thellë sa duhet, ama dhimbja e humbjes së tij më trishtoi ma shumë se njoftja mes nesh, sepse ishte jo vetëm humbje artisti, po edhe humbje e parakohshme artisti, diku ndër qiej të huej, dhe prej asaj sëmundje që korr e nuk lidh…
Artin e Ziso Kamberajt, at shpirtin e tij të shkujdesun frymën e tij antikonformiste, ngjyrat e tij jo fort shkëlqimtare, shpesh monokromatike, i kam njoftë shumë vite të shkueme në koleksionet e pasionates së arteve, mikes sime të shtrenjtë Eva Dibra, e cila jo vetëm e stimonte artin e tij po kishte guxue që mjaft kuadro prej Zisos, të ishin pasuni e saj, e ishte ajo përzgjedhje e saj që më shty me e vëzhgue me kujdes kët artist të veçantë, çka më shtyu me I thanë se vërtet ajo kishte të drejtë në vlerësimin e artit të tij që s’kishte fort dritë në ngjyrat e tij po kishte ide, energji, rebelizëm, frymë, stil e mbi të gjitha humanizëm…
Për do vite duk sikur njoftja ime me Ziso Kamberajn do të ndalesh vetëm të ai kundrim i kuadrove të tij, në koleksionet e mikes sime, po edhe në ndonji rastësi përballjesh artistike me veprën e tij…
 .
Ziso Kamberaj
Ziso Kamberaj

***

Udhëtimet me traget mbeten ndër kënaqësitë e mia, ku pos të tjerash kam mundësi m’u përballë me detin në gjithë trajtat e tij, ku mundem me lexue qetësisht, ku mundem me reflektue e me shkrue mbasi shpes udhtimit zgjasin ma shumë se 18 orë, ku mundem me kundrue kamionistët e shumtë, me dominotë e tyne të zhurmshme, po edhe me njoftë personazhe interesante që ushëtojnë prej Europës drejt Shqipnisë po edhe anasjelltas…
E tue qenë se me linjën Durrës-Ancona kam udhtue dhjetra herë, (mos me thanë qindra) në nji prej këtyne herëve, ndërsa isha ulë në kolltuk e po lexoja diçka në paqen e zhurmëshme të dominove të kamionistave… Dëgjova dikënd që më pyeti n’se mundesh me u ulë aty pranë meje, çka e pranova me nji pohim me kokë pa ia prishë terezinë leximit…
-Kam udhëtuar shpesh me tragete po rrallë thuajse asnjiherë s’më ka ndodhur me të ndesh njerëz nga bashkëvendasit e mi që të kenë ndonjë libër si mik udhëtimi… – më tha jo pa buzëqeshje, mysafiri I rishtë.
E pashë dhe i buzëqesha. -Rrallë, rrallë, – i thashë – por ja qëllon ndonji si puna ime që e thyen paksa monotoninë e dominove, dhe shtrimjet përgjatë korridoreve… Qeshëm të dy dhe e vazhduem bisedën, siç ndodh zakonisht në raste të kësaj natyre, kur njeriu gjen të singjajshëm të vet, dhe kërkon jo vetëm të shkëmbejë cigare, po të shkëmbejë ide dhe të gërmojë në at rastësi të kandshme, dhe të hapë e të zhytet ndër biseda…
Ndërsa e mori vesh se kush isha më tregoi se kishte pasë mjaft shoqni me Frankon dhe se e kishte dhimbë mjaft humbja e tij të parakohshme, aq sa ende i dukej e pabesueshme ikja e Frankos… Ndërsa, kur unë mora vesh emnin e tij i thashë, se e njifja… dhe ia plotësova shpejt habinë kur i thashë se e njifja thjesht përmes artit të tij e kryesisht përmes koleksionit që kishte grumbullue prej punëve të tij nji mikja ime e hershme, e quejtun Eva Dibra. Ai qeshi e ma theksoi edhe ma tej at mendim që unë e kisha të konsoliduem ndaj saj…
At udhëtim për Ancona e bamë bashkë edhe me nji shokun e tij… Ai kishte me vazhdue për Trieste me po të njajtin traget, ku ma pas do të shkonte për në Austri, o në mos gaboj për në Gjermani ku ai edhe jetonte…
Prej asaj dite me Ziso Kamberajn ishim miq të mirë, shkëmbenim rrallë por me respekt mendime dhe siç ishte në natyrën e tij antikonformiste…
Lajmin e trishtë të humbjes të tij, me 12 tetor të 2021, e mora ashtu të përgjysmët, midis qiejve dhe tokave të Amerikës, edhe dhimbjen për të ashtu e shpërndava përgjysëm, sepse më trishtoi shumfish humbja e tij, sepse e shumfishte ishte edhe vlera e tij si artist, si intelektual antikonformist dhe si njeri… Ai ka me u mungue të gjithë atyne që e duen artin, neve që jena përballë me artin e tij, me at shpirt rrebel që me stoicizëm iu vu kundruall realizmit socialist, e që të tillë aq shumë i mungojnë epokës që jetojmë…
Qofsh i parajsës Ziso Kamberaj…!
.
Shkruar në qiell, midis Jacksonville dhe New Yorkut, 12 tetor 2021, mbasdite e vonë!
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.